Henri Çili: Pas suksesit të “Kalorësi lakuriq”, flet Dritoro Agolli

(Botuar me 15 gusht 1996 në KOHA JONE)

Nga Henri Çili-

“Me nisjen e shekullit të 21 do të provohen të gjithë. Në letërsi do të ketë rryma abstrakte, hermetike dhe realiste, të përshkruara nga lloj-lloj tendencash filozofike, madje edhe violente edhe agresive deri në neofuturizëm. Në mënyrën e jetës do të ketë ekstravaganca të shfrenuara deri në imoralite; do të provohen pervesitetet, shthurjet, drogat; do të lihen në vetmi pleqtë; do të bëhen martesa me kontrata; do të ketë nihilizëm dhe narcizicëm, do të ketë megalomani dhe përbuzje; do të ketë luks begatie dhe venitje mjerimi”.

“Kalorësi lakuriq”, libri juaj më i fundit ka kohë që është ndër librat më të shitur. Sipas jush kjo lidhet me vetë veprën, emrin tuaj apo…?

Vështirësia më e madhe për ne shkrimtarët është krijimi i emrit dhe formimi i lexuesve të tij. Kjo vlen edhe për një gazetë. Gazeta juaj “Koha Jonë” krijoi një emër dhe formoi një lexues. Emrin dhe lexuesin doemos që i sjell cilësia. Dhe cilësia nuk është diçka abstrakte dhe e pakapshme. Shkrimtari e sjell këtë cilësi kur zbulon dhe përcjell raportet njerëzore, karakteret e ndërlikuara, mendimet e tyre kontradiktore, shpirtin dhe psikologjinë, të papriturat dhe paradokset e jetës përmes një gjuhe të gjallë dhe me ngjyra, pa monotoninë e mërzitshme dhe pa lustrën snobiste pseudomoderniste prej megalomanie krijuesish. Në vepër nuk duhet të ndihet arti; vepra duhet të jetë si natyra, që të kuptohet se kjo i është bërë shkrimtarit mënyrë jetese si buka, si shëtitja, si polemika dhe si kënga. Shkrimtari i mirë është një bashkëbisedues me njerëzit. Kur hesht ky bashkëbisedues, njerëzit shqetësohen dhe e kërkojnë: “Çka që hesht ky bashkëbiseduesi ynë?”. Po ta bëjë lexuesi këtë pyetje do të thotë se e ka të nevojshëm dhe të domosdoshëm shkrimtarin. Atëherë shkrimtari nuk duhet ta fyejë lexuesin me vepra të dobëta pas krijimit të emrit, sepse do të jetë mosmirënjohës ndaj lexuesit dhe do të marrë nëpërkëmbë emrin e vet. Unë kam formuar prej kohësh një lexues dhe e kam ruajtur autoritetin e emrit, duke u përpjekur në maksimum të mos e ul cilësinë artistike të krijimtarisë. Pastaj unë jam një figurë publike, një emër shoqëror dhe politik, i dëgjuar dhe i njohur në të gjitha klasat dhe shtresat e shoqërisë, një emër që gazetat zyrtar e përgojojnë dhe e shajnë përditë. Që gazetarucët dhe shkrimtarucët, nuk e lënë të qetë me shpifjet e zeza të tyre edhe kjo ma ka rritur popullaritetin dhe famën. Edhe kjo është një arsye që librat e mi shiten.

Agolli, këto 5-6 vjet, kur krijimtaria e shkrimtarëve shqiptarë ka qenë stopuar, ka patur një periudhë prodhimtare. Si keni mundur t’i shmangeni stopimit krijues që ka përfshirë të tjerët?

