Frrok Çupi reportazh për Vlorën

(Botuar me 25 Maj 1996 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi

Ishim bashkë me Edi  Ramën dhe me Bujar Xhaferrin. Sapo kalonim urën që ndan Myzeqenë nga Vlora. Një dreq makine e zezë me targa të verdha, shumë e zezë dhe kapriçoze na hyri ndër hundë dhe gati mori përpara parmakët. Rrufgjueshëm në ajrin e pluhurosur prej makinës së tij luksoze mbeti fytyra e njohur e nënkryeministrit shqiptar Shehu. Dy shokët e dalluan më mirë se unë. Ndoshta edhe për arsyen se të dy miqtë e mi janë vizatuesit më të mirë të portreteve njerëzore, veçanërisht të atyre portreteve që përpiqen “të çquhen sikurse shprehet Bujari. Ky nënkryeministri, me një mbiemër që duket se e shqiptojnë keq kosovarët (në vend të shkronjës U në fund të mbiemrit, ka vënë shkronjën I) u bë për pak kohë objekt i bisedës sonë. “Ç’e solli Sala për ta djegur në Vlorë!? Ku të kupton vlonjati t’i thuash “more jahu, ta gatit pantollonin lala për 20 dekika”?!”  Nuk e dija se ky nënkryeministri Shehu kishte ardhur si kandidat për deputet në Vlorë. Aty e mësova. Deputet ky në Vlorë? – ju drejtova miqve. – Po ky më  bezdiste kur e kishim roje sa kohë qesh kryeredaktor i gazetës “Rilindja Demokratike”. Rrinte, i shkreti me një makinë të zezë të drejtorit të vet, jashtë gardhit të redaksisë, që nga mëngjesi e deri sa nisesha për në shtypshkronjë. Pastaj, përsëri në shtypshkronjë mbrapa gardhit të saj, po me makinë të zezë ruse, vetëm ruante. Për disa kohë nuk e dija kush ishte, por Saliu më tha një ditë “mos ki gajle, ashtu joni”. (“I yni” duhej të shprehej në shqipen korrekte, por any ëay, problemi qëndronte në fjalorin e vjetër komsomolas të “i yni” dhe “i tyre” që Saliu nuk e ndau kurrë). Megjithatë tregimi im i shkurtër rreth nënkryeministrit që na kaloi rrufeshëm si për të ikur sa më parë nga një klimë që e asfiksonte dhe për të futur kokën nën atmosferën e butë të Vlorës, mbeti varur në kabinën e makinës së Besimit. Edi u shokua nga një e vërtetë e tillë. Ai, megjithëse e ka parë që në fillim se sa qesharak është ky shtet, gjithmonë përpiqet që të mos ja afrojë edhe aq vetes këtë të  vërtetë. Përsëri po them megjithatë, motivi i rojës dhe gatimi i pushtetit me roje, hyri në të gjithë bisedën tonë.  Roje dhe kooperativist të dalluar janë bërë barku dhe ushqimi i këtij shteti. Aq më shumë na ngacmonte ideja, pse po shkonim në Vlorë, po për qëllimin e pushtetit dhe të shtetit; po shkonim për të marrë pjesë në celebrimin e festës elektorale vlonjate për kandidatin për deputet, zotin Arben Imami… Pas kësaj nuk mund të dalloheshin shumë kufij mes hyrjes apo daljes nga qyteti i mrekullueshëm i Vlorës, në mes fjalimit dhe bisedave të ngrohta midis admiruesish. Arbenin e duan shumë në Vlorë, së pari si Arben, e mandej edhe si deputet. Ta shikoje sa njerëz e përqafonin dhe përshëndetnin, teksa ne kalonim me këmbë, gjithë mesin e qytetit, drejt Pallatit të Sportit. Ky Shehi, me sa duket e ndjeu që ishte e turpshme për të që të konkurronte në Vlorë përballë Benit dhe u zhduk përsëri nga rrugët e qytetit. Por kësaj herë zgjodhi budallallëkun e pushtetit të Berishës nën të cilin është praktikuar. Ai zgjodhi zhurmat motorike të makinave luksoze qeveritare, dhe bëri tutje. Sa paskan vuajtur palmat e mrekullueshme të rrugës së Vlorës nga nxitimi dhe erërat e makinave qeveritare, ndaj edhe janë tharë kaq shumë! Sidomos gjatë Verës makinat qeveritare janë shumë frekuentuese dhe të bezdisshme për Vlorën. Vetëm vilat e pushimit të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut të mos prishet asnjëra. Me sa duket ky ka qenë urdhri që ka ardhur nga lart. “Paj, kush di pse duhen, hë burrë!” Ky ka qenë justifikimi allademokratikas, por në fakt u pa përse duheshin. Ato janë tej në kaltërsinë e pafund të Vlorës. Atje rrinë dhe duket se kanë shumë për të na treguar. Duket se kanë folur me Edi Ramën, përderisa Edi, duke folur në mitingun e AD tha se “në Vlorë kam mësuar notin. Po të mos e dija notin, nuk do të guxoja të vija në Vlorë. Kush nuk di notin, nuk mund të shkojë në Evropa. Evropa është këndej nga Vlora, jo andej nga malet”.  Mbase për këtë arsye janë shkatërruar edhe parqet, edhe skulpturat e bardha mes tyre. E çuditshme është kjo Vlora, bën statuja me peshq e me zogj, me fëmijë dhe me vajza që zhyten në ujin e pishinave të parqeve. E çfarë është ky zakon, pa patriotizëm. Paj, t’i kishim ato zana bjeshkësh, e t’i vuajtshim këtu, e t’ju thoshim këtyne labve se asht ma mirë pisha se palma, paj shka me ja ba. Atëherë mirë qenka bërë që statujat e bardha dhe motivet e notit janë eliminuar nga parku i Vlorës. Katër vjetët e ardhshëm të qeverisjes demokratike mund të  bajnë edhe ma shumë. Një herë po sjellim komandantin e policisë prej andej kah vijnë pishat, e mandej këtu jena. Po erdhi Arben Imami deputet këtu, e prishi punën, se ai ka pas kanë mësue me luejtë më kësoj kukulla deti e nuk e kupton demokracinë si zhvillohet. Tash për tash asht Dashi (Shehi) i përshtatshëm për këtë punë. E keqja se ai ka qenë i dalluar vetëm për kostume dhe pantallona të gjata, kurrë nuk është mburrur se dinte të qepte pantallona plazhi.

