Gëzim Ashimi: Zamir Dule, miti i një gazetari
(Botuar me 11 shkurt 2002)
Historia e Gazetarit të “Koha Jonë” që ëndërronte t’i ngjante Pecorelit, gazetarit italian të vrarë nga mafia, survejimet e SHIK-ut, rrahja barbare kur u dogj redaksia dhe së fundi gjendja e rëndë ekonomike dhe psikike
Nga Gëzim Ashimi
Vrasja e gazetarit kosovar Ali Ukaj është përcjellë me humorin më të zi në ambientet e dikurshme të revistës “Klan” në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Sapo mësoi lajmin tragjik, gazetari i njohur i kronikës së zezë në “Koha Jonë” Zamir Dule, lëshoi një pasthirrmë. Dhe më tej, një dëshpërim të veçantë shtoi, me të folmen e tij karakteristike prej devolliu. “Mos, pandeha se do të isha unë gazetari i parë në Shqipëri i vrarë nga krimi!”
Armand Shkullaku, kryeredaktor i revistës në atë kohë dhe redaktori Andi Bushati, vunë ca çaste buzën në gaz duke ia njohur këto pohime naive Zamir Dules. Ata i kërkuan të investigonte dhe të përgatiste shkrimin e gazetarit Ukaj, i cili u publikua në gusht të vitit 1997. Ka qenë materiali i fundit gazetaresk ku shfaqej firma e Z. D.
Në redaksinë e “Klan” kjo nuk parashikohej, por biseda kaloi në intimitet kolegësh. Shkullaku kujtoi se si pati filluar punë Zamir Dule në gazetën “Koha Jonë”. Në vitin 1993, pas një eksperience gati njëmujore tek “Zëri i Rinisë”, Dule u paraqit në redaksinë e së parës gazetë kombëtare të pavarur. Tani pohon se e shtyjnë motivet ekonomike, pra pagesa më e mirë, por një shtysë e fortë besoj se ka qenë shpalosja e vlerave të tij si gazetar i kronikës së zezë. Fati jo rrallë tregohet provokues. Zv/kryeredaktori Shkullaku, me të lexuar informacionin prezantues të Zamir Dules, në rutinën e punëve të tij të përditshme, e mblodhi shuk letrën dhe e hodhi në kosh. Në bisedë e sipër ndërhyri punonjësi i gazetës Dritan Kaba, i cili si lexues i interesuar për lajmet e kronikës së zezë, iu kthye letrës së zhubrosur. Ndërhyrja e tij ishte vendimtare. Zamir Dule filloi punën si korrespondenti i parë lokal për gazetën “Koha Jonë” falë edhe aprovimit që dha kryeredaktori i gazetës në atë kohë.
Gazetari që tronditi qytetin konservator
Vështirë që një gazetar në Shqipëri mund të jetë nderuar nga personazhet e krimit e njëkohësisht të ketë qenë objekt i hakmarrjes së tyre sa Zamir Dule. Në një terren të virgjër për një qytet si Korça rreth vitit 1994, ai përshkoi me entuziazëm dhe realizëm varrimin e pazakontë të shoqëruar dhe me kamera që iu bë një të riu nga radhët e “5 dyqaneve”. Kohë më vonë tregoi se shokët e viktimës e çmuan për aktin gazetaresk. Ndërsa kthehej një mbrëmje në apartamentin e motrës së tij ku edhe banonte, shqoi një radhë të rinjsh në shkallët e pallatit. Askush nuk foli. Gazetari kaloi heshturazi përbri kordonit të djelmoshave kokulur që në atë çast nuk arritën të shprehnin falënderimet.
