Gazetari i njohur Blendi Fevziu, rrëfen për “KJ” detaje që lidhen me angazhimet e tij profesionale dhe jetën familjare

(Botuar me 30 shtator 2004 në KOHA JONE)

Gazetari i njohur Blendi Fevziu, rrëfen për “KJ” detaje që lidhen me angazhimet e tij profesionale dhe jetën familjare

Intervistoi: Esmeralda Gjoka

Ka plot tetë vjet që së bashku me të ftuarit e tij, pothuajse çdo javë, ai është i pranishëm në familjet e shqiptarëve. Ekrani televiziv ka bërë që Blendi me emisionin e tij “Opinion”, të jetë krejt natyrshëm pjesë e jetës së njerëzve. Është e pamundur që intervistat apo debatet e ndryshme politike që transmetohen çdo të enjte mbrëma në Tv Klan, të mos shoqërohen nga surpriza apo deklarata të pathëna deri në ato momente.

Gjithçka vjen tek shikuesit në një mënyrë të drejtpërdrejtë, që nga argumentet që personazhet paraqesin për të mbrojtur veten dhe aktivitetet e tyre, e deri tek akuzat apo përplasjet e ashpra me njëri-tjetrin. Në çdo rast, Blendi përpiqet të ruajë gjakftohtësinë dhe të menaxhojë situatën, në mënyrë që ajo të mos i dalë jashtë kontrollit. Duke qenë se personazhe të ndryshme të politikës, kanë qenë të ftuar në studion e tij ndoshta edhe për 12-ën herë, gjëja që e preokupon më tepër Blendin, është të shmangë përsëritjet dhe banalitetet.

Ai veçon si momente të vështira të punës së tij, intervistën e parë me Sali Berishën, në maj të 1998-ës, intervistën me Fatos Nanon në tetor të 2001-it, (kur ai sulmon kryeministrin Meta, organet drejtuese të PS-së dhe deklaron lidhjen e tij të re me bashkëshorten aktuale, Xhoana Nano). Ndërsa nga emisionet, padyshim që më i vështiri, por edhe më i ndjekuri, ka qenë debati Nano-Berisha.

Blendi rrjedh nga një familje e lidhur ngushtë me zhvillimet politike shqiptare e sidomos me pavarësinë e Shqipërisë. Dy stërgjyshërit e tij, kanë qenë nënshkrues të aktit të pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Ai vetë ka lindur në Tiranë më 18 Maj 1969, nga dy prindër mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pasi mbaron gjimnazin “Partizani”, në vitin 1987 fillon të studiojë në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi, ku dhe diplomohet më 1991. Aktualisht, është i martuar, ka një vajzë të vogël e cila mbush 2 vjeç. Thotë se i ngjan shumë, megjithëse, i vjen vërtet keq që për shkak të angazhimeve profesionale, nuk arrin të kalojë më shumë kohë me të. “Qëllon që për shumë ditë me radhë më duhet ta shoh vajzën vetëm pak minuta. Meqenëse ajo është e vogël, e shoh gjithnjë me vonesë progresin që bën, fjalët e reja që mëson dhe mënyrën se si e percepton botën dhe njerëzit rreth saj”- thotë ai.

Në ç’moshë ju lindi pasioni për gazetarinë dhe çfarë pasionesh kishit gjatë viteve të fëmijërisë apo adoleshencës së hershme?

Nuk besoj se gazetaria ka qenë një pasion imi i fëmijërisë. Në atë kohë në Shqipëri nuk flitej për gazetari në kuptimin e mirëfilltë të fjalës dhe një fëmijë nuk mund të gjente as në ekran një model të cilin mund ta admironte. Kur fillova t’i kuptoja më mirë gjërat më impresiononte Enzo Biaxhi dhe Indro Montaneli sa herë e dëgjoja në RAI, por jo më shumë.