Ky dreq plazhi e ngatërron punën qeverisëse këtu në Vlorë. Po të mos ishte ky nuk do të kishte shumë interes për këtë qytet. Mandej edhe po erdhëm për plazh e keqja e Vlorës është se ka det. Ja mund të jetë Edi Rama, ose Bujar Xhaferri ose ndonjë tjetër, duke vështruar që na thellësia e detit nëse udhëheqësi di not apo jo. Ata e dinë notin mirë, dinë edhe të flasin me vlonjatët dhe ju tregojnë për ne që nuk dimë not, dhe Vlora nuk na voton. Punë dreqi, me këta që kanë hapësira. Ma mirë atje në Bjeshkë, as tri metra nuk e ke faqen e malit nga hunda jote, askush nuk të surveron, bërtet si të duash, bërtet e të shumëfishohet zëri yt. Kjo po. Ndërsa këtu në Vlorë bërtit sa të duash, ky dreq deti ta merr oshtimën. Sa herë e kemi thënë frontin e kuq, kriptokomunistët, Marksin, Nanon, kuqmurranët dhe asgjë nuk ka mbetur. Ku ashtu tret fjala jonë, bre?! Deti na e ka marrë. Deti,  ky armik i demokracisë me ngjyrë blu. Po pse, a nuk u shtirën si blu e si demokratë në fillim edhe Arben Imami, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Arben Demeti, Edmond Trako, Preç Zogaj, Frrok Çupi, Teodor Keko, Ilirjan Zhupa, Arjan Nika, Fred Zijai e kushedi sa. Por të kuq janë. I kuq duhet të jetë edhe ky det, por kot shtiret blu. Këtë punë do ta shikojmë mbas zgjedhjeve në polici me siguri. Mulosmani është intelektual dhe polic njëherësh. Detin e ka mësuar keq Edi Rama, ai krimineli i kuq. E hëngri Edi, po nuk u nis sa më parë për në Francë, po nuk e ndihmoi deti që të shkojë atje. Sepse Edi ka thënë një ide reaksionare. E dini se çfarë? “Shqipërinë e ka zaptuar pushteti i Berishës së parë, dhe nuk i lë vend opozitës. Në Evropë nuk mund të shkosh sepse nuk vlen pasaporta shqiptare. Atëherë rrimë në mes të detit, aty do ta bëjmë demokracinë”. Kështu ka thënë ky armik. Armik është sepse ka thënë një të vërtetë. Por akoma më keq, kjo thënie e tij e zgjeron Vlorën. Po zgjerova Vlorën, ngushtove demokracinë, bre burrë. Ka qëlluar një fat i madh që komunistët në vitin 1941 nuk zgjodhën ngjyrën blu për teserat e tyre. Kjo tregon se ata i kanë hapur rrugë demokracisë së stilit të Berishës, për arsye se e favorizuan që atëherë. Mendo sikur ta kishin prerë këtë shans. Berisha as Rugova nuk do të kishin ardhur të laheshin në detin blu, po qe se ngjyra blu do t’i përkiste vërtetësisë së tyre konsomolase. Por mendo sikur të kishte ndodhur ashtu. Atëherë ne, delegatët e Aleancës Demokratike, që sot kërkojmë falje se sollën Berishën në vend të demokracisë, nuk do të kishim shikuar këtë mbrëmje të bukur buzë detit të Vlorës. Do të na kishin ardhur policët, civilë ose të veshur dhe do të na kishin marrë përpara. “E shka bani këtu?”. “Po festojmë kandidaturën e Arben Imamit! – përgjigjemi ne. Bukur fort, dy komunistë bashkë, Beni dhe deti. Në burg, hë qena. Mirëpo Vlora është me një hapësirë shumë të madhe. Ne, miqtë e saj të vërtetë dhe deputeti i saj Beni, kaluam një mbrëmje të mrekullueshme nën të vetmin pushtet që do ta adhuronte kushdo, nën pushtetin e freskisë së Vlorës.

Frrok Çupi

 

 

SHKARKO APP