Ilir Babaramo: “Po ra Sudja do të bien të gjitha fajdetë e tjera”

(Botuar me 21 dhjetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Ilir Babaramo-

Shteti ka përdorur gjithë arsenalin e tij, duke përfshirë dhe policinë e fshehtë, për të evituar një tjetër protestë prej të mashtruarve nga fajdeja. Ndërkohë, dje në mesditë, pritja e turmës prej disa mijëra vetësh është kthyer në një tmerr pa fund. “Do filloj të kthej paratë në 10 janar”, ka qenë mesazhi më i fundit i Sudes. Që në orët e para të mëngjesit, turma prej rreth dy mijë veta ka rrethuar godinën në lagjen 21 Dhjetori”, ku ndodhen zyra dhe shtëpia e fajdexheshës së parë të Tiranës. Depozituesit e Sudes janë grumbulluar me shpreson se do të merrnin paratë që i kishin besuar fajdexheshës ose qoftë dhe për të mësuar diçka më shumë për fatin e parave të tyre. Nga sportelet e Sudes dhe apartamenti i saj nuk dukej të kishte asnjë shenjë lëvizjeje. Një heshtje varri kishte përfshirë dhe turmën përreth godinës. Grumbujt e njerëzve diskutonin me zë të ulët për fatin e parave të tyre.

Hidhnin hipoteza nga më të ndryshimet se ku kishin përfunduar milionat e dollarëve që i kishin lënë verbërisht në duart e fajdexheshës. Mallkonin ditën që kishin vendosur t’i mbyllnin paratë me fajde, pavarësisht se e kishin berë të detyruar nga varfëria. Të gjithë ishin të mendimit se Sudja është një vegël dhe pas saj fshihet qeveria. “Ai mustaqe misri të vijë të na thotë se ku kanë përfunduar paratë tona”, thotë me zë të ulët një grua duke parë e frikësuar përreth. Shkopinjtë e gomës që kishin provuar një ditë më parë gjatë përpjekjes për të vërshuar drejt sheshit “Skenderhej”, siç duket nuk ishin harruar ende. Dështimi i djeshëm i kishte bërë më të kujdesshëm. Megjithatë më të dëshpëruarit nuk druheshin të shanin me plot gojën dhe autoritetet më të larta shtetërore.

“Çfarë Aleksandër Meksi! Berisha duhet ta dijë se ku kanë përfunduar paratë tona. A na tha se këto para janë më të pastrat në botë. Ai pra duhet ta dijë”, i thoshte gruas së vet dikush që kishte ardhur që nga Korça, tre muaj më parë, për të provuar aventurën e fajdesë te sportelet e Sudes. Te grumbulli i grave ku hidheshin dhe hipotezat më befasuese për fatin e parave të humbura nga Sudja, këmbëngulej se “me paratë që qeveria i mori Sudes është bërë fushata elektorale”. Sudja kishte licencë për të ushtruar aktivitetin, patjetër që qeveria duhet ta dijë, këmbëngulnin ato. “Po pse nuk na thonë se ku kanë përfunduar. Të paktën nuk do jemi më në ankth. Kemi një muaj rresht që jemi vetëm me dy orë gjumë në sy”, thoshte një grua e përlotur. Grumbujt e njerëzve tërhiqnin këmbët zvarrë në rrugicat gjithë baltë, a thua se aty do të zbulonin misterin.

Gati të gjithë thonë se kanë shitur shtëpitë ose me përqindjet e fajdesë kanë mundur të mbijetojnë dy vjetët e fundit. “Me çfarë t’i ushqej tani fëmijët! Shtëpinë e shita dhe paratë i humba”, thotë me zë të përhumbur një burrë që si të vetmin burim financiar ka patur përqindjet që merrte nga Sudja. “Po pse nuk na thotë të paktën se ku i ka çuar paratë. Të dimë dhe ne se kujt t’ia kërkojmë”, pyet në mes të një grumbulli të madh njerëzish një burrë me fytyrë të vrenjtur.