Në vitet e gjimnazit dhe fakultetit, gazeta e vetme që lexoja ishte “Drita” dhe më pas “Zëri i Rinisë” në faqen letrare. Pasioni më i madh i asaj kohe ishte letërsia. Për shumë kohë besoja se letërsia do të ishte sfida e jetës sime, por kam përshtypjen se në adoleshencë, shumë vetë mendojnë se letërsia, ose më mirë poezia, do të zërë një vend në jetën e tyre. Më pas, gjithsecili zbulon një pasion apo profesion të ri, që bëhet edhe profesioni i jetës së tij. Pasionet e tjera nuk ndryshojnë shumë nga ato të gjithë fëmijëve apo adoleshentëve të tjerë: sporti, koleksioni i pullave të postës, vërdallisja në bulevard apo filmat në TV. Pasioni për gazetarinë ka ardhur më vonë dhe kam përshtypjen se ka lidhje me një lloj dinamizmi më të madh që po merrte jeta në fund të viteve ’80-të dhe në fillim të ’90-ës. Në atë kohë, si student, kisha filluar të punoja si pjesë e stafit të gazetës “Studenti” dhe bashkë me Ben Blushin filluam një seri intervistash me shkrimtarë të njohur.

Diçka e re dhe e panjohur deri atëherë për gazetën e studentëve. Nisi si një lloj loje, pa e ditur se pikërisht intervista do të ishte më pas një nga impenjimet e mia kryesore në gazetari.

Emisioni “Opinion” është padyshim ndër emisionet më të ndjekura dhe me popullore në Shqipëri. Çfarë ndjesie ju jep një fakt i tillë?

Nuk besoj se më jep ndonjë ndjesi të veçantë, për vetë faktin se nëse është kështu, kjo nuk varet nga diçka tjetër veçse nga puna ime. Punoj shumë për çdo seri të tij. Kur një emision mbush tetë vjet, pa ndonjë ndryshim thelbësor në formën apo përmbajtjen e tij, ekziston gjithnjë rreziku që mund të përsërisësh vetveten, që shumë gjëra nuk janë më interesante si më parë, edhe për ty vetë. Kur një personazh të politikës duhet ta intervistosh për të 11-ën apo të 12-ën herë, është shumë më e vështirë sesa herën e parë, pavarësisht nga zhvillimet e reja për të cilat duhet të flasësh. Përsëritja dhe banalizimi janë dy gjërat që më trembin më shumë dhe të cilat kam tentuar t’i shmang me sa kam patur mundësi. Në këtë kuptim shumë gjëra varen nga unë vetë dhe jam i bindur se atë ditë që unë vetë nuk do të ndihem mirë, emisioni do të pushojë së ekzistuari, ose do të ndryshojë format.

Ju keni patur të ftuar të gjithë personazhet kryesorë të politikës shqiptare. Cili prej tyre është më i vështiri për t’u zbërthyer dhe në cilin prej emisioneve tuaja e keni ndier veten më ngushtë?

Nuk mund të të them se cili prej personazheve të ftuar në emisionin tim ka qenë më i vështiri, sepse gjithsecili ka vështirësitë e tij. Por mbaj mend që në vitin 2000 do të intervistoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lordin Robertson. Intervista, siç ndodh gjithnjë me personazhe të tilla, ishte fiksuar katër muaj më parë. Një anëtar i stafit të tij të shtypit kishte ardhur në Tiranë për të parë vendin dhe pyetjet, ndërsa koha ishte në mënyrë strikte e përcaktuar, 30 minuta. Për të mos humbur kohë, vendosëm që intervista të ishte e gjitha në anglisht dhe të përkthehej më vonë, por kur u gjenda përballë tij, me një aksent të theksuar skocez, e pata shumë të vështirë ta kuptoja të plotë atë që më thoshte. U detyrova të mbetem në pyetjet standarde, pa ndërhyrje të tjera dhe me sa duket ai e kuptoi këtë. Në fund, me shaka më tha se aksenti i tij ishte i vështirë dhe për vetë anglezët.

