Ilir Paço: Fatos Nano thotë se Servet Pëllumbi është si Enver Hoxha

(Botuar me 22 Tetor 1997 në KOHA JONE)

Nga Ilir Paço-

TIRANE – Ndonëse me shumë ditë vonesë, Kryeministri socialist Fatos Nano nuk e la pa përgjigje letrën e hapur që ish-nënkryetari i PS, Servet Pëllumbi, botoi të dielën e kaluar në “Koha Jonë”, ku e kritikonte ashpër kryetarin socialist për disa qëndrime politike të tij. Por Nano tregoi dje se nuk ka ndërmend të merret me kritikat e ish-zëvendësit të tij në kohën kur vetë ishte në burg.

“Kjo letër e hapur më kujton letrat e hapura të Hoxhës në 1966”, tha dje në mesditë për “KJ”, Kryeministri. Këtë deklaratë Nano e bëri në momentin që doli dje nga selia qendrore e PS, pas takimit me liderë të socialistëve bullgarë.

Menjëherë pas kësaj Kryeministri u nis në drejtim të aeroportit të Rinasit, nga ku u nis për në Konferencën e Donatorëve të Brukselit që do të hapet sot. Nano kujtoi kështu letrën e hapur të Hoxhës të 1966, kur diktatori komunist kërkonte midis të tjerash heqjen e gradave të ushtarakëve, shkatërrimin e fesë dhe vendosjen nëpër shkolla të trekëndëshit revolucionar Mësim-Punë-Kalitje.

Pëllumbi në “Letrën e hapur” të tij 10 ditë më parë, kritikonte ashpër kryetarin e PS se po e çonte partinë djathtas, kur shpalli në një mbledhje të grupit parlamentar socialist se bibla politike e PS duhet të jetë programi i qeverisë”. Duke të pasur parasysh se programi i qeverisë është i qendrës së djathtë, ish-nënkryetari Pëllumbi u shpreh atëherë, se duke shpallur “Bibël politike” programin e qeverisë krijohet “përshtypja e një fitoreje aksidentale të PS në zgjedhjet e fundit”.

Kur u botua letra, kryeministri ishte i ngarkuar me aktivitete dhe takime ndërkombëtare dhe nuk reagoi aspak. Ndërsa zyrtarët e tjerë të partisë nxituan ta konsideronin këtë si shenjë të ekzistencës së demokracisë brenda partisë. Më shumë se një përgjigje, reagimet e tyre duket se ishin përpjekje për të reklamuar “unitet” dhe duke mos pranuar ekzistencën e divergjencave brenda PS, megjithëse ato janë përvijuar që me “Mocionin Nano”, pranverën e kaluar. Vetëm nënkryetari socialist i parlamentit Namik Dokle u shpreh dje në “KJ”, duke mos u përpjekur të argumentojë unitetin brenda partisë me të madhe në vend – se “socialistët duhet ti lënë mënjanë teorirat dhe të shohin votat që u dha populli”.

Ndërsa dje, Nano duket se ka dashur t’u vërë kapak interpretimeve të letrës së Pëllumbit, kur u shpreh për “KJ”, se ajo i dukej si letra e hapur e Hoxhës e vitit 1966 të cilën nuk dihet se si lideri socialist e mbante mend aq mirë.

ILIR PAÇO

 

 

SHKARKO APP