“Çfarë të thotë dhe ajo e shkreta. Qeveria i futi bërrylin”, thotë një grua që nga fytyra duhet t’i përkasin të njëjtës racë të Sudes.

Në grumbujt e njerëzve afrohen për të dëgjuar dhe shumë vetë, që ndryshe nga fytyrat e pikëlluara të humbësve të mëdhenj të Sudes, kuptohet që kanë ardhur për tjetër punë nga ajo e marrjes së lekëve prej fajdexheshës.

Përpiqen të dëgjojnë gjithçka.

Madje shumë prej tyre futen në bisedë duke thënë se kanë shitur shtëpinë dhe janë mashtruar nga Sudja. Nëse të tjerët shajnë qeverinë që fshihet pas Sudes dhe janë gati të protestojnë kudo, këta të fundit sugjerojnë se “nuk fitojmë gjë me protesta, por të kapim Suden për fyti deri sa të na janë paratë tona”. Turma priste dhe dje rishfaqen e fajdexheshës, por ajo nuk u duk as dhe për një çast të vetëm. Një skuadër policie kishte bllokuar hyrjen që të çon në apartamentin e katit të katërt ku banon Sudja, ndërkohë dhjetëra policë e pesë furgonë të “Briskut”, ndodheshin midis turmës për ta patur situatën nën kontroll dhe për të parandaluar një tjetër vërshim të turmës drejtim sheshit. Nën një heshtje varri njerëzit capiteshin të përhumbur. Lexonin dhjetëra herë listat e afishuara nga Sudja me shpresën se aty do të mësonin diçka më shumë.

Rreth orës 11:00, një burrë 40-vjeçar theu heshtjen që kishte pllakosur gjithçka. Shkul listat afishuara nga Sudja dhe i ulëret turmës që i lexonte: “Këto janë rrena mor rrena të Sudes dhe Saliut. Ç’i lexoni këto rrena”, ulërinte burri shtatshkurtër duke vrapuar drejt hyrjes së pallatit. Turma sikur është ringjallur. Grumbujt e njerëzve janë shpërndarë instiktivisht dhe janë bashkuar para policëve që ruanin hyrjen e pallatit. Turma e porsakrijuar ka filluar të bërtasë: “Duam paratë tona”, “Qeveri hajdutësh”. Njerëzit kanë bërtitur fort, por jo me vrullin e djeshëm. Disa zëra kanë kërkuar përsëri të marshojnë drejt sheshit. “Kush e ka bërë nëna le të vijë në shesh. Kush e ka bërë lopa le të rrijë këtu”, bërtiste në ekstazë një burrë me flokë të rëna. Turma është përçarë përsëri në grupe. “Çdo bëjmë prapë tek sheshi. I hëngrëm dje shkopinjtë e gomës: Qeveria ka dhe gurin dhe arrën në dorë.

Murit me kokë nuk i bihet. Saliu nuk është si Ramizi që na la të livadhisim”, thoshte një tridhjetepesëvjeçar i gjatë dhe me flokë të thinjura te tëmthat. Një sy i vëmendshëm mund të dallonte në xhepin e xhuboksit të tij një radiomarrëse të vogël. Një përpjekje tjetër drejt sheshit është konsideruar e pavend dhe nga shumë të tjerë, që përsërisnin kohë e pa kohë refrenin se kishin shitur shtëpitë. Kaq ka mjaftuar që turma të tulatet përsëri.

Megjithatë të mashtruarit nga Sudja kanë filluar të shajnë me zë më të lartë: “Unë nuk i kam marrë gjë Saliut, ai më ka marrë mua. Kam shitur shtëpinë time dhe të dy fëmijëve të mi. Shtëpitë ia bëra kurban Sudes dhe Meksit”, bërtiste një grua me fytyrë të vrarë nga pagjumësia si për të trembur frikën.

