Gavrosh Levonja: Atentati kundër Ahmet Zogut në vitin 1924 dhe pasojat e tij në jetën politike shqiptare
(Botuar me 9 Shkurt 1997 në KOHA JONE)
Nga Gavrosh Levonja-
23 shkurt 1924. Ndërsa deputetët në sallën e parlamentit po prisnin ardhjen e kryeministrit 28-vjeçar, Ahmet Zogu, dëgjohen tri krisma pushkësh, të cilat dukej qartë se vinin nga mjediset e parlamentit. Pa kaluar shumë kohë misteri do të zbulohej i tëri. Kur ende deputetët ndodheshin të strukur nën karriget e parlamentit, në sallë shfaqet figura shtatlartë e Ahmet Zogut, i cili me ngant në dorën, nga ku i rridhte gjak si pasojë e plagës në krah, të cilën e mbante me dorën tjetër, u drejtohet deputetëve të tmerruar: “Vazhdoni zotërinj. Këto janë gjëra që ndodhin kudo. Në kësi rastesh duhet me ruejtë gjakftohtësinë”. Dhe ndërsa shqiptonte këto fjalë shikimi i tij drejtohet nga Aqif Pasha, Qazim Koculi, Luigj Gurakuqi dhe Avni Rustemi.
Gjithë kjo ndodhte në kohën që në parlament dhe rreth tij vazhdonin pushkët. Osman Gazepi, që komandonte rojet e parlamentit, me të dëgjuar pushkët, mendoi se Zogun e kishin vrarë. Por, pasi e pa se kryeministri nuk kishte pësuar ndonjë gjë të madhe, sulmoi atentatorin, i cili për të shpëtuar ishte fshehur në WC-në e parlamentit. Ndërkaq kompanisë së Osman Gazepit që kishte rrethuar parlamentin iu bashkuan forcat e xhandarmërisë të komanduara nga Azis Çami, i cili ishte në krahun e opozitës dhe kishte ardhur me shpejtësi vetëm për të shpëtuar nga rreziku eksponentët e saj. Kështu, nuk mund të përjashtohej edhe rreziku i një konfrontimi ndërmjet forcave të Gazepit dhe të A. Çamit. Më e keqja ishte se dhe vetë deputetët që ndodheshin në sallën e parlamentit ishin të gjithë të armatosur dhe gjithçka ndodhej në mëshirën e zbrazjes së një arme brenda sallës së parlamentit. Por, në këtë kohë Zogu u jep urdhër njerëzve të tij të pushojnë pushkët për t’i dhënë mundësi atentatorit të dorëzohej. Ndërkohë dy kundërshtarë të Zogut, Qazim Koculi dhe Ali Këlcyra, arrijnë pas disa përpjekjesh ta bindin njeriun që qëlloi mbi Zogun, të dorëzohej. Por pasojat e alarmit që shkaktoi atentati mbi kryeministrin do të vazhdonin edhe më gjatë. Në Tiranë u krijua panik i madh, ndërsa nga Mati, Lura dhe Dibra u nisën krerë me njerëzit e tyre të armatosur në mbrojtje të Ahmet Zogut.
Kush qëlloi mbi Zogun?
Atentatori u mësua se ishte një djalosh 17-vjeçar nga një fshat i Matit, i quajtur Beqir Valteri. Ky i kishte zënë pritë Zogut në hyrjen që të çon në sallën e parlamentit dhe, pasi ky i kalon para, në kohën që ishte larguar rreth dy metra prej tij, nxjerr nagantin dhe duke i thënë: “Qëndro Zog”, e qëllon tri herë. Dy nga plumbat depërtojnë në njërin krah të Ahmet Zogut, ndërsa një të tretë e merr në kofshë.
Vetë Zogu, reagon me shpejtësi, por ndërkohë atentatori arrin të largohet dhe të mbyllet në WC. Zogu, megjithëse në një moment tepër kritik, duke pasur parasysh se me njeriun që tentoi ta vriste tashmë do të merreshin të tjerët, nxitoi të qetësonte deputetët në sallën parlamentit për të shmangur ndonjë skenar, i cili ishte planifikuar të fillonte me vrasjen e tij. Por, mbi të gjitha Ahmet Zogu e kishte të qartë se një djalosh 17-vjeçar, të cilin e kishte ndihmuar për të shkuar me studime jashtë shtetit, nuk kishte asnjë motiv që të tentonte jetën e tij. Ishte e qartë se njerëz të tjerë qëndronin pas aktit të bujshëm. Me këtë merret vesh edhe shkaku përse Zogu, sapo hyri në sallën e parlamentit hodhi vështrimin nga kundërshtarët e tij, të cilët, nga ana e tyre iu përgjigjën me një shikim të trembur.
