Frrok Çupi: Freno kalin, zoti President!

(Botohet me 28 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi-

Rruga mbyllet këtu, më tej fillon gremina ku Shqipërisë nuk mund t’i gjenden më as kockat. PD, me në krye Sali Berishën e sollën këtu, por mund të ndalen vetëm këtu. Dy herë u dogj Shqipëria nën PD; herën e parë kur erdhi, ndërsa herën e dytë tani kur po ikën. Është mjaft, edhe për më të pangopurin me tmerrin. Ndalni!

E shikoni, zotërinj sundues! Askush nuk ju do më. Populli dogji simbolet dhe ndërtesat fatkeqe që mbanin sinjalet e PD. Në rrugë populli akuzoi Presidentin si hajdut dhe qeverinë grabitqare. Nënkryeministri i vendit u përgër nga populli. Shqiptarët po hakmerren pse iu vodhën votat, e mandej edhe xhepat. Tani nuk ka mbetur më asgjë. Të dyja palët: Sunduesit dhe të sunduarit, ndodhen ballë për ballë, duarbosh. Populli është boshatisur nga gjithçka. I vodhën shpresën, aspiratën për demokraci, votat e 26 Majit. Më parë i kishin vjedhur gjithë djersën e derdhur për 50 vjet radhazi, duke e futur në xhepat e pak njerëzve të skemës nepotiste qeveritare. Qeveria la të lirë krimin që shkaktoi mijëra kufoma njerëzore. Qindra mijëra shqiptarë mallkuan tokën e tyre, pse ishit ju present, dhe u shpërndanë nëpër botë ose nën ujëra detesh. Tani janë kthyer përsëri me fytyrë nga e ashtuquajtura qeveri e tyre, egërsisht, e duarbosh. Ndërsa po kaq e boshatisur ndodhet edhe vetë qeveria. Ajo ka humbur 260 milionë dollarë nga bilanci buxhetor; ka varrosur rreth 1 miliardë e gjysmë dollarë të popullit nëpër firmat mashtruese, në pagesat për manipulimin e zgjedhjeve politike dhe për eliminimin e opozitës. Bota perëndimore ka stopuar çdo hap ndaj Shqipërisë. Qeveria shqiptare nuk gëzon legjitimitetin e popullit, ashtu sikurse Parlamenti, është produkt vetëm i Sudes apo i VEFA-s. Në mes të muajit prill, edhe Presidenti mbyll kapitullin legjitim.

E vetmja gjë që ka në dorë qeveria dhe Presidenti, është arma. Edhe armën e vunë në përdorim, duke instaluar gjendjen e jashtëzakonshme. E ku duron më gjendja shëndetësore e jashtëzakonshme e Shqipërisë, një gjendje të jashtëzakonshme të kapriços qeveritare?!

Ku po shkoni më tej? Do t’i shkoni të gjithë në hell? Shqiptarët e pamësuar me sjelljen demokratike, e kuptuan ferrin, dhe tani janë vënë përballë forcës së qeverisë. Edhe qeveria e Berishës, me sa shihet, është betuar të rezistojë me forcë. Sot, nën thirrjet frenetike të disa militantëve të PD, ishte thirrur të organizohet një miting kundër selisë së PS, akt që mund të shënonte luftën civile në Shqipëri. Tensioni i ka fijet në duart e Berishës, askund tjetër. Të gjithë njerëzit me koka të ftohta dhe arsye të shëndoshë, liderët e opozitës, institucionet jashtë qeveritare dhe intelektualët, po kërkojnë dialogun dhe dorëheqjen. Institucionet Perëndimore dhe qeveria amerikane po kërkojnë t’i jepet fund tensionit dhe të fillojë tryeza e bisedës në Shqipëri. Është jo vetëm nder, por edhe detyrë e qeverisë që të zbythet para vullnetit të popullit. Dorëheqja është paqë dhe shans për paqen e të dyja palëve. Edhe kjo është në dorën e Presidentit të Republikës, i cili është bërë i njohur si inatçor mbi “Kalin e shtetit”. Këtu freno kalin, zoti Berisha; kjo është e vetmja e mirë që ka mbetur.

Frrok Çupi

 

SHKARKO APP