Gavrosh Levonja: 130 milionët, alibia e shtetit për fajdetë
(Botuar me 15 Janar 1997 në KOHA JONE)
Nga Gavrosh Levonja-
Lajmi kryesor që zinte një vend me rëndësi në faqet e gazetave shqiptare të ditës së djeshme ishte ai i “arratisjes” së 130 milionë dollarëve nga Shqipëria. Interesi për këtë lajm shumëfishohej për shkak të disa faktorëve.
Së pari, një shumë e tillë mund të konsiderohet e bujshme edhe për vende me një qarkullim të madh të hollash, dhe jo më për Shqipërinë. Së dyti, njoftimi për këtë ikje valute u bë në prag të datës 15 janar, kur dy nga firmat e fajdeve në vështirësi kanë njoftuar se do të rihapin sportelet. E treta, një lajm i tillë u dha nga radio Zëri i Amerikës” dhe po nga ai korrespondent, për të cilin vetëm dy ditë më parë ishte njoftuar se kishe lidhje me zhdukjen e një pikture me vlerë të madhe nga redaksia e gazetës RD.
Një sasi e tillë valute është e barabartë me gjysmën e deficitit buxhetor të Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, apo baras me ndihmën që ka marrë Shqipëria në vitin 1991. Por 130 milionë dollarëshi sillet edhe rreth sasisë së të hollave që dy kompanitë rentiere, të cilat kanë pësuar “crack” “Sudja” apo “Gjallica”, duhet t’u kthejnë kreditorëve. Mënyra sesi u servir një lajm i tillë që në fillim të krijonte dyshime për sa i përket vërtetësisë së tij.
Versioni fillestar bënte të ditur se 130 milionë dollarët ishin larguar nga Shqipëria me anë të një skafi, në të njëjtën mënyrë siç largohen klandestinët. Por, qoftë duke u nisur nga vlera, qoftë dhe nga volumi e ndonjë parametër tjetër, pakkush mund ta besonte që të largohen nëpërmjet detit me një skaf të thjeshtë 130 milionë dollarë. Sigurisht, për këtë arsye, autorët e sajimit të një legjende të tillë, hodhën për konsum versionin rezervë sipas të cilit shuma kolosale ishte arratisur nga Shqipëria nëpërmjet detit me anë të një furgoni të bardhë me tragetin e linjës, i cili lidh Vlorën me Otranton.
Por edhe një version i tillë nuk ishte aspak bindës. Në të dy rastet hipoteza për largimin ilegal të kaq shumë dollarëve bëhet e pabesueshme po të kihet parasysh jo vetëm koeficienti i pasigurisë së transportimit në det, por edhe për shkak të aktivitetit të kohëve të fundit që po zhvillon policia shqiptare nën drejtimin direkt të ministrit Shamata.
Nga ana tjetër, kjo sasi e madhe valute qenka nisur në Itali, një vend, ku dihen se ekzistojnë ligje rigoroze, të cilat zbatohen po ashtu në mënyrë rigoroze. Kohët e fundit është folur shumë se në Shqipëri kryhet pastrimi i parave, gjë që është lidhur edhe me funksionimin e kompanive huamarrëse, po në këtë rast, sa është e pranueshme se në Shqipëri hyjnë dollarë apo çdo lloj devize tjetër, po aq e papranueshme që nga Shqipëria të largohen 130 milionë dollarë.
Kryesorja është se duke e bërë publik këtë lajm në prag të rifillimit të veprimtarisë së disa prej kompanive rentiere të falimentuara, përforcohet bindja se shteti, i njohur nën nofkën e “kompetentit”, ndodhet prapa gjithçkaje. Por nuk mund të injorohet fakti se shteti, duke pasur parasysh se këtë lajm e dha i pari “Zëri i Amerikës”, është përpjekur të forcojë pozitat e njeriut të tij, i cili punon për këtë radio. Edhe në këtë rast, 130 milionë dollarët janë shumë herë më tepër sesa vlera e një cope bezeje të pikturuar.
Në fund të fundit, ai që i dha “coup de grace” kësaj historie ishte vetë ministri Shamata, ndoshta i vetmi njeri transparent i regjimit, që nëpërmjet zëdhënësit të tij, e mohoi një lajm të tillë.