Fron Nazi: Lufta në Kosovë bashkon shqiptarët

(Botuar me 30 prill 1999 në KOHA JONE)

Nga Fron Nazi-

Në qytetet dhe fshatrat në të gjithë rajonin, janë bashkuar pjesë të tragjedisë shqiptare. Në kufi me Maqedoninë dhe Greqinë, qyteti i vogël shqiptar i Korçës përmban të gjitha elementët e tragjedisë më të fundit. Haxhi Qerreti nga fshati kosovar i Landereiçit tregon sesi forcat serbe i kanë vrarë djalin dhe vajzën. Një familje nga fshati Lismir flet për kthimin e tyre në Kosovë për të luftuar më UÇK-në.

Servet Feka, një biznesmen lokal, ka pritur 55 refugjatë. Të bashkuar nga lufta, ata kanë një gjë të përbashkët, nuk kanë asnjë ide se çfarë mund t’u sjellë e ardhmja. Para shpërthimit të anarkisë në Shqipëri në pranverën e vitit 1997, 80.000 banorët e Korçës dilnin çdo ditë të shëtisnin në bulevardin kryesor, të bënin ndonjë piknik në park, dhe të ndiqnin koncertet e mbrëmjeve të organizuara nga orkestra e shkollës së mesme. Në dy vitet e fundit, pas rënies së firmave piramidale, dy banda, “Barinjtë” dhe banda e “5-katëshit”, e kanë terrorizuar shumë të gjithë komunitetin. Sapo bie muzgu, rrugët e këtij qyteti më përpara të zhurmshme, të vendosur midis dy majave mali pranë Liqenit të Ohrit, boshatisen menjëherë. Më vonë më 8 prill, në orën 6 të mëngjesit, në Korçë kanë mbërritur 12.000 kosovarë që kishin mbetur të bllokuar në pikën e kalimit të kufirit Kosovë – Maqedoni, nga Bllaca. Disa prej tyre ishin refugjatë “të humbur”, të dëbuar nga Kosova dhe pastaj të nisur me autobusë jashtë Maqedonisë.

Kronika e një udhëtimi tragjik

Sipas dëshmive të refugjatëve, forcat serbe kanë rrethuar fshatin Lismir më 4 prill. Ata i mblodhën fshatarët në sheshin kryesor dhe i urdhëruan t’i hidhnin kartat e tyre të identitetit në një batanije të vendosur në tokë. Atyre iu tha se kush do të refuzonte, do të vritej. Forcat serbe pastaj i dogjën të gjitha kartat e identitetit dhe u vunë flakën edhe shtëpive. I tërë fshati prej disa mijëra banorësh duhej të ecte më këmbë drejt kryeqytetit, Prishtinës, ku së bashku me 50.000 kosovarë të tjerë, hipën nëpër trena drejt Maqedonisë.

Që kur Maqedonia refuzoi të hapte kufijtë e saj me Kosovën, të parët janë detyruar të rrinë tre ditë pa ushqime dhe ujë në tokën e askujt në pikën e kalimit në Bllacë. “Nëse nuk do të ishte për shqiptarët etnikë të Maqedonisë, të cilët hynë vetë në kampet tona për të na dhënë ushqime dhe ujë, ne do të kishim vdekur”, thotë më i madhi i një familjeje nga fshati Lismir, i cili nuk dëshiron të identifikohet. Më 7 prill, në orën 5:30 pasdite, autoritetet maqedonase kanë detyruar me forcë rreth 12.000 kosovarë, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, të hipin në 50 autobusë. Zyrtarët thanë se ata do të çoheshin në një kamp që ndodhej 7 kilometra më tej.

