Frrok Çupi: Pse nuk po çahet blloku?

(Botuar me 8 Shkurt 1997 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi

Në vitin 1991, kur kam shkruar këtë titull për herë të parë, mendoja se ishte hera e fundit. Por fatkeqësisht jo. Ndodhemi përsëri para një blloku po aq fatal, sa edhe blloku komunist. Ndërsa atëherë në krye të bllokut ndodhej pacienti Hoxha, sot ndodhet doktori Berisha. Përsëri sot populli kërkon dorëheqjen e qeverisë e të Presidentit, në kuptimin që “Blloku” i cili ka zënë përsëri rrugën e përparimit të shqiptarëve, të çahet dhe jeta të kalojë. Por Blloku po reziston. Nuk është vetëm një kokëfortësi; Blloku është duke zbatuar logjikën dhe traditën e ish-Bllokut.

  1. Blloku i Berishës po reziston njësoj si blloku i Hoxhës, në vitin 1991. Enver Hoxha kishte deklaruar para popullit se “vishte çorape të arnuara”, kur besimtarët e “Përrallës” mendonin se jetonin të varfër njësoj si Udhëheqësi. Sali Berisha qëndroi në pallatin popullor, duke deklaruar se “Shqipëria nuk ka President për Pallat”. Nuk besoj se ka ndonjë “përrallor” që beson se Presidenti jeton i varfër sa edhe populli. Blloku qeveritar, i akuzuar për një pasurim dhe korrupsion dhjetëra herë më të lartë se blloku komunist, nuk mund të lejojë lehtë që të largohet nga “çifligu” i rënë prej qiellit. Lidhjet mes personave të implikuar në vjedhje dhe korrupsion, e mbajnë rrjetën e bllokut të paçarë.
  1. Blloku Blu nuk po jep dorëheqjen, sepse ka kryer të njëjtin mëkat politik, sikurse edhe Byroja Politike. Berisha ka rikrijuar tipin e shtetit partiak dhe të partisë shtet. Ky shtet ka përjashtuar prej trupit të vet opozitën politike dhe institucionet jashtëqeveritare. Ndërkohë ka vënë nën gjunjët e PD, dhe të qeverisë, të gjithë sistemin e Drejtësisë. Partia shtet ka mbajtur monopolin e bursave të shkollave, të doganave, të punësimit, të privatizimit dhe të vilave të pushimeve. Pushteti i Berishës ka aplikuar luftën e klasave duke burgosur opozitarët; në burg dergjet padrejtësisht edhe vetë lideri i opozitës më të gjerë, Fatos Nano. Pushteti i këtij Blloku ka kryer terror, duke gjakosur opozitën protestuese, duke goditur për vdekje opozitarë e indipendentë jokonformistë dhe është akuzuar për vrasjen politike të Gjovalin Çekinit. Mbasi Blloku komunist kreu vrasjet e para politike në vitin 1946, ai e shpalli veten të pazëvendësueshëm.
  2. Blloku i Berishës qëndron në pushtet përballë dy vjedhjeve të mëdha: Vjedhja e votave të 26 majit dhe Vjedhja e pasurisë së qytetarëve. Me paratë e vjedhura nga populli, PD ushtroi terror ndaj popullit kur vodhi votat. E përbashkëta me bllokun e kaluar është se edhe ky Bllok ka menduar se mund të vjedhë shpirtin e shqiptarëve, prandaj u shpall si prej betoni. Kjo është arsyeja që nuk po çahet.
  3. Njësoj si Blloku i parë, Berisha ka krijuar rrjetin e nepotizmit. Ky ka mbërthyer shefat e politikës, të policisë sekrete, të ushtrisë dhe të policisë. Në një kuptim ky ka qenë grusht shteti që në ditën e parë. Sot ky rrjet nepotik është edhe rrjeti i drogës, prostitucionit, vjedhjes dhe dhunës masive. Pa përmendur faktin që Berisha ka rreth vetes disa pjesëtarë të rrethit të familjes që kërcënojnë për terror. (Berisha e di se unë i njoh dhe i akuzoj). Plus bllokut të kaluar, Berisha ka më shumë rrjetin e drogës, prostitucionit dhe të vjedhjes me piramida.

Ndaj beson se është më i fuqishëm se Hoxha. Megjithatë, blloqet janë jetëshkurtra para vullnetit të popullit. Berisha sa më parë duhet të hapë rrugën. Historia dhe njerëzit kanë jetën e tyre, që nuk mund të pengohet as me gurë e blloqe. Hapu pak, Zotëri, po kalon populli./Frrok Çupi/

SHKARKO APP