Frrok Çupi: Ra ky mort e u pamë, dhe mendja e sëmurë antiamerikane
(Botuar me 17 shtator 2001)
Nga Frrok Çupi
Parmbrëmë, disa ushtarë maqedonas dolën në majë të kodrës dhe i drejtuan tytat kundër disa fshatarëve të Shqipërisë që mblidhnin hithra për petanikun e së dielës. Jam i sigurtë se kur armëtarët maqedonas panë fustanet me lule që iu vërviteshin plakave nën frikën e armëve, e kanë mburrur veten si “fitimtarë mbi Amerikën”. Është padyshueshme se kur armëtarët e Maqedonisë ia kanë kthyer tytën fshatit të Shqipërisë, në mendje kanë pasur “Amerikën që ra”.
Ballkani, në disa pjesë, ashtu si edhe pjesë të tjera të Botës, ka marrë disa ngarkesa ekstreme antiamerikane. Shqipëria, fatmirësisht, renditet në anën e Amerikës dhe të botës Perëndimore. Ky është edhe shkaku që dje, nesër ose më vonë, ajo do të jetë e provokuar nga dy armë në kufi, apo nga ndonjë mënyrë tjetër.
Frazeologjizma shqipe mban një mrekulli shumëshekullore: “Ra ky mort e u pamë”; që është një frazë ndërballkanike (sipas gjuhëve), gjithashtu. Këtë shekull, “morti” që ra në Amerikë po instalon ballë për ballë popujt, politikat, naivitetet, qeveritë, kombet, kulturat, hordhitë, engjëjt dhe djajtë. Shumë prej tyre po guxojnë të tregojnë se çfarë janë, përderisa “Amerika ra”. Mjekësia, kjo shkencë e lashtë e Botës, ka provuar këtë taktikë: Në trupin me metastaza lëshon ushqimin e sëmundjes së pashërueshme; sëmundja, si elementi më grabitqar del nga strofka dhe i lëshohet ushqimit, duke zbuluar vetveten. Tmerrësisht fatkeqësisht, për të zbuluar sëmundjen e trupit të Botës, kësaj here u sakrifikuan mijëra jetë njerëzish të pafajshëm të Amerikës, por Bota tashmë ka njohur pjesën e saj të sëmurë.
Cila është pjesa antiamerikane? Njohja e kësaj të vërtete, tashmë është shumë e vështirë; nuk është si disa vite më parë. Vite të shkuara, nën regjimin totalitar, Shqipëria ishte pro talebanëve afganë; proiranianë e propalestinezë; mjaft që të ishte kundër Amerikës. Edhe në postkomunizëm politika zyrtare u instalua “kundër Greqisë” si pjesë perëndimore, duke lejuar miqtë e Bin Ladenit të bënin rezidencë në Shqipëri. Pas kësaj, politika zyrtare ua mbylli portën politikanëve amerikanë.
Thuajse kështu kishte ndodhur në disa pjesë të prapambetura të botës politike.
Ndërsa tani pjesa antiamerikane ndikohet jo kaq thjeshtësisht: kjo është pjesa jo vetëm atiamerikane, por kundër vlerave të njerëzimit. Kjo pjesë nuk ka emrin e një besimi fetar, apo të një tjetri; nuk ka emrin e një shteti, apo të një kombi; nuk ka kufij gjeografikë. Ky është problemi; bota tani ndodhet prerazi e ndarë vetëm më dysh, ndërsa secila pjesë është aq e ndërthurur me tjetrën. Këtu është edhe arsyeja pse “lufta do të jetë e gjatë dhe e vështirë”; kjo që po quhet “New War” (Lufta e re).
Procesi i vetëseleksionimit ka filluar i vrullshëm në të gjithë botën; secili po vrapon për t’u radhitur këndej, apo andej. Presidenti i Palestinës i zgjati dorën Izraelit: “duam paqe”, ai vetë po kërkon takimin e ministrin izraelit Peres. Në Nabluz etj., kanë mbetur ata që u lumturuan kur panë tragjedinë e Amerikës. Nga ana tjetër, qeveria e Izraelit shpejtoi të deklarojë se njeh paqen e propozuar nga lideri palestinez. Në vatrën e konfliktit po përvijohet paqja. Egjipti vuri në pranga dhjetëra të dyshuar si terroristë, duke shpejtuar kështu që të renditet pozitivisht.
Në anën e Afganistanit, (ku është drejtuar gishti i tregimit të fajësisë) opozita kundër talebanëve kërkon vetëm “mbrojtjen e të pafajshmëve në popull, ndërsa terrori të ndëshkohet rëndë”. Pakistani nxitoi të mbyllë kufijtë me Afganistanin dhe ndërkohë ka dërguar një delegacion në Kabul për të bindur talebanët që të mos shkojnë drejt katastrofës. Këto kanë ndodhur vetëm orët e fundit.
Ndërsa dihet ajo që ndodh në Europën Perëdimore: solidaritet me Amerikën dhe mbrojtje e vlerave të mëdha të civilizimit. Ridimensionimi amerikan i Botës duket sikur do të jetë rezultati i kësaj Luftë të re. Vetë Amerika, duke marrë më shumë dimension europian, do të mund të vetëkorrigjohet, të vetëshikohet; të dëgjojë oponencën; të çmojë virtytin e thjeshtësisë; të tërheqë nëpunësit arrogantë dhe të fitojë. Më kot disa mbjellin frikë për këtë Luftë; kjo duket se do të jetë Lufta për Vlerat.