Gramoz Pashko: “Besoj në një ringjallje të shpejtë të Shqipërisë”
9 korrik 1991
“Besoj në një ringjallje të shpejtë të Shqipërisë”
Intervistë me Zëvendëkryetarin e Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Ekonomisë, Dr. Gramoz Pashko, dhënë Kryeredaktorit të Gazetës KOHA JONE, Nikoll Lesi
Duke ju falënderuar që në fillim të intervistës për gatishmërinë që treguat për t’u intervistuar, nga “Koha Jonë”, dua të di: gatishmëria juaj lidhet me emrin e Gazetës, me gazetarin, apo është një politesë e juaja e zakonshme për gazetarët në përgjithësi?
Të tria qëndrojnë njëkohësisht. Tranzicioni demokratik në Shqipëri si pa dashur na ka futur thellësisht në një periudhë transparence. Çdogjë sot del hapur në dritën e diellit para publikut. Gazetat janë bërë të barasvlershme me ushqimin e ditës edhe te njerëz që vetëm pak muaj më parë me plot të drejtë nuk lexonin fare shtypin te velur nga propaganda sterotipe komuniste.
Personalisht dashamirësinë ndaj gazetës suaj e kam krijuar që në numrin e parë kur kam parë transparencën, objektivitetin, pavarësinë e saj dhe deri tash imunitetin nga cinizmi, i cili shpesh në shtypin tonë po shpërfytyron demokracinë ende të brishtë. Por kam të njëjtën dashamirësi edhe ndaj gazetarëve në përgjithësi, ndiej jo rrallë edhe mirënjohje midis tyre.
Me sa jam i informuar, dje paradite, ju patët një bisedë me disa afaristë italianë si dhe me lezhjanin Eduart Reçi, të cilët interesohen për të investuar në Lezhë. Nuk e di sa jam i saktë porse Ministri i Kulturës, Arteve dhe Sporteve, zoti Preç Zogaj ka insistuar e po insiston me forcë në Qeveri që Lezha të përfshihet në zonën e lirë tregtare. Çfarë rezultatesh arritët me afaristët italianë?
Shpresoj shumë në aktivitetin e këtij grupi afaristësh italianë dhe u premtova mbështetjen time. Kjo pasi në projektin e tyre kishte jo vetëm përfitime ekonomike, por edhe një ndërhyrje për të përmirësuar ekosistemin, ambientin dhe infrastrukturat e zonës. Lezha, dihet, ndodhet në një mjerim të vërtetë dhe pikëpamja e infrastrukturës, sidomos rrugëve, ujit të pijshëm etj., të cilat me kërkesën tonë do të përfshihen në investimin e firmave italiane që do të operojnë me Lezhën. Jam i interesuar që të tilla operacione komplekse, turizëm, mbrojtje ambienti, ndërtim infrastrukturash, të bëjmë në të gjitha marrëveshjet që po na ofrohen për turizmin. Këtë gjë po punojmë të bëjmë edhe me Vlorën së afërmi.
Një pyetje disi intime: Si e kalonit kohën e lirë kur ishit student, më pas si pedagog dhe tani si Zv.Kryeministër?
Kur isha student, kohën e lirë e kam kaluar duke u marrë me gjithçka. Por kryesisht studioja në bibliotekë.
Kisha një frustacion të madh nga shkolla, ndieja që nuk po shkolloheshim, dhe kërkoja të kompensoja atë që më mungonte, por kënaqësia më e madhe në kohën time të lirë ka qenë dhe do të mbetet qëndrimi pas darkave me miq e shokë të ndryshëm, në biseda e diskutime me njëri-tjetrin. E njëjta gjë si pedagog, gjithnjë studimi dhe e ndenjura darkave deri vonë me miqtë e shokët. Por që në fillim u shtua në një pjesë të mirë të kohës preokupimi për familjen, për gruan dhe femijët.
Tani si Zv.Kryeministër koha e lirë nuk llogaritet më pothuajse fare si pjesë e jetës së përditshme. Atë pothuajse e kam humbur, ma ka rrëmbyer puna. Tani koha e lirë nuk përfshihet në intervalin e ditës, por tek-tuk gjenden disa orë në ndonjë fundjavë për të ndenjur pak me gruan e fëmijët, apo me ndonjë shok të vjetër.
Për të vazhduar shkollën e lartë, kërkesën kryesore e keni bërë për Fakultetin Ekonomik apo…?
