Frrok Çupi: Kosovë, prej Rogner në Londër

(Botuar me 31 janar 1999 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi-

Dy dyert e mëdha elektronike të Hotelit më luksoz të vendit “Europa park Rogner” në Tiranë, hapen me përtesë. Duket sikur janë inatosur me klientët e njohur; por në fakt shkaku ndodhet te lodhja e tyre e rëndë: Çil e mbyll 60 herë në minutë. Holli i madh i ngjan herë një stacioni treni, herë një salle kongresesh dhe herë një estrade. Në “Kafe” nuk ka asnjë vend të lirë: Disa të ardhur kanë lënë aty pallto, kostume, çanta, fletore, gazeta, kaseta… sikur po vjen dikush t’u okupojë karrigen. Dy burra të panjohur në Tiranë i ngjajnë njëri-tjetrit sikur njeri i vetëm ndodhet para pasqyrës. “Janë binjakë, Kushnini quhen dhe kanë dyqane floriri në Kroaci”- thotë dikush me xhelozi për pasurinë e tyre. Të dy vëllezërit se bashku janë “president i të gjithë shqiptarëve kudo në botë”, dhe kanë ardhur të bisedojnë me Presidentin e Shqipërisë për punët e Kosovës”- tregon dikush tjetër. Një çudi e madhe. Hyn e del plaku i thatë Mark Krasniqi, me dosjen e përjetshme të viktimave, në dorë. Idriz Ajeti thotë se është kryetar Parlamenti, dhe bashkë me disa deputetë kosovarë ka ardhur në Ronger për të zgjidhur “çështjen e Kosovës”. Orë pas ore pritet të vijë një grua “e hekurt” socialdemokrate nga Kosova. Edhe ajo në Rogner. Para disa ditësh u larguan disa ministra.

Që të gjithë nga Kosova në Rogner, për të zgjidhur “çështjen”. Së shpejti në Londër bëhet një mbledhje tjetër, Grupi i Kontaktit. Mirëpo dyert e hotelit të Tiranës janë lodhur aq shumë këto dy ditë, saqë mund t’u thoshin Prishtinës dhe Londrës “Ju rroftë nami për Kosovën, lodhjen po e hamë ne, në dyert pa shpirt të Rognerit”. Po cilat janë zgjidhjet e Rognerit?

  1. Vetëvendosja e lashtë dhe hileqare

Politikanët e Tiranës, mbas një lodhjeje shumë të gjatë për të gjetur telat e politikës së shqiptarëve të Kosovës, arritën në definicionin: “E drejta e vetëvendosjes”. Politikanët e Kosovës, sapo dëgjuan këtë formulim shkëmbor, u sulën drejt Tiranës, sikur zbuluan Tokë.

Mirëpo cili është “zbulimi i madh”? Për politikanët shqiptarë, zbulimi është ky. Duhej një frazë e rrumbullakët, si sferë, që të mos kapej dot as nga opozita ekstreme, as nga nacionalistët e verbër, as nga rapsodët dhe as nga budallenjtë. U gjet fraza “vetëvendosje për Kosovën” dhe u kënaqën që të gjithë…

Duhej një frazë përsëri sferike që t’u mbushej mendja politikanëve të Kosovës se “Tirana po na përkrah”, dhe u gjet vetëvendosja. Në fakt, shumë politikanë në Kosovë nuk mendojnë thjesht përkrahje për zgjidhjen e çështjes, por shikojnë interesat e klaneve, Klanet e Kosovës gjejnë strehë të ngrohtë në frazën e Tiranës “e drejta për vetëvendosje”. Të paktën kështu mendojnë ata. Sepse të gjithë politikanët shqiptarë të Kosovës po presin “kurorën” pas luftës, dmth., pjesëmarrjen në qeveri. Në fjalët e Tiranës “e drejta për vetëvendosje”, klanet mund të kapen për të mbrojtur vetveten përballë njëri-tjetrit, sepse njëri klan i thotë tjetrit : “Ka thënë shteti-amë se kemi të drejtë të vetvendosim; unë psh. vetvendos të jem nënkryeministër”. Para se të vijë puna tek qeveria, politikanët e qytetit iu drejtohen atyre të UÇK në mal: “ Ej, luftoni ju, se shteti-amë na perkrah në vetvendosje”. Në fakt, e tëra është një frazë boshe.Çfarë do të thotë “Vetvendosja” për politikën ndërkombëtare? Analistë dhe politikanë të ndryshem, kur e dëgjuan, kërkuan shumë shpjegime, vallë çfarë thonë këto tri fjalë pa asnjë folje: “E drejta për vetvendosje”. Koncepti i vetvendosjes u përmend në Kartat ndërkombëtare menjëherë mbas Luftës së Parë dhe mbas Luftës së Dytë Botërore per të pajtuar mijëra vajtimet e shteteve të vogla që shpërthyen në mbarë Botën. Që atëhere kanë kaluar dhjetëra vjet që ky koncept politik nuk hyn në axhenda dhe as përdoret më për zgjidhje konkrete, askund në Botë. Ky absurd e çuditi, deri diku, politikën ndërkombëtare. Pas çudisë, politika ndërkombëtare qëndroi me kujdes mbi tri-fjalëshin e politikës së Tiranës, duke kërkuar ku ishte enigma.

