Intervistë ekskluzive e Dritëro Agollit dhënë gazetarit Pandi Gjata për gazetën KOHA JONE: “Shqiptarët janë si bari, e korr, por nuk zhduket”

(Botuar me 30 mars 1999 në KOHA JONE)

-Intervistë ekskluzive e Dritëro Agollit dhënë gazetarit Pandi Gjata për gazetën KOHA JONE: “Shqiptarët janë si bari, e korr, por nuk zhduket”- 

  1. Agolli si i shikoni zhvillimet më të fundit në Kosovë pas ndërhyrjes së NATO-s?

Gjendja në Kosovë është dramatike dhe tragjike. Serbët po përdorin tri armë për shfarosjen e popullit shqiptar. Armën e zjarrit, që djeg gjithçka. Ky zjarr nuk del prej drurit, por nga trupa njerëzish. Arma e dytë është e hekurit, e plumbit, e predhave e dinamitit, e cila vret njerëz në masë pa numëruar, se ç’është ky, e qysh. Mjafton që të jetë shqiptar e të vritet nga ky hekur. Arma e tretë është e hurit, e përzënies së shqiptarëve nga toka e tyre. Kjo armë është nga më çnjerëzoret dhe ka qenë e planifikuar që më përpara. Nuk doli nga kjo luftë spontanisht. Ajo ka qenë ëndërr e serbëve, e historianëve çnjerëzorë të Serbisë, e politikanëve, e intelektualëve të këqij, që të spastronin etnikisht atë pjesë të Shqipërisë. Nuk ka gjë më të poshtër sesa ta përdorësh pastrimin etnik si armë.

Por serbët këtë armë e kanë mbajtur gati prej kohësh dhe tani kur erdhi dita ata e nxorën dhe e shkrehën. Kështu që duke parë gjendjen kaq të llahtarshme të vëllezërve tanë, ne nuk mund të mos ndiejmë dhimbje shumë të fortë. Por unë mendoj se ndiejmë edhe një krenari për një pjesë tjetër të njerëzve që mbeten atje, për luftëtarët heroikë që luftojnë me vetëmohim për lirinë e Kosovës. Krenari për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe për popullin e thjeshtë që bashkohet me UÇK-në. Në një mënyrë ose në një tjetër është pranë UÇK-së. Nga gjithë kjo kasaphanë në Kosovë, unë jam i sigurt se radhët UÇK-së do të shtohen më shumë. Djemtë e Kosovës e kanë trashëgimi këtë që nga kohët e lashta. Ata bashkohen dita ditës me UÇK-në dhe unë besoj se ata do t’i japin një përgjigje të merituar serbit. Kjo që po bëhet në Kosovë nuk është bërë as edhe nga fashizmi në Shqipëri. Kjo që po bëjnë serbët është inkuizicion si në mesjetë, bile do të thoja më shumë se inkuizicion.

Pas dy operacioneve që ka ndërmarrë NATO, masakrat janë shtuar. Ç’duhet të bëjë ajo së fundmi?

NATO di të orientohet në situata të tilla. Ajo duhet ta ketë parashikuar edhe një formë tjetër të luftës kundër nazistëve serbë. Tani ajo po spastron terrenin për të qenë e sigurt më vonë për të dërguar këmbësorinë për ta shkelur vendin tamam. Sepse po nuk hyri këmbësoria nuk mund të quhet një vend i çliruar. Mua ma merr mendja që pas të gjitha këtyre duhet të ndërhyjë edhe me këmbësorë. Por kjo që po bën Milosheviçi është një destabilizim për krejt Ballkanin. Është një luftë fizike dhe psikologjike. Fut ankthin në gjithë Ballkanin e Evropën me këtë spastrim të tillë që ne zakonisht i themi lëvizje biblike e popullsisë. Duke patur këtë lëvizje të tillë NATO dhe SHBA, qeveritë e të gjitha vendeve që kanë pak mend e kuptojnë që nuk është një destabilizim vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin dhe Evropën.

Si e shikoni pozicionin e Shqipërisë në këto momente dhe ç’duhet të bëjnë shqiptarët? Duhet të jenë një pasqyrë si të thuash e serbëve, me protesta kudo në Evropë apo duhet gjejnë rrugë tjetër?

