Henri Çili: Të thëna dhe të pathëna nga debati për Dritëroin
(Botuar me 5 Prill 1998 në KOHA JONE)
Nga Henri Çili-
Habia e shpërthimit, që Dritëro Agolli bëri në shtyp javën e kaluar, një artikull plot akuza ndaj qeverisë Nano, duket se nuk ka kaluar ende, përderisa reflektimi vazhdon të jetë i madh, negativ ose pozitiv qoftë. Ai, që nuk ka folur deri tani, është Nano, fjala, replika ose miratimi i të cilit në fakt ka më shumë rëndësi se i të tjerëve. Duke ndjekur parimin e fjalës së fundit, me sa duket Nano ka vendosur, që këtë herë të flasë me vepra. Ndryshimet në qeveri janë bërë tashmë fakt, dhe pritet, që të zbulohet vetëm surpriza e tyre.
Rebelimi më i ri i “rebelit” të përjetshëm Agolli, ra si një rrufe në qiellin socialist të ngarkuar plot me re dyshimi prej kohësh. Ai përmbysi përfundimisht raportet e atyre, që ankoheshin vazhdimisht e vazhdimisht, por pa mundur, që të dilnin në mënyrë kaq të sintetizuar dhe bindëse, se sa përmes penës së Dritëroit.
Ajo, që nuk kish ndodhur prej kohësh në tregun gjithnjë në rënie të shtypit shqiptar, ndodhi me numrin e gazetës, ku u botua shkrimi i Dritëroit. Nga pushteti përgjigja qe si reflektim i asaj situate të papritur, në të cilën u gjendën qeveritarët ose njerëzit e afërt të Nanos. Askush me përjashtime të rralla nuk replikoi me Dritëroin. Sigurisht nëse do të kishte ndodhur kjo, zhurma do të vazhdonte në përmasa shumë më të mëdha. Nano heshti drejtpërdrejt, por u përgjigj tërthorazi në fjalën e tij, në mbledhjen e radhës së qeverisë. Në një stil të ndryshëm ai pranoi disa nga kritikat e qeverisë, kur tha se kabineti është shumë i fryrë, kur tha se ne do të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet etj. Edhe me kaq përsëri Agolli e vazhdoi komentin e shkrimit të vet në një nga ekranet private të Tiranës duke shtuar të tjera gjëra. Si bie fjala, të qenit qejfli të Nanos pas grave apo pijes, apo kundër-replika me këshilltarët e kryeministrit.
Ndarja në kampe mes atyre, që e përkrahën ose e hodhën poshtë shkrimin e Agollit u bë në mënyrën më të çuditshme. Të pakënaqur ishin sigurisht një radhë e caktuar shumë afër pushtetit, që e goditën Dritëroin në pikën e tij më të dobët. Në trashëgiminë ish-komuniste, të cilën ai trashëgon, duke e quajtur fjalën e Dritëroit si thirrje për triumfin e militantizmit. Ndërkaq për një moment u zhduk e gjithë provoja prej rebeli progresist, që Agolli ka shfaqur në pjesën e re të historisë së vjetër të ish-komunistëve shqiptarë, si Kongresi i dhjetë i PPSH-së apo përkrahja, që ai i bëri Nanos gjatë debatit të mocionit.
Në mënyrën më të habitshme nga kampi opozitar, i cili kishte më shumë arsye për ta përkrahur Dritëroin nuk pati asnjë reagim, përveç përvetësimit të termit “shkërdhatokraci”. Vetë Berisha në një konferencë shtypi tha se nga Dritëro Agolli, kishte lexuar vetëm “Shokun Zylo”. Vështirë të besohet kjo ndërkohë, që Berishës do t’i vinte shumë për mbarë, që ta përdorte këtë rebelim të Agollit. Por ai nuk ka harruar shkrimet shumë më të rënda, që Agolli ka shkruar vite më parë kundër Berishës. Përballë të cilave, ajo që i bëri Nanos është vetëm një përkëdhelje. Të kënaqurit nga shkrimi i Dritëroit ishin sigurisht të pakënaqurit e Nanos dhe natyrisht të gjithë njerëzit e thjeshtë, të cilët bashkohen pa dallim me të gjithë ata, që kritikojnë qeveritë. Ajo, që u tha nën zë, ishte se inatosja e Dritëroit ishte vetëm e vetëm si pasojë e interesave financiare familjare. Thashethemi për çështje panairi, lejen për të cilin, Nano ia ka dhënë dhëndrit të Agollit, dhe e ka ndaluar të bëhet te Piramida, mbeti vetëm në nivel tavolinash. Askush nga të atakuarit nuk pati guximin, që ta përdorte atë publikisht.
HENRI CILI