Enigma, sipas politikës, qëndronte në rrezikun se mos vallë “Tirana përgatit një pavarësi të afërt të Kosovës, duke kërkuar vetëvendosje”?! Pas kësaj shihen shumë probleme në Shkup, në Bullgari, në Greqi, madje edhe në Shqipëri.

Mirëpo Tirana, me sa duket, e kishte menduar mirë se nga cila “derë” e formulimit të saj të gjente dalje në rast vështirësish. Dalja e parë është kjo: “Iu ofruam kosovarëve vetëvendosje, pasi nuk kemi forca të merremi më me këtë çështje. Kemi punët tona”. Kjo të bind, aq më shumë në mes problemesh të mëdha që ka Shqipëria.

Dalja e dytë: “Kosova të vetëvendosë për qeverinë e saj, po të fitojë të drejtën e vetëqeverisjes. Të vetëvendosë edhe në qoftë se ka dëshirë të bashkëjetojë me Serbinë. Kjo nuk është puna jonë”. Politika e Tiranës para shqiptarëve shfaqet nacionaliste, ndërsa para politikës ndërkombëtare shumë indiferente.

  1. 3 vjet akull dhe… Pranvera

Në masat gjigante ajrore perëndimore po fluturojnë përditë qindra opsione për zgjidhjen e krizës në Kosovë.

(Fatkeqësisht vetëm opsionet e politikës shqiptare nuk përmenden. Madje Grupi i Kontaktit vendosi që të mbajë bisedimet serbo-kosovare pas një jave në Francë, në një zonë ku të mos ketë emigrantë shqiptarë).

Cili është, deri tani, opsioni më pranë fitores? Kosova të jetë një zonë “e ngrirë për tri vjet”, dhe vetëm pas kësaj kohe të mund të bisedohet për vendosjen e statusit të krahinës. Propozimi ka ardhur nga Londra, dhe po i afrohet realizimit. Pra në këtë dimër të ftohtë të shekullit, mund të fillojë edhe ngrirja politike e Kosovës.

Çfarë do të thotë kjo?

Për Botën, do të thotë një angazhim maksimal për të ruajtur gjendje të ngrirë mes armëve të Serbisë dhe UÇK. Në këtë mes mund të hyjnë trupa të armatosur, ndoshta nën emrin OSBE dhe jo NATO. Vendet ballkanike dhe europiane do të paguajnë qetësimin trevjeçar të Kosovës, duke u ankuar më së shumti ndaj shqiptarëve. Për Serbinë, gjendja “e ngrirë” do të kuptohet si një provim para vetes dhe para Botës. Gjatë tri vjetëve do të bëhen ndryshime të tilla politike në Serbi, që askush të mos ketë të drejtë të thotë se në këtë shtet ka diktaturë ose monopartizëm në qeverisje. Gjatë tre vjetëve institutet serbe mund të përpunojnë strategji “ekselente” të sjelljes midis palëve. Ndërkohë do të ketë forcuar aleancat e vjetra. Gjithë qëllimi do të jetë për të mos lëshuar Kosovën, e cila sot për sot thuajse është e humbur për Serbinë. Për shqiptarët e Kosovës, situata e “ngrirë” do të thotë një barrë shumë e madhe. Në radhë të parë politika e Kosovës duhet të tregojë se është e aftë që të zbresë luftëtarët e UÇK nga malet dhe të instalojë paqen qytetare. Së dyti, politikës së Kosovës i duhet të tregojë se di të angazhojë institucione shtetërore, jashtë klaneve dhe mosqytetërimit. Së treti, politikës së Kosovës i takon detyra që t’i kushtojë vëmendje pushtetit ekonomik, krahas pushtetit politik në krahinë. Në qoftë se gjatë periudhës së “dimrit” trevjeçar, politika qytetare e Kosovës do të dështojë, atëherë “Pranvera nuk mund të jetë e gëzueshme për të.

