Frrok Çupi: Do ta kërkosh Vlorën, Opozitë!
(Botuar me 4 Maj 1997 në KOHA JONE)
Nga Frrok Çupi-
Mund të themi se opozita politike vdiq dy herë: Herën e parë vdiq vetvetiu, duke u ankuar se “Berisha na shtyp, populli nuk na ndjek”. Kjo vdekje u ndërpre në momentin kur në Shqipëri u shfaq portreti dhe fenomeni madhor Vlora. Vlora ngjalli opozitën politike shqiptare, duke ngjallur njëkohësisht edhe qytetarinë shqiptare që kërkon të dalë nga fisi në shtet. Vlora në këtë sens përfaqëson tërë Shqipërinë. Ndërsa për herë të dytë, opozita po ndien vdekjen që po i vjen e sigurtë dhe përfundimtare tani kur po i kthen shpinën Vlorës. Shpina është dukur që në momentin kur opozita u përlot në tavolinën e Berishës me datën 9 mars, duke e shndërruar veten nga opozitë në pozitë pa pozicion. Opozita atë ditë, në mes alternativës për të shërbyer Vlorën dhe Shqipërinë, apo për të shërbyer tryezën me lustër të Berishës, zgjodhi këtë të dytën.
Aktualisht jeta e Shqipërisë ndodhet nën një alarm dhe kërcitje vdekjeprurëse, për shkak se mes fenomenit Vlora dhe opozitës politike është krijuar një hendek i madh, ku rri Berisha. Ky i fundit, njëkohësisht kërcënon Vlorën që të mos jetë qytetare e shqiptare siç është, në anën tjetër përkëdhel apo fshikullon opozitën me qëllimin që t’i largohet Vlorës. Opozita e rrahur apo e jargosur nga Berisha, po betohet këto ditë se “për Qiell e për Dhe nuk kemi lidhje me Vlorën”. Në anën tjetër i betohet Vlorës se “ju duam, ju kemi ardhur për dasma e për vdekje, si dhe për plazh”.
Mirëpo jeta politike shqiptare, aktualisht, ka dy definicione të mëdha: I pari, Vlora është në fakt e tërë Shqipëria dhe nuk është një pjesë e veçuar. Të gjithë shtetasit shqiptarë ushqejnë të njëjtën pakënaqësi kundër pushtetit të Berishës, të cilin nuk duan ta shikojnë më në fron. Definicioni i dytë është ky: Pa Vlorën nuk mund të ketë as shpirt proteste, as qytetari, as shtet dhe qeveri. Pra as opozitë. Cili është shkaku që opozita i ka kthyer shpinën Vlorës? Më i thjeshti është se ndërsa opozita kërkon karrige, Vlora dhe Shqipëria kërkojnë zgjidhje dhe përparim. Karriget rrinë edhe në skutat e errëta, ndërsa përparimi është në dritën e diellit. Një shkak tjetër është se opozita, e trembur dhe e lakuar, nuk ishte aq e aftë sa të kërkonte dhe realizonte operacione shpëtimtare, por të operonte pushtetin e doktor Berishës vetëm me anestezi lokale. Shkaku i tretë pse opozita i trembet Vlorës (d.m.th. Shqipërisë), është se nuk ka marrë lejen prej diplomacisë së huaj. Sipas kësaj logjike, Berisha i kishte marrë lejen diplomacisë për të vjedhur dhe dhunuar popullin. Më tej, do të thotë se diplomacia e huaj paskësh vendosur që Vlora të ishte në Jug, të kishte det dhe Ujin e Ftohtë. D.m.th. opozita pret një Shqipëri tjetër të dhuruar nga diplomacia. Ndërsa shkak më i ulët është se ka disa njerëz nga opozita që ditën puthin Vlorën, ndërsa natën Berishën. Por do të jetë shumë e afërt dita kur opozita do ta kërkojë Vlorën. Atë ditë Opozita do të tentojë të ngrihet nga varri i harruar ose të dalë nga tmerri post-mortor. Skena është gati: Berisha po përgatitet për t’i dhënë komandë Ushtrisë së tij jolegale; po përgatitet për të ndarë Shqipërinë dhe për të mbretëruar në një fis verior. Atë ditë, opozita që nuk po pyet shumë për fatet e popullit, do të kërkojë strehë për vete. Por mund të jetë shumë vonë. Mbetet vetëm të shpresojmë se Opozitës nuk do t’i duhet të endet aq gjatë sa çifutët nëpër shkretëtirë, për të gjetur Vlorën.
FRROK ÇUPI