Gavrosh Lëvonja: Kreta mes Tiranës e Prishtinës

(Botuar me 9 Nëntor në KOHA JONE)

Nga Gavrosh Lëvonja-

Ashtu siç pritej Kreta nuk do të kalonte Prishtinë. Pothuajse të gjithë protagonistët e pa pasoja për sa i përket relacionit Tiranë-Prishtinë, pothuajse të gjithë protagonistët e jetës politike të shqiptarëve të Kosovës shprehën mosaprovimin e tyre ndaj një hapi të tillë të pashembullt të kryeministrit shqiptar për t’u takuar me protagonistin e dikurshëm të heqjes së autonomisë së Kosovës.

Politikanët shqiptarë të Kosovës sigurisht e kishin të qartë se pjesëmarrja e Shqipërisë në samitin ballkanik të Kretës ishte jo vetëm diçka e pashmangshme, por në një farë mënyre edhe e dobishme për të zhbllokuar status quo-në e tanishme në Kosovë. Dihet se e vetmja gjë që i ka zemëruar ata, është fakti se me terminologjinë e “evropianizimit”, kryeministri Nano, i bazuar në parime të tilla si mosndryshimi i kufijve, duke respektuar integritetin territorial të Jugosllavisë së sotme ka pranuar njëkohësisht faktin se Kosova është pjesë e saj. Në këtë mënyrë, zoti Nano është pozicionuar kundër idesë se pavarësisë së Kosovës, faktorit bazë që ka motivuar politikën kosovare prej më shumë se shtatë vjetësh, duke qenë mjeti kryesor për të fituar simpatitë e shqiptarëve të atjeshëm. Kështu që, jo vetëm mbështetja e hapit të ndërmarrë nga Nano, por edhe mungesa e reagimit, do të çonin në një rënie të prestigjit të tyre. Veç kësaj, ishte e natyrshme që këtë ta shfrytëzonin “skifterët”, përfaqësuesit e “vijës së fortë”, që krahas qeverisë shqiptare të vinin nën akuzë dhe vetë Rugovën, i cili kohët e fundit po priret drejt dialogut. Gjithnjë për arsyen e mësipërme, edhe vetë ky nuk i kurseu kritikat ndaj Kretës, ndonëse me tone të moderuara. Megjithatë, duke u shprehur se “për Kosovën vendos vetëm populli i saj”, në një farë mënyre ai i lironte duart Nanos për të biseduar me “njëshin” e Beogradit. Madje, për të mos i dhënë kapital politik ish-mikut të tij Berisha, jo më kot Rugova shprehu hapur mirënjohjen e tij në drejtim të Ramiz Alisë, si “njeriu që ka bërë më shumë për Kosovën”.

Por ajo që do të ngjallte më shumë interes, ishte telefonata nga Boni e kryeministrit në mërgim Bukoshi për Nanon, të cilit i kërkoi një takim urgjent. Shpejtësia me të cilën u realizua takimi dhe heshtja rreth përmbajtjes së tij, nuk ka si të mos ngjallin dyshime rreth qëllimit të takimit Nano – Bukoshi.

Duke pasur parasysh faktin që Kreta ishte një krijesë “Made in USA”, ekziston dyshimi se ndoshta dikush jashtë Ballkanit, duke aktivizuar kartën “Bukoshi” synon t’i verë gurë nën rrota procesit të normalizimit ndërmjet Tiranës dhe Beogradit.

GAVROSH LEVONJA

SHKARKO APP