Gavrosh Levonja: Bishti i Berishës po godet
(Botuar me 3 Korrik 1997 në KOHA JONE)
Nga Gavrosh Levonja-
Ngjarjet e ditëve të fundit po shërbejnë që Berisha të tregojë se është në gjendje të bëjë gjithçka, të përdorë çdo mjet për të realizuar atë që premton. Kështu, duket se ai është i vendosur të bëjë realitet atë për të cilën u zotua në fushatën elektorale që t’ua ngrijë buzëqeshjen jo vetëm kundërshtarëve të tij politikë, të cilët nuk do t’i gëzonin mandatet, po edhe popullit, pjesa dërmuese e të cilit votoi kundër tij. Njësoj si përbindëshi, i cili është i rrezikshëm edhe pasi i ka mbetur vetëm një dhëmb në gojë, edhe Berisha, tani pasi ka humbur me radhë qeverinë, ushtrinë, SHIK-un, policinë, gjykatat, për t’iu nënshtruar tani së fundi një disfate diskredituese në zgjedhjet e të dielës, ka hedhur në veprim kartën e fundit që ka në dorë; atë grusht ithtarësh të tij, të mbetur në atë, e cila quhet Garda e Presidenciale. Kështu, ai duke shfrytëzuar të qenët komandant i forcave të armatosura, që tashmë mund të konsiderohet vetëm një relikte, lëshon urdhrin që të mbeturit nën komandën e tij të rrethojnë me tanke institucionet qendrore apo të bllokojnë rrugët që të sjellin në Tiranë. Ky njeri, i cili kundërshtonte hedhjen e një firme për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, për ndryshime në ligjin zgjedhor apo për ndryshimin e orarit të votimeve me pretekstin e mosshkeljes së ligjeve, tani pa ia kërkuar askush, jep urdhra që bien ndesh me dispozitat kushtetuese. Në fakt, vendime të tilla si ai për të “vendosur postblloqe në të gjitha hyrjet e Tiranës, si dhe të marrin në ruajtje Bankën e Shtetit, duke përdorur mjete të blinduara”, merren vetëm pasi të jenë diskutuar në Këshillin e Mbrojtjes. Por duket që Berisha nuk është më në gjendje që të kontrollojë më vetveten në veprimet si President i Republikës. Në kokën e asaj që ai quan Urdhër, nuk shënohet asnjë numër protokolli apo regjistri, siç duhet për një dokument të tillë. Nga ana tjetër, ky i quajtur urdhër është formuluar “për përdorimin e forcave të Gardës së Republikës”, ndërsa në brendësi të tij ky urdhër i drejtohet jo vetëm këtij reparti, por edhe “Batalionit të Policisë së Gatshme të Tiranës, policisë së Drejtorisë së Tiranës dhe të degës së Ruajtjes së Objekteve”. Berisha e vulos shkresën në fund, jo si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, por si President i vendit. Kjo nuk ka aspak rëndësi, se sa ka fakti tjetër që veç hyrjeve të Tiranës, ai kërkon të merret nën mbrojtje godina e Bankës së Shtetit. Nga kush kërcënohet ky objekt në qendër të Tiranës? Nga askush. Ajo ka nderin të shënohet si i vetmi objekt që duhet mbrojtur me tanke, vetëm se ndodhet 10 metra larg selisë qendrore të Partisë Socialiste. Në literaturën ushtarake, institucionet që synohen të merren në rast grushti shteti, për marrjen me forcën e armëve të pushtetit, hyn edhe RTVSH. Por atë Berisha e ka marrë prej kohësh, kështu që i mbetet paralizimi i kundërshtarit të tij të vetëm politik, PS.
Gjithashtu, dihet që sipas ligjeve, garda përdoret vetëm për ruajtjen e personave zyrtarë dhe rezidencave qeveritare. Por një hap i tillë, i ndërmarrë në mënyrë të njëanshme nga Berisha nuk mund të konsiderohet ndryshe veçse një tentativë për grusht shteti. Dyshimet lidhur me këtë shtohen edhe më tepër kur mëson mbi dëshirën për të dekretuar emërimin e Azem Hajdarit në postin e ministrit të brendshëm, gjithnjë në kundërshtim me procedurat e parashikuara nga legjislacioni. Sipas ligjeve në fuqi, propozimi për emërime në kabinet bëhet nga kryeministri dhe vetëm prej tij. Por, bllofi i Berishës, në këtë rast bëhet edhe më i dukshëm, kur dihet që qeverisë aktuale i kanë mbetur jo më shumë se dhjetë ditë jetë dhe kur mësohet se ministri Çelo nuk ka deklaruar braktisjen e detyrës nga ana e tij.
Por Berisha, tani po luan edhe me pakënaqësinë e shfaqur nga mbreti dhe rrethi i tij, duke e orientuar këtë pakënaqësi në drejtim te socialistëve triumfues të zgjedhjeve të 29 qershorit. Jo më kot nëpër tubimet apo konferencat e mbretit pjesëmarrja dominohet nga gardistët berishianë dhe ithtarë të PD-së. Gjithashtu, zelli i RTSH-së, instrumentin e bindur deri në fanatizëm te Berishës, për të transmetuar njoftimet e pakonfirmuara dhe ligjëratat e ministrit të oborrit në të gjitha tubimet, qofshin edhe të paligjshme, të bën të mendosh për një regji të Berishës. Në këtë mënyrë, në përpëlitjet e fundit, njësoj si ai përbindëshi i vrarë që godet me bisht, Berisha po mundohet të shtojë numrin e viktimave të shkaktuara prej tij. Po me këtë ai e bën gjithnjë e më të domosdoshëm largimin e tij nga maja e piramidës shtetërore. Berisha është dalluar për tërheqjet e tij të vonuara gjë që i paguan me humbje më të mëdha. Kështu, nuk është çudi që kur të vendosë për dorëheqjen e shumëpritur, Berishës do t’i ketë ardhur koha t’i japë lamtumirën edhe lidershipit të PD-së. GAVROSH LEVONJA