Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Kompanitë e fajdeve nuk kanë kërkuar licencë për bankë
(Botuar me 7 dhjetor 1996 në KOHA JONE)
-Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Kompanitë e fajdeve nuk kanë kërkuar licencë për bankë-
Kreditë e pakthyera në bankat e nivelit të dytë me kapital publik, a e pengojnë procesin e privatizimit të tyre?
Kuptohet që të privatizosh bankën, ajo që ne synojmë, është që të privatizojmë diçka që ka vlerë. Duke qenë shtetërore, ato janë 100 % të garantuara. Privatizimi i tyre nuk duhet të sjellë paralizë të sistemit të pagesave. Që të privatizosh një bankë do të thotë të privatizosh një diçka që quhet bankë.
Sa është vlera e kredive të pakthyera në bankat me kapital shtetëror?
Vlera e tyre është 20 për qind e totalit të gjithë kredive. Para privatizimit këto kredi të pakthyera do të zëvendësohen ne obligacionet shtetërore. Faza e parë është rikapitalizimi i këtyre bankave. Pastrimi i bilanceve të tyre nga kreditë e këqija. Duke riaktivizuar dhe pastruar bilancet e tyre, bëhet e mundur që kjo bankë të jetë më atraktive për t’u shitur.
Si do të pastrohet bilanci para se të privatizohet banka?
Faza e parë është bërja e një auditimi. Pra një ekspert ndërkombëtar i pavarur do të përcaktojë cila është vlera e bankës. Tashmë, me ndihmën e Bankës Botërore, ka mbaruar kjo procedurë. Më pas, bëhet pastrimi dhe rikapitalizimi i bankave nëpërmjet emetimit të obligacioneve. Këto janë letra qeveritare, janë 100 për qind të sigurta. Pasi bëhet rikapitalizimi, pastrimi i bilanceve të këtyre bankave, pastaj bëhet koorporatizimi i tyre, kalimi në aksione dhe qeveria në bazë të strategjisë, është e shprehur qartë që është orientuar drejt investitorëve strategjikë për ta blerë këtë bankë.
Investitorët strategjikë me çfarë monedhe do t’i blejnë këto banka? Me letra me vlerë?
Kuptohet që nëpërmjet investitorëve strategjikë do të synohet që të ofrohen kapitale në këto banka. Këto banka kanë nevojë për kapitale, nuk kanë nevojë për letra me vlerë. Tashmë del një dekret. Po përgatitet një paketë dhe shumë shpejt ndoshta këtë të hënë do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Çfarë do synojë kjo paketë?
Pra këto banka kanë hyrë në fazën e procesit të privatizimit. E rëndësishme është që këto banka të mos humbin vlerën e tyre deri në fazën e privatizimit. Prandaj në këtë mënyrë, krijohet një paketë që të shtrëngojë aktivitete financiare dhe jo vetëm të mos krijojë humbjen e tyre, por përkundrazi të përmirësojë gjendjen financiare të tyre deri në privatizim. Kjo duhet shprehur, jo që bankat të frenojnë aktivitetin e tyre, por duhet të frenojnë aktivitete me risk.
A do ruajë aksione shteti në këto banka?
Unë nuk mund të flas në emër të shtetit sepse unë nuk jam pronar i këtyre bankave. Pronari është ministria e financës. Megjithatë, po të shikosh strategjinë e privatizimit të bankave, aty thuhet në mënyrë të qartë, që qeveria është e interesuar për një sistem bankar efektiv dhe brenda vitit 2000, këto banka të kalojnë plotësisht në duart e sektorit privat. Ndërsa për sa i përket investitorëve strategjike, janë punuar me kompani te huaja të cilat kanë bërë këto auditime ose këto kontrolle dhe njëkohësisht një fazë të parë të vlerësimit diagnostik. Është hartuar një listë. Ka investitorë të mundshëm strategjikë, megjithatë është tregu ai që do të vendosë.