Të tjerë personazhe më pas, e ndjenë veten në telash nga shkrimet kurajoze të Dules, aq sa u deshën ndërhyrje me figura të njohura të politikës për të frenuar disi vrullin e penës së tij. Për lexuesit korçarë dhe jo vetëm për ata, gazeta “Koha Jonë” po bëhej më shumë tërheqëse. Me një cikël prej shtatë shkrimesh mbi kriminalitetin në Korçë, Zamir Dule preku në kallo mentalitetin e qytetit. Figurat e krimit, ndasitë fetare, nofkat që u vihen njerëzve në Korçë, apo dukuri të tjera deri atëherë të patrajtuara, pështjelluan sa e sa mendje lexuesish dhe trazuan foletë e grerëzave. Në një organ lokal shtypi, nisën të nxinin radhazi banalitetet e prodhuara nga fanatikët mendjedehur e mendjemykur të qytetit. Thuajse Zamir Dule, që në mëngjes sikur nuhaste ajrin dhe pyeste: “A ka gjak sot”? Nuk është e vërtetë. Ai vuante lajmin. Siç ka një sentencë të cilën e ka parim. Lajmi lind gazetarin dhe jo gazetari lind lajmin. Unë dëshmoj pikëllimin e tij profesional kur nuk arriti të informonte i pari vjedhjen e tablove të Piktorit të Popullit Vangjush Mio dhe këmbënguljen e vazhdueshme për të mësuar ecurinë e hetimeve. Kur sensacionet lokale me firmën e Zamir Dules filluan të kenë jehonë edhe në agjencitë e huaja të lajmeve, (rasti i një qytetari nga Korça që vuri bast gruan dhe e humbi pas një ndeshje të kampionatit botëror në vitin 1994), admiruesit dhe helmatisësit në adresë të tij ishin jo të paktë.
Në Korçë thuhej se Zamir Dule qarkullonte zakonisht ulicave (rrugëve dytësore) për t’iu shmangur disa njerëzve që ai i kishte bërë objekt shtypi, e, siç mund të merret me mend, zotëronin bulevardet duke udhëtuar me makina. Asokohe, në mos gaboj, është ngjizur edhe një parim i tij për profesionin. Me një qetësi të ngjeshur nga egoizmi dhe përkushtimi për punën si gazetar i kronikës së zezë, ai tha se ishte i pamëshirshëm kur bëhej fjalë për lajmin. Me fjalë të tjera, të shpjeguara për Zamir Dulen, nuk kursente askënd me përjashtim të njerëzve të afërt të familjes, kur e tundonte shpallja e lajmit.
Me shefin e komisariatit të Korçës Nikolin Thana pati një pakt xhentëlmenësh: “Më jep informacionin e duhur të ta shpërblej duke të lënë të qetë në punët e tua”. Dhe kur nuk kishte më nevojë të lodhej shumë për të pasur kontroll mbi ngjarjet e ditës në Korçë e rrethet afër saj, kryeqendra (Korça) filloi të ngjante gjithnjë e më shumë si një fshat. Aty nga viti 1995, ai u atashua si gazetar i kronikës së zezë për gazetën “Koha Jonë” në Tiranë, pasi mori menjëherë përgjigje miratuese nga redaksia. U desh një muaj i dëshpëruar, me endje të lodhshme në kryeqytetin e panjohur e në një gjendje të dyzuar nëse duhej të kthehej apo jo sërish në Korçë, që Zamir Dule të shfaqej me një shkrim të pëlqyeshëm. Ishte një vështrim i përgjithshëm mbi gjendjen e krimit në Tiranë, të cilin ai e krahasoi me Çikagon e viteve ’30-të.
Gjithnjë në rolin e gazetarit të kronikës së zezë, pasi për gazetar politik ose ekonomik a kulture ai nuk ia thoshte, filloi të njihej çdo ditë e më tepër me avokatë e njerëz të ndershëm që i shërbenin si burim informacioni. Një ndër miqtë e tij, për të cilin ka ruajtur respekt të vazhdueshëm, ishte dashamirësi i gazetareve Agim Tirana. Nuk kaloi shumë kohë dhe firma ZD u bë e njohur edhe në kronikën e zezë të kryeqytetit. Në dy raste rrezikoi të largohej nga “Koha Jonë”.