Të vështira kanë qenë më pas disa intervista me një lloj përgjegjësie, si ajo me kryeministrin serb, Xhinxhiç, më 2002, kur duhej folur për Kosovën dhe hapjen mes Tiranës e Beogradit dhe kur ai befas deklaroi se në fund të fundit, Kosova do ta vendosë vetë të ardhmen e saj; me ministrin e Jashtëm Grek, Papandreu, gjatë ditëve të luftës së Kosovës kur opinioni publik në Athinë ishte 90 për qind kundër; me presidentin maqedonas, Trajkovski, viti 2002, kur konflikti mes UÇK-së dhe policisë së Shkupit ishte ende i nxehtë dhe çdo fjalë e tensiononte më shumë situatën; intervista me Xhulio Andreotin, një prej politikanëve që e kam admiruar shumë që fëmijë. Shumë e vështirë ka qenë intervista e parë me Sali Berishën, në maj të 1998-ës, që ishte një farë lloji edhe dalja e parë e tij direkt në një intervistë në Tv dhe ajo me Fatos Nanon në tetor 2001, kur ai sulmoi kryeministrin Meta, organet drejtuese të PS-së dhe deklaroi lidhjen e tij të re me bashkëshorten aktuale, Xhoana Nano. Nga emisionet padyshim që më i vështiri ka qenë debati Nano – Berisha. Mbas më pak se 10 minutash, emisioni kishte dalë krejt nga kontrolli im dhe vijoi më shumë për inerci të debatit të atyre vetë.

Ç’raporte ka Blendi me politikanët dhe politikën jashtë “Opinionit”?

Me politikën një raport disi më special se ai që ka çdo shqiptar, për faktin e thjeshtë se në mënyrë indirekte, ajo okupon një pjesë të mirë të kohës sime, pra është baza e angazhimit tim profesional. Nga ana tjetër, debatet për politikën botërore, kanë qenë gjithnjë të pranishme në familjen time. Që fëmijë, dëgjoja bisedat e prindërve dhe gjyshit tim për zhvillimet në botë ndërsa lajmet e RAI-t, që në atë kohë lejoheshin nga përforcuesit e TVSH-së, kanë qenë një dimension i pamunguar i orës 19.45 në shtëpinë time, që kur unë mbaj mend. Tani janë shtuar BBC dhe Euronews, tek të cilat televizori im në shtëpi apo në punë, qëndron pothuajse gjatë gjithë ditës.

Me politikanët kam po ato raporte që kanë të gjithë kolegët e mi, diku më të afërta, diku më të ftohta, pa ndonjë kulm. Duke përjashtuar ata miq të vjetër, që kanë qenë të tillë, përpara se të hyjnë në politikë, si Ben Blushi, Edi Paloka etj.

Flitet shpesh për botën e medias dhe problemet që ndeshen aty. Ju si do ta përkufizonit gjendjen reale në të cilën ndodhet gazetaria në Shqipëri?

As më të mirë dhe as më të keqe sesa ajo në pjesën tjetër të Ballkanit. Një lloj mode, që thuajse nuk ka ekzistuar para vitit 1990 dhe që po tenton të marrë formë në këto 14-15 vjet. Flas këtu për punën e gazetarëve dhe nivelin e tyre profesional, pasi përfshirja e shumë biznesmenëve në media në 2-3 vitet e fundit, krijimi i gazetave dhe televizioneve pa fund, me një intensitet të tillë, padyshim që po krijon një problem serioz. Jemi vendi me numrin më të madh të gazetave dhe TV-ve për frymë popullsie, por njëkohësisht kemi gazetat me numrin më të vogël të kopjeve dhe televizionet më pak të ndjekur në Ballkan. Po kalojmë një krizë si ajo që Turqia kaloi në fillim të viteve ’90-të, por që besoj do të jetë e përkohshme. Shumë prej biznesmenëve do ta kuptojnë se gazeta nuk mund të jetë një mjet për të fituar leje ndërtimi dhe as për të qenë i favorizuar në tendera shtetërorë. Në këtë drejtim, komuniteti i gazetarëve mund të luajë më shumë rol.

