Gezim Shehu: Jeta private e Fatos Nanos. Menuja e Nanos; Vezë të skuqur, pilaf, turli dhe kos
(Botuar me 4 gusht 1996 në KOHA JONE)
Izolim i plotë në një burg special. Kjo është sfida që përballon Nano qysh prej tre vitesh. Burgu i sigurisë së lartë ka regjim të hekurt, por dhe Nano ka ditar po kaq të rreptë për të bërë të vlefshme minutat, ditët, javët dhe vitet e mbërthyera pas hekurave. “Ai nuk e ndryshon asnjë ditë steriotipin”, – tregon një oficer i burgut. “Nuk e ka ndërprerë gjimnastikën dhe kur është i ftuar në bisedë nga autoritetet që vijnë dhe inspektojnë regjimin e tij.” Dita e Nanos fillon në orën 9:00. Pastaj ai bën kuzhinierin, gjimnastin, studiuesin, lojtarin, politikanin, mikun e policëve, por të burgosurin e bën më shumë. Gjithçka i duhet të bëjë brenda një hapësire të ngushtë ku koha rrëshket tmerrësisht ngadalë. Lahet me ujë të ftohtë, të cilin e ruan në 10 shishe coca-cola, e pas kësaj përgatit mëngjesin duke gatuar vetë. Preferon të hajë vezë të skuqur, supe të lehtë, por ka ditë që nuk e ha mëngjesin. Në drekë ai gatuan pilaf orizi, sallatë dhe turli me mish. Nano darkon lehtë me çaj, qumësht pluhur dhe kos. Në shumicën e rasteve mishi i mungon. Bezdia e tij më e madhe është larja e enëve duralumini. Autoritetet e burgut ia hoqën frigoriferin para 8 muajsh kur u hoq edhe drejtori i burgut Asaf Shehu. Asnjëherë gjatë tre viteve, Nano nuk e ka vizituar mensën e burgut. “Liderit të burgosur nuk i lejohet të shkojë në mensë për vetë regjimin e veçantë që i kanë përcaktuar autoritetet e burgut. Nano jeton në izolim të plotë”, mësojmë nga burimi ynë në burgun e Bënçës. Pasi mbaron të ngrënin e mëngjesit lexon shtypin e përditshëm, të cilin ia sjell vetë drejtori i burgut. Janë 15 gazeta të vendit që Nano i studion çdo ditë, por liderit të opozitës i vijnë dhe gazeta e revista në gjuhë të huaj nga familja. Mban koleksion artikujt që i duhen për të studiuar zhvillimet e politikës. Nano ka orën e caktuar për të marrë ajër. Aktualisht orari i qëndrimit në dhomën e ajrimit është nga ora 11 deri në 12, ndërsa më parë ai dilte në ajrim në intervalin 10-11. Kërkon të jetë i vetëm në dhomën e ajrimit, kjo duhet t’i ketë detyruar gardianët të shtyjnë orarin derisa të ajrosen të dënuarit e 2 prillit: Taçi, Shyti dhe protagonistët e tjerë të ngjarjes.
Territori i ajrimit nr. 2 ka një sipërfaqe 20 me 10 metër dhe është i rrethuar me një mur të lartë. Në fakt muri nuk ka qenë kaq sa është sot. “Drejtoria e Burgjeve investoi për ta ngritur lartësinë dyfish”, shpjegon një polic i vjetër. “Tani muri rrethues është 12 metër i lartë.” Në këtë orar rrezet e diellit bien pingul duke depërtuar nëpër zgarën e hekurt që mbulon zonën e ajrimit. Nano është rënduar gjatë qëndrimit trevjeçar në Bënçë. Sot ka arritur 90 kilogramë. Prandaj ai ka vendosur të ushtrojë intensivisht gjimnastikën. Me një palë pantallona të shkurtra të kuqe me vija të bardha dhe me atlete “Addidas” dhe me shishet e ujit me një qese platsmasi del në ajrim i vëzhguar nga rojet e kullave. Nano gjatë kohës së qëndrimit në ajrim mban një kapele të kuqe të markës “Marlboro”. Vendos kufjet dhe nën ritmet e muzikës bën kërcime me litar. Litari nuk u ka pëlqyer autoriteteve të burgut dhe para disa ditësh ia sekuestruan. “Tim und t’i mbytësh policët me këtë litar”, i thanë Nanos kur ia morën nga dhoma litarin e kërcimit. Megjithatë i kanë ngelur girat dhe sustat me të cilat kryen ushtrime për rreth 45 minuta duke u larë herë pas here me ujin e ruajtur në shishet plastike. Në disa shishe të tjera plastike, ai është i detyruar të urinojë netëve të gjata.
Minutat e fundit lexon kalimthi ndonjë revistë që e merr me vete. Në burg lejohet të luash ping-pong. Në një sallë të katit të dytë të burgut Nano luan zakonisht me rivalin e tij, një i burgosur i përjetshëm. Policët e survejojnë nga afër duke u bërë tifozë të Nanos ose të rivalit.
