Henri Çili: Intervistë me dramaturgun anglez David Edgar pas mbërritjes në Tiranë

(Botuar me 8 Dhjetor 1996 në KOHA JONE)

Henri Çili: Intervistë me dramaturgun anglez David Edgar pas mbërritjes në Tiranë

Me një pamje tipike prej anglezi, Edgar mund të dallohet fare mirë që është një njeri i teatrit. Fjalori, temat e bisedave madje dhe mënyra se si ai i sheh gjërat për të cilat, diskutohet duket se kanë këndvështrimin e një dramaturgu. Duke vizituar për herë të parë Shqipërinë, megjithëse ai e konsideron veten një njohës të mirë të Ballkanit, Edgar mbase është habitur se si në Shqipëri jeton një atmosferë për teatrin. Njerëzit e duan dhe interesohen për të. Këtu madje të shkuarit në teatër nuk është akoma një ritual arkaik apo aristokratik por, një gjë e zakonshme.

Pjesa e cila do të skenohet në Teatrin Kombëtar duket se është një pjesë e cila e ka testuar më parë suksesin. Ajo ka marrë vlerësimin e medias më në zë britanike, duke u shoqëruar madje me superlativa. Së pari në përmbajtje ajo i përgjigjet një koherence të tillë, të cilën sot më shumë se kurrë e përjeton Ballkani. Edgar ka përkuar më se mirë pikërisht me këtë panoramë ballkanike, ku komunizmi ka ikur tashmë por, ato që kanë mbetur nga pas ose që janë rizgjuar nuk janë aspak më të mira se ai. Nacionalizmi, problemet etnike, kufijtë e diskutueshëm etj., së bashku me një histori e cila thërret me emrin e luftës dhe konfliktit e bëjnë Ballkanin një subjekt ideal për një dramaturg. Ashtu siç për publikun një pjesë e tij është një lloj zbulimi i ndërgjegjes së vet. Duke u nisur nga kjo, pjesa i ka të gjitha shanset për një sukses të saj. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Edgar është prezantuar me skenën ku do të vihet pas disa kohësh vepra e tij. Ai ka parë mundësitë teknike të saj dhe potencialin e aktorëve.

Së pari kush është David Edgar dhe pse ndodheni në Tiranë?

Emri im është David Edgar dhe unë jam autori i dramës “Pentecost”, e cila për herë të parë është prezantuar më 1994 nën kujdesin e kompanisë Teatrale Mbretërore Shekspir dhe më pas në universitetin e Jalës më 1995. Atje Jam njohur dhe me Arben Kumbaron, ku dhe ramë dakord që kjo pjesë të vihet dhe në Shqipëri. Prandaj dhe me ftuan së bashku me skenografin dhe pjesëtarë të tjerë të ekipit, si dhe për t’u njohur  me përkthimin e pjesës.

Regjisori Arben Kumbaro do të verë në skenën e Teatrit Kombëtar pjesën tuaj të titulluar “Pentecost”. Kush Është me pak fjalë prej autorit kjo pjesë?

Drama vendoset në Ballkan, ne një vend imagjinar. Kjo bazohet në vizitat që unë kam bërë më parë në këtë rajon. Kam qenë në Serbi, Kroaci, Maqedoni si dhe në Rumani. Kështu që këtë rajon të botës, unë mendoj se e njoh mirë. Drama, bën fjalë për një kishë të braktisur, ku gjendet një pikë, e cila zbulohet mbas 700 vjetësh. Kjo pikturë mund të jetë pikturuar 100 vjet para fillimit të Rilindjes italiane. Ajo është një pikturë që ka perspektivë, është një pikturë realiste. Në qoftë se piktura do të vërtetohet që është e tillë, atëherë historia do të duhet të rishkruhet dhe kjo do të vërtetojë që rilindja nuk filloi në Itali, por në Ballkan. Drama shtjellohet rreth kësaj pikture. Ne pjesën e dytë të dramës, kisha zaptohet nga një grup refugjatësh që duan të shkojnë në Gjermani. Këta refugjatë marrin si peng një grup historianësh arti dhe në fakt edhe vetë pikturën. Kështu që gjysma e dytë e dramës është një lloj drame pengjesh. Me pak fjalë, kjo është historia e saj.

Një pyetje e zakonshme që u bëhet të gjithë të huajve të cilët vijnë për herë të parë në Shqipëri. Si i duket Shqipëria një anglezi që është dhe dramturg?

Kam vetëm 24 orë që jam në Shqipëri. Kështu që është e rrezikshme të jap ndonjë mendim. Gjithmonë kur më behet kjo pyetje, mendoj se cili do të jetë reagimi i atyre që më pyesin për përgjigjen time të dhënë për një qëndrim 24-orësh. Megjithatë, gjëja që të bën përshtypje është se sa të ndryshme duken gjërat dhe sa të ngjashëm janë njerëzit. Këtë gjë e has në gjithë botën. Njerëzit janë të ngjashëm gjithandej. Natyrisht edhe Tirana është plot me kontraste, ku dallohen gjurmët e sistemit të vjetër komunist, ndërtimet e reja dhe kafenetë. Tani po filloj të krijoj disa ide se çfarë po ndodh. Shkurt, unë po e shijoj vizitën.

