Frrok Çupi: Pse duhet të dalë “Koha Jonë”

Placeholder Image

(Botuar me 18 Korrik 1996 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi-

Tri ditët e vetme që gazeta “Koha Jonë” nuk doli në qarkullim, dëshmuan se dalja e saj është e domosdoshme. Ku është “Koha..”

Nën këtë zë i filluan e ngrysën “ditët klinike” të gjitha kategoritë shoqërore: të thjeshtët – të cilëve nga 100-lekëshi për bukë u teprojnë vetëm aq sa kushton “Koha…”; ministrave që u duhet “Koha…” si grafia e Senatoriumit; opozitarëve për horoskopin politik; trafikantëve dhe mafiozëve për të parë deri ku është radha e tyre; parlamentarëve si tabelë për të provuar ndershmërinë e dyshuar: Presidentit për të mprehur “shpatën”. Të gjithë këta gjatë tri ditëve patën në mendje “Koha…”; dikush duke e kërkuar që të dalë e dikush duke e kërkuar të padalë. “Koha” qenka domosdoshmëria për të gjitha palët. Prandaj “Koha Jonë” duhet të dalë. Sot më e madhja e vendit, “Koha” është gazeta e parë indipendente shqiptare pas 50 vjet totalitarizmi komunist. Një shoqëri që dashuron krijesën e saj indipendente, tregon se edhe mund të mos pranojë aktin makabër të varësisë. Në qoftë se nuk do të dilte edhe  “Koha Jonë”, do të thotë se të gjithëve, një për një, do t’u mungonte ikona e pavarësisë. Atëherë piramida e shoqërisë do të kishte pamjen e vetme të kremastarit, mos më keq. “Koha Jonë” duhet të dalë, sepse njerëzit kanë nevojë të dinë se çfarë po ndodh rreth tyre. Shteti autoritar shqiptar ka dominuar tërë mjetet e informimit shtetëror dhe partiak, duke krijuar terr informativ mbi hemisferën e së vërtetës. Sikur të mos ishte “Koha…”, mes njerëzish do të ndodhte ajo çfarë ndodh në pus; së paku sapunin do ta hanin për djathë. “Koha Jonë” duhet të dalë edhe kur ajo bie në gjendjen e varfërisë ekonomike. Atëherë,  veçanërisht, ajo duhet të dalë. “Koha…” nuk ka turp nga varfëria, sepse shumica e shqiptarëve janë në gjendjen e saj: se aleancën më të fuqishme, ajo e ka me popullin. Po të ishte “Koha…” kontrabandiste ose edhe ministre, atëherë do të ishte shumë e pasur, por në këtë rast edhe le të mos dilte.  Kur “Koha…” shikohet në kushte urie, le të japim një dorë të gjithë; por të ndalojmë grushtin që kërkon ta mbysë. “Koha…” duhet të dalë sepse edhe në lojën më të keqe duhet një gjyqtar. Po të mos ishte ajo, shqiptarët që u vodhën votën, tani do të ishin në krizën e dyshimit ndaj vetes: “jam unë apo jo?!” Partia shtet që u grabiti votën, mund t’i kishte bindur se hajdutët janë ata. Po të mos ishte “Koha…”, qindra të torturuar nga policia do ta dyshonin edhe veten se kanë rrahur gjithë policinë. “Koha Jonë” tashmë nuk është vetëm një gazetë, ajo është kthyer në një institucion demokratik, gjykatës i vetëm mes individit e qeverisë. Sa kohë që pushteti shqiptar mbyt klimën e institucioneve demokratike, duhet të dalë “Koha Jonë” që rron ende. “Koha…” i duhet individit për ta parë çfarë ndodh edhe përtej tij e qeverisë. Me këtë mjet që quhet “Koha Jonë”, individi ka ndërtuar një aleancë me ata idealistë, me ata mendimtarë, me ata qytetarë të vërtetë që mund t’i japim mesazhe popullit çfarë mund t’i ndodhë edhe nesër. Ajo nuk është mjet vetëm i njërit ose disave; duke qenë mes të gjithëve, në pikën ku balancohet këndej dhe andej, ajo është e të gjithëve. Prandaj ajo nuk ka se si të mos jetë./Frrok Çupi/

SHKARKO APP