Frrok Çupi: Shteti po rrëshqet në terrorizëm

(Botuar me 19 Janar 1997 në KOHA JONE)

Nga Frrok Çupi-

Përfaqësuesi i shtetit amerikan, dy ditë më parë, formuloi të vërtetën e dukshme se “Shqipëria ka rrëshqitur nga rruga e demokracisë…”

Që ky vend nuk është më në rrugë demokratike, kjo tashmë dihet nga i madh e i vogël. Por cili është terreni që e pret (kamionin e dalë nga rruga drejt humnerës) mbas rrëshqitjes!? Fataliteti është pikërisht këtu. Të gjitha ekzaminimet pasrrëshqitje tregojnë se pozicioni i vetëm që e pret Shqipërinë në fund të greminës politike është Terrorizmi. Mund të mos kalojë shumë kohë, që Shqipëria të kalojë nga harta e vendeve komuniste në atë të ngjyrës terroriste. Kjo do të vlejë më shumë për botën dhe për studimin e terrorizmit botëror; por para së gjithash kjo do të shkatërrojë ëndrrën dhe jetën e banorëve të këtij vendi. Sa kohë që Shqipëria ka lënë rrugën e demokracisë, ajo nuk ka asnjë breg tjetër ku mund të ndalet, përveçse në ndalesën e shtetit terrorist. Arsyet janë shumë të qarta:

  1. Shtetit i mungojnë thuajse të gjitha kolonat

Në këtë rast ndodh si me një pallat pa kolona betoni e hekuri, i cili pëson tërmetin. Askush nuk mund ta ndalojë, ashtu sikurse askush nuk mund të thotë se Shqipërinë e pret parajsa, “Pallatit” të shtetit shqiptar i mungon Kushtetuta, i mungojnë Gjykatat e pavarura, i mungon hapësira e opozitës dhe i institucioneve jashtëqeveritare… E keqja më e madhe nuk është vakuumi i këtyre kolonave, por se në vend të tyre rëndon pesha dhjetëfish dhunuese e pushtetit politik e përfaqësuar prej institucionesh dhe personash jo legjitimë. Në këtë situatë do të mjaftonte e keqja më e vogël që të ndodhte katastrofa e madhe. Le të analizojmë vetëm mungesën e kushtetutës. Në momentin kur qytetari ka nevojë për mbrojtjen ligjore, do t’i drejtohet domosdo këtij altari. Këto ditë kur qytetarët shqiptarë u vodhën nga fantazmat rentiere në bashkëpunim me shtetin, doli nevoja e mbrojtjes kushtetuese. Kushtetuta nuk është. Pa kushtetutë, qytetari mund të vidhej e mund të rrihej, kreu i shtetit mundi të deklarojë se kjo është vetëm një çështje civile, dhe asgjë. Pa kushtetutë, shqiptarët nuk mund të protestojnë sot në sheshet e tokës së tyre, për djersën e vjedhur. Pa kushtetutë mund t’i thotë mendja si Sudes edhe Berishës që, brenda natës ta shpallin veten monark të shqiptarëve, dhe në mëngjes ta shikojmë veten të rrethuar prej zinxhirëve të paligjshëm. Mungesa e kolonave ndjekin njëra tjetrën, derisa e dërgojnë shtetin në rrugën e çmendurisë.

Mësimi që po marrin qytetarët shqiptarë me këtë rast, ka çmim shumë të lartë. Por veçse mund të marrin vesh se në qeverisjen demokratike, askush nuk duhej t’i thoshte mirëmëngjes as qeverisë, as gjitonit, pa pasur kushtetutën. Njerëzit u mashtruan nën parullën e PD se kur ke fajde nuk ke nevojë për kushtetutë, për gjykatë e për ligje; dhe tani kur nuk kanë asgjë, fillon kërbaçi dhe terrori shtetëror. Vetë fenomeni i fajdeve, që në sistemin feudal, është shoqëruar me shtete të modelit terrorist. Ose qytetari do të mbrojë djersën e çmuar të tij që ia kanë vjedhur në prani të shtetit, ose shteti do të mbrohet para individit me forcën e fshehtë që quhet terror. Vetë shteti në këtë rast i ngjan një kaçaku, i cili është bërë palë përballë individit, dhe ndodhen njëri në një mal e tjetri në malin tjetër, gjithnjë në konflikt. Konflikti i shtetit me individin është niveli më i lartë i terrorizmit.

