Ilir Babaramo: Pushimi i Sudes shkakton “tërmet”

(Botuar me 27 nëntor 1996 në KOHA JONE)

Nga Ilir Babaramo-

Depozituesit e të parës firmë rentiere shqiptare përfshihen nga paniku. Që në orët e para të mëngjesit deri vonë në mbrëmje, qindra njerëz kanë qëndruar në pritje përreth pallatit ku banon fajdexhesha e parë e Tiranës, Sudja. Nën shiun e dendur, grumbujt e njerëzve qëndronin në pritje për të marrë vesh për fatin e parave që kanë depozituar me përqindje. Lajmi se Sudja ka ndërprerë aktivitetin është shpërndarë me shpejtësinë e rrufesë. Qindra njerëz janë dyndur para banesës së Sudes që ndodhet në lagjen “21 dhjetori” me shpresën se do të ndodhë një mrekulli. “Të nderuar depozitues! Aktivitetin e ndërpresim deri në datën 18 dhjetor. Firma është duke bërë bilancin vjetor. Deri në këtë datë nuk do të grumbullojmë dhe as nuk do të shpërndajmë para. Aktiviteti do të nisë kur të mbarojë bilanci. Ju faleminderit për mirëkuptimin, me respekt, Sudja“, është teksti i një shpalljeje të vendosur në sportelin, ku Sudja ka grumbulluar dhe shpërndarë për katër vjet me radhë paratë e dhjetëra mijëra qytetarëve. Njerëzit e lexonin me zë të lartë shpalljen si për të kuptuar më mirë se çfarë fshihej pas saj. “Iku dhe kjo si Grunjasi”, thotë një 50-vjeçar, i cili pasi ka marrë vesh se një ditë më parë Sudja nuk ka shpërndarë përqindjet, ka ardhur që në orën pesë të mëngjesit për t’u interesuar për paratë që ka depozituar dhjetë ditë më parë. “Kam shitur shtëpinë dhe banoj me gjithë familjen te prindërit e mi. Paratë i kam futur me përqindje këtu te Sudja”, thotë duke qarë një grua. Njerëzit insistojnë të ngjiten në katin e katërt, ku banon fajdexhesha. Por vrullin e tyre e ndalin një skuadër policësh, furgoni i të cilëve është parkuar në sheshin para pallatit midis turmës së njerëzve. “Kemi urdhër të mos lejojmë njeri që të ngjitet lart”; thotë një nga policët që kanë bllokuar hyrjen e pallatit. “Më lër të takohemi me Suden. I kam lënë bukën e shtatë jetimëve”, i lutej policëve një grua rreth të pesëdhjetave. Insistimi dhe britmat e turmës kishin arritur kulmin deri sa në mesditë, Sudja del në shkallët e katit të katërt. “Paratë i keni të siguruara. Kur të mbaroj bilancin do ti merrni të gjithë kokërr më kokërr”, u përpoq ajo të qetësonte turmën e irrituar. Por shumë vetë nga poshtë kanë vazhduar të bërtasin duke shprehur mosbesimin. Ndërkohë Sudja ka paraqitur “argumentin e fundit” të saj para turmës së përfshirë nga paniku. “Nëse nuk më besoni mua, këtu do vij vetë kompetenti t’ju flasë”, tha Sudja, por pa bërë të ditur se kush ishte “kompetenti”. Njerëzit kanë pritur deri vonë në mbrëmje të dëgjonin “kompetetentin”, por ai nuk u shfaq në shkallët e pallatit të Sudes. Pasdite, furgoni i policisë u largua, megjithëse turma e njerëzve sa vinte dhe shtohej. Tashmë njerëzit kishin pushtuar dhe shkallët që të çojnë në katin e katërt. Trokasin fort në derën e Sudes, por ajo hapet rrallë. Të afërmit e Sudes përpiqen t’i sigurojnë se asgjë nuk ka ndodhur dhe të gjithë do marrin paratë e tyre. “Jemi në inventar. Kur ta mbarojmë do të fillojmë prapë nga puna”. Por njerëzit nuk pranojnë të largohen. Shumë prej tyre shajnë Suden se i ka mashtruar, ndërkohë që pak ditë më parë e puthnin si të ishte Mesia. “Kush na ka marrë më sysh. Vetëm të mira kemi bërë. Të varfër jemi dhe ne si të gjithë”, thotë e ëma e Sudes me një fytyrë tepër të rrudhur, ndërkohë që i shoqi lëviz nëpër shtëpi me një aparat dëgjimi në vesh. Shtëpia e Sudes është një apartament dy dhoma e një kuzhinë, i cili dje ishte mbushur me të afërm të saj. Shtëpia është pa asnjë gjurmë luksi me përjashtim të aparatit të telefonit që është dhe faks (Nëse ky mund të quhet luks). Në dhomën ku na fut fajdexhesha, që ka qarkulluar disa milionë dollarë, ka vetëm dy divane të zakonshëm dhe një televizor. “Asgjë nuk ka ndodhur. Njerëzit do ti marrin paratë e tyre”, thotë Sudja duke u shfaqur e qetë. Ndërkohë hapet dera dhe një grua hyn e përlotur në dhomën, ku Sudja ankohej se shtypi ka përhapur panikun për fajdetë. “Doja vetëm të të shikoja. Njerëzit thonë se je arratisur, por unë nuk u besova. Kam shitur shtëpinë dhe të gjitha ç’kam patur. Jam në dorën tënde”, ngashërehet gruaja.