Krahas detyrimeve të përditshme, Zamir Dule iu fut zellshëm studimeve të literaturës së kronikës së zezë dhe përgatitjes së librit me 11 përdhunimet më ekstreme në Shqipëri. Në parathënien e këtij libri, ai shpjegon se këtë planet të panjohur e shkeli sepse “bota e krimit, në të cilën një vend të rëndësishëm zënë edhe agresionet seksuale, është pasioni më i madh i jetës sime”. Erdhi një periudhë, kur ai vetëm studionte menjëherë pas mbarimit të punës. Të shoqërohej me kolegët e të rrinte kafeneve nuk e kishte zakon, me përjashtim të rasteve të rralla kur e lypte detyra e rrethanat. Dhe kur shkrimet e tij filluan të jenë edhe më kurajoze, më sensacionale e më të pavarura nga faktet e gjuha, ai u prir së tepërmi nga studimet dhe disa tema speciale të kronikës së zezë. Krahas zbehjes së interesit për ngjarjet e ditës, ai u tërhoq dalëngadalë kur në redaksinë e gazetës “Koha Jonë” erdhi si kronist gazetari Alfred Peza. Të dy shkonin mjaft mirë, por tashmë kishte ardhur koha që revanshin e shkrimeve të kronikës së zezë që hapnin gazetën ta merrte Peza. Kolegu dhe miku i tij Zamir Dule preferoi vijën e dytë të zjarrit.
Loja e skëterrshme me SHIK-un
Të ketë aq burime informacioni sa të ndihet se kontrollohen si një lloj radari ngjarjet, është ndoshta ëndrra më e madhe e një gazetari. Zamir Dule i lejoi vetes lakminë e sensacioneve. Ai mbetet meteori i lajmit të paarritshëm. Për të realizuar qëllimin dhe detyrën e tij ishte gati të sakrifikonte gjithçka. Dhe një nga degët (në riskun e së cilës nuk u bazua në një nga principet e tij: rendit nga një anë të mirat, nga ana tjetër të këqijat dhe vendos pasi të peshosh) ai zgjodhi për një kohë të shkurtër pazarin me SHIK-un. Zanafilla e këtij “bashkëpunimi” sipas të cilit burime të policisë të fshehtë do të furnizonin gazetarin Dule me sensacione tronditëse, e ai në këmbim do të jepte të dhëna. Kur e pyeta nëse grepin ia kishte hedhur një punonjës i këtij shërbimi nga Korça me të cilin strehoheshin në një dhomë konvikti, së fundi Zamir Dule mohoi prerazi, madje e cilësoi shikasin “një njeri të mirë”, ndërsa uli vështrimin e përhumbur.
E vërteta është se ai ra në grackë nga SHIK-u. Fakti tjetër është se në një kohë të shkurtër, si një akrep që mblidhet nga zjarri u tërhoq. Njerëzit e shërbimeve të fshehta i servirën gazetarit disa informacione pa shumë rëndësi, e ai ndërkaq arriti të kuptonte se “pala” tjetër në lojë nuk mund t’ia fuste vetes me nxjerrjen e lajmeve vërtet sekrete. Ndërkaq kreu edhe ndonjë takim në kafenetë e bregut të Lanës me punonjësit e SHIK-ut, ndoshta dhe zyrtarë të lartë që e joshën, e kërcënuan, i premtuan dhe i filluan survejimin. Në dy apo tre raste që u takuam në Tiranë gjatë kësaj periudhe, Zamir Dule më besoi një pjesë të të fshehtave për gjendjen që po kalonte. Me zë të ulët, ngaqë i druhej përgjuesve, pohoi se kalonte situata pendimi e ankthi. Një nga të shërbimit sekret që tenton ta rekrutonte, përfundimisht në një takim i lëshoi një mesazh kërcënues “më mirë një fund i tmerrshëm apo një tmerr pa fund?”. Çka do të thoshte se fundi i tmerrshëm ishte nënshkrimi për të bërë hafijen dhe tmerri pa fund të këqijat që mund të bëjë vetëm policia e fshehtë. Ai që duhet të vendoste në lidhje me këtë propozim përcaktues si një thikë me dy presa për fatin e tij zgjodhi tmerrin pa fund, skëterrën psikologjike.