Po kam dëshiruar vetë të studioj ekonominë megjithëse shumëkush nga brezi im e diskriminonte. Unë endesha midis filozofisë e letërsisë, megjithëse isha nxënës i mirë në matematikë e fizikë. Me sa duket ndjeja se tek ekonomia kishte diçka midis të gjitha këtyre, racionalitet dhe imagjinatë.
A i keni duart e lira për të punuar si Zv.Kryeministër apo keni pengesa të qëllimshme burokratike nga të tjerët?
Çështja kryesore është “koha” më shumë se sa duart e zëna. Jemi në një garë me kohën. Problemet duan zgjidhje dhe operacione të shpejta. Edhe kur gjenden zgjidhjet, ato duket sikur treten diku. Këtu ndoshta është burokracia, e cila e bën kohën të veprojë kundër nesh. Por unë po përpiqem t’i kem “duart e zgjidhura”dhe kjo duke punuar pothuajse vetëm pa aparat burokratik rreth nesh.
Ju e morët detyrën e Zv.Kryeministrit në një moment tepër të vështirë. Thënia juaj në Parlament “Jemi si pilotët e vdekjes”, tashmë është bërë e njohur. Porse, dëshirojmë që avioni me pilotët e tij jo vetëm të mos bjerë në Oqean por të ulet i qetë e i sigurt në “pistën”e demokracisë. Më pas nga pista jonë të niset drejt Aerodromeve të Europës. A mendoni se “avioni” është ulur tashmë: pra, demokracia është vendosur?!
Po, demokracia për mua është vendosur, por është ende e brishtë. Përsëri e quaj veten kamikaz, pasi në luftën për demokraci tashmë kam marrë përgjegjësinë që të pastroj edhe fëlliqësirat që ka lënë rrugës regjimi totalitar 46-vjeçar. Qeveria ku unë bëj pjesë e mori shtetin në dorë me borxh të jashtëm e të brendshëm, me rezervat e shtetit bosh dhe me mungesa ushqimore të pashembullta. E mori shtetin në gjendjen më të mjerë se kurrë. Edhe pa qenë përgjegjës për këtë gjendje, jam i detyruar të përgjigjem edhe për strehimin e të pastrehëve, për ushqimin e të paushqyerve, për punësimin e të papunëve e kështu me radhë. Të gjitha këto drama nuk i kam krijuar unë, por kam marrë barrën që t’i riparoj. Dhe në këtë përpjekje e di fare mirë që ka njerëz që më kuptojnë por ka edhe të tjerë që nuk më kuptojnë, që pas pak kohësh do të më akuzojnë që nuk po i zgjidh dot hallet e tyre, të cilat me të vërtetë nuk zgjidhen dot menjëherë. E pra, hallet, popullit tim fatkeq, për 46 vjet për mua janë si ai kryqi që iu vu Jezusit mbi shpinë në rrugën e mundimeve. Ai u kryqëzua që të çlironte të tjerët.
E shikoni me optimizëm, që me këtë kabinet qeveritar, të arrini brenda afatit, deri në zgjedhjet e reja, ta vini në lëvizje të plotë ekonominë tonë të rrënuar?
Unë jam optimist që ekonomia jonë mund të vihet në lëvizje dhe shumë shpejt e pa dhimbje të bëhet një ekonomi tregu. E keqja e madhe, kriza është kryer tashmë. “Shoku ndodhi”. Atë e kreu kriza e sistemit totalitar. Tani jemi në amulli dhe me siguri pas kësaj, ajo do të vihet në lëvizje. Problemi është se kjo lëvizje a do të jetë e plotë apo jo. Këtu duhen përcaktuar dy gjëra që mund të duken teknike, por që janë politike, psikologjike, sociale etj. Së pari, koha. Kur, pas 8 muajsh, apo 6 apo … Kjo përcakton shtrirjen dhe intensitetin e masave që duhen marrë. Masat dihen dhe duan radhën e kohën e tyre për t’u përgatitur e kombinuar me njëra-tjetrën. Çdo shtytje do t’i japë gjallërinë ekonomisë, do të vërë në lëvizje diçka, sadopak, pra do të gjallërojë. Problemi është të bëhet në drejtimin e duhur. Ne jemi në gjendje të përcaktojmë masat për të bërë “terapinë”e duhur, në drejtimin e duhur. Por ne nuk jemi zotër të kohës. Ajo është pronë e forcave politike brenda ose jashtë Parlamentit, ajo është pronë e njerëzve të thjeshtë të popullit. Varet nga durimi i tyre dhe nga pranimi i të gjithëve bashkë që masat të merren ashtu siç duhet. Padurimi në të tilla raste është armiku i reformës dhe armiku i demokracisë. Ai na shpie ose në kaos dhe më keq akoma në rivendosjen e diktaturës që kishte stabilitetin e dhunës, të frikës dhe të varfërisë.
