Frrok Çupi: Berisha ra, kush do të ngrihet!?
(Botuar me 17 Janar 1997 në KOHA JONE)
Nga Frrok Çupi-
Të gjithë kanë të drejtë të gëzohen. Policët do të jenë më të qetë sepse nuk do të gjakosin njerëzit e tyre të dashur, burgjet do të lirohen nga politikanët, fëmijët nuk do të tremben nga Berisha përnatë në Televizion, ministrat nuk do të jenë rrugaçë, shikasit nuk do të shikojnë prapanica njerëzish opozitarë, pemët në parqe do të jenë më të lira që të mos akuzohen për komunizëm.
Në turrën e gjërave që po ndodhin aktualisht, e vetmja gjë që duket qartë është fundi i pushtetit të Berishës, i cili këtë pranverë po feston pesëvjetorin e instalimit. Berisha ra jo si një lis, por si një mashtrim. Sepse ai e kishte lidhur veprën e tij pushtetërore me dy gjëra të poshtra: Dhunë kundër votës së lirë dhe kundër opozitës politike; dhe, korrupsion qeveritar e mashtrim fajdexhiu ndaj qytetarëve. Kur ranë këto, Berisha u ngjit në malin e Dajtit për t’i krijuar vetes idenë se ishte ende lart; mirëpo hija e fajedexheshës “Sude” e bëri të zbresë në baltë… dmth këtu ku njerëzit jetojnë varfërinë e shkaktuar nga tragjedia qeverisëse e Shqipërisë.
Mbrëmë qeveria amerikane, përmes nënsektetarit të shtetit lëshoi shqetësimin e madh se Shqipëria kishte rrëshqitur (si një kamion në humnerat e Dajtit) nga rruga e demokracisë. Shteti amerikan i kërkoi dje Berishës që menjëherë në këtë fillim viti të shpallë zgjedhjet e reja parlamentare, me anë të të cilave të vijnë në pushtetit legjitimët dhe të eliminohet mashtrimi e gënjeshtra prej një qeverie shqiptare.
Pra, zgjedhje të reja e të lira, do të thonë Lamtumirë doktor! Ajo bezdi e madhe e opozitës dhe neveri popullore që kishte mbërthyer shumicën e popullsisë ndaj pushtetërimit berishian, tani mori fund. Të gjithë kanë të drejtë të gëzohen. Policët do të jenë më të qetë sepse nuk do të gjakosin njerëzit e tyre të dashur, burgjet do të lirohen nga politikanet, fëmijët nuk do të tremben nga Berisha përnatë në Televizion, ministrat nuk do të jenë rrugaçë, shikasit nuk do të shikojnë prapanica njerëzish opozitarë, pemët në parqe do të jenë më të lira që të mos akuzohen për komunizëm. Pra, ky që ishte, ra.
Problemi është tjetërkund: E para qëndron në një hamendje të përfolur mijëra herë sikur Berisha duke shkuar do të marrë me vete shkëmbinj e përrenj, që nuk ndodhet vetëm në dorën e atij.
Ndërsa problemi i dytë i qenësishëm është ai problem që u shtrua në kohë kur Berisha erdhi e turbulloi aspiratat demokratike të popullit: Çfarë do të bëhet mbas rënies së të keqes? Nuk mjafton vetëm fundi i së keqes, por kryesore është filli i së mirës. Kush do të ngrihet mbas rënies së Berishës?
- Do të ngihen vallë të dobëtit, si Berisha?
Lloji i të dobëtëve matet me atë që sa do të durojnë të keqen që deri dje u rrinte mbi kokë, ta shikojnë në këmbët e tyre. Kur Berisha pat parë motivin e tij shpirtëror R. Alia duke u dridhur në zyrën e Presidentit, ky i tha “Shpejt në burg”. Ndërsa kjo histori e tmerrshme dhe e turpshme nuk duhet përsëritur kurrë më.
Sali Berisha është një njeri që nuk di e nuk mundet të drejtojë shtetin, njerëzit që nuk e njohin thonë se nuk është i përzierë në punët e pista me para. Mjafton që shumica ta dinë kështu, edhe sikur e kundërta të jetë, me qëllim që opozita dhe të gjithë njerëzit të jenë të lirë e tolerantë ndaj kësaj ëndrre të keqe që po kalon bashkë me Berishën.
Vetëm të dobëtit mund të gëzohen pse ra një njeri dhe mbi këtë të lëshojnë mijëra e mijëra sulme dhe akuza të tjera. Ai që do të ndahet nga periudha e keqe e qeverisjes së Berishës do të dijë të sillet denjësisht ndaj historisë së vet.
- Çfarë do të bëjnë malësorët dhe nëpunësit?
Këto janë dy kategori të ndryshme, por që i afron fakti se ishin shumë afër Berishës.
