Frrok Çupi: Po përgatitet një grusht ushtarak

(Botuar me 23 Prill 1997 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi-

Dje mjetet presidenciale të informacionit, Radio dhe Televizioni, transmetuan një lajm mbi takimin e Sali Berishës me Tomë Berishën. (Saliu është Presidenti i deritanishëm i Republikës së Shqipërisë, ndërsa Toma është një oficer i dalë në lirim në Kroaci, ish-kryetar i Partisë Demokratike atje). Sipas lajmit, Tomë Berisha, ka propozuar para Sali Berishës që të ndërtohet një Ushtri Mbarëkombëtare Shqiptare. Në të njëjtën kohë, në Tiranë ndodhet për vizitë në Presidencë njeri nga eksponentët e LDK, përgjegjës për vjeljen e trepërqindëshit nga emigrantët kosovarë në Europë.

Para thelbit të lajmit mbi krijimin e ushtrisë mbarëkombëtare, që përbën një grusht ushtarak shteti të organizuar nga Berishajt, le të dallojmë dy hollësira të rëndësishme: Përbërjen e delegacionit dhe propagandën që i bën Berisha Shqipërisë vullnetit të ardhur nga Kroacia. Në delegacionin e përbërë prej ushtarakut Berishë të Kroacisë dhe aferës së vjeljes së parave në Kosovë, qëndron ideja e plotë e organizimit të grushtit ushtarak. Ndërsa mësohet se këta kanë bërë thirrje në Kosovë, Kroaci, Slloveni e Maqedoni, kudo ku jetojnë shqiptarë, që këta të mblidhen “për të shpëtuar atdheun e nëpërkëmbur nga shqiptarët e Shqipnies”, në të njëjtin ekip vjen edhe mbajtësi i thesit të parave që u janë grabitur punëtorëve kosovarë që punojnë në Europë nën moralin politik sikur “duhen për të rezistuar ndaj serbëve”. Pra, Berisha i Tiranës ka mbledhur në një thes edhe ushtarët, edhe paratë. Grushti ushtarak, me sa shikohet, është gati. Djem të mbledhur prej viseve jashtë shtetit ku jetojnë shqiptarë, të mashtruar sikur shteti amë është në rrezik, janë rekrutuar për t’u vënë nën armë dhe për të vrarë bashkëkombësit e tyre në Shqipëri.

Konditat në të cilat po përgatitet grushti ushtarak flasin për krime të Berishës ndaj Shqipërisë. Ky, i zhvlerësuar si autoritet i vendit të vet për shkak të katastrofës që shkaktoi, ka humbur disa beteja, deri edhe betejën me Ushtrinë dhe SHIK-un për të shtypur kryengritjen popullore si në Jug edhe në Veri. Tani ka mbetur i vetëm me disa mercenarë të gjetur kryesisht në Veri të vendit, dhe që po i mban sa rreth vetes aq edhe në qendra stërvitore. Mirëpo për shkak të fajeve të tij pa fund, me sa shikohet Berisha ndihet i frikësuar nga populli i pakënaqur dhe kryengritës. Për këtë arsye ai thërret në mbrojtje një Ushtri të paligjshme shqiptarësh të përtej kufirit Verior.

Katastrofa që do të shkaktojë ky grusht ushtarak i paralajmëruar, do të jetë më e rënda. Në emër të Ushtrisë Mbarëkombëtare, Berisha do të fusë në vrasje shqiptarët mes njeri-tjetrit, dhe në urrejtjen që do të zgjasë mbasi mbi Berishën apo brezin e tij do të ketë mbirë bari. Kurrë më shqiptarët, mbasi të vriten nga ushtria e Berishajve, nuk do të kenë miqësi e vëllazëri. Pjesa e dytë e katastrofës, për të cilën Berisha po punon, do të jetë ideja se shqiptarët në Jug e në Veri nuk do të bëjnë kurrë bashkë. Kjo i përjashton të gjitha opsionet e Rilindasve, dhe të patriotëve më të rinj, për bashkëjetesë mes-shqiptarësh. E treta është se me aktin e krijimit të Ushtrisë Kombëtare në kohën kur nuk flitet më për shtete nacionalé, Berisha do që shqiptarët t’i vendosë në stendat e muzeve primitive. Askush nuk do të merret më me Shqipërinë dhe shqiptarët. Aq më tepër në këto kushte kur Europa e përparuar ndodhet prezente në Shqipëri me ushtrinë e vet shumëkombëshe për të mbrojtur popullin nga forcat sekrete të Berishës. Me këtë akt, ky njeri do të largojë Europën dhe të organizojë grushtin e tij ushtarak. Më e dhimbshme është se me ketë ushtri mercenare të organizuar prej aventurierësh të tjerë berishas, “ky i Shqipnies” do që të derdhë gjakun e opozitarëve dhe të kryengritësve, sidomos në Jug të vendit. Grushti ushtarak është paralajmëruar se po vjen. Frrok Çupi

 

SHKARKO APP