Ju si ekonomist i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, cilin model ekonomik do të preferonit personalisht?
Modeli ekonomik që sjell prosperitet, me sa njoh unë, është ai që mbështetet në lirinë e individit (ekonomike, politike, shpirtërore etj.). Ai mbështetet në pluralizmin dhe produkti i tij është ekonomia e tregut. Realizimi i ekonomisë së tregut të mbështetur në pronën private është modeli më i mirë. Ç’rol do të ketë shteti do thoni ju: të vogël ose të madh? Ajo ka rëndësi në rast se është realizuar e drejta e garantuar e pronës private dhe konkurrenca e lirë.
Shteti le të jetë atje, të konkurrojë të tjerët si partner, i barabartë në të drejta dhe jo si zot. Kjo duhet të garantohet me ligj.
Gazetat e shumta që botohen: e nxisin apo e mërzisin Qeverinë e Stabilitetit me kritikat e shumta?
Unë jam i hapur ndaj gazetave dhe cilësdo kritike. Por, sigurisht si njeri i gjallë nuk më pëlqejnë fyerjet që shfaqen aty-këtu në shtyp.
Vërehet se fëmijët, të afërm apo miq të ish-udhëheqësve partiakë po lidhen me afaristë të huaj. A është kjo një shkathtësi dhe “meritë”e tyre personale apo synojnë që nga pushteti politik të kalojnë në pushtetin ekonomik?
Fola pak më lart për ekonominë e tregut dhe barazinë e individëve. Biznesi është si një lloj maratone ku në start janë të gjithë të barabartë. Deri tani biznesin ne ia kemi lënë subjektivizmit, organizimit të tij nga filani apo filani, miku apo kushëriri, i njohuri apo shoku… Kjo sepse biznesi i pambështetur në ligj zhvillohet mbi bazën e njohjes apo të influencave, ndikimeve e pse jo nostalgjive. Me vendosjen e një baze ligjore edhe ky subjektivizëm pushon së jetuari. Kjo mund të bëhet kur biznesi të jetë i hapur për të gjithë.
Më i zoti, ai që merr riskun më të madh përsipër le ta drejtojë atë. Për këtë javën që vjen ne do t’i paraqesim Parlamentit ligjin e ri për pronën private, krijimin e Agjencisë së Privatizimit, e cila do të shpallë privatizimin e barabartë dhe të hapur për të gjithë ata që duan të marrin pjesë në të. Edhe një punëtor i Metalurgjisë, edhe një minator i Valiasit, do të ketë të drejtë po aq sa edhe një shitës, të bëhet pronari i një dyqani apo kafeneje. Në këto kushte nuk do të ketë më kohë dhe mundësi për aktivizimin e lidhjeve të vjetra, ryshfeteve apo njohjeve për të bërë biznes. Zotësia, dhe jo prejardhja familjare, do të fitojë.
A besoni se Shqipëria mund të bëhet “Zvicra e Ballkanit”?
Po, besoj dhe prandaj kam hyrë në këtë proces duke humbur shumë përfitime personale që do të kisha pasur po të kisha ndenjur jashtë proceseve demokratike, qenë thjesht vrojtues i asaj që do të bënin të tjerët.
Ekziston konfrontimi me armë me Serbinë për çështjen e Kosovës?
Nuk do të dëshiroja një zgjidhje in ekstremis ku Shqipëria të ndeshej me Serbinë. Dhe ne nuk e duam kurrsesi një zgjidhje me gjak të këtij problemi. Por ne nuk do të lejojmë më që të na poshtërojë askush.
Jeni i dhënë pas muzikës, sportit, letërsisë, apo…?
Ndaj të gjithave, por këto kohë i kam lënë të gjitha dhe këtë e them me pikëllim. Nuk kam më kohë të lexoj libra, të ndjek sportin dhe të dëgjoj muzikë.