Gjithçka në vetminë e “Vilës nr. 5”
Një petrogas i vogël, çakmaku, tigani, një tenxhere e vogël që mban vetëm një racion, pjatat plastike, luga, piruni, thika që nuk plotëson kushtet e armës së ftohtë, janë sendet që i janë lejuar liderit të burgosur për kuzhinën e tij. Qelia ku ai qëndron i vetëm, quhet me ironi nga gardianët “Vila nr.5”. Me një sipërfaqe 4 me 4.5 metër janë vendosur: një krevat, një tavolinë druri, një kalorifer, një ventilator, një televizor, radio-magnetofon, një bibliotekë që e ka sajuar marangozi i burgut me libra në gjuhë të pakuptueshme për policët. Një pjesë e librave janë kartat dhe ligjet ndërkombëtare, për të drejtat e njeriut të OKB-së dhe Këshillit të Europës. Vetëm për regjimin e Nanos në burg ekzistojnë dy urdhra që përcaktojnë prerë oraret, sendet që i lejohen në takimet me avokatin dhe familjen. Urdhri numër 2 i Drejtorisë së Burgjeve përcakton kushtet e izolimit të shkallës së lartë për Nanon, shpjegon një oficer në Drejtorinë e Burgjeve i cili preferon anonimin. Burgu është i vështirë kur e bën vetëm. Mesdita deri në orën tjetër të ajrimit është pushim në vetminë e “Vilës nr. 5”. Nano në këto orë nuk pushon, por i rikthehet studimit. Pas ajrimit të dytë ndjek lajmet e agjencive të huaja dhe televizionin. Gjumi i ha pak kohë. Policët e kanë parë të studiojë deri në orën 3 të mëngjesit.
Shtetrrethim pas mocionit
Territori i burgut ruhet nga katër kulla vrojtimi. Policët që shërbejnë në to nuk kanë lidhje me jetën brenda telave të burgut. “Kemi mundësi ta shohim Nanon vetëm në orarin e ajrimit, nuk na lejohet të bisedojmë me të”, thotë një polic i këtij reparti. Gjithçka brenda burgut kyçet nga gardianët, të cilët mbikëqyrin regjimin e brendshëm të të burgosurve. Madje dhe ata kontrollohen imtësisht kur marrin shërbimin dhe kur dalin nga dhomat e izolimit. Ky rit u vendos menjëherë pasi Nano kishte lëshuar mocionin për debat. “Nuk është Tosi i burgosur, ishim ne më të izoluar se ai”, tregon një gardian i liruar pra dy javësh. “Bëhet kontroll trupor dhe i rrobave tona. Ndëshkimet bëhen pa hezitim kur dyshohet për marrje apo nxjerrje letrash. Në adresë të Nanos deri më sot nuk është gjetur ndonjë mesazh”, thotë një polic tjetër. Qytetari i Bënçës, Nano është respektuar në masën e gjerë të gardianëve. “Ai di të bisedojë me policët. Që në takimin e parë je i detyruar të jepesh, të prishësh urdhrin “Asnjë fjalë me Nanon”, vazhdon të tregojë gardiani i liruar. Komandanti i burgut të Bënçës S. Feimi porosit të forcohet izolimi, madje ai kërkon ndihmë edhe nga eprorët për të survejuar gardianët e tij. Drejtoria e Burgjeve piloton në Bënçe katër persona që nuk kanë lidhje me Nanon, që janë nga Tropoja, Dibra, Burreli dhe Mirdita.
Këta mbajnë çelësat e qelisë së Nanos. Për herë të parë kyçën edhe birat e ajrimit të qelisë. Por Nano gjatë kohës së shërbimit të tyre lëshon tre mesazhe për elektoratin dhe Kryesinë e PS-së. Policët e ardhur nga Veriu shpejt u armiqësuan me vendasit për shkak të brutalitetit të tyre. Në mes të muajit korrik midis policëve veriorë dhe atyre vendas u nxorrën pistoletat. Drejtoria e Burgjeve u detyrua të transferojë tre prej tyre dhe liroi tre policë nga Tepelena.
“Guralecët në tëmth”
Tani është mirë, por herë pas here ka pasur kriza që ia shkaktojnë gurët që ka në tëmtha, tha mjeku specialist Xhevdet Xhemali, i autorizuar të kujdeset për sëmundjen e Nanos. Një mjek tjetër nga Tirana i ka rekomanduar kurën pas konsultave me specialistin nga Tepelena. Krizat e fundit që shkaktojnë gurët në tëmth, Nano i kalon në prill. Ai është pirës i rregullt i duhanit. Dikur i sillnin cigare “Marlboro”, tani i pëlqen duhani i fortë “Camel” dhe puro. Megjithëse uji në burg është i pakët, i burgosuri Nano e ka zgjidhur problemin për të bërë dush duke e grumbulluar me shishe plastike.
20-vjetori i martesës në burg
Ai kishte menduar të qëndronte me bashkëshorten në qeli, natën e 25 korrikut 1996, por drejtori i burgut S. Feini dhe oficeri i Informacionit G. Liçi nuk kanë toleruar. “Mbrëmje me qiri dhe muzikë. Jo. Nuk mund të lejojmë, ti je një i burgosur ordiner”, i thanë Nanos pas kërkesës së tij. Ai takohej me familjen pas 1 muaji ndërprerjesh. Ky ishte një takim special në dhomën e caktuar. I është hequr një takim me familjen nga drejtori i burgut, tani ai takohet vetëm 3 herë në muaj, një nga të cilët e ka special. Nano bisedon disa minuta me djalin para ndarjes. Këtë veprim e bën çdo herë. Drejtori i burgut mendonte se Rexhina Nano sillte dhe merrte mesazhe. Tani aty shërben një gardiane e cila i bën një kontroll të imët zonjës Nano. Bashkë me të birin, ajo sjell 3 herë në muaj ushqime të cilët shpartallohen nga gardianët. “Një herë pashë që gardiani çau me thikë edhe kastravecat që i kishin ardhur Nanos”, tregon një prej policëve të shërbimit të jashtëm./Gëzim Shehu/