Henri Çili: Vdekja e ish-Kryeministrit, pikëpyetje të reja
(Botuar me 9 Prill 1996 në KOHA JONE)
Nga Henri Çili-
Publikohen për herë të parë fotografitë e ekspertizës.Vrasësi mund të ketë depërtuar nga tunelet e nëndheshme të vilës
Tiranë – Misteri Shehu është rihapur edhe një herë për publikun e gjerë këtë radhë nëpërmjet ekranit të TVSH. Të dielën në edicionin më të fundit të “Fokus”, janë ngritur edhe pikëpyetjet më të reja lidhur me vdekjen e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu. Për herë të parë në emisionin “Fokus” janë publikuar fotografitë e ekspertizës së kufomës së Shehut dhe është bërë e ditur ekzistenca e dy tuneleve të nëndheshëm që lidhnin banesën e Mehmet Shehut, njëri me oborrin e vilës së Enver Hoxhës dhe tjetri me Komitetin Qendror të PPSH. Janë pikërisht këto dy fakte ato që hedhin dyshime të mëtejshme mbi variantin zyrtar të vetëvrasjes së kryeministrit. “Jam shumë i tronditur nga pamjet e këtij emisioni”– tha pa mundur të shprehej më gjerë dje për “KJ”, Bashkim Shehu, djali i Mehmet Shehut dhe një nga personat që ka qenë prezent në shtëpi natën e 19 dhjetorit 1981, mëngjesin e së cilës Mehmet Shehu u gdhi kufomë. Përmbajtja e fotove hedh pikëpyetje që në këqyrjen e tyre të parë. Fotoja e parë, më e afërta në momentin fatal e njëkohësisht të mistershëm të Shehut, i jep pamjen e trupit të numrit 2 të shtetit shqiptar, tanimë kufomë, mbuluar me batanije, ku nuk ka vrima plumbash. Ndërkohë që revolveri ndodhet mbi batanije, duart me të cilat kufoma ka bërë, sipas versionit të atëhershëm zyrtar vetëvrasjen, janë poshtë batanijes. Fotoja e dytë ku tani është hequr batanija ka paraqitur kufomën me vrimën në kraharor në afërsi të zemrës dhe koka e Shehut e ku dallohen syzet dhe sytë e mbyllur. Në krevatin e tij Shehu ka rënë të flejë me syze? Po sytë e mbyllur, të pazakontë për momentin e pas ndërrimit të jetëve në çfarëdo mënyrë që bëhet kjo? Sytë e mbyllur të çojnë në fakt se kufoma është përpunuar nga dikush tjetër të paktën para fotografimit të ekspertizës, gjë e palejueshme për parimet profesionale të një ekspertize kriminalistike. Nga studioja e tij ku po punonte atë natë, siç dëshmonte për orët e fundit të ish-Kryeministrit i biri Bashkim Shehu në librin “Vjeshta e ankthit”, Shehu ka shkuar vetë në dhomën e gjumit apo është tërhequr nga dikush tjetër. Nëse ai ka shkuar vetë në dhomën fatale syzet e punës janë vetëm një rastësi që përhapin dyshim apo janë një gabim i projektit të hamendësuar të vrasjes së Shehut që tanimë ka vlerën e gjurmës. Në qoftë se ndjekim variantin e vrasjes nga dikush tjetër a mbështetet kjo tezë kur dihet se atë natë në shtëpinë e Shehut nuk ka qenë askush tjetër përveç prestarëve të familjes. Si ka hyrë atentatori i mundshëm në vilën e Kryeministrit atë natë? Ekzistenca e dy tuneleve të nëndheshme që lidhin vilën Shehu me oborrin e vilës Hoxha dhe Komitetin Qendror i jep një mundësi variantit të vrasjes nga një person misterioz. Sipas një versioni ai mund të ketë hyrë vetëm në këtë mënyrë sepse rrethimi i vilës së ish-Kryeministrit nuk mund të kalohej pa dhënë më parë sinjal pranish rojeve besnike të tij. Një tjetër hipotezë që del për herë të parë në emision por që deri më tani nuk konfirmohet nga askush është mbërritja e një gazi ushtarak pikërisht në hyrjen e tuneleve që të shpinin në shtëpinë e numrit 2 të shtetit shqiptar. Sipas të njëjtit version, mbrëmjen e 18 dhjetorit aty ka bërë roje gjatë gjithë natës një ushtar (tashmë i zhdukur) i cili nuk ka qenë pjesëtar i trupës siguruese të Kryeministrit. Pse një person jashtë efektivit të truprojës së Shehut është gjendur në këtë funksion atë natë dhe për më tepër pse është zhdukur ai? Këto ishin pikëpyetjet e para që mund të bëhen normalisht pas kuadrove të emisionit. Rreth 15 vjet pas vdekjes së mistershme të një Kryeministri në historinë e qeverisjes së Shqipërisë, ende vdekja e Mehmet Shehut mbetet në parametrat e misterit, ashtu si edhe eshtrat e tij të futura në dhe një natë dimri të 1981.
Henri Çili