Gëzim Podgorica: Televizionet private sfidë ndaj RTV shtetëror, hapësira e re në fushën e medias

(Botuar me 5 janar 1999 në KOHA JONE)

Nga Gëzim Podgorica-

Lindja e televizioneve private në Shqipëri erdhi padyshim si zgjerim i lirive demokratike duke qenë në të njëjtën kohë edhe një dimension i ri në komunikimin masiv në fushën e medias elektronike. Alternativa e shtruar që në krye të këtij artikulli, sigurisht që përbën dy shinat që këto televizione private po kërkojnë në të shumtën e herës për të përcaktuar më pas fizionominë e tyre të veçantë. Natyrisht që themeli në televizionet private duhet të përbëhet nga qenia e një aksesi të ri informacioni, kulture dhe edukimi, por ama ky drejtim që të ketë elementë të plotë kërkohet të konkurrojë para së gjithash televizionin shtetëror, me synimin që sa më shpejt të krijohet audienca e nevojshme e cila ka nevojë për një këndvështrim të ri. Vështirësitë e një konkurrence ndaj televizionit shtetëror janë të njohura, por në segmente të veçanta duke patur si tendencë bazë afrimin drejt komunitetit ku veprojnë ato realizohen. Rritja e audiencës së televizioneve private bëhet e mundur kur ka kërkesa në rritje për një informacion sa më të shpejtë e të zgjeruar, sa më pranë psikologjisë dhe interesave të komunitetit ku shtrihen valët e tij, për një pasqyrim të kulturës dhe traditës së zonës, tendencë për komunikim sa më të shpejtë me publikun, por edhe një cilësi programesh e nivel i admirueshëm artistik. Si televizione të reja ato kanë sot një audiencë të admirueshme duke patur në konsideratë faktin që vende të ndryshme ku televizionet private veprojnë prej 20 vitesh nuk i kalojnë të 15 për qind. Në Belgjikë, i cili është vendi i parë në Evropë ku lindën fillimisht ato sipas sondazheve ndjekja e programeve është 14-15 për qind; në Zvicër 12,5 deri në 13,5 për qind; në Itali 14 për qind e të tjerë.

Audienca e rritur e televizioneve private në Shqipëri lidhet me faktin se propaganda njëngjyrëshe e sistemit totalitar dhe ajo tejet e politizuar e periudhës posdiktatoriale, duke kaluar të dyja në dhunim shpirtëror, sollën nevojën e hapësirës së re në fushën e medias.

Etja për ta parë realitetin në shumëngjyrëshin e tij, për ta gjykuar dhe interpretuar objektivisht, për ta mësuar të vërtetën ashtu siç është dhe jo sipas orekseve dhe interesave politike, bënë të mundur që ekrani i vogël i televizioneve private të shihej si një dritare lirie, si dimension në shërbim të demokracisë. Por si shumë abuzime të tjera, edhe me televizionet private nuk vonoi të ndodhte një veprim në sensin që u theksua, duke kaluar nga konkurrenca që është normale, në sfidë ndaj RTV-së shtetëror. Problemi nuk ekziston i frikshëm për televizionin shtetëror në planin e sfidës, as edhe si një tabu, por e keqja qëndron në faktin se kërkohet të bëhet një sfidë me karakter politik dhe jo profesional. Vërtet televizioni shqiptar ka mangësi të theksuara, nuk ka akoma dimensionin e tij publik, vazhdojnë reminishencat e viteve të politizimit të tij, por nisja me qëllimin për t’i bërë sfidë të karakterit politik i dëmton televizionet e reja. Sa për varësinë e stafeve realizuese aq edhe të pronarëve të këtyre stacioneve, shpejt publiku ka bërë identifikimin e mjaft televizioneve me përkatësi politike të pozitës apo të opozitës. Ndjehet kjo që në informacionet që servirin, të cilat në vend që të plotësojnë atë boshllëk që i mungon ekranit shtetëror, priren nga politizimi i tejskajshëm dhe nga mungesa e theksuar e ekuilibrit realist. Megjithëse të prirë për sfidë, mjaft televizioneve u mungon themeli i saj: Në vend që të jetë profesionale, bëhet sfidë politike.