  1. Serbia humbet Kosovën… po Tirana Beogradin?!

Në analizën realiste të shumë politologëve, ka hyrë ky koncept: “Serbia e humbi Kosovën”. Kjo është pranë së vërtetës. Megjithëse disa njerëz, këtë koncept politik e kuptojnë në mënyrë gjeografike. Nuk është puna te toka ose te kufijtë. Problemi është se mbas gjakderdhjes në Kosovë, duhen shumë vjet që të krijohet një situatë besimi dhe qeverisjeje mes Beogradit e Prishtinës. Në këtë kuptim Beogradi e ka humbur Kosovën. Ndërsa gjeografikisht, askush nuk mund të thotë definicione se si do të ndahen punët. Mund të ndodhë që Kosova të mos shkëputet… mund të shkëputet… mund të mbetet krahinë ose republikë autonome… mund të ndahet në mes etj.

Mirëpo çfarë do të ndodhë pas kësaj me Shqipërinë?

Vallë do të jenë në gjendje shqiptarë e kosovarë që të jetojnë në një shtet të vetëm? Vallë do të krijohet një barrierë “konflikti” mes Tiranës dhe Beogradit. Në qoftë se hakmarrja për Kosovën do të futet mes dy shteteve fqinje të Ballkanit, atëherë negociatat e sotme perëndimore nuk kanë asnjë vlerë. Konflikti në Ballkan është i rrezikshëm për paqen europiane, pavarësisht se ku ndodhet “pika e nxehtë”: në Prishtinë, në Tiranë apo në Beograd. Pas pikës së nxehtë mes shteteve fqinje, Ballkanit mund t’i hapen disa punë te tjera si në shekullin e kaluar. Pa përmendur faktin se tani Shqipëria ka nevoje për një paqe dhe bashkëpunim ekonomik me fqinjët.

  1. Qeveri e ardhur nga malet, apo nga jashtë?

Si në Rogner, ashtu edhe në Londër, thelbi i bisedës rreth luftës në Kosovë, vërtitet më së shumti rrotull qeverisë së ardhshme. Sidoqoftë, Kosova do të ketë një “qeveri” të sajën, në mos të pavarur, një qeveri lokale. Po nga do të vijë kjo qeveri? Shansi i parë është që qeveria të vijë nga malet, me përbërjen e UÇK. Kështu ka ndodhur në të gjitha luftërat ballkanike, dhe aq më tepër në luftërat “heroike”, sikurse po zhvillohet në Kosovë. Heronjtë që do të bëhen nesër qeveritarë, rrezikojnë të humbasin tërë lavdinë e fituar. Duke qenë të paditur për të qeverisur, duke qenë edhe të mbuluar me lavdi lufte, ata mund të vendosin një pushtet diktature. Mund të persekutohen të gjithë kosovarët që “bashkëpunuan” me serbët. Mund të persekutohen të gjithë indiferentët. Më vonë do të persekutohen edhe paqësoret intelektualë. Ky është rreziku i parë. Rreziku tjetër është se duke mos u qeverisur në mënyrë profesionale, Kosova mund të quhet një krahinë që nuk mund të ndërtojë elemente shteti.

Rruga e dytë nga mund të vijë qeveria e Kosovës është rruga e ekzilit. Kryeministri në ekzil i Kosovës, Bukoshi, para disa ditësh deklaroi se qeverisja e nesërme duhet të bazohet sa në UÇK, aq edhe në ekzil. Ky “politikan” sot zë më shumë se gjysmën e programeve televizive të Kosovës, gjë që tregon se po përgatitet për nesër. Ka sulmuar udhëheqësin e moderuar Rugova, deri në pikën që në Perëndim dëgjohet shprehja: “Me Rugovën ka punë UÇK”. Bukoshi u përfol për organizimin e sulmit kundër shtetit shqiptar në Tiranë, me 14 shtator 1998, gjë që tregon se është i talentuar në grushtet e shtetit. Gjithashtu Bukoshi ka qenë pronari i vjetër i pasurisë kosovare të 3 përqindëshit. Të gjitha këto e bëjnë të mundur ardhjen e tij në pushtet në Kosovë. Mirëpo të dy rrugët që janë përgatitur për qeverisjen e Kosovës janë njësoj të dëmshme. E tërë lëvizja për Kosovën, sot për sot shtrihet si urë mes Tiranës dhe Londrës. Por barra më e rëndë, sidoqoftë, do të peshojë në Shqipëri.

 

SHKARKO APP