Ilir Babaramo: Sudja thirret në polici. I ka “humbur” personi i parave

(Botuar me 20 dhjetor 1996 në KOHA JONE)

Nga Ilir Babaramo-

Paniku për paratë e humbura te Sudja është kthyer dje në revoltë kundër qeverisë. Mbi një mijë vetë i janë drejtuar dje në mesditë sheshit “Skënderbej” për të protestuar, por janë zmbrapsur nga shkopinjtë e gomës të policisë. Edhe gjatë ditës së djeshme turma e depozituesve të fajdexheshës ka rrethuar banesën e saj.

Natën e kanë kaluar përreth zjarreve që kanë ndezur. Të përgjumur janë mbështetur ku kanë mundur duke pritur sa të zbardhë dita. Në orën tetë të mëngjesit, Sudja është shfaqur te shkallët e pallatit. Me altoparlant në dorë u ka bërë të ditur njerëzve se do të shkonte të tërhiqte paratë për t’i shpërndarë më pas. Ka hipur në njërën prej makinave të saj, shoqëruar nga disa makina policie.

Sudja është larguar nga banesa e saj rreth orës 8 e 15.

Disa mijëra njerëz kanë pritur gjatë gjithë paradites kthimin į saj. Durimi i tyre përfundoi aty rreth orës 11.00. Thirrjet filluan të dëgjohen deri në kupë të qiellit, por më dominuesja ishte “Tek sheshi, sheshi”. Një ditë më parë, depozituesit e Sudes kishin bërë të ditur se, nëse nuk do të merrnin paratë do të pushtonin sheshin “Skënderbej”, për të protestuar kundër mashtrimit. Pas thirrjeve të para që ftonin të tjerët për t’u drejtuar nga qendra e kryeqytetit, turma, deri atëherë kaotike, morri rrugën që të çon drejt kryqëzimit të “21 dhjetorit”. Dalja e turmës në rrugën e “Unazës” krijoi pështjellimit e para. Trafíku bllokohet. Ndërkohë qytetarët të irrituar godasin me grushte mbi këdo nga makinat që u dilte përpara. Pasi ka bllokuar trafikun, turma ka marrë zemër.

Në kor fillojnë të hedhin parullat e para. “Duam paratë tona”, “Qeveria, qeveria”, “Poshtë hajdutët”, ishin thirrjet që turma mbi një mijë veta u drejtonte kalimtarëve përreth, ë cilët për herë të parë, pas kaq vitesh shikonin të hutuar një skenë të vërtetë proteste. “Shkojmë tek sheshi për të protestuar. Kërkojmë paratë tona. Do ai kërkojmë Sali Berishës që i fitoi votat nga fajdexhinjtë”, thotë një nga pjesëtarët e turmës.

Ndonëse duke ecur në bllok, turma dallohej qartë që ishte e paorganizuar. Shpërthimi i tyre sporadik është ndalur për herë të parë nga forcat e policisë, pranë kolegjit turk. Por rruga ishte tepër e gjerë dhe forcat e para të policisë që mbërritën për të ndaluar vërshimin e të mashtruarve nuk mundën ta ndalin vërshimin e tyre. Megjithatë që në momentin e parë arritën ta copëzojnë atë. Kështu në grupe të mëdha, njerëzit e mashtruar nga fajdeja mundën të ecin drejt qendrës dhe disa qindra metra të tjera duke lëshuar të njëjtat parulla. Por pas mbërritjes së policisë, repertorit të thirrjeve të tyre i shtuan dhe thirrjen e njohur “policia është me ne”. Por në fakt policia nuk ishte me ata.

Para godinës së Mitropolisë mbërritën me një ngut që ishte parë vetëm në 28 maj, forcat speciale. Me skafandra në kokë dhe shkop gome në dorë, ata iu turrën turmës. Ankimet e qytetarëve se ne “kërkojmë vetëm paratë tona” nuk patën efekt.