Sfidën e audiencës në drejtim të informacionit, televizionet private duket se e kanë pranuar që në fillim. Orari i transmetimit të emisioneve të lajmeve. Përjashto televizionin e Shijakut, të tjerat i kanë në kohë të ndryshme nga ai shtetëror edicionet informative. Duke pranuar ndërgjegjësimin për forcën e TV shtetëror, televizionet private duhet të gjykojnë edhe për paanshmërinë e informacionit. Dhënia e informacioneve të politizuara ose në rastin më të mirë me gjykim subjektiv gazetarësh i ka dëmtuar që në fillim ato. Një sondazh publik sigurisht që do të bënte të mundur kthesën e domosdoshme që duhet ndërmarrë në këtë drejtim. TV Rozafa në Shkodër, TV Shijak në Durrës, TV Alba në Tiranë, TV Dardania në Elbasan kanë ndjeshmëri të përcaktuar tashmë politike dhe, duke marrë përsipër përfaqësimin e interesave të një force politike në një ambient të ndezur politik, në plan të parë, ato vërtet mendojnë se i shërbejnë elektoratit të tyre, në sfidë edhe ndaj tv shtetëror, por tejskajshmëria dhe humbja e objektivitetit sjell efektin e njohur: bumerang.

Nuk janë të pakta reagimet e publikut kur shprehen hapur që x stacion televiziv është i kësaj force politike. Pavarësisht si qëndron e vërteta, është humbur ajo që është e rëndësishme: ana publike e televizionit. Audienca e rritur e televizioneve private duke iu nënshtruar orientimeve të ndezura politike domosdo do të bjerë, aq më tepër që sot kemi një publik të lodhur e të mbingarkuar psikologjikisht nga përplasjet politike e sfondi i një lufte të tillë që vazhdon të jetë i ndezur në Shqipëri.

Duke iu shmangur dhënies me realizëm të ngjarjeve e vazhduar me politizimin e tyre, nuk do të jetë e largët dita kur shumë televizione private do të humbin në tregun e medias elektronike shqiptare, e cila akoma nuk është vënë përballë normave dhe rregullave të njësuara ligjërisht. Njëkohësisht stafet do ta ndjejnë peshën e të qenit instrumente të një politike të caktuar. Krijuesit në televizion, më shumë se për çdo gjë, i kanë hyrë profesionit të gazetarit, telekronistit apo operatorit të shtyrë nga talenti dhe prirja e tyre, e cila motivohet nga kënaqësia shpirtërore që u sjell ngacmimi i brendshëm. Asgjë nuk mund të shkatërrojë moralin e tyre më shumë se sa ndjesia që biznesi apo orientimi politik i përmbajtjes së programeve drejtohet pa kurrfarë kujdesi ndaj vlerave etnike. Minimizimi i mundësive që përzgjedhja e informacionit, e mbi të gjitha gjykimi mbi dhënien e tij të bëhet duket u bazuar mbi përshtypje personale, stili dhe orientimi politik, bën të mundur që audienca të rritet, por të rritet edhe kënaqësia shpirtërore e krijuesve të cilët pavarësisht nga botëkuptimet, mirëkuptimin me publikun e duan të gjerë e jo të njëanshëm.

Sfidë apo konkurrencë? Me sa duket në këtë fillim të televizioneve private prapavijat politike po rëndojnë mbi fizionominë e kësaj gjinie të re të medias. Shqiptarët të lodhur nga periudha e gjatë e tranzicionit vazhdojnë të ndjejnë lëndimin propagandistik, i cili domosdo depërton në galeritë e imta të shpirtit njerëzor. Kalimi nga një realitet i munguar në një realitet të tepruar është një abuzim në kundërsens, i cili bën që të kalohet nga një politizim në një politizim tjetër, por edhe në humbje besueshmërie.

Por kjo njëkohësisht është edhe abuzim me lirinë në demokraci, sepse duke shfrytëzuar lehtësirat e komunikimit masiv, kalohet sensi i masës e pastaj dhunohen liritë e tjetrit. Duke mos munguar deri në fyerjet e kërcënimet që vijnë përmes ekranit, telespektatori shqiptar e ka të vështirë të drejtohet për t’u ngritur nëpërmjet vlerave referenciale morale që e pasurojnë shpirtërisht, por bie shpesh viktimë e mungesës së tolerancës dhe mirëkuptimit, bie viktimë e “filozofisë së pragmatizmit” që shpesh bëhet moto në këto televizione. Mund të duket absurde, por nga ekrani i TV Rozafës kanë dalë jo rrallë kërcënime të hapura, pa përmendur që fyerja dhe fjalori me ngarkesë tepër të rëndë kanë qenë jo vetëm një herë të pranishme. Por jo vetëm në TV Rozafa, kjo nuk ka munguar as në TV Amantian apo TV Dardaninë.