  1. Sepse shteti nuk i ka duart e pastra

Kjo është arsyeja tjetër që pas daljes prej rrugës së demokracisë, shteti ynë nuk mund të ndalet veçse në terrorizëm. Qeveria është akuzuar për korrupsion, i cili shqip lexohet vjedhje zyrtarisht e pasurisë së shtetasve. Qeveritarët kanë ndërtuar vila shumë të kushtueshme dhe janë pasuruar brenda tri vjetësh aq sa nuk pasurohet një dinasti mijëvjeçare, dhe kjo tregon se është abuzuar me pushtetin e marrë nga populli. Partia-shtet ka përdorur paratë e fajdeve të vjelura nga populli i varfër për të bërë fushatat elektorale, ku ka mashtruar. Defiçiti buxhetor i krijuar brenda vitit nga qeveria e Berishës është 430 herë më i madh sesa vlera e ndihmave për të cilat është akuzuar dhe burgosur ish-kryeministrin Nano. Dy herë brenda vitit qeveria vodhi dhe dhunoi votat e popullit. Në sheshin e Tiranës pushteti politik gjakosi për vdekje opozitarët që kërkonin drejtësi në zgjedhje. Dje Presidenti i vendit deklaroi kërcënueshëm se sot më 19 janar populli dhe opozita nuk do të lejohen që të manifestojnë në sheshin e Tiranës, ndryshe do të pësojnë të njëjtin fat si më parë. (Dmth, fatin e përgjakshëm). Pra pushteti i ka ndyrë ose i ka gjakosur duart. Sapo ndodh kjo dhe sapo drejtpeshimi i elementeve që formojnë shtetin, lëkundet, atëherë pozicioni i vetëm shtetëror mbetet Terrorizmi. Njerëzit e pushtetit, të implikuar në punët e pista dhe të dënueshme, tani kanë frikë të “lajnë shpirtin dhe kuletën”, ndaj kërcëllojnë zinxhirët dhe shkojnë në përdorimin e terrorit. Kjo është e vetmja mbrojtje pas rrëshqitjes prej mbrojtjes normale ligjore.

A vërehen elementë terrori shtetëror mes nesh!?

  1. Bombat pa autor që morën dhe terrorizuan jetën e njerëzve shqiptarë, ishin shenja e parë dhe më e dukshmja se këtu filloi terrori i llojeve më të rrezikshëm në botë. Aq më tepër fakti që shteti nuk jep asnjë garanci se si të ndërpritet ky akt tragjik, tregon se shteti dhe terrori flenë bashkë.
  2. Numri i madh i forcave policore dhe forcave të fshehta, të cilat sikurse deklaron opozita janë paguar me paratë e vjedhura të popullit përmes fajdeve, paralajmërojnë terror shtetëror. Populli po paguan nga gjaku i tij që të plaçkitet, të rrihet, të dhunohet, të burgoset, të ndalohet e më në fund përsëri të plaçkitet. Qytetarët që kërkojnë paratë e tyre sot diferencohen si “qytetarë të dorës së fundit” dhe nuk lejohen të manifestojnë në sheshin e qytetit. Kjo ngjan me shtetet terroriste dhe raciste se në sheshin ku kalon perandori nuk lejohet të “ndyjë” njerëzori.
  3. Bomba e plasur pak ditë më parë në Kosovë dha sinjalin se qeveria e Shqipërisë kërkon sinqerisht rrugën e egër të terrorit për “zgjidhjen e çështjes kombëtare”. Shumë analistë janë duke e lidhur këtë bombë vdekjeprurëse me Tiranën. Edhe situata e deritanishme politike në Tiranë arsyeton klimën për bombën në Prishtinë. Duke mbetur edhe pa mashtrimin e fajdeve, qeveria Berisha kërkon me çdo kusht mbajtjen e pushtetit qoftë edhe përmes terrorit në Kosovë apo në Shqipëri. Terrori në Kosovë i konvenon instalimit të një qeverisjeje të hekurt në Tiranë, sepse shkakton tensionin dhe luftën e përgjakshme në këtë rajon. Megjithatë “e mira” që sjell lufta është jetëgjatësia e pushtetit Berishë.

Lidhjet e dyshimta të qeverisjes së Berishës me disa elemente kosovare, herë anonimë e herë të shpallur ka lënë përshtypjen në popull se këtu në Shqipëri ndodhet një grup terroristësh të ardhur nga Kosova e që mbrojnë edhe shtetin “Skënderbeg”. Në greminën ku po rrëshqet Shqipëria pas daljes nga demokracia, mund të ndodhemi në një dite të zezë. Mbase nuk është mirë që edhe kjo e vërtetë të mbulohet me shpresën mikluese të fajdeve; nesër mund të jemi vonë./Frrok Çupi/

SHKARKO APP