Ilir Babaramo: Fatos Nano, jo qytetar nderi
(Botuar me 11 Prill 1996 në KOHA JONE)
Nga Ilir Babaramo-
Tepelenë – Gjykata e Tepelenës i dha dje fund dilemës juridike: të jetë ose jo “qytetar nderi” lideri i burgosur socialist, Fatos Nano. Në seancën e djeshme gjyqësore një trup gjykues i Gjykatës së Tepelenës i kryesuar nga kryetari i saj, Pëllumb Vehbiu, ka shqyrtuar kërkesë-padinë e ngritur nga Prefektura për anulimin e vendimit të bujshëm të këshillit bashkiak të qytetit të vogël Jugor. Në përfundim të seancës gjyqësore të pranishmit kanë dëgjuar vendimin: gjykata ka pranuar kërkesë-padinë e Prefekturës. Ligjërisht, tashmë Nano nuk është më “qytetar nderi” i qytetit ku vetëm 4 kilometra larg tij vuan dënimin që prej 3 vjetësh. Ndërkohë liderët lokalë të Bashkisë së Tepelenës bëjnë të ditur se çështjen do ta vazhdojnë edhe në shkallët e tjera gjyqësore. Në 15 Mars, vetëm 5 ditë pas fjalimit të Berishës në Tepelenë, ku Presidenti i Republikës sulmoi ashpër kundërshtarin e tij politik Fatos Nano, këshilli bashkiak i Tepelenës i dominuar nga socialistët, shpalli sfidën më të madhe që PS ka ndërmarrë ndonjëherë kundër pushtetit të PD gjatë këtij viti. Lideri i burgosur socialist Fatos Nano u shpall “qytetar nderi” i Tepelenës. Por PD vendosi që sfidës t’i përgjigjej me sfidë. Nëpërmjet prefekturës së Jugut pezulloi vendimin e bujshëm, ndërkohë që i është drejtuar gjykatës së Tepelenës duke kërkuar anulimin e vendimit. Madje PD nuk ju drejtua vetëm gjykatës por edhe rrugës. Dy ditë pas shpalljes së Nanos “qytetar nderi” me motivin “për një kontribut të shquar në demokratizimin e vendit”, PD lokale organizoi një miting ku rreth 400 pjesëmarrës protestuan përballë godinës së Bashkisë. Gjithsesi në bazë të ligjit për funksionimin e pushtetit lokal arbitër midis prefekturës që kërkonte anulimin e vendimit dhe Bashkisë që këmbëngulte në vendimin e marrë mbetej gjykata. Në seancën gjyqësore të zhvilluar dje në mesditë, palët kanë këmbëngulur përsëri në qëndrimet e tyre. Në fillim janë dëgjuar pretendimet e palës paditëse, lexuar nga juristi i prefekturës Adrian Koshi, i cili ka sulmuar këshillin bashkiak për mosrespektim të anës procedurale në marrjen e vendimit. “Data dhe rendi i ditës u bëhet e ditur banorëve të qytetit nëpërmjet shtypit lokal, gjë që nuk është kryer. Në relacionin e paraqitur para marrjes së vendimit nga kryetari i Bashkisë mungon firma e juristit të këtij institucioni dhe sekretarit të Bashkisë. Burgu i Bënçës është jashtë territorit dhe juridiksionit të bashkisë së Tepelenës. Duke e shpallur Fatos Nanon një të dënuar ordiner, “qytetar nderi” të Tepelenës, fyen gjithë banorët e këtij qyteti”. Këto kanë qenë argumentet e Prefekturës që insistonte në anulimin e vendimit në fjalë. Ndërkohë, kryetari i këshillit bashkiak, Xhevdet Xhemali, që përfaqësonte palën e paditur, ka insistuar në vendimin e marrë. “Nano e meriton të jetë qytetar nderi, sepse ai ishte i pari që nëpërmjet Zërit të Amerikës ka kërkuar rrëzimin e sistemit komunist. Edhe nga burgu i Bënçës ai vazhdon të japë mesazhe paqeje, – tha Xhemali në fillim të fjalës së tij, e cila shkaktoi irritimin e Prefektit Fatos Gjyrezi, duke detyruar kryetarin e trupit gjykues të ndërpresë seancën. Pas rreth 15 minutash pushim, Xhemali ka vazhduar ligjëratën e tij. “Nano është një i burgosur politik. Kështu e ka cilësuar dhe Amnesty International, Unioni Ndërparlamentar Europian, Departamenti i Shtetit Amerikan”. Gjatë kësaj deklarate, prefekti Gjyrezi ka protestuar disa herë duke thënë : “Kjo çështje nuk duhet të politizohet”, ndërkohë që të njëjtën gjë ka përsëritur dhe kryetari i seancës, Pëllumb Vehbiu. Pyetjes së një anëtari të trupit gjykues se çfarë ka bërë Nano për Tepelenën, Xhemali i është përgjigjur: “Për Tepelenën Nano ka bërë atë që ka bërë për gjithë Shqipërinë, qytet i së cilës është dhe Tepelena. Nano ka bërë shumë më tepër për Tepelenën se Berisha për Divjakën. “Qytetar Nderi” i të cilës është shpallur dhe ai. Pas deklaratave të Xhemalit trupi gjykues ka kaluar në administrimin e provave materiale ndërkohë që në orën 14.30 ka shpallur vendimin: Anulohet vendimi i këshillit bashkiak : “Një vendim të tillë nga gjykata e prisja, sepse një i burgosur ordiner të shpallet “qytetar nderi” më duket paradoksale. Kjo do të ishte një fyerje për të gjithë qytetarët e Tepelenës” – reagon pas gjyqit prefekti Gjyrezi. Ndërsa kryetari i këshillit bashkiak Xhevdet Xhemali tha për “KJ” se: “u vërtetua edhe një herë se gjykatat në Shqipëri nuk janë të pavarura. Megjithatë ne do të insistojmë duke e kaluar çështjen në të gjitha instancat e tjera gjyqësore”.
Ilir Babaramo