Lezha është qytet me një pozitë gjeografike të rrallë. Po të ishit Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Lezhës, do të synonit për ta kthyer në zonë turistike apo thjesht bujqësore?
-E ardhmja e Lezhës është turizmi. Bujqësia mund t’i shërbejë shumë mirë atij.
Po i rikthehem së kaluarës. Besoni se Mehmet Shehu ka vrarë vetë veten apo është vrarë nga të tjerët?!
Për një kohë të gjatë, unë kam dyshuar në këtë gjë. Tani që dy shokët e mi Bashkimi dhe Skënderi, bij të tij, të vetmit të mbetur nga familja Shehu, dolën nga burgu kam biseduar net të tëra me ta për këtë enigme. Pozicioni i tyre për mua është i vetmi argument. Ata i qëndrojnë tezës se babai i tyre ka vrarë veten, por vetëvrasjen e tij ata e quajnë vrasje politike të bërë nga Enver Hoxha.
A besoni në zgjidhjen e enigmës së Shkodrës, megjithëse gjyqi po vazhdon?
Kam shumë shpresë se edhe nëse jo tani, në një të ardhme, dhe kjo është vetëm çështje kohe, vrasësit do të dalin. E vërteta do të dalë në dritë lakuriq, sado që t’i vrasë sytë ndokujt. Vetëm e ritheksoj: është çështje kohe.
Rubrika e Gazetës “Koha Jonë”për të njohur anëtarët e Qeverisë të Stabilitetit Kombëtar, mendoni se është e gjetur apo mbart në vetvete një formë – kopje të gazetave të tjera?
Është zgjidhja më origjinale dhe më e paanshme për t’u njohur me anëtarët e Qeverisë që i ka shkuar deri tani në mend ndonjë gazete.
Cilin keni kujtimin më të bukur me Ismail Kadarenë? Kur mund të kthehet ai?
Kam jashtëzakonisht shumë kujtime të bukura. I fundit është ai i disa orëve më parë kur fola në telefon. Një bisedë telefonike ngjan shpesh me një rutinë dhe s’ka asgjë të bukur në të. Por për mua është e bukur, sepse për herë të parë në telefon, pa pasur frikë nga përgjimi biseduam për kthimin e tij në Shqipëri. Është një fakt që s’kam më të drejtë ta mbaj për vete. Ka shumë mundësi që ai të kthehet në vjeshtë në Shqipëri.
Cilat ishin marrëdhëniet tuaja me Fatos Nanon në Fakultetin e Ekonomisë si pedagog?
Zoti Nano ka qenë vetëm pedagog i jashtëm në fakultet ndërsa punonte në Institutin e Studimeve M.L. Megjithatë kemi pasur miqësi një farë kohe në periudhën 1988-1990. Kam mjaft respekt për të si njeri inteligjent. Kemi pasur divergjenca si ekonomistë, por edhe pikëpamje të përbashkëta.
Ç’mendim keni për pretendimet e Leka Zogut për t’u kthyer në Shqipëri?
Unë kam luftuar për demokracinë kundër dhunës dhe jam luftëtar për Republikën.
Nuk kam asnjë kundërshtim që Leka Zogu të vijë si qytetar në Shqipëri. Por unë jam opozitar me Monarkinë, pra dhe në rast se Leka vjen dhe do të përfaqësojë një forcë politike për rikthimin e Monarkisë, unë do te jem në opozitë me të.
Gjatë intervistës me ju vërej se në zyre mbani Krishtin.
Krishti i kryqëzuar është simboli i sakrificës për të shpëtuar njerëzimin, por është edhe simboli i ringjalljes. Unë besoj te Krishti, siç besoj te ringjallja e Shqipërisë.
Kur e keni ndjerë veten më ngushtë?
Në tetorin e vitit 1977 më thirrën në Komitetin e PPSH te Simon Stefani së bashku me nënën time ku më “këshilluan”në mënyrë ultimative të mos flisja kundër PPSH-së, gjë që e kisha bërë në shkollë, të mos lexoja dhe të shpërndaja më libra si të Kafkës, Niçes etj. dhe të bëhesha djalë i mirë. Pas kësaj kam kaluar shumë net me ankthe dhe kur ndonjë makinë ndalonte natën qoftë edhe rastësisht te porta e shtëpisë zgjoheshim të dy me gruan time dhe thoshim të lemerisur një fjalë makabër: “erdhën”!/Intervistoi Nikoll Lesi/