Unë shumë gjëra në të kaluarën i kam lënë pa thënë për arsyet politike që dihen, për censurën dhe autocensurën. Tani që fjala e shkruar është relativisht e lirë unë përpiqem t’i them ato që nuk kam mundur t’i thosha dhe të fitoj kohën e humbur. Sot unë jam shkrimtar që nuk kam frikë, që kundërshtoj fenomenet e këqija të shoqërisë, të pushtetit dhe të qeverisjes; që nuk pajtohem as me gabimet e partisë ku bëj pjesë dhe as me dobësitë e miqve. Kjo ma ka zgjeruar horizontin e krijimtarisë, më ka shtuar pasionin dhe inatin. Ata shkrimtarë që nuk prodhojnë gjëra pa vlerë përveç dobësisë së talentit, kanë humbur interesin për jetën, kuriozitetin politikë dhe guximin për të kritikuar të sotmen dhe defektet e demokracisë. Ata janë të kënaqur me këtë copë të demokracisë, të cilën e identifikojnë me pushtetin. Dhe kështu kënaqen me ftesat që u bën Sali Berisha në takime dhe me ekranin e televizionit tek shohin fytyrat. Kompromisi dhe frika në artë është vdekje e plotë për shkrimtarin. Këtë unë e di prej regjimit që shkoi, ku kam bërë edhe kompromise dhe kam ndjerë erën e vdekjes. Sot qëndroj larg kompromisit për të mos ndjerë vdekjen time.

Përveç këtyre gjerave që më kanë mbajtur gjallë ka edhe diçka tjetër. Unë lexoj shumë dhe përpiqem të mësoj vazhdimisht, pasi siç thoshte Sokrati: “Unë di një gjë, që nuk di asgjë”. Ky mendim i Sokratit më ka mbajtur të gjallë. Asnjë shkrimtar shqiptar nuk thotë “unë di një gjë, që nuk di asgjë”. Përkundrazi thotë: “Unë i di të gjitha dhe ç’është një Dritoro para meje!”. A nuk i shihni intervistat e piçirukëve në gazeta dhe televizion se sa mburravec dhe megaloman janë?

Vepra juaj më e fundit është shkruar më 1979, në një kohë krejt tjetër. Megjithatë kur kohët kanë ndërruar, përsëri është një vepër e lexuar. Pse?

Romani “Kalorësi lakuriq” vërtet është shkruar në një kohë tjetër dhe reflekton një kohë tjetër, por ai jep raportet njerëzore, humanizmin, dashurinë, egoizmin, karrierizmin dhe madhështinë e rreme. Ky roman jep gjithashtu marrëdhëniet e individit krijues me pushtetin. Të gjitha këto janë elemente të çdo shoqërie dhe të çdo individi. Letërsia duke bërë përgjithësime përmes njeriut nuk është konsum i një dite apo i një viti. Jetëshkurtësia e plotë e tregimeve dhe romaneve të shkruara sot për kohën e totalitarizmit vjen nga skematizmi dhe dogmatizmi politik dhe propagandist. Ato shkruhen me penën e politikës dhe aspak me penën e artit. Në to shprehen raportet e thata politike dhe nuk shprehen raportet njerëzore në kompleks dhe jo bardhezi. Pra, “Kalorësi lakuriq” u intereson njerëzve për raportet humane.

Cili është sipas jush diagrami e botimeve që dalin sot në Shqipëri, një lloj vlerësimi për editorialin shqip?

Sot në Shqipëri dalin shumë botime dhe është e vështirë të orientohesh. Në botimet mbizotëron poezia, ku janë vlerat më të ndjeshme. Në prozë ka më pak botime dhe me më pak cilësi. Kohët e fundit më ka tërhequr vëmendjen libri me tregime “Nudo zyrtare” i Faruk Myrtajt. Ndër të tjerë atje ka një tregim të çuditshëm me një stof të plotë të një letërsie të vërtet. Është një tregim me një personazh që bën figura prej buke, një i burgosur. Ky bën figurën e drejtorit të burgut dhe të gardianëve. Ata i pakësojnë tulin e bukës dhe i japin pore, por ai prapë i bën. Edhe pas burgut, i zënë në fatkeqësi, ai pasqyron në statujkat e bukës kundërshtarët e tjerë. Janë mjetet e luftës së njeriut të heshtur, krijues të vërtet. Tregimet me stof të tillë janë të rralla. Duke parë botimet e somte, unë mendoj se do të nisë një erë e re e kulturës kombëtare me një shumanshmëri rrymash, tendencash dhe formash: të reja, të vjetra, moderne, avangardiste, realiste dhe abstrakte.