Malësorët e Veriut gjatë berishianizmit ishin të ndarë në dy grupe opinionesh: I pari në pozën e “karaduzit” kishte deklaruar se e bënte malin det sa kohë që kishte Berishën, ndërsa pjesa tjetër e malësorëve gjithnjë e kanë ndierë veten të turpëruar nga pozita e malësorit Berishë. Tani që qeverisja Berishë ra, të dy llojet e malësorëve do të jenë në një pozitë: Duke u turpëruar me shumë dhe duke thënë se “kurrë nuk mund t’u besohet malësorëve që të drejtojnë vendin”.
Por në pozitën më të keqe do të jenë malësorët që përfituan në polici, në gardë, në privatizim, në kapardisje në saje të Berishës. Ky lloj do të jenë më të egër kundër Berishës. Po kështu edhe nëpunësit servilë të administratës shtetërore. Këta do të kenë ruajtur kushedi sa gjëra për të qeshur nga sjelljet e kryetarit të shtetit të tyre, dhe do t’i servirin si humorin e vitit të ri. Këta nuk bëjnë vetëm për të qeshur, por bëjnë edhe rolin e hardhucës që futet kudo. Në pushtetin e pastër pas Berishës mund të tentojnë të hyjnë këta, por nuk duhen lejuar.
- Çfarë do të bëjnë këshilltarët trutharë?
Këta nuk do të mund të qëndrojnë për shumë kohë pranë Berishës. As që do të guxojnë të japin këshilla të tjera se çfarë duhet bërë në të ardhmen.
Sepse ata kurrë nuk dinë të flasin për nesër. Por edhe sepse kanë frikë të këshillojnë një njeri që mendojnë se e ka të ardhmen të dyshimtë. Këshilla që do të japin ish-këshilltarët do të jetë qortim ndaj Berishës: “Pse nuk e dorëzove pushtetin kur e dije se fajdetë do të rrëzoheshin!? Nuk e dije? E dije. Në atë kohë duhej të largoheshe prej pushtetit, dhe ia lije opozitës fajdetë. Pas kësaj vije përsëri dhe thoshe: E shikoni, opozitarët e mi iu shkatërruan fajdetë”.
Nën këtë moral është duke u diskutuar mes përgjegjësve kryesorë të fatkeqësisë popullore të shkaktuar prej një qeverisjeje si kjo. Sot mblidhet Këshilli Kombëtar i PD dhe diskuton nën moralin se si do të bëjmë t’ia hedhim edhe një herë popullit të grabitur, të plaçkitur, të braktisur, të vjedhur… Çështja themelore: Cili do të ngrihet pas rrëzimit të Berishës!?
- Mund të ngrihet ndonjë nga miqtë e Berishës?
Kjo është e pamundur dhe e pabesueshme. Jo vetëm pse në qeverinë e tij ai nuk ka asnjë mik, por as edhe në rrethin e politikanëve, Berisha nuk ka njerëz që e imitojnë e duan këtë. Përveç njerëzve me cene të rrezikshme, që më shumë i lëpihen se sa e duan dhe i besojnë. Këta kanë humbur tërësisht besimin popullor pse kanë qëndruar sadopak afër Berishës. Aq më tepër që ky president kishte mbledhur rreth vetes njerëz “eunukë” për të mos i bërë “hije” këtij.
- Do të ngrihet ndonjë hero i Lëvizjes së fajdesë?
Fusha e fajdeve u kthye në lëvizje politike ku hidhen parulla njësoj si kundër komunizmit në vitin 1990. Kjo ngjashmëri mund të frymëzojë logjikën që në këmbë të Berishës të vihen këta që po dalin në sheshet e fajdeve. Aq më tepër që pigmenti politik i opozitës ka munguar. Por në qoftë se në vend të Berishës do të vijnë heronjtë e fajdeve, përsëri e ardhmja politike e vendit do të jetë po kaq e dyshimtë. Periudha e nxehtë e protestës së menjëhershme, si edhe me Berishën, mund të sjellë në krye kokën e nxehtë.
- Apo do të vijë periudha e një pushteti përfaqësues për popullin?
Që të flasë presidenti shqipen mirë!? Që kryeministri të mos bëjë me shenja si në teatrin e kukullave!? Që ministri i diplomacisë të mos imitojë presidentin!? Që qeveritarët të mos vjedhin!? Që nëpunësit e shtetit të shërbejnë popullin dhe jo veten e tyre!? Që të ketë punë e prodhim; të ketë ujë e drita; të ketë rrugë të pastra dhe shqiptarët të mos braktisin vendin e tyre!? Vallë mund të bëhet kjo mbas shkatërrimeve të qeverisë së Berishës? Me siguri, në qoftë se vullneti i lirë i popullit do të zgjedhë rrugën që ky të qeveriset në mënyrë përfaqësuese dhe dinjitoze. Atëherë vetëm përrallat do të kenë një temë trishtuese. Frrok Çupi