Në shtetin amë

Pas një udhëtimi 12 orësh pa ushqime, ujë, apo pa patur mundësi të shkonin në banja, kosovarët mbërritën në Korçë. I ulur në kompleksin sportiv të Korçës, që tashmë shërben si shtëpi për 800 kosovarë, më i vogli i katër burrave nga fshati Lismir, një 30-vjeçar, thotë: “Nuk e kishim idenë se po hynim në Shqipëri. Shoferët maqedonas të autobusëve hapën dyert dhe na thanë të dilnim jashtë. Dhe që atëherë jemi këtu”. Kështu që prej 4 prillit, familja e madhe e përbërë nga 125 vetë, është ndarë: 14 burra kanë ndenjur në Kosovë; 35 janë në Korçë, dhe nuk dihet gjë për pjesën tjetër. “Sapo të rregullojmë fëmijët dhe gratë, ne do të kthehemi për të luftuar në radhët e UÇK-së”, thotë më i moshuari. Haxhi Qerreti është nga fshati i vogël i Landareiçit pranë qytetit të Prizrenit. Nga 26 marsi deri më 1 prill, ai ka qëndruar i fshehur në pyll. Ditën tjetër, ai dhe rreth 300 të shpërngulur të tjerë janë transportuar me autobusë për në Korçë. Ata ishin ndër të parët kosovarë që kanë mbërritur në këtë qytet. Pushteti lokal ka kthyer qendrën e studentëve në një mjedis të përkohshëm banimi për 355 njerëz. Të ulur në dhomën e konviktit bashkë me gruan, dy vajzat, nëntë dhe shtatë vjeç, djalin 5-vjeçar, Klishak, ai tregon sesi i është dashur të largohet pa varrosur djalin 10 vjeç dhe vajzën 15-vjeçare, të cilët ishin vrarë nga bombardimet serbe.

Ja, pse ikëm nga shtëpitë

“Serbët e kanë goditur me mortaja fshatin tonë. Ata madje nuk na lanë të varrosnim të vdekurit. Trupat e fëmijëve të mi mbetën të pavarrosur”, thotë ai. Të premten më 26 mars në orën 11:30 të mëngjesit, gruaja e Qerretit ishte ulur në tavolinë për të ngrënë drekë. Djali kishte dalë jashtë për të marrë ujë. Kur ata po uleshin rreth tavolinës, hyn djali dhe bërtet: “Serbët po na godasin”. Qerreti e çoi menjëherë familjen tek fqinji. Në fillim serbët gjuajtën me mortaja në drejtim të fshatit. Pas goditjeve, ushtarë serbë të veshur me uniforma të ushtrisë jugosllave hynë në fshat dhe filluan të qëllojnë me armë. Ata vranë fqinjin e Qerretit, një avokat 45-vjeçar, nënën dhe djalin e tij 16 vjeç. Gjithashtu u vranë edhe një fqinjë tjetër dhe vajza e saj 15 vjeç, si dhe dy kushërira të tij, 33 dhe 29 vjeç. “Unë kisha në krahë djalin Klishak kur po vraponim t’u shpëtonim serbëve. Ata po qëllonin në drejtimin tonë. “Ata e goditën djalin Klishak në këmbë, dhe ndërkohë ishte qëlluar edhe djali tjetër. Në fillim kujtova se ai vetëm ishte plagosur. Ai bërtiti “baba, baba” dhe pastaj vdiq. Kur ngrita sytë, pashë edhe vajzën të shtritë përdhe. Me pjesëtarët e tjerë të familjes u fshehëm në pyll”. Ndërsa flet, ai i ngre pantallonat Klishakut për të treguar plagën e plumbit.

Problemet e sistemimit

Pasdite do të organizohej një takim i familjeve pritëse në bashkinë e qytetit. U mblodhën rreth 200 vetë për të marrë numrat e atyre që do të tregonin racionet javore të ndihmave humanitare që ata do të merrnin. Për 16 persona për 10 ditë, pushteti lokal jep 10 kg makarona, 10 litra vaj, dhe 6 furça dhëmbësh. Familja pritëse dhe kosovarët duhet të shkojnë bashkë në magazina për të firmosur. Servet Feka, 49 vjeç, bashkëpronar i distilerisë së verës dhe konjakut në Korçë thotë: “Është e pamundur të mbash një familje prej 16 personash me këto racione”. Serveti ka marrë 55 vetë, shumica gra dhe fëmijë. Ai e ka shndërruar një pjesë të magazinës së tij në një vend banimi me 4 dhoma gjumi, një kuzhinë dhe banjë. Këta janë shumë më mirë sesa shumë të tjerë, sepse jo vetëm që kanë jetën e tyre private, por edhe sepse Serveti ka vënë mënjanë një buxhet prej 100 dollarësh në ditë për të blerë ushqime. “Unë kam një biznes dhe kjo e lehtëson disi situatën. Por shumica e njerëzve duhet të mbijetojnë me një rrogë 200 dollarësh në muaj”, thotë ai. Serveti dhe disa tregtarë të tjerë kanë krijuar në Korçë Fondacionin “Kosova” për të ndihmuar rreth 12.000 kosovarë. “Si mund të ankohet dikush nga ne, kur mëson se çfarë kanë hequr këta njerëz?”.

* Fron Nazi është redaktori IWPR në Tiranë

SHKARKO APP