Që prej 2-3 vjetësh në Shqipëri, në sistemin bankar shqiptar operojnë dhe banka të ardhura nga vendet e tjera. Duke qenë guvernator i bankës së nivelit të parë, a jeni të kënaqur me këto banka të nivelit të dytë?
Është e vërtetë. Ne kemi dhënë licenca për disa banka, qoftë me kapital të përbashkët, qoftë edhe plotësisht të huaja. Në dhënien e licencave për banka, ne kemi një politikë të caktuar. Politika nuk sheh aspak nëse ne jemi të orientuar ndaj bankave të huaja apo ndaj bankave te vendit. Ne jemi të interesuar vetëm për një gjë fare të thjeshtë, që është një sistem bankar efektiv dhe i shëndoshë. Dhe kjo në rastin konkret do të përkthehet kështu: Në hyrjen e bankave të reja nga jashtë, ne jemi të interesuar në radhë të parë për bankat e inkorporuara në Shqipëri. Pra jemi me tepër të interesuar për banka që vendosen të reja këtu, pavarësisht se mund të jenë 100 për qind kapital i një banke tjetër jashtë vendit. Kjo për një arsye të thjeshtë. Një bankë e inkorporuar nuk do ta investojë vetëm në shërbim dhe në dijeni dhe njohuri, por do e investojë dhe në kapitale. Ndërsa parim tjetër që ne kemi pasur parasysh është që ne të ofrojmë në tregun financiar shqiptar jo vetëm investitorë, banka që do të investojnë kapitale, por do të investojnë dhe në njohuri, shërbim bankar, në teknikat e reja bankare dhe do të ndihmojnë në rritjen e konkurrencës. Në këtë drejtim, qoftë bankat kombëtare greke, që ne sapo i dhamë një licencë, qoftë banka Tirana nëpërmjet bankës Pierut, projektet e tjera që ne kemi me Bankën Europiane për rindërtim dhe zhvillim, Banka italo-shqiptare me pjesëmarrjen e Bankës së Romës, apo Kredit Anshtardi gjerman që është një bankë e klasit 3A. Domethënë e një niveli të parë në botë. Unë do të thosha që këto janë disa projekte efektive. Megjithatë eksperienca bankare tregon që një bankë nuk mund të fillojë që në vitet e saj të para një aktivitet të plotë. Eksperienca ka treguar, që ato banka që kanë filluar shumë shpejt aktivitetet e tyre të kreditit pa studiuar tregjet, pa studiuar bazën ligjore, pa u plotësuar faza ligjore, pa pasur një qëndrim dhe kuptim më të mirë edhe të publikut ndaj bankave, ka rezultuar shumë shpejt në gjendje financiare të vështirë.
Është folur shumë në shtyp, që disa kompani shqiptare kanë kërkuar të licencohen për të hapur bankë private. A e kanë plotësuar dokumentacionin dhe nëse është e mundur, t’i bëni publike emrat e këtyre kompanive?
Në pozicionin që jam, unë nuk mund të bëj publike se kush bën kërkesë për licencë për të marrë një bankë dhe e merr apo jo. Këto janë disa çështje që janë shumë fondamentale për një bankë qendrore. Megjithatë unë doja të bëja një sqarim. Shpeshherë thuhet se dikush është duke marrë licencën, dikush sapo përgatitet, janë në hapat e fundit, e kështu me radhë. Ne deri më sot, kërkesë serioze për hapjen e një banke, praktikisht kemi pasur vetëm një. Ndonëse në treg mund të çohen shumë zëra, që shumë njerëz janë duke pritur marrjen e një licence kemi pasur dhe një tjetër të dytë, kërkesë për hapjen e një banke, por thjesht kjo ka qenë një shkresë. Dhe megjithë impenjimin tonë që të vijnë të marrin kontaktet, rregulloret, të marrin pasqyra, këto kompani nuk janë dukur më.
Këto kompani private në njëfarë mase, operojnë me shumë elementë bankare. A ishte e ligjshme! A është me risk? A është e sigurt?