Cili fshihej pas atentatorit
Për këdo që ishte në korrent të zhvillimeve politike në Shqipërinë e asaj kohe, nuk kishte as më të voglin dyshim se kundërshtarët politikë të Ahmet Zogut, i cili brenda një kohe shumë të shkurtër, ndonëse në moshë fare të re, u bë ministër i punëve të brendshme, komandant i ushtrisë dhe së fundmi kryeministër, ishin të interesuar në çdo mënyrë për largimin e tij nga zhvillimet politike të vendit. Në atë kohë në Shqipëri, zhvillohej një luftë e ashpër për pushtet, në të cilën politikanë, qoftë edhe të të njëjtit krah, duke luftuar për interesat e tyre të ngushta, nuk llogarisnin fare pasojat që do të kishin duelet ndërmjet tyre për të ardhmen e vendit. Ishte koha, kur në botë vazhdonte ende të diskutohej nëse ia vlente që Shqipëria të mbetej një shtet më vete apo jo. Dhe gjithë kjo, me pretekstin se shqiptarët nuk janë në gjendje të ndërtojnë një shtet, nuk janë të aftë të vetëqeverisen.
Prof. Abas Ermenji, në një libër të tij, shkruan se “në atë kohë, krerë të ndryshëm ishin mësuar që me njerëzit e tyre të armatosur të vinin në Tiranë dhe të rrëzonin qeveritë”, duke cituar emrat e Bajram Currit apo Elez Isufit. Në këtë mënyrë, nga viti 1920 deri në vitin 1922, Shqipëria ndërroi rreth 20 qeveri. Kulmi arriti në fillim të dhjetorit të vitit 1922, kur brenda një jave u krijuan dhe ranë tri qeveri. Pikërisht në këtë moment, në krye të qeverisë vjen Ahmet Zogu, 26-vjeçar, një ushtarak karriere, që kishte fituar edhe gradën e kolonelit të ushtrisë austro-hungareze. Zogu, falë aftësive të tij, do të bëhej i vetmi kryeministër që do të qëndronte në fuqi për një kohë të gjatë. Por, në këtë aspekt, politikanët e etur për portofole ministeriale, panë te Zogu një pengesë të pakapërcyeshme për realizimin e qëllimeve të tyre. Zogu, duke qenë një njeri dinak, me veprimet e tij kishte bërë të dështonin të gjitha përpjekjet e atyre që kërkonin ta rrëzonin. Atëherë opozita, ku tani ishin rreshtuar edhe disa prej miqve të tij të dikurshëm, vuri në veprim armën e zgjedhjeve të parakohshme, me pretekstin për të krijuar një Asamble Kushtetuese. Ndryshe nga sa kishin parashikuar këta, Zogu, edhe kësaj kërkese iu përgjigj pozitivisht, duke thënë se “populli, megjithëse nuk e di ç’do të thotë Asamble Kushtetuese, po kërkon zgjedhjen e një Asambleje. Dhe popullit nuk mund t’i thuhet kurrë jo. Popullit i duhet thënë vetëm po”. Kështu, në dhjetor të viti 1923 u zhvilluan zgjedhjet në fjalë ku përsëri Ahmet Zogu dhe partia e tij dolën fitues. Atëherë, kundërshtarëve të tij u mbeti vetëm rruga e eliminimit fizik. Duke u mbështetur edhe në kujtimet e kundërshtarëve të Zogut, rezulton se nxitësi i eliminimit fizik të Zogut ka qenë Avni Rustemi. Kështu, Sejfi Vllamasi, personalitet i shquar i politikës shqiptare të asaj kohe, shkruan: “Një natë, më vjen në shtëpi Avni Rustemi, bashkë me ministrin e luftës, Mustafa Aranitasi. Ishim vetëm të tre. Avniu filloi një bisedë me një parathënie të gjatë kundër Ahmet Zogut dhe rrezikshmërisë së tij. Pas shumë fjalëve të tjera, Avniu përfundoi duke thënë se vrasja e Ahmet Zogut ishte një detyrë patriotike dhe në qoftë se kjo ide pëlqehej nga ana ime (S. Vllamasit), vënia në zbatim ishte një punë shumë e lehtë.”