Po për sa i takon vlerësimit nga ana financiare të gazetarëve në Shqipëri, ç’mund të na thoni? A mendoni se është vendosur ekuilibri i duhur në këtë drejtim?

Në raport me pjesën tjetër të popullatës së aftë për punë, them se gazetarët paguhen shumë mirë në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha, ju nuk gjeni asnjë gazetar që mbetet pa punë në këtë vend. Ju vetë, ç’raporte keni me paranë? Ato më normalet. Më pëlqen që t’i kem pa problem dhe i shpenzoj po kaq pa problem.

Si ju lindi ideja për të shkruar librin tuaj të fundit “50+1”, i cili me sa dimë, ka patur mjaft sukses?

Ky nuk ishte libri im i parë, por i gjashti, pra nuk është ndonjë surprizë. Së paku tre të tjerë janë shitur shumë mirë, siç ka qenë “Piedestale pa statuja” më 1994; “Historia e gazetarisë shqiptare 1848-1996″ më 1996 dhe “Para e pas kamerave” më 1999. Ndoshta ky është libri që unë vlerësoj më shumë, për arsye se në të përmblidhen 50 ese, që më shumë janë reflektime të raporteve tona të së sotmes me të shkuarën; një lloj reflektimi, që gjithkush e ka bërë ose duhet ta bëjë. Një moment ju ndaloni dhe mendoni se ku keni qenë, cilat kanë qenë aspiratat tuaja dhe ku ndodheni tani, sa janë realizuar dhe sa ka ndryshuar jeta juaj? Në të vërtetë, shumica e eseve janë botuar në revistën “Klan” që nga viti 2000 deri në fund të vitit 2003. Kam marrë shumë mesazhe në postën time elektronike për to, pa llogaritur komentet e miqve me të cilët takohem rregullisht. Shpresoj që libri do të jetë interesant edhe për ata që e lexojnë për herë të parë.

Le të flasim pak për jetën tuaj private. Sa e vështirë është për një person publik të ndërtojë dhe të ruajë privatësinë e tij?

Besoj se kjo është një pyetje që vlen më shumë për një vend me hapësira të mëdha dhe me miliona banorë se sa për një qytet të tillë si Tirana.

Person publik apo jo, në Shqipëri gjithkush e ka privatësinë e tij të cenuar. Mos harroni se këtu të gjithë njohin të gjithë dhe asgjë nuk përbën befasi.

Jeni person publik apo jo, kudo që të shkoni në qytetin tuaj ju do të gjeni ose një të afërm, ose një komshi, ose një mik shkolle, ose dikë tjetër që e njeh dhe të njeh. Kohët e fundit, gjëja që më bezdis më shumë, është fjala VIP apo “yll ekrani” që përdoret vend e pa vend, sidomos për disa prezantuese të reja emisionesh rinore. Të gjitha këto kanë kuptim për vende milionëshe atje ku nuk të qëllon kurrë në jetë të shohësh në rrugë një personazh që e ndjek në ekran. Por nëse një mëngjes ju rrini përballë hotel “Dajtit”, nga ora nëntë e mëngjesit, do të shihni gjithë personazhet televizivë, aktorë etj., që shkojnë në punë në këmbë, kështu që fjala VIP thjeshtëzohet shumë… Është më mirë të jemi pak më realistë.

Duke qenë kaq i angazhuar në jetën publike, a arrini të gjeni kohë për jetën tuaj familjare?

Padyshim jo aq sa do të duhej, përkundrazi, qëllon që për shumë ditë me radhë më duhet ta shoh vajzën vetëm pak minuta. Meqenëse ajo është e vogël, e shoh gjithnjë me vonesë progresin që bën, fjalët e reja që mëson dhe mënyrën se si e percepton botën dhe njerëzit rreth saj.

Por kjo është diçka që nuk më ndodh vetëm mua, ndaj nuk kam pse ankohem më shumë se sa duhet në këtë drejtim.