Sampistët kanë qëlluar këdo që u ka dalë para me të vetmin motiv, njerëzit nuk duhet të dalin në shesh. “Çfarë ndodh kështu, dhe në Serbi shteti të lejon të protestosh”, thoshte një grua që shkopinjtë e gomës e kishin shtrirë përtokë.

Forcat e shumta të policisë nuk e patën të vështirë që ta kthejnë turmën pas.

Ka përfunduar këtu pelegrinazhi i protestës që nuk zgjati më shumë se një kilometër. Gjysmë ore pasi ishin larguar nga godina e Sudes, qytetarët u kthyen dhe njëherë te Meka e tyre.

Pasi janë grumbulluar përsëri përreth bredhave të lartë që rrethojnë banesën e fajdexheshës, kanë vazhduar të thërrasin përsëri. Protestën e tyre e kanë regjistruar gjithë agjencitë e huaja të atashuara në Shqipëri.

Por mungonte televizioni shqiptar. “Përse vini ju. Ata të televizionit të vijnë”, u drejtoheshin gazetarëve të shumtë, grumbujt e qytetarëve që krijoheshin menjëherë sa shfaqej një kamera ose diktofon gazetari.

“Ata të televizionit s’kanë se si të vijnë. Televizioni e gatoi çorbën e fajdesë duke dhënë reklamë dhe duke na mashtruar për sukseset e fajdexhinjve”, thotë një burrë i irrituar. Por një grua ndërhyn duke thënë se “televizioni e ka më kollaj të transmetojë protestat në Beograd sesa protestën tonë.

“Ne kërkojmë vetëm paratë tona”, përsërit ajo thënien më të konsumuar gjatë dy ditëve të fundit. Shkopinjtë e gomës nuk kanë qenë pa efekt për protestuesit. Të gjithë pranojnë te “ligjërojnë” para gazetarëve, por askush nuk pranon të thotë se si quhet. “Nuk kam ndërmend të më humbasë emri. Kam fëmijë për të rritur”, thotë një 40-vjeçar i bëshëm. Pasi ka ngrënë shkopinjtë e gomës dhe pasi ka dështuar në përpjekjet e saj për të protestuar në qendër të kryeqytetit, turma e kupton se shkaku kryesor i dështimit ka qenë çorganizimi.

“Duhet Azemi të na drejtojë. Vetëm atij i besojmë

Ai e përmbysi dhe diktaturën e parë”, thotë një grua e përlotur e cila pohon se ka shitur shtëpinë dhe ka mbetur në mes të katër rrugëve. Grumbujt e njerëzve kanë insistuar dhe dje se qeveria është e përfshirë në skandalin e fajdeve.

“Ne votuam për Salën se lejoi fajdetë. Sudja ia dha votat Salës. Ne i kërkojmë qeverisë paratë tona. Qeveria i lejoi fajdetë. Kështu që s’ka pse të na turren me shkopinj gome”, thotë një burrë duke ngritur gishtin lart si të ketë bërë një zbulim. Për të gjithë është e qartë se tashmë te sportelet e Sudes nuk ka asnjë kokërr leku.

“Ku kanë shkuar paratë. Dhjetë ditë para se të ndërpriste aktivitetin, Sudja nisi të grumbullojë me 50 %- muaj. Gjatë një jave, mbi 2 mijë vetë në ditë kanë lënë tek ajo miliona. Ku ka shkuar gjithë kjo para?”, thotë një burrë me syze të shtrenjta që përpiqet të shfaqet i qetë dhe se di shumë gjëra, por nuk preferon t’i thotë.“Ne kërkojmë vetëm paratë tona. Kjo është diktaturë. Përse duhet të na rrahë policia me shkopinj gome”, thotë një i moshuar i cili ka depozituar 500 mijë lekë të vjetra te Sudja.

Paratë e depozituara i kishte grumbulluar nga miqtë që i kishin ardhur një muaj më parë për ta ngushëlluar për vdekjen e të vëllait. Në një grumbull tjetër njerëzish diskutohej përsëri për Azem Hajdarin. Azem Hajdarin. “Përse nuk vjen këtu. Këtu te Sudja është sindikata jonë. Të gjithë jemi pa punë dhe të gjithë rrojmë me fajde. Nëse ka thënë se do të vrasë frikën e shqiptarëve le të vijë këtu”, thotë një grua 30-vjeçare.