Normalisht, ato lexohen shpejt si shërbesa politike, por ama që lenë gjurmë aspak të këndshme. Pragmatizmi politik merr vlerë nëse mbështetet në vlerat dhe moralin njerëzor, me pikësynim për të mbushur shpirtrat e trazuar e jo për t’u shkaktuar atyre dallgë të reja. Pikërisht analizuar në planet që u theksua më lart, në vend që të ndiqet konkurrenca në fushën e medias elektronike, ndeshim sfidën që kërkohet të bëhet dhe që ka pikësynime politike. Këto televizione vërtet janë private, por në miniaturë ato duhet të kenë tendencën për t’u bërë publikë. Konturimi i një fizionomie të tillë; pra publike, realizon një akses të rëndësishëm: Sfidën publicitare. Në kushtet e komercialitetit, sfida publicitare përbën një element shumë të rëndësishëm në televizionet private, por kjo sfidë lidhet me dy anë: Autoritetin dhe emrin e televizionit si dhe lirshmërinë e formave ekonomike. Meqenëse për të parën u ndalëm më shumë në atë ku nuk duhet gabuar, në të dytën, në lirshmërinë e formave ekonomike televizionet private paraqesin përparësi. Duke përshtatur tarifa, të cilat variojnë në varësi të tregut, duke realizuar përputhje midis interesave komerciale të palëve, duke zbatuar në progrese me shpejtësi konkurrencën, një pjesë e madhe e reklamave që deri dje pushtonin televizionin shtetëror, tani i sheh në televizionet private.

Burokracia shtetërore domosdo që bëhet pengesë për reagimin e shpejtë të mekanizmave ekonomike, kësisoj televizioni shqiptar është ndjerë në vështirësi kur ka ndjerë ikjet e reklamave. Viti 1998 për televizionin shqiptar nuk shënoi rritje në tregun e reklamës. Pra konkurrenca e tv-ve private u ndje. Përballë rregullave strikte dhe mungesës së elasticitetit në krijimin e hapësirave për lirshmëri më të madhe në këtë drejtim, nga konkurrenca tv shqiptar mund të ndjejë sfidën në këtë drejtim. Po a do e shfrytëzojnë televizionet private këtë mundësi? Sfida publicitare nuk mund të rezistojë gjatë nëse këto televizione priren drejt sfidash përmbajtjesore me ngjyrim politik, çka e kemi nënvizuar kjo është rruga më e keqe nga e cila vjen mungesa e audiencës. Para se tv private të jenë një sfidë ndaj RTV-së shtetëror ato duhet të jenë një akses i ri informacioni dhe kulture. Rrugët janë të njohura dhe të panjohura. Të ndalemi tani më gjerësisht në këto rrugë.

Drejt një informacioni emancipues

Shumëllojshmëria e informacionit dhe liria e shprehjes mbeten një ndër pikësynimet më kryesore për arritjen e demokracisë në vlerat më përfaqësuese të saj. Strukturat e mediave si një karakteristikë e rëndësishme për një demokraci të vërtetë, duke u vlerësuar realisht bëjnë të mundur që hapi që hidhet në këtë drejtim të jetë i vërtetë. Meqenëse realiteti shqiptar sot është përballë një strukture shumëformëshe të medias dhe një shpërthim i asaj elektronike, parësor mbetet orientimi i saj, thekset ku vendosen pikësynimet për të qenë të motivuara në funksionin e tyre të rëndësishëm të dimensioneve dhe parametrave të demokracisë.

