Gavrosh Levonja: Nano, frikë nga arrestimi i Berishës

(Botuar me 18 shator 1998 në KOHA JONE)

Nga Gavrosh Levonja-

Edhe ngjarjet e ditëve të fundit po tregojnë më së miri se në Shqipëri edhe për shumë kohë nuk mund të flitet për ekzistencën e një shteti juridik në kuptimin e vërtetë të fjalës. Nuk mund të arrihet në ndonjë përfundim tjetër duke parë se organeve të drejtësisë shqiptare si pa të keq vazhdojnë t’u vendosen nëpër këmbë pengesa të ndryshme që kanë të bëjnë në radhë të parë me konjuktura politike. E keqja është se vetë kryeministri Nano, i cili prej më se një viti, ashtu si Berisha dikur, predikon për ndërtimin e një shteti ligjor në Shqipëri, vetëm në harkun e disa ditëve po kërkon t’i imponohet drejtësisë. Fillimisht në rastin e “të gjashtëve të PD-së” duke kërkuar të ashtuquajturën “ngrirje” dhe dje, duke i kërkuar grupit parlamentar të shumicës socialiste që të shtyhet diskutimi për heqjen e imunitetit të Sali Berishës.

Një kërkesë e tillë e kryeministrit socialist mund të justifikohet me disa faktorë. Se me disa kërkesa nga faktori ndërkombëtar, i cili është shprehur për veprime të kujdesshme lidhur me qëndrimin ndaj ish-presidentit dhe së dyti me frikën e riperkusioneve që mund të shkaktojë veprimi i ligjit mbi Berishën. Mirëpo duke qenë se ka qenë vetë zoti Nano i pari, që ka klasifikuar aksionet e militantëve të PD-së si një grusht shteti apo kryengritje e armatosur, çdo tërheqje tani më shumë është një bumerang kundër vetë liderit socialist. Me këtë ai tani përligj pretendimet e Sali Berishës se akuzat kundër tij janë formuluar vetëm për qëllime politike dhe më kryesorja i jep një goditje të rëndë strukturave të pushtetit juridik. Në këtë mënyrë përgatitet dhe terreni për një revansh të liderit të PD-së ku përsëritja e një 14 shtatori nuk është çudi. Edhe konferenca e shtypit e Nanos në godinën e masakruar të qeverisë pas këtij hapi, prapa të tij do të duket si një maskaradë për qëllime politike. Për sa i përket pretendimit për reaksionin që mund të shkaktojë një ndjekje penale e liderit të PD-së, nuk dihet se çfarë mund të bëhet më pari shumë nga ajo që u bë pas vrasjes së Azem Hajdarit nga ithtarët e Berishës. Në të kundërt, ndoshta një paralizim i Berishës nuk është çudi që t’u heqë frymëzimin fanatikëve të tij për të vepruar. Nga ana tjetër, edhe pretendimi, që duke shtyrë procedurat penale ndaj Berishës do të fitohet kohë për të vendosur dialogun, nuk qëndron. Presidenti Meidani është shprehur se nuk do të pranojë të bisedojë me parti që nuk dënojnë aktet terroriste të ditëve të fundit, gjë që PD duket se nuk ka ndërmend ta bëjë, gjë që do të thotë se nuk do të ketë bisedime. Ndryshe qëndron puna nëse Nano niset nga fakti se një kundërshtar si Berisha favorizon të ardhmen politike të tij./Gavrosh Levonja/

SHKARKO APP