Gjendemi në fund të shekullit të XX dhe shumë gjëra kanë ndryshuar në botën tonë. Cili është sot roli i teatrit?

Teatri ende ka një rol të tijin. Deri me shpikjen e kinematografisë, teatri ishte një mjet i fuqishëm i shprehjes publike, por që me shpikjen e kinemasë, televizionit dhe radios atij i është dashur të luftojë shumë për pozitën e tij. Ne përgjithësi, si rezultat i ndryshimeve ekonomike në industrinë e kulturës, duket sikur teatri lufton për të mbijetuar.

Me çfarë temash për shembull mund të mbijetojë ky teatër kur nga kinemaja dhe televizioni ka një bombardim trajtimesh të temave nga me të ndryshmet deri në përsëritje pa fund?

Për shembull sot ka një rritje te interesit nga ana e të rinjve, meshkuj, të cilët në mënyrë të veçantë përpiqen të zgjidhin problemin e të qenit mashkull. Ka mjaft drama lidhur me mashkullitetin dhe me vështirësitë, të cilat ndeshet mashkulli. Për t’iu përshtatur rritjes së pushtetit dhe njëkohësisht dhe impotencës së grave. Kështu që duket se teatri ka një subjekt. Mendoj që aktualisht situata e teatrit është një situatë e vështirë, por ka dhe mjaft drama të cilat janë mjaft te kuptueshme.

Cilat janë sfidat e industrisë së teatrit sot në një botë gjithnjë e me komerciale?

Ajo që ka ndodhur gjatë këtyre 50 vjetëve te fundit, është rënia e rolit të shtetit ndaj teatrit në sensin dhënies së subvencioneve nga ana e shtetit, gjë e cila ka ndikuar në nivelin artistik. Teatri është bërë gjithnjë e më shumë komercial.

Ne Angli, kjo ka çuar në dominimin e varieteve masive. Kjo është e para. Problemi tjetër, mendoj se është dalja e formave alternative të teatrit. Mendoj që teatri avangard ka kohë që është në rënie. Por aktualisht teatri ka marrë ngjyra me konservatore në formë. Gjëja e veçantë është se la disa aktorë të spikatur si Piter Bruk etj., të cilët bëjnë një punë të jashtëzakonshme, por që mua më duket se ata janë raste të veçanta. Por unë besoj që puna e tyre është një punë individuale, cila nuk është një punë që influencon njerëzit e tjerë. Nuk më duket se ata e bëjnë me ndërgjegje, gjera te cilat nuk mund të bëhen në kinema. Por mendoj që vështirësia për t’iu përgjigjur pyetjes suaj qëndron në faktin se teatri nuk di se çfarë po bën. Në Europën Qendrore, Britani dhe Skandinavi, është mbështetur nga subvencionet e shtetit, gjë e cila nuk ka lejuar që njerëzit e teatrit të mos shqetësoheshin shumë se cili ishte vetë roli i teatrit. Për mendimin tim, subvencionet janë një gjë shumë e mirë dhe ndërprerja e tyre ka qenë një diçka negative.

Për t’iu rikthyer pyetjes suaj. Cili është roli tradicional i teatrit? Mendoj se teatri ka qenë një vend, njerëzit e një klase të caktuar kishin mundësi që të shihnin botën dhe të debatonin me njëri-tjetrit shpesh për natyrën e ndryshimeve të mëdha. Në qoftë se shohim Shekspirin, ai pasqyroi një periudhë të ndryshimeve të mëdha në shoqërinë e Anglisë. Pastaj vjen periudha e restauracionit në dramën angleze, në fund të shekullit të XVII, e më pas deri në shekullin e XIX nuk ka ndonjë gjë të re për t’u shënuar kur fillon dhe periudha e industrializimit. Drama britanike gjithmonë ka ndjekur këto zhvillime dhe ngjarje të shënuara. E njëjta gjë ndodh edhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Me çfarë merret teatri sot në Britani dhe Europë?

Tani mendoj që teatri po merret me përfundimin e epokës së komunizmit dhe rilindjen e fesë, nacionalizmit etj. Dhe drama ime synon që të jetë pjesë e këtij realiteti.

Cila është natyra e dramave që shkruani ju?

Unë mund ta konsideroj veten si një dramaturg politik sepse kam shkruar gjithmonë për çështje publike. Shumica e dramave të mia vendosen në kohën aktuale. Natyrisht kam shkruar edhe drama ku bëhet fjalë për të kaluarën, por kryesisht i përkasin kohës së sotme dhe çështjeve që shqetësojnë publikun.

Ato trajtojnë çështje lidhur me politikën, industrinë, ekonominë etj.

Përgatiti: Henri Çili

 

SHKARKO APP