Por Vllamasi, duke pasur parasysh meritat dhe kontributin e Zogut në të mirë të vendit, e kundërshtoi një iniciativë të tillë dhe, kjo ndoshta ishte shkaku që biseda e asaj nate të fillimit të vitit 1924, nuk doli në skenë. Një tjetër kundërshtar i Zogut, Mustafa Kruja, kujton: Ishim ulur në kafe “Kursal” (ndodhej në vendin, ku u vendos monumenti i E. Hoxhës) me Avni Rustemin, duke pritur fillimin e seancës së parlamentit. Në këtë kohë na kalon pranë Ahmet Zogu. Avniu, me zemërim shfryn: “Ky njeri duhet qëruar nga faqja e dheut. Do ta vrisnja me dorën time, po me qenë se kam vrarë edhe Esat Pashën, do më quanin gjaksor”.
Gjithnjë sipas Mustafa Krujës, Avni Rustemi, ngarkoi Beqir Valterin për të realizuar atentatin kundër Zogut. Valteri, për një farë kohe u stërvit në shtëpinë e Avniut, duke qëlluar me nagantë, në pus.
Implikimi i Avni Rustemit në atentatin kundër Zogut, ka qenë edhe njëri nga motivet që e kanë lidhur vrasjen e tij me emrin e Ahmet Zogut.
Sejfi Vllamasi e shpjegon këtë me zakonin e hakmarrjes. Sipas tij, “Avniu ra viktimë e zakoneve shqiptare. Beqir Valteri ishte shtyrë prej Avniut për të vrarë Zogun dhe kështu ky u hakmor. Ndryshe do të mbetej i koritur.” Por të tjerë, të cilët përsëri vrasjen e A. Rustemit e lidhin me hakmarrjen, pretendojnë se vrasësi i tij ka qenë një ithtar i Esat Pashës dhe kështu ka marrë gjakun e tij. Megjithatë, lidhur me këtë nuk ka asnjë provë konkrete.
Çfarë ndodhi më tej
Pas atentatit, Zogu jo vetëm i fal jetën djaloshit, i cili qëlloi mbi të për ta vrarë, por, me ndërhyrjen e tij, edhe i ripërtëriu bursën për të studiuar jashtë shtetit. Ndërkohë, ai thirri Hysen Selmanin, njërin nga njerëzit që do të ishte nga besnikët e tij më të mëdhenj deri në vdekje, i cili kishte ardhur me forca të armatosura për t’u hakmarrë për atentatin dhe prijës të tjerë dhe, pasi i bindi se nuk kishte pasur asgjë serioze i këshilloi të largohen nga Tirana. Por, më e rëndësishmja ishte se gjendja politike në vend ishte acaruar së tepërmi. Kështu, vetëm dy ditë pas atentatit, me anë të një fjalimi, Zogu paraqet dorëheqjen. “Duke qenë se unë jam bërë shkak që vendi të destabilizohet, largohem nga posti i kryeministrit”. Ky ishte thelbi i fjalimit të mbajtur nga Zogu atë ditë. Mirëpo, formimi i një qeverie rezultoi të ishte një gjë shumë e vështirë. Me largimin e Zogut nga skena politike filluan përsëri grindjet për karrige. Kështu, mezi u arrit të formohej një qeveri, nën kryesinë e Shefqet Vërlacit. Kabineti Vërlaci u bë i mundur falë një kompromisi, duke u dhënë portofole ministeriale edhe disa përfaqësuesve nga opozita, ndërmjet të cilëve edhe Luigj Gurakuqit. Sipas disa bashkëkohësve, kjo qeveri e mori votëbesimin me përdorimin e dredhive. Vërlaci, në fjalimin me rastin e betimit do të deklaronte se qeveria e tij do të kishte si detyrë themelore ruajtjen e qetësisë në vend. Por qeveria Vërlaci jo vetëm nuk qe në gjendje ta bënte një gjë të tillë, por nuk arriti të ruante dhe rregullin që ishte vendosur në administratë gjatë kohës që si kryeministër ishte Ahmet Zogu. Kështu kjo qeveri do të kishte një jetë jo më të gjatë se katër muaj. Nga fundi i majit ajo do të jepte dorëheqjen dhe do të zëvendësohej nga një kabinet i kryesuar prej Iljas Vrionit, i cili vetëm pas pak ditësh do të përmbysej nga komploti i njohur me emrin “Revolucioni i qershorit”.
Gavrosh Levonja