Një grua tjetër përbri insiston se Sudja duhet të dalë të flasë. “Ka frikë se e vret kompetenti”, argumenton tjetra. Në kohën kur skuadra e policisë që ruante hyrjen e pallatit kthente pas këdo, gjashtë vetë ngjisin shkallët e pallatit drejt katit të katërt. Mësohet se është përfaqësia e turmës që do takohet me Suden. Ngjitjen e tyre deri në apartamentin e Sudes, njerëzit që ndodheshin poshtë e kanë shoqëruar me fishkëllima. Nuk kuptohej nëse ishin físhkëllima aprovimi apo kundërshtuese. Ora ishte 11.45 dhe përfaqësia ka dalë 22 minuta më vonë. Duke dalë, njëri prej tyre, një burrë i shkurtër rreth 45 vjeç i drejtohet turmës me megafon në dorë.

“Sapo u ndamë nga Sudja”.

Heshtja pllakosi përsëri. Njerëzit ndërprenë debatet për të dëgjuar burrin e shkurtër. “Sudja na tha se kërkon të vendoset rregulli, pastaj do të na japë paratë. Ajo i garanton depozitat tona. Për një defekt bankar, ajo tani nuk ka para. Por do të na i japë në janar”, tha burri i shkurtër. Turma ka nisur ta shajë. Përfaqësuesi i ka lënë megafonin policit që kishte në krah dhe ka filluar të zbresë shkallët. Në kontaktin e parë me turmën, ajo ka filluar ta akuzojë lajmësin si “të blerë nga Sudja” duke e shtyrë me forcë.

Por në mbrojtje të tij ka dalë civili që thoshte një orë më parë se Berisha nuk është si Alia. “Lëreni se dhe ai hallexhi si ne është”, thoshte civili duke mbrojtur me shpatullat e tij burrin e shkurtër. Ky i fundit mundi të shmanget dhe nuk u duk më. Turma e irrituar përpiqet të hyjë në pallatin e Sudes. Policët forcojnë gardhin. “Përse nuk na fusni nga një plumb të gjithëve. Kot sa rrojmë. Humbët shtëpitë dhe bukën e gojës. Ç’bëhet kështu. Qan fëmija në bark të nënës. Humba gjakun e djalit tim që ka tre vjet në kurbet, kanaleve të Greqisë”, i drejtohej e ngashëryer policëve një grua 50-vjeçare.

Ngashërimi i saj ishte i njëjtë me atë të një morti. “Përse nuk na lini të hyjmë”, u drejtohej policëve një grua tjetër e moshuar duke tundur një shishe me ujë të gazuar. “Me këto nerva që kam, e bëj qeverinë copa-copa. Ta di se dhe vetë do të bëhem copa. Kështu si jam katandisur nuk keni se ç’më bëni më shumë”, u hakërrehej fytyrave të vrenjtura dhe të heshtura të policëve. Ajo insiston se është mashtruar nga Sudja dhe Qeveria bashkë. “Deri dje, kur ne i jepnim paratë Sudes, Saliu dhe ai mustaqja rrinin gju më gju me ne. Me demek se na qanin hallet. Po tani ku janë futur? Ata na i kanë paratë. Pse nuk vijnë të na thonë. Apo kaq donin sa na morën votat. Por tani s’ka më vota”, u tregon bërrylin uniformave blu.

Katër vetë çajnë turmën dhe afrohen te policët. Thonë se janë përfaqësi e depozituesve dhe duan të takojnë Suden. Turma insiston se bashkë me ata të hyjnë dhe gazetarët, por policia refuzon kategorikisht praninë e gazetarëve në takimin e përfaqësisë me fajdexheshën. “Sudja ka thënë se nuk do të takohet me gazetarët”, argumenton një kapiten. Përfaqësia e dytë ka ngjitur shkallët, ndërkohë që turma poshtë ka vazhduar të shajë qeverinë. “Ata hajdutët na morën paratë”, thotë një plak i moshuar i cili thotë se e mori në qafë të birin duke futur me fajde paratë që ai ka dërguar nga Italia. Në orën 13:25, në shkallët e pallatit del përfaqësia e dytë.