Qeveria shqiptare është më aktive se kurrë ndonjëherë për çështjen e Kosovës. Ajo duhet përkrahur jo vetëm nga forcat politike, por nga të gjithë njerëzit në mënyrë që qeveria të mos mbetet vetëm në ketë luftë. Për çdo rrezik, ajo është munduar që të mos e gjejë me krahë përpjetë. Serbët në anën tjetër po protestojnë. Por edhe për shqiptarët mendoj se një nga mënyrat është edhe kjo: të protestojmë, nuk duhet të heshtim, por jo të imitojmë serbët. Protestat tona duhet të jenë të logjikshme, kundër një armiku kryesor. Të mos i shfrytëzojmë mitingjet për qëllime politike. Të gjithë të jenë si një lumë që bashkohet nga përrenj të ndryshëm. Të gjitha partitë të jenë një e vetme. Sa është kjo luftë në Kosovë të kemi një parti të vetme dhe të mos themi ti je më patriot se unë e të tjera si këto. Në këto mitingje të ngremë zërin se edhe ç’duhet të bëjmë, si t’i ndihmojmë vëllezërit tanë që po vijnë këtu. Kudo që janë shqiptarët të bëhen një, si një parti e vetme. Ka ikur koha e polemikave se ky qeveris mirë dhe ai qeveris keq. Jo të bëhen zgjedhje, jo të mos bëhen. Ne jemi të gjithë në luftë. Dhe në këtë moment nuk është koha për t’u kapardisur e për t’u veshur për një aksion tjetër. Në luftë s’ka debat. Ose të luftojmë ose të ngremë krahët edhe të ikim.

  1. Agolli, a mendoni se me këtë luftë e cila ka një çmim shumë të shtrenjtë, shqiptarët do i japin fund tragjedisë së tyre ndër shekuj?

Shqiptarët në këtë luftë nuk do të humbin. Shqiptarët janë si bari. E korr, por ai nuk zhduket. Dhe kur e korr, aq më shumë rritet. Kjo vërtet është një tragjedi dhe një dhimbje e madhe, por kjo do të japë frytet e saj. Është si dhimbja që do të lindë patjetër diçka. Edhe trëndafili kur del, del me dhimbje. Kjo nuk duhet të ndodhte, por meqë ndodhi, unë mendoj që shqiptarët do të fitojnë dhe me këtë do t’ia mbushin edhe mendjen botës. Deri tani Evropa ka vajtur me taktikën e vjetër të saj, të vitin 1913 e më të kahershëm. Kujton se po ajo periudhë është, dhe propagandën e bënte me po ato ligje. Moslëvizje kufijsh, të jemi vëllezër, të ngremë institucionet demokratike që edhe serbët të bëhen demokratë, edhe ne të bëhemi. Bile edhe zërat tanë këtu, shpeshherë edhe në shtyp, kanë thënë mjaft më me nacionalizma. Nacionalizmi është një gjë e vjetruar, tashti ne na duhet të bëjmë një politikë tjetër, më evropiane, më kozmopolite, të ashtuquajtur moderne e të tjera si këto.

Por ja si doli! Në qoftë se ti do që t’ia arrish kësaj, duhet të jetë një pasion modern, duhet të zgjidhësh njëherë çështjen kombëtare. Ja si ndodhi me çështjen kombëtare. Çështja kombëtare nuk lidhet me kozmopolitizmat moderne.

E ja si ndodhi! Moderne do ta quash këtë? Tani që ndodhi kjo, e mëson edhe Evropën, që politikën ndaj shqiptarëve të mos e bëjë të vjetruar. Se ja si i doli serbi. Shpresat e saj se serbi do të verë mend u bënë shkrumb e hi. Prandaj duke parë vetë Evropa dhe të gjithë organizmat ndërkombëtarë do të vijnë në mendje dhe do të thonë: dale se politikën ndaj çështjes shqiptare duhet ta bëjmë ndryshe dhe për këtë arsye mendoj se do të fitojnë shqiptarët. Sepse edhe vetë Evropa do të mbushë mendjen. Po kjo mendje do i vijë duke u mbushur vetëm duke luftuar atje.

Duke patur parasysh gjendjen në Kosovë, si e shikoni pozicionin e Shqipërisë. A do të përfshihet ajo në luftë?