Zamir Dule gjithnjë e më shpesh fliste për survejime, provokime, frikë për helmim. Dikur, me një parandjenjë ogurzezë se mund ta zhduknin, më besoi një nga tre kopjet e ditarit të tij. Nga sa shfletova nxitimthi atë ditar, u njoha me makthin e Zamir Dules, nga që tashmë ai po vuante tmerrin pa fund. Dy apo tre emra të koduar punonjësish të SHIK, një prej të cilëve i quajtur me kodin CERBERI nga Zamir Dule përmendeshin shpesh në faqet e ditarit. Por edhe kolegë të tij, gjithashtu me emra të koduar si “Mata Hari”, që i dyshonte si bashkëpunëtorë të policisë së fshehtë. Paranoja e persekucionit, bindja se përndiqej, frika e kurtheve ose aksidenteve po e shoqëronin në çdo hap. Sa vinte dhe zgjerohej rrethi i njerëzve të imagjinuar prej tij si spiunë. Në redaksi nuk vinte rregullisht me lajme dhe ato që botoheshin gjithnjë e më shpesh ishin të dorës së dytë apo të tretë. Pretendonte se i bllokohej kudo informacioni. Derisa erdhi ajo natë ferri e fillimvitit 1997 kur u dogj redaksia e gazetës “KJ” dhe Zamir Dule, i vetmi që u ndodh në të, u keqtrajtua, u rrah e u izolua në polici. Kjo ngjarje e rëndë i vuri vulën dramës së Zamir Dules si gazetar dhe si njeri nga ana psikike. Por le të kthehemi edhe një herë tek shkaku si sjellës i fatkeqësive.
Lamtumirë, armë e gazetarisë
Fitorja e PS në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, i zgjoi Zamir Dules një shpresë të vagullt se mund të vlerësohej për punën e tij. Nuk kishte pretendime të mëdha. Kryeredaktor i revistës “Policia sot” për të patur më shumë mundësi në njohjen e arkivave që do t’i plotësonin synimet gazetareske ose ndonjë vend tjetër ku mund të studionte. Përçapjet e para tek tre apo katër politikanë të njohur iu kthyen në zhgënjim. Ai tashmë ndihej i pafuqishëm përballë një bote të tërë njerëzish, tek të cilët nuk kishte më besim. Askush nuk e mori vesh largimin dhe kthimin e tij në vendlindje. Fatkeqësia pllakosi me gjithë peshën e saj të zezë në familjen e tij kur i vranë të vëllanë, njeriun që ishte shtylla e shtëpisë. Atëherë Zamir Dule ka kaluar krizën më të rëndë të jetës së tij. I mbetur me dy prindërit në moshë të thyer, u mbyll në shtëpi si një eremit që heq dorë nga çdo gëzim i kësaj bote. Disa ditë më parë e kam takuar për të njohur konkretisht gjendjen e shokut dhe kolegut tim pasi kisha dëgjuar lloj-lloj fjalësh për të.
I vetëburgosur në shtëpi mes një togu librash lexon dhe i ishte rikthyer krijimtarisë. “Kam filluar një libër autobiografik ku do të përshkruaj jetën që nga fëmijëria”, tha dhe shprehu besim se do ta përfundonte në tre vjet. Njëkohësisht shkruante poezi dhe aforizma. Ka arritur të krijojë rreth 400 fjalë të urta e pasi të plotësojë 1 mijë syresh mund t’i botojë. “Dashuria dhe sikur të jetë e veshur me lecka shkëlqen si diamanti në diell, ndërsa zilia edhe sikur të jetë e veshur me diamant, nxin si korbi në terr”, thotë Zamir Dule në një nga aforizmat.
Lexon Biblën por i duket se ka shumë ujëra dhe ka uri për libra artistikë. Nuk e mendon kurrsesi t’i rikthehet gazetarisë. Thotë se trurin e ka tashmë gjysmë të kallkanosur. Këto janë ndër të paktat copëza jete të gazetarit të njohur të kronikës së zezë Zamir Dule, i cili aktualisht është në një gjendje të dhimbshme. Me 100 sakrifica, babai i tij përgatiti dokumentacionin që Zamiri të përfitojë një farë kempi, sepse nuk kanë të ardhura. Ndërsa shfletoja një fletore poezish të krijuara nga Zamir Dule, sytë m’u ndalën në disa vargje që tregonin pak a shumë kështu vuajtjet e tij shpirtërore.
Përse të më ndodhte mua ky fat i zi, mua që bota më kishte zili, të më tregojnë tani me gisht. Kujtesa e tij, mirësia janë po ato të dikurshmet dhe flet mbi gjithçka, por befas hesht, i bie entuziazmi i bisedës dhe përsërit: Jo nuk tregoj më se më duhen për librin tim.