Sipas saj, paratë e depozituara te Sudja i ka qeveria. “Me paratë tona u bë fushata elektorale. I kërkojmë qeverisë të na i kthejë”, insiston ajo. Një shoqe e saj thotë se qeveria është tërësisht e lidhur me fajdetë. “Sala është i lidhur me Suden. Ajo nga njëra anë mbledh paratë tona, Sala nga ana tjetër thotë se këto para janë të pastra. Kështu është kjo punë dhe pikë”, këmbëngul në mënyrë naive ajo.

Befas diskutimet janë ndërprerë. Midis turmës shfaqet makina që sjell Suden. E shoqëruar nga një skuadër policie, Sudja ngjit shkallët. Në dritaren e shkallëve të katit të dytë, midis dy policëve, Sudja me një megafon në dorë i drejtohet turmës.

“Paratë do t’i merrni sipas listës. Kush e ka emrin sot të shkojë te sporteli”. Ata që kanë patur emrin në listën e djeshme kanë thirrur nga kënaqësia, por të tjerët kanë vazhduar ta shajnë.

“Ku është kompetenti? Ke një muaj që na gënjen”

Megjithatë, pas pak çastesh turma është tërhequr si me magnet në drejtim të sporteleve që ndodhen nga ana e pasme e godinës. Kjo ndodhi rreth orës 13.00, ndërkohë që ata që kishin emrin në listë shtyheshin drejt sporteleve të Sudes, ndërsa shumë të tjerë u larguan. E para që ka dalë nga porta e llamarintë që mbron sportelet e fajdexheshës ka qenë Zenepa Muka. Thotë se ka marrë dy milionë lekë të vjetra që kishte depozituar. “Ti hash gëzuar dhe paç këmbën e mbarë për ne të tjerët”, e uronin nga të gjitha anët duke menduar se kishte ndodhur çudia. Të gjithë e rrethojnë duke e pyetur se a kishte parë shumë para. “Me sa pashë unë kishte”, përgjigjet ajo duke thënë se me gjithë ankthin e muajit të fundit do ta vazhdojë përsëri aventurën e fajdesë. “Jam pa punë dhe me fajdetë rroj. Paratë që mora do t’i çoj te firma që ka përqindjen më të lartë”, rrëfen ajo. Pas daljes së Zenepes kanë dalë dhe shtatë depozitues të tjerë.

Askush prej tyre nuk thotë se sa para ka marrë. Kjo ka zgjatur për gati një orë. Qytetarët thërrasin të irrituar se Sudja po mashtron përsëri. Lajmi se fajdexhesha ka braktisur sportelin duke u thënë atyre që ndodheshin aty se i kishte mbaruar paratë, shpërndahet me shpejtësinë e dritës. Një polic i gjatë me moshë mbi të 40 i tund gishtin e madh turmës duke kapërcyer gardhin prej katër metrash të lartë që rrethon oborrin e vogël para sportelit të Sudes. “U fut brenda. Na tha se nuk ka më lekë”, i drejtohet turmës polici dymetrosh që nuk arriti të marrë paratë që kishte depozituar. Pas tij del një 20-vjeçar i cili kishte pritur për dy orë të merrte 17 milionë lekët e vjetra që kishte depozituar.

“Vetëm 15 vetë i morën. Nuk ka më lekë

Dhe atyre që kishin fatura 5 milionë, u dha nga dy milionë. Të tjerat më vonë. Kështu thoshte Sudja”, rrëfen 20-vjeçari. Turma irritohet përsëri. Një batare gurësh niset drejt dritareve të katit të katërt ku banon Sudja dhe mbi mbulesën prej llamarine që ndodhet te sportelet e saj. Grumbujt e njerëzve vërshojnë përsëri drejt hyrjes së pallatit. Britmat dominojnë gjithçka. Pas disa minutash, Sudja del përsëri me megafon në dorë.