“Mos u mërzit Kadrie. Ty të kam të parën në listë”, e qetëson Sudja. Gruaja largohet dhe pas saj hyn menjëherë një burrë rreth të 50-dhjetave. Është mjeku i Sudes. “Doktor më merren mendtë. Mbrëmë piva dy valiume dhe nuk më zuri gjumi”, thotë Sudja. “Nuk ke pse të shqetësohesh. Do të mas tensionin”, thotë mjeku, të cilit i sjellin stetoskopin nga dhoma tjetër, që e kishte lënë në shtëpinë e fajdexheshës një ditë më parë. Ndërkohë një grup njerëzish kanë mundur të hyjnë nga dera e jashtme dhe presin të takohen me Suden duke u ngjeshur me njëri-tjetrin në korridorin e shtëpisë. Midis tyre nuk mungojnë dhe policë, të cilët kanë ardhur si klientë. Një prej tyre thotë në konfidencë se ka lënë 50 milionë lekë me përqindje. Ndërkohë shoku i tij, pasi mbyll radiomarrësen i drejtohet Sudes, që tashmë ka dalë në korridor: “Na bëre merak. Të ikim të qetë ne?”. Pasi janë larguar policët, në derë shfaqet një grua. Ndërkohë Sudja u bërtet familjarëve përse e hapin derën e jashtme. “Dua të më lënë të punoj e qetë”, bërtiste fajdexhesha e irrituar. Por gruaja që porsa ka hyrë di të bërtasë më shumë. “Të kam lënë paratë. Përse nuk mi jep. Janë paratë e fëmijëve të mi”, bërtiste gruaja duke kërcënuar me çadrën e ngritur lart. Nga ana tjetër e derës, një grua që duhet të qe e afërme e Sudes nisi të bërtasë dhe ajo. “Kush t’i mori paratë? Vetë i solle”. S’kanë kaluar pak çaste dhe dy gratë nisin një skermë me çadrat që mbanin në duar. Burrat që ndodheshin në korridor i kanë ndarë, ndërkohë që Sudja bërtiste: “të gjithë do t’i merrni paratë”. Dera mbyllet përsëri, ndërkohë turma e njerëzve vazhdojnë të presin në oborrin e pallatit dhe rrugët përreth tij./Ilir Babaramo/

SHKARKO APP