Mendoj se Shqipëria nuk mund të përfshihet në luftë. Nuk e bën atë hap serbi. Po e hapi këtë oreks kaq të shumtë, atëherë krejtësisht do të dështojë. Me qëndrimin ndaj kosovarëve ai është diskretituar plotësisht, por po e filloi edhe ndaj Shqipërisë këtej Drinit, nuk është aq e lehtë. Shqiptarët duken kështu të dobët ekonomikisht, por ata do të dinë t’i përgjigjen me një inat tepër të tërbuar këtij agresioni të serbëve. Ata mund të kenë më shumë raketa, aeroplanë, por në këto male thyejnë kokën aeroplanët serbë. Sepse nuk janë fushat e Rusisë këto! Por nëse merr një agresion ndaj Shqipërisë do t’i ngrihet tërë Ballkani, tërë Evropa. Shtrëngimi i NATO-s do të jetë edhe më i madh. Por edhe të gjitha vendeve të Ballkanit u vete lufta në prag, pasi të gjitha kanë pakica shqiptarësh. Maqedonia gjysmën e ka shqiptarë.

Si do të bëjnë ata nëse do të vijë lufta këtu? Do të rrinë ata pa luftuar? Ç’do të bëjnë pastaj maqedonasist dhe kështu ndizet e merr zjarr vetë Maqedonia. Po ashtu edhe në vende të tjera ku ka shqiptarë. Pra Milosheviçi e ka të vështirë të bëjë një luftë ndaj Shqipërisë, pasi do të gjendet akoma edhe më vështirë ndaj vendeve të tjera në Ballkan, por edhe ndaj NATO-s. NATO nuk e le që të shijë përsëri Milosheviçi e të ndezë një luftë tjetër botërore. NATO do i presë thonjtë pa i zgjatur. Çdo shqiptar kudo që punon dhe kudo që është, ta ndiejë veten ushtar. Nuk ka rëndësi se ka uniformë ose jo. Uniformën ta ketë në shpirt e ta ndiejë veten jo si tre-katër vjet më parë. Shqiptari duhet ta ndiejë veten si një ushtar, që të dijë të përballojë një situatë të vështirë. Por së pari, të gjithë ne të ndajmë kafshoren e bukës me vëllezërit e Kosovës. Çdo shqiptar të mos i lërë të ardhurit nga Kosova në rrugë, por çdo shtëpi duhet të marrë sipas mundësive që ka. Bleta gjatë verës mbledh mjaltin. Ajo punon dhe i ka të caktuara në ato hojet e saj ata që do shërbejnë, ata që do të mbledhin nektarin, ata që do bëjnë roje. Bleta e ka organizuar jetën. Por kur vjen dimri, mblidhet shuk, si një rruzull dhe rri. E jo vetëm që ushqehen me mjaltin që kanë mbledhur, por mbajnë ngrohtë njëra-tjetrën. Edhe kështu shqiptarët, që kanë para një dimër të madh politik, duhet të mblidhen si bleta në hojet e saj. Të gjithë të ndihmojmë vëllezërit tanë kosovarë me atë që kanë. Serbi që i shpërngul ata nga Kosova ka shpresën se ata do të vdesin rrugëve, do të zhduken. Ndërsa ne duhet ta ringjallim, ta bëjmë më të fortë. Dhe unë mendoj se këta që vijnë këtu ,do të shërbejnë edhe për bashkimin e shqiptarëve në një trup të vetëm. Do të njohin njëri-tjetrin dhe do të bashkohen, do bëhen një, si bletët.

Lajmet që vijnë, flasin se janë ekzekutuar disa prej figurave më të shquara të jetës politike dhe kulturore në Kosovë. Të kërcënuar janë dhe gjithë të tjerët. Mendoni se ky është një prej qëllimeve të fundit të serbëve, të zhdukë trurin e kombit?

Në fazën e parë të luftës serbët vrisnin në masë njerëz të thjeshtë. Vrisnin luftëtarë por edhe njerëz të shquar dhe që ishin direkt të lidhur me luftën. Në Prishtinë nuk kishin bërë një sulm të tillë me intelektualët. Mësojmë se kanë vrarë Fehmi Aganin. Thonë Idriz Ajetin, Din Mehmetin, por nuk e di me saktësi. Me këtë sipërmarrje nga më gjakataret, ata duan që t’ia heqin trurin masës, ta lenë pa intelektualë dhe qëllimin e tyre të kahershëm kështu e kanë patur. Të zhdukin njerëz të shquar të Shqipërisë të atjeshme, të përtej Drinit. Ky plan siç e thashë edhe në fillim ishte i paracaktuar, që do të bëjmë këtë luftë, do të vrasim njerëz në masë dhe pastaj do t’i kthehen trurit të masës, motorit, lokomotivës. Dhe serbët prandaj e bënë këtë hap. Ne na dhimbsen shumë. I njihja mirë të gjithë këta që kanë patur një fat të tillë dhe me një dhimbje të madhe po flas. Serbët këtë qëllim kanë: të luftojnë është punë frike që këta intelektualë të shpëtojnë veten. Humbja e tyre është për të gjithë kombin. Intelektualët këtu, por edhe në të gjithë botën duhet të protestojnë me të madhe se po vriten kolegët.