Kjo pleksje tendencash, në fillim njerëzve do t’u duket si anarki dhe si kaos i tmerrshëm. Disa do të tremben, pasi do të mendojnë se në këtë anarki dhe kros do të humbë identiteti kombëtar dhe të mbretërojë kozmopolitizmi; do të harrohen këngët, legjendat, përrallat; do të prishet morali dhe tërë konstitucioni shpirtëror. Por kjo nuk do të ndodhë. Pas kësaj turbullire, pas këtyre pleksjeve të tendencave në kundërshtim me njëra-tjetrën, do të vijë një qartësi e mençme. Në do të provohen e do të shijohen të gjitha ato fruta dhe gjëra të kulturës, të cilat nuk u provuan gjatë një gjysmë shekulli të socializmit real, pastaj do të bëhet zgjedhje. Dhe kjo do të jetë një gjë e mirë. Pas të gjitha këtyre provave dhe degustimeve si në një panair pijesh do të zgjidhet vera më e shijshme, ajo që e quajnë verë kombëtare. Dhe kjo atëherë nuk do të jetë një vlerë e gënjeshtërt dhe patriotë demagogjike, por do të jetë e vërtet. Me nisjen e shekullit të 21 do të provohen të gjithë. Në letërsi do të ketë rryma abstrakte, hermetike dhe realiste, të përshkruara nga lloj-lloj tendencash filozofike, madje dhe violente dhe agresive deri në neufuturizëm, në mënyrën e jetesës do të ketë  ekstravaganca të shfrenuara deri në imoralitet; do të provohen perversitetet, shthurjet, drogat; do të lihen në vetmi pleqtë; do të bëhen martesa me kontrata, do të ketë nihilizëm, narcizizëm, do të ketë megalomani dhe përbuzje, do të ketë luks begatie dhe venitje mjerimi. Në psikologji dhe në filozofi do të ketë mënyrë të të menduarit irracional dhe racional, mendim të dhunshëm dhe të qetë, bërtitës dhe të shtruar. Në politikë do të mbizotërojë herë demagogjia dhe herë ideja realiste, herë armiqësia dhe herë pajtimi dhe toleranca. Përmes të gjitha këtyre turbullirave, kundërshtive dhe ndeshjeve, do të vijë siç thashë e vërteta dhe kultura solide pasi deri tani këto fenomen kanë qenë të ndaluara artificialisht dhe kultura është rritur si në sera dhe jo në natyrë. Doemos për t’u krijuar një kulturë e vërtetë pas shumë kërkimesh rol të madh do të luajnë personalitet e saj, ata që mishërojnë dhe vetvete shpresat e popullit dhe të kombit. Çdo komb ka disa shtylla ku mbështet dhe ku beson dhe këto shtylla janë individët e veçantë që ngrihen si simbole mbi të tjerët. Vetëm se këta nuk duhet të bëhen pengesa për krijime qofshin këto kërkime edhe eksperimentale. Të gjitha këto probleme të kulturës do t’i përballojnë shtëpitë botuese, kryesisht private të cilat do të dalin nga varfëria. Disa prej tyre që tani po japin shenjat e rritjes dhe të autoritetit si “MÇM-Çabej”, “Onufri”, “Dituria”, “Apolonia”, “Toena”, “Albin” e me radhë. Vështirësia e tretë do të jetë veçanërisht në zgjedhjen e literaturës së huaj. Prandaj do të lindë nevoja e ngritjes së këshillave botues dhe me autoritet.

Çfarë do të shohim së shpejti në bibliotekën “Agolli”?

Besoj se këtë vit do të botoj një roman të shkruar prej kohësh me titull “Arka e djallit”. Gjithashtu do të nxjerr një libër të ri me poezi “Vjen njeriu i çuditshëm”. Gati për botim kam edhe një libër me këngë, që i kam kënduar vetë dhe me miqtë, të quajtur “Shpirti i gjyshërve”. Libri ka 101 këngë lirike, perla, ku unë kam vënë fare pak dorë, por për ta zbuluar më mirë thesarin nga tepricat.

Intervistoi: Henri Çili

 

SHKARKO APP