“Bëmë debate të gjata me Suden.

I kërkuam se ku i ka paratë por e nuk na tregoi. I thamë se kush fshihet pas teje. Na tha se nuk jam lidhur me njeri. Megjithatë na tha se do fillojë të na japë paratë në pesëmbëdhjetëditëshin e dytë të janarit. Ndoshta dhe më pare. Por jo para Vitit të Ri. Deri atëherë bankat janë me pushime.

Kështu  që duhet të presim. Me Suden ranë dakord të të takohemi çdo tre ditë për të marrë vesh se kur do të fillojë. Nuk kemi se çfarë të bëjmë”, thoshte nga megatoni i përdorur dhe më parë, një 40-vjeçar i veshur me një xhakavento të zezë. “Na mashtron, na mashtron”, bërtiste turma e irrituar. Por burri me megafon në dorë ka bërtitur më shumë. “Nëse ajo na mashtron, unë i pari do ta vras”, bërtiste ai. Turma nga poshtë ka kundërshtuar “Jo. Nuk na duhet ajo. Duam paratë tona.”

Përfaqësia e dytë ka zbritur dhe është pritur me të njëjtën indinjatë nga turma si e para. Nuk kemi besim te këto komisione. Nuk i kemi zgjedhur ne këta njerëz që të shikojnë te Sudja”, thoshin qindra vetë në turmë. Ndërkohë nga grumbulli i njerëzve, njëri nga depozituesit e Sudes, hipën majë kioskës që ndodhet para hyrjes së pallatit dhe i drejtohet të tjerëve. Ne nuk kemi punë me Suden, por me Berishën. Sudja është futur verbërisht në këtë rrugë. Ne duhet të takohemi me qeverinë. Të fillojmë një greve urie këtu ku jemi derisa të vijnë përfaqësues të qeverisë të na sqarojnë. Shteti e gjen se sa kile presh ka kjo kioska dhe jo më ku i ka çuar lekët Sudja”, filloi të fliste ai me një dialekt shkodran. “Nuk kemi punë më me Suden, por me shtetin. Dhe nuk duhet të qetësohemi siç thonë këta zotërinjtë e përfaqësive”, thoshte shkodrani i cili zbriti nga kioska dhe u drejtua te një grumbull i madh dheu. Ka filluar t’i flasë turmës. Por e kanë tërhequr disa vetë të cilët i thoshin se nëse duam të zgjidhim punë të mos merremi me qeverinë. “Hajde me ne të pimë një kafe dhe të bisedojmë se si do ia bëjmë”, insistonin ata. “Edhe ne kemi shitur shtëpinë”, përsërisnim ata refrenin për t’u bërë më të besueshëm. Por shkodrani nuk ka pranuar të largohet nga turma.

Grumbujt e njerëzve janë vërtitur në mënyrë kaotike te bredhat e Sudes deri sa ra mbrëmja. Më pas janë shpërndarë. Në orën 17.00, nuk kishte këmbë njeriu, përveç makinave që parkohen çdo ditë që prej një muaji para godinës së Sudes. Dy policët e përhershëm te shkallët e pallatit ndalojnë këdo që dëshiron të trokasë në shtëpinë e fajdexheshës. Rreth orës 21.00, në numrin telefonik të fajdexheshës, një zë gruaje të përgjigjet: “Sudja asht tu fjet”, ndërsa dhjetë minuta më vonë një zë burri paralajmëron apokalipsin: “Tani që ra Sudja, do bien dhe gjithë fajdetë e tjera”.

Ilir Babaramo

 

SHKARKO APP