“Paratë që mora sot i shpërndava. Kur të marr të tjerat do t’jua jap. Flini të qetë. Të gjithë do t’i merrni paratë”, iu drejtua Sudja atyre që kishin kaluar natën e mëparshme pa gjumë duke ndezur zjarre përreth banesës së saj.

Turma e shan, por Sudja largohet duke iu qeshur dy policëve që e kishin vënë në mes. Turma fillon të shajë përsëri. Shan Suden, qeverinë, por edhe Fondin Monetar. “FMN-ja të dalë jashtë nga Shqipëria. Ajo ia mblodhi qeverisë. Qeveria u detyrua t’ia mbledhë Sudes. Ne e kemi në kurriz se qeveria luan me qarin. Jemi pa fat ne shqiptarët. Para kemi detin, pas kemi zjarrin”, i drejtohet grumbullit të njerëzve një burrë i moshuar. Më pas, grumbujt e njerëzve kanë diskutuar më shumë se çdo herë tjetër për politikë. “Kjo nuk durohet. Të na rrahë policia se kërkojmë paratë tona. Këtu kemi gjakun e djemve tanë në kurbet. Policia duhet të gjejë se kush fshihet pas Sudes.

Edhe fëmijët e dinë se Sudja nuk mund të bëjë me kokë të vet. Ne ia dhamë paratë sepse ajo kishte një licencë që ia ka dhënë qeveria. Pse nuk i solla tek. Hë pra.

Akoma se merr vesh se pas Sudes është qeveria

 Përse nuk na lejoi policia të protestojmë”, pyet një burrë duke të ngulur dy sy të egërsuar.

Druri që provuan nga policia u ka lënë një shije të hidhur qytetarëve. “Mirë unë se jam burrë dhe duroj, po gratë pse i goditën. Në Greqi janë bllokuar rrugët nga protestuesit vetëm për një taksë.

Ka tre javë, askush nuk i ngacmon. Ndërsa ne rrihemi se kërkojmë bukën e gojës”, thotë një burrë rreth 35 vjeç, i cili këmbëngul se “qeveria po bën një lojë të ndyrë me fajdetë”. Grumbujt e qytetarëve kanë diskutuar gjatë. Kishin humbur thuajse çdo shpresë se do ti marrin një ditë paratë e tyre nga sportelet e Sudes. Fakti se Sudja u “dorëzua” dje, vetëm një orë pasi nisi të shpërndajë u komentua gjatë. “Nuk ka më para ajo. Gjetkë fle lepuri. Atë duhet ta detyrojmë të thotë se kush është kompetenti”, thotë një 60-vjeçar që përpiqej të rrezatonte largpamësi. Disa nga 80 depozituesit që kishin emrin të afíshuar për të tërhequr paratë dje, thonë se Sudja nuk ka dhënë jo më shumë se 10 milionë lekë të vjetra dhe nuk kanë përfituar më shumë se 12 vetë.

“Prisni kur të në vijnë paratë, na tha duke qeshur nga njerëzit që kishte rreth vetes”, dëshmojnë më të zhgënjyerit, të cilët pasi u futën në “Sezamin” e Sudes, dolën që andej duarbosh.

Megjithatë pasi u end nëpër Tiranë për tre orë me radhë, Sudja nuk mund të shpërndajë më shumë se 10 milionë lekë. Enigmë ka ngelur fakti se kush ia dha këtë inxheksion që shtoi agoninë. Burime informacioni nga organet e rendit bëjnë të ditur se në ecejaket e paradites, Sudja ka qenë dhe në njërin prej komisariateve të Tiranës. “Sa të gjej personin që më ka paratë dhe do t’ua shpërndaj menjëherë lekët njerëzve”, mësohet t’u ketë thënë Sudja autoriteteve policore që e kishin pyetur dje në mesditë.

Ilir Babaramo

SHKARKO APP