A mendoni se kjo luftë do i verë kapakun gjithçkaje dhe njëkohësisht do të jetë një rrugë që do i bashkojë më në fund?

Shqiptarët, por edhe partitë, intelektualët duhet të mendojnë shumë për grindjen tradicionale që kanë patur. Partitë, individë të veçantë, media ma merr mendja se nuk do të ndezin sherre që të përfitojnë nga kjo luftë që bëhet e të tregojë se cili atë patrioztizmin e tij. Në qoftë se shqiptarët nuk venë mend edhe nga kjo luftë, që është lufta më e madhe pas Luftës së Dytë Botërore (për Shqipërinë është lufta e tretë Botërore dhe më e egër), atëherë do të dështojnë ashtu si edhe ata që nuk vunë mend në Luftën e Dytë Botërore. Dhe tani ankohen se pse ne humbëm dhe fituan të tjerët.

Duke patur eksperiencën e Luftës së Dytë Botërore duhet të dimë të vëmë mend sepse do të humbim siç humbëm atëherë. Dhe të mos ankohen se ne humbëm dhe këta na drejtuan. Fajin e kishin vetë sepse nuk luftuan. Ata i hodhën armët dhe filluan me grindjet dhe ikën. Në këtë luftë duhet të venë mend që të gjitha partitë dhe gjithë individët të kenë një synim: se si ta përballojmë këtë luftë. Vetëm atëherë do të fitojnë shqiptarët. Ata duhet ta dinë se Serbi bën një luftë të pamëshirshme për të mbrojtur atë copëz perandorie që i ka mbetur. Lufton për jetë a vdekje, sepse ikja e Kosovës siç i ikën të tjerat (atij do i ikë Mali i Zi, Vojvodina), sepse kjo është vetë humbja e serbëve. Të gjithë do e kuptojnë se çfarë po bën serbi. Dje e bëri me Bosnjën, sot me Kosovën, nesër do e bërë me këta. Pra të gjithë duhet ta shohin problemin shqiptar edhe si të tyrin, nëse nuk e shohin, atëherë neve do të na zgjatin dorën për ti marrë si refugjatë, nëse nuk vënë mend nga kjo luftë. Aq më tepër ne shqiptarët jemi të parët që duhet të vëmë mend nga kjo luftë. T’i lemë të gjitha të tjerat. Partitë janë për marrjen e pushtetit. Këtë pasion ta lemë. Të fitojmë push tetin e çështjes shqiptare. E nëse jemi në këtë rrugë së afërmi, pas mbarimit të kësaj lufte, ne do të civilizohemi për ta bërë edhe luftën politike më të ndershme.

Ky është universitet, universitet tragjik. Por edhe nga e liga, njeriu mëson. Ja se ku na shpunë. Se kjo është pasojë edhe e grindjeve. Një thërrmizë e gjeti serbi apo jo. Nuk vëmë mend ne dhe na ndodhi kjo gjë. NATO është prekur edhe në sedër se Milosheviçi nuk dëgjon. Çdo shtet ka edhe sedrën e tij. Edhe thotë: mo, po çu bë ky Milosheviçi? Edhe kot i themi ne Sadam Huseini. Ai s’është Sadam. Ç’bëri Sadam Huseini? Ai s’bëri ndonjë gjenocid. Ky është një ofendim që ne ta quajmë Milosheviçin, Sadam Husein. Ai është më i keq se Hitleri. Bile edhe Hitleri do të thotë se unë s’kam bërë kaq shumë sa ç’ka bërë Milosheviçi, Atij s’mund t’i bëhet krahasim me ndonjë diktator.

Përgatiti: Pandi Gjata

SHKARKO APP