Ilir Babaramo: Janullatos deklaron se “Jo” klerikëve grekë në Korçë, Vlorë e Gjirokastër
(Botuar me 1 gusht 1996 në KOHA JONE)
Nga Ilir Babaramo-
Patriakana e Stambollit ka vendosur të dërgojë në Shqipëri tre mitropolitë me kombësi greke, por kryepeshkopi Janullatos ka thënë “jo”.
Për postet vakante të mitropolitit të qyteteve të Gjirokastrës, Vlorës dhe Korçës, qendra e kishës Ortodokse në Stamboll emëroi tre klerikë të lartë me kombësi greke. Patriarkana i kërkoi kryepeshkopit të kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë, Janollatos, të kryejë ritualin e bekimit e tyre në këtë post. Por Janullatos ka kundërshtuar. “Zgjedhja ime si kryepeshkop i kishës ortodokse shqiptare shkaktoi reaksione në Shqipëri, katër vjet më parë për shkak të kombësisë sime greke”, ka motivuar Janullatos hezitimin e tij.
“Unë jam për zhvillimin e dialogut me autoritetet shtetërore shqiptare”, mësohet të ketë thënë hirësia e tij. Janullatos, i cili erdhi në Shqipëri në vitin 1991, si eksark i patriarkanës së Stambollit, një vit më vonë u zgjodh kryepeshkop i kishës ortodokse autoqefale të Shqipërisë dhe me miratimin e presidentit Berisha. Por që prej asaj periudhe kryepeshkopi me kombësi greke i Kishës Ortodokse shqiptare është ndodhur shpeshherë në qendër të marrëdhënieve mes dy shteteve.
Acarimi i marrëdhënieve shqiptaro-greke u ka kujtuar drejtuesve të shtetit shqiptar se Kisha Ortodokse po drejtohet nga një klerik grek. Në një klimë të tillë, acarimi midis dy shteteve, në projektkushtetutën që presidenti Berisha kërkonte të aprovonte nëpërmjet referendumit të parë në historinë e Shqipërisë, sanksionohet se primatët e klerit në Shqipëri duhej të ishin me kombësi shqiptare.
Ndonëse ka rrjedhur shumë ujë që prej asaj periudhe, Janullatos ende nuk ka harruar. Në pritje të prononcimit të autoriteteve shtetërore shqiptare, ai ka bllokuar emërimin e tre klerikëve grekë në postin e mitropolitit në Shqipëri.
Janullatos është në pritje të asaj çfarë do të thonë autoritet shqiptare. Në kushtet aktuale të Shqipërisë, kur çdo segment i shtetit kontrollohet nga presidenti Berisha, i vetmi prononcim qoftë edhe indirekt, pritet prej tij. Ndërkohë Berisha ndodhet me pushime në Pogradec, por dhe pushimet e kanë një fund. Ende është e vështirë të parashikohet nëse Berisha do të adoptojë për tre mitropolitët atë qëndrim që mbajti katër vjet më parë kur tha “Po” për Janullatosin, apo do të mbajë qëndrimin e projektkushtetutës që u përpoq të aprovonte në nëntorin e dy viteve më parë. Gjithsesi kjo çështje pritet të reflektohet në analet e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-greke, marrëdhënie të cilat kanë pësuar lëkundje javët e fundit, kur Athina kundërshtoi sulmet e Tiranës ndaj lobit grek në SHBA.
Sidoqoftë qëndrimi më i mirë i Athinës dhe i Tiranës do të ishte mosndërhyrja në çështjet e kishës.
Ilir BABARAMO