Është e vërtetë. Grumbullojnë me përqindje shumë të lartë dhe të pakuptueshme. Hapi i ndërmarrë nga Parlamenti shqiptar më duket një hap shumë pozitiv në këtë drejtim. Ajo që do të vlerësoja është transparenca. Transparenca në sisteme financiare është domosdoshmëria e parë. E para, është e domosdoshme për një fakt të drejtë. Mbron dhe kërkon të mbrojë depozitat dhe kursimet e individëve. Pra në këtë drejtim transparenca ishte një çështje fondamentale. Nuk mund të kemi zhvillim të tregut financiar në mënyrë normale, në qoftë se nuk kemi transparencë. Prandaj vendimi i marrë nga Parlamenti është një vendim i drejtë dhe ndoshta duhej marrë dhe më parë.
A ka risk për qytetarët të humbasin depozitat e tyre?
Në qoftë se nuk ka transparencë, patjetër që mund të ketë risk.
Sa ka ndikuar fajdeja në të dhënat makroekonomike të vendit?
Efektet në situatën makroekonomike janë dhe mund të ketë për arsye se ajo e bën paranë disa herë me të shtrenjtë. Dhe ndoshta disa herë me të shtrenjtë se ajo duhet të jetë realisht. Duke qenë më e shtrenjtë se sa duhet të jetë realisht, ajo krijon shqetësime në ekonominë reale.
Dollari në ndryshim nga tregjet e tjera valutore, në Shqipëri pësoi një rënie. Mendoni se është efekti i fajdesë?
Këtë nuk mund ta them sepse dollari pëson një zhvlerësim në fillim të këtij viti. Kuptohet ndikimet ishin të ndryshme. Në radhë të parë kishte një ndikim deficiti në fillim të këtij viti, kishim ndikime nga deficiti buxhetor. Kishim gjithashtu ndikime të zhvillimit në tregjet ndërkombëtare e kështu me radhë. Pastaj liberalizimi i çmimit të bukës, i cili solli një ngritje në nivelin e inflacionit.
Bëhet fjalë për zhvlerësimin të dollarit në tregun valutor të Tiranës gjatë muajit të fundit …
Futja e tatimit të vlerës së shtuar, përsëri krijon një inflacion. Në këtë mënyrë patëm një zhvlerësim gjatë fillimit të këtij viti dhe gjatë periudhës shtator – tetor patëm një vlerësim të lekut. Nëse deficiti buxhetor gjatë periudhës janar – qershor ka qenë i niveleve 18 miliardë lekë, pra në nivele të larta. Gjatë periudhës së dytë të këtij viti, ajo ka qenë shumë herë më e kufizuar. Pra kemi në njëfarë mënyre dhe rënie. Kjo i dedikohet kryesisht dhe futjes së tatimit të vlerës së shtuar. Të ardhurat gjatë 3-4 muajve të gjashtëmujorit të dytë janë aq sa të ardhurat e gjashtëmujorit të parë të vitit 1996 në buxhetin e shtetit. Kuptohet duke rritur çmimin e parasë bëhet më e kërkuar, pra duke rritur vlerën më tej sa është. Pra bëhet më e kërkuar dhe duke u bërë më e kërkuar, kjo rrit kërkesën për monedhën kombëtare.
Fondacionet që grumbullojnë para me përqindje, a i kanë dëmtuar bankat e nivelit të dytë?
Varet se si e shikon. Kjo dëmton konkurrencën. Në qoftë se dëmtohet konkurrenca e ndershme, konkurrenca e pastër, kjo nuk krijon transparencë. Kjo krijon shqetësime dhe për tregun financiar.
Paratë e grumbulluara nga fajdeja, shkojnë në llogaritë bankare të këtyre fondacioneve dhe kompanive?
Këto janë probleme të brendshme. Janë probleme te reputacionit të çdo banke, të ruajtjes së sekretit të çdo banke. Janë probleme që ne nuk ndërhyjmë në detaje të këtyre bankave.