Do të na pëlqente të na jepnit disa detaje rreth pjesëtarëve të familjes tuaj…

Është ende një familje e vogël, vajza, ime shoqe dhe unë. Vajza në mes të tetorit mbush dy vjeç, siç e thashë më parë, në moshën që mëson më shumë gjëra dhe që shpesh të befason me mënyrën se si i shpreh ato.

Dhe ju ngjan më shumë ju?

Shiheni vetë në foton që keni dhe gjykojeni.

Cili është hobi juaj dhe si e kaloni kohën e lirë?

Një lloj hobi i përhershëm, që fatkeqësisht, për arsye që nuk vareshin nga unë ka ardhur vonë, afër të 20-tave, janë udhëtimet. Më pëlqen të udhëtoj shumë, sa herë gjej kohë dhe mundësi. Kam udhëtuar thuajse në të gjithë kontinentet dhe nuk lodhem asnjëherë së përgatituri plane të reja. Më shumë se sa thjesht një hobi, udhëtimet janë një dimension mjaft i rëndësishëm në jetën e njeriut. Ndihmojnë shumë që ai ta vendosë veten në përmasat reale. Vini re që sa herë udhëtoni, jeni më të predispozuar për të kuptuar përmasat reale të Shqipërisë dhe impaktit që ne kemi në botë. Kur je në Tiranë duket se qendra e botës është këtu, se gjithçka ndodh ka një dimension planetar. Pastaj befas e ndien se jemi një kënd problematik i planetit, gjysmë i harruar, që duhet të bëjmë më shumë për të qenë realisht qytetarë dinjitozë të tij. Pasioni tjetër, i cili nuk më është zbehur kurrë në jetë është dëshira për të lexuar. Vijoj të lexoj shumë, natyrisht, tashmë më pak letërsi artistike dhe jo me ritmin e dikurshëm, por krahasuar me angazhimet që kam vijoj të jem gjithnjë një lexues i rregullt. Nëse i referohem një kohe tjetër, mund të meritoja realisht një medalje alumini që quhej: Miku i Librit.

Pasioni i tretë, por që ka filluar fatkeqësisht të më zbehet, është futbolli. E ndjek gjithnjë e më pak rregullisht, me përjashtim të ekipit tonë kombëtar, evenimenteve botërore dhe Champions League. I fundit mbeten pikturat.

Cilat janë preferencat tuaja muzikore?

Nuk besoj se kam preferenca të theksuara dhe as që shquhem për shije të holla në këtë drejtim.

Po për sa u takon aktiviteteve sportive?

Sipas modelit më të fundit shqiptar, shpenzoj pak orë në javë në një palestër, ku pjesa më e madhe u takon afro 30 minutave not. Jo ndonjë gjë për t’u shënuar

A dini të gatuani?

Dhjetë vjet më parë kur familja ime u largua për në SHBA dhe unë mbeta vetëm në shtëpi, tentoja të gatuaja diçka. Gjëra të shpejta dhe pa ndonjë shije të veçantë. Tani mund të them se pothuajse nuk hyj në restorante dhe si pasojë e angazhimeve ha shumë rrallë në shtëpi. Në plazh, në darka miqsh merrem shpesh me barbekynë, por nuk besoj se kjo është me një cilësi të veçantë. Gjithsesi nuk mund të them se nuk e kam zili një mik si Adrian Fullani, një kulinarist i shkëlqyer, që gjithnjë më bën të jem më kurioz për recetat delikate dhe gatimin me shije.

Cilat mendoni se janë disa nga pikat më të forta dhe më të dobëta të karakterit tuaj? Me pak fjalë, si është Blendi?

Sinqerisht nuk di të të them! Për këtë mund të pyesni më mirë njerëzit që më njohin dhe punojnë çdo ditë me mua.

Cili është pengu më i madh që keni nga vitet e shkuara?

Nuk di ta them as këtë. Nuk besoj se ka në jetë njeri pa pengje, por nuk besoj se ndonjë prej tyre ka diktuar, apo dikton fort jetën time të sotme.

SHKARKO APP