Eksperienca e vendeve me rrjet të zhvilluar të medias elektronike private kanë prirjen që televizionet e kësaj përkatësie të mbeten akses i ri informacioni, kulture dhe edukimi me spektër të gjerë në drejtim të komunitetit të cilit i drejtohen, sepse rruga e sfidës përmes kompromisesh politike ka qenë e pasuksesshme në drejtim të thithjes së audiencës. Përvoja shqiptare, megjithëse e re, ka rilevuar se tendencat për t’iu drejtuar komunitetit ka sjellë sukses në televizionet private ku orientimi drejt informacionit të vërtetë, kulturës, traditave të trevës dhe edukimit kanë qenë dominante, duke shmangur qenien e televizionit si instrument në favor të një force politike. Duke parë përmbajtjen e informacioneve në televizionet private, krahas konstatimit, i cili u analizua në artikullin paraardhës, vërehet se mungon informacioni për të cilat ka interes komuniteti. Më shumë vërehet të transmetohet informacion i parë në këndvështrime e interpretime të ndryshme për ngjarjet kryesore politike e sociale të vendit e më pas lajme që mbartin lista të gjata aksidentesh, fatkeqësish, keqbërjesh e gjëmash. Vërtet këto që ndodhin, përbëjnë edhe ngjarje, por nuk përbëjnë aq ngjarje sa të zënë vend çdo natë në ekranet tona, pasi u mungojnë vlerat përgjithësuese dhe shkaktojnë ndjenja depresive për publikun. Kjo vjen edhe si pasojë e paaftësisë së stafeve që nuk arrijnë të kalojnë nga rrjedha analitike në sintezë, pasi u mungon edhe aftësia të japin ide, të sugjerojnë për ndërrimin e rrugës, e jo të pasqyrojnë të gjitha përplasjet që mund të ndodhin duke vazhduar më tej. Komuniteti në televizionet private duket sikur ka inflacion lajmesh dhe mundet që në raste të veçanta ai të sugjerojë pak, por pikërisht këtu qëndron aftësia e të depërtuarit në evidentimin e gjërave që përbëjnë interesin e publikut të cilit i drejtohen dhe ç’është më e rëndësishmja asnjëherë nuk duhen matur “peshat” e lajmeve në televizionin kombëtar me atë të televizioneve lokale. Qoftë si kohëzgjatje, qoftë si përmbajtje, diferencat janë e do të jenë të dukshme, sepse në fund të fundit edhe audienca ndryshon dukshëm. Sa më afër komunitetit të jetë informacioni, aq më interesant dhe i domosdoshëm bëhet ai për të. Sa më tepër të bëhen përpjekje për të kërkuar lajme të mëdha në një komunitet të vogël, aq më tepër rritet distanca në mes të publikut. Nëse situata përmban konflikt njerëzor, gjeneron interes njerëzor të gjerë, ndikon mbi shumë dhe jo mbi pak njerëz, është e kohës dhe ka elementë të së resë, ajo mund të kthehet në lajm.

Për një komunitet të caktuar, ose edhe një zonë me të gjerë, vazhdimisht mungon diçka në televizionin kombëtar. Pikërisht shfrytëzimi i kësaj mungese dhe pasqyrimi i saj, e kthen informacionin në një mundësi më shumë për t’iu drejtuar komunitetit. Duke gjetur veten, problemet që shqetësojnë anëtarët e komunitetit bëhen të interesuar për të ndjekur emisionet e ndryshme e në veçanti ato informative. Por për një kompleks arsyesh sot mungon si fuqia e domosdoshme njerëzore, ashtu edhe hapësira e nevojshme për t’i sjellë në ekran publikut gjithçka çfarë ai duhet të dijë. Kërkimi i temës së lajmit nuk përbën për një televizion të pavarur një problem të barabartë me një televizion të ndërtuar mbi trafik interesash pa vënë asnjë cilësor prapa tyre. Gazetarët ndihen shumë më të lehtësuar dhe me profesionistë në një televizion të pavarur. Një dukuri që është vënë re, por që akoma nuk është shmangur në fillimet e tv lokale ka qenë tendenca për një pjesëmarrje sa më të madhe të publikut në emisione të ndryshme. Vërtet kjo thithi fillimisht vëmendjen e shumicës dhe TV tërheqin audiencë, por u vu re që në fillim një nivel jo i pranueshëm artistik. Një pjesë e tv lokale po heqin dorë nga kjo praktikë, pasi pjesëmarrja e gjerë sjell dobësi artistike të theksuara, mungesë kontrolli dhe raporte të vështira për t’u ruajtur në planin politik. Shembulli që jep TV Klan për tërheqjen e individëve të spikatur, që nuk mungojnë as në nivel komuniteti, tregon për përparësitë që ka forma sintetike e tërheqjes së mendimit nga forma analitike. Me pjesëmarrjen e gjerë, që në disa televizione lokale vazhdon të bëhet mbizotëruese, padashur fiton qytetari mediokriteti, mendimi i varfër dhe pa vlerë, ndërsa në ballafaqimin me mendimin e avancuar intelektual fiton qytetari prioriteti i zhvillimit, i së ardhmes. Është një audiencë abuzive tërheqja e një mase të madhe njerëzish pa vlera përfaqësuese dhe pa autoritet ndikues, audiencë e cila nuk mund të rezistojë gjatë ose do të çojë drejt degradimit të vlerave. Mirëpo televizionet lokale, siç u theksua në mënyrë të përsëritur, kanë hapësirën e tyre për të qenë akses i ri informacioni, kulturë dhe edukimi, por ky akses është gjithnjë i vendosur në raport me televizionin kombëtar. Normalisht raporti që vendoset krijon mundësinë për të zënë hapësirat boshe, por përmes një informacioni që u nënshtrohet si vlerave etike, ashtu edhe shërbimit ndaj vlerave të pastra të së vërtetës nga ku shihet prej shumicës interesi i përbashkët në formën aktuale të lajmit. Orientimi i drejtë në këtë plan i tv lokale u jep atyre shansin që të jenë një mundësi dhe tepër e fuqishme në fushën e informacionit, por edhe në fushat e tjera.