Në bankat perëndimore për të depozituar të paktën një shumë mbi 10 mijë dollarë duhet ta shoqërosh me një dokument, ku vërtetohet burimi nga kanë ardhur këto para. Përse nuk zbatohet kjo në bankat shqiptare?
Është e vërtetë. Ajo që ne e kemi bërë, është një sistem i tillë që në një farë mënyre të kontrollojë marrjen e të ardhurave. Dhe kjo është për qëllime të ruajtjes së evazionit fiskal. Por këto janë probleme fiskale, që nuk i ndjek institucioni ynë. Megjithatë, institucioni ynë ka ndërmarrë disa masa në këtë drejtim. Që në fillim të vitit, ne kemi hartuar një projektligj të cilin e kemi dërguar pavarësisht se nuk kemi iniciativë ligjvënëse.
Aktualisht në bankat shqiptare të nivelit të dytë, ligjërisht mund të hyjë çdo lloj paraje?
Ligjërisht dikush që ka nevojë të depozitojë para, do të depozitojë në bankë.
Kur dalin nga banka, paratë quhen te pastra?
Në ligjin për sistemin bankar, ne kemi vënë një artikull, ka një kapitull i cili flet mbi pastrimin e parave, ku bankat e nivelit të dytë duhet të organizojnë punën e tyre, që në çdo rast kur kanë transaksione, jo vetëm thjesht derdhje në formë kesh. Pastrim parash mund të bëhet dhe pa lëvizur fare para nga banka. Merren ca para dhe blihen 10 ha tokë. Edhe ky është pastrim parash, ose blihet një makinë e bukur, ose një vilë. Edhe ky është pastrim parash. Pra ne kemi vënë në bazën ligjore me iniciativën tonë, një set nenesh ku tregohet që bankat duhen gjithmonë për transaksionet, ku ato dyshojnë se janë para që rrjedhin nga një aktivitet i jashtëligjshëm, duhet të vihen në dijeni autoritetet përkatëse dhe kjo është miratuar nga parlamenti në mars të vitit 1996. Përsëri në mars të ’96, me iniciativën e Bankës Qendrore kemi përgatitur një projektligj, kundër pastrimit të parasë të cilin e kemi bazuar dhe në eksperiencën ndërkombëtare dhe norma e Bashkimit Europian. Unë mendoj që ky ligj gjithashtu do ta plotësojë edhe më tepër aspektin ligjor në këtë drejtim, për t’i prerë rrugën çdo mundësie, qoftë edhe pastrimit të parave nga aktivitetet e jashtëligjshme.
Paratë kur dalin nga banka quhen të pastra?
Paratë që dalin nga një bankë e nivelit të dytë, janë para që dalin nga një bankë e nivelit të dytë për një qëllim të caktuar. Ato mund të dalin qoftë nëpërmjet një kredie, qoftë nëpërmjet një tërheqje depozite nga banka.
Megjithatë, është rreziku për t’u futur para të pista në këto banka?
Rreziku është. Unë e thashë dhe më parë, ne jemi munduar me aq sa na takon si Bankë Qendrore. Por që me ligjin e sistemit bankar, bankat të jenë të detyruara të investigohen. Në rast se ato kanë një dyshim se kanë të bëjnë me një transaksion nga një aktivitet i jashtëligjshëm, ato duhet të njoftojnë autoritetet përkatëse. Ndërkohë kemi përgatitur një projektligj siç e kanë të gjitha vendet.
A keni njoftuar për ndonjë rast autoritetet përkatëse?
E thashë. Janë bankat e nivelit të dytë. Ky ligj që ne kemi bërë, nuk ngarkon Bankën Qendrore. Banka Qendrore nuk është polic. Banka Qendrore është një institucion dhe autoriteti monetar i vendit. Detyra kryesore e saj është shuarja e inflacionit. Pra duhet të jenë bankat në radhë të parë që mbrojnë reputacionet e tyre. Duhet të jetë Ministria e Financave, Tatimeve e Taksave.
Intervistoi : Ilir Babaramo