Kultura dhe edukimi janë për tv lokale shtylla të rëndësishme të përmbajtjes programore. Në këto dy drejtime mundësia e politizimit është më e vogël dhe hapësira që krijohet është e gjerë dhe kërkon elemente të rinj për t’u pasqyruar. Si një popull me veçori të shumta dhe pasuri etnokulturore, e cila pak ka mundur të kalojë cakun e televizionit kombëtar për nga përmasat që ka, televizionet private kanë një shans me shumë në pasurimin e programeve, por edhe në mundësinë për t’u afruar me komunitetin në të cilin veprojnë. Duke ndjekur strukturën programore të shumicës së televizioneve trishtohesh kur vëren se mungojnë emisionet të cilat u drejtohen traditave të fushave të ndryshme si dhe vlerave etno-kulturore. Megjithëse forcat krijuese në këtë drejtim do të ndjeheshin të angazhuara, akoma pak vërehen përpjekje për një gjë të tillë. Këtu mund të ndikojë edhe elementi financiar dhe, pohuar me realizëm, në televizione të pakonsoliduara kjo ndihet, por thithja e mendimit të kualifikuar përmes ekspertësh të fushave të ndryshme, qoftë edhe si konsulentë, mund të sjellë ngacmimet e para që kultura, përmes aksesorësh të shumtë të saj, të zërë vendin që duhet në ekranet e tv lokale. Programet e përgatitura me rastin e Vitit të Ri në mjaft televizione private si tv Klan, Tv Rozafa, Shkodra tv 1, Shijak Tv e të tjerë, treguan se mundësitë në këtë fushë janë të shumta. Të konceptuar dhe të realizuar jashtë skemave shabllone të televizionit kombëtar, programet e këtyre kanaleve u mirëpritën dhe sollën në ekran artistë të këngës e humorit që bënë të mendohen edhe emra të njohur si Zef Deda apo ndonjë tjetër.

Lidhur me traditat, disa cikle për sportin apo edhe një kolanë artistike në Shkodra tv 1, në Shijak Tv për figura të ndryshme apo në Tv Dibra e ndonjë tjetër, kanë dhënë sinjalin se ka përpjekje dhe po punohet, por jo vetëm në këto stacione, por në të gjithë, mundësia është që ato të jenë emisione në strukturë të rregullt, ndërsa mendoj se nuk duhet të jenë dominante e të përditshme. Emisione të tipit: Përshëndetje nga ekrani nga ku vetëm ana komerciale shënon vlera pasi ato artistike janë shumë të ulëta e mbase as bëhet fjalë. Po kështu emisionet me karakter edukues për probleme sociale, të arsimit apo fushave të tjera me interes të gjerë dhe që e afrojnë televizionin me publikun, kërkohet të jenë të pranishme në strukturën e televizioneve private. Bashkëpunimi me OJQ-të mund të sigurojë jo vetëm mbështetje profesionale për të realizuar emisione të arrira, por edhe krijon mundësi për mbështetje financiare. Shumë postera OJQ-të mund t’i zëvendësojnë me emisione televizive që kanë edhe një përmbajtje konkrete e të mbështetur në fakte pasi i drejtohen një publiku të përcaktuar. Duke u orientuar drejt emisioneve të kulturës, traditave dhe edukimit, televizionet private mbyllin jo vetëm boshllëkun që krijon televizioni kombëtar nga pamundësia në këtë drejtim, por afrohen me publikun, i flasin atij për elemente që e rrethojnë, zbërthejnë anë të ndryshme nga ku janë të lidhura me fije të shumta interesat e tij. Është krejt e natyrshme që fizionomia e televizioneve private të jetë në lëvizje drejt përcaktimit të kontureve të plota të strukturës së tyre, por mbetet një angazhim biblik i tyre, përpjekja për të qenë një akses i rëndësishëm informacioni, kulture dhe edukimi./Gëzim Podgorica/

SHKARKO APP