Intervistë ekskluzive e Presidentit turk Sulejman Demirel, dhënë Enton Abilekaj për gazetën “Koha Jonë” nga zyra e Presidencës në Ankara

(Botuar me 12 korrik 1998 në KOHA JONE)

Intervistë ekskluzive e Presidentit turk Sulejman Demirel, dhënë Enton Abilekaj për gazetën “Koha Jonë” nga zyra e Presidencës në Ankara

Pasnesër do të vijë në Shqipëri, për t’ua thënë të gjitha drejtpërdrejt politikanëve shqiptarë, Presidenti i Turqisë, Sulejman Demirel. Edhe ai mendon se nuk duhet të ketë ndryshim kufijsh në Kosovë dhe insiston në autonomi plus ose maksimumin e mundshëm brenda kufijve të ish-Jugosllavisë. Kështu është kompletuar i gjithë komuniteti ndërkombëtar kundër Pavarësisë së Kosovës, gjë që Demirel e thotë qartë në intervistën e tij të dhënë drejtpërdrejt për “Koha Jonë”, nga zyra presidenciale ku ai punon. Për 30 minuta ai priti gazetarët shqiptarë dhe iu përgjigj pyetjeve me shkrim dhe me gojë për një kohë të gjatë.

Demirel konfirmoi se Turqia është tashmë një faktor shumë i rëndësishëm në Ballkan. “Por ne nuk duam të drejtojmë Ballkanin”, tha Presidenti turk, mjaft i dashur me shqiptarët. “Tragjedinë e Kosovës e paralajmëruam, por ramë në vesh të shurdhët”, tha ai për “Koha Jonë”, duke fajësuar kështu Perëndimin. Për Presidentin turk, Bashkimi Europian e ka humbur efektivitetin për momentin duke kërkuar një vizion të përbashkët në politikën e jashtme. Demirel nuk thotë më tepër, por kjo ndoshta shpjegon pasivitetin e dukshëm në disa raste nga evropianoperëndimorët në zgjidhjet për Ballkanin.

Sidoqoftë Turqia vazhdon të mbetet një nga vendet që ka më shumë afeksion për Shqipërinë. Ndoshta edhe nga fakti që atje jetojnë më shumë se 4 milionë turq me origjinë shqiptare. Njëri prej tyre ruante Presidentin Demirel dhe nxitoi menjëherë të fliste shqip me gazetarët shqiptarë. Ishte nga Kosova dhe familja e tij kishte shkuar në Turqi në vitin 1912, por ai nuk e kishte harruar gjuhën për të treguar historinë e tij dhe nuk e kishte harruar gjakun për të takuar bashkëkombësit. Demireli buzëqeshi i kënaqur kur iu përmend në intervistë ky fakt dhe theksoi se jo vetëm turqit me origjinë shqiptare, por edhe turqit autoktonë kanë një zemër që u kullon gjak për Shqipërinë. “Turqia do të duartrokiste Pavarësinë e Kosovës, nëse kjo arrihej me një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Demirel dhe ky ishte maksimumi që ka thënë ndonjëherë ndonjë lider i një vendi të NATO-s. Ky që e tha është Demirel, politikani 74-vjeçar.

Historia politike e Presidentit turk është një karrierë e shkëlqyer që u ndërpre nga puçi ushtarak i 12 shtatorit 1980. Diktatura e ndaloi për 10 vjet të bënte jetë politike, ndërkohë që deri në atë kohë ishte një politikan mjaft i suksesshëm, në krye të Partisë së Drejtësisë. Në krye të kësaj partie ai u zgjodh në 28 nëntor 1964, 27 ditë pas festës së 40-vjetorit të lindjes. Në shkurt të ‘65 menjëherë ai lehtësoi krijimin e formacionit të koalicionit qeveritar dhe u bë Zëvendëskryeministër deri në tetor të atij viti. Në 10 tetor Turqia nuk kishte më nevojë për koalicion, pasi Partia e Drejtësisë e udhëhequr nga Demirel fitoi vetëm 53 për qind të votave dhe e krijoi vetë Qeverinë duke zgjedhur në krye të saj kryetarin e partisë. Demirel fitoi edhe një herë zgjedhjet por për herë të dytë ndenji Kryeministër vetëm për dy vjet pasi dha dorëheqjen pas Memorandumit Ushtarak të 12 marsit 1971. Gjatë ’71 – ’80 ai u bë Kryeministër tre herë të tjera dhe në vitin 1980 ishte grushti i Shtetit. Por Demirel nuk mund të rrinte 10 vjet larg politikës. Në vitin ’86 ai lançoi një fushatë kombëtare për heqjen e ndalimit dhe inicioi një referendum për këtë. Pa dyshim që do të fitonte me referendumin dhe në shtator ’87 ishte sërish në politikë, por në partinë Shtegu i së Vërtetës. Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 20 tetorit ’91 u ribë Kryeministër i Qeverisë së koalicionit me socialdemokratët. Pas vdekjes së Presidentit të atëhershëm turk, Turgut Ozal, ai u zgjodh në maj 1993 Presidenti i nëntë i vendit euroaziatik të Ballkanit. Deri në maj të vitit 2000, ai do të jetë Presidenti turk, ndërsa është politikani që ka qenë për një kohë shumë të gjatë Kryeministër dhe më shumë se ai në Turqi ka ndenjur vetëm Ismet Inonu, kryeministri që erdhi pas vdekjes së Ataturkut të madh. Por Demirel mban ende rekordin e kryeministrit më të ri turk.

Ky politikan i një karriere kaq të gjatë dhe të suksesshme demonstron maturi në qëndrimet politike. Me gjithë pyetjet agresive asnjëherë nuk tregoi mungesë koherence në qëndrimet e veta, duke demonstruar hapur qëndrimet turke brenda kornizës Euroatlantike. Ai tregoi se ka qenë vetë autor i thirrjes së Shqipërisë në Konferencën e Detit të Zi. “Unë e ftova Shqipërinë, se vërtetë nuk i përkiste kësaj Konference, por do të bëhet e tillë kur të përfundojë Korridori 8. Në fund të intervistës ai u çua në këmbë për përcjellje dhe duke buzëqeshur vërejti se nuk ka asnjë vend më pranë Shqipërisë së Turqia. Kjo ishte edhe një pyetje që mori përgjigje pozitive nga gazetarët shqiptarë. Nuk dihet se çfarë përgjigje do të marrë të martën nga politikanët shqiptarë.

Zoti President a do të jetë Turqia më aktive tani në politikën ndaj Kosovës se dikur në luftën në Bosnje?

Turqia ishte një nga vendet më aktive gjatë agresionit genocidist në Bosnje. Ne kemi mbështetur aktivisht popullin trim të Bosnjës në luftën e tyre të drejtë për mbijetesë, demokraci dhe supermacinë e ligjit. Ne patëm një rol udhëheqës në përpjekjen ndërkombëtare për t’i dhënë fund këtij episodi tragjik të historisë moderne Evropiane. Prioriteti ynë ishte t’i jepnim fund gjakderdhjes. Marrëveshja e Paqes në Dejton ishte e suksesshme në këtë vështrim. Tani, një tragjedi e ngjashme është duke përfshirë Kosovën. Në fakt, Turqia ka paralajmëruar në mënyrë konstante Komunitetin Ndërkombëtar për rreziqet e një konflikti potencial në Kosovë. Ashtu siç ndodhi me rastin e Bosnjës paralajmërimet tona kanë rënë në vesh të shurdhët. Dhe, një fushatë e përgjakshme e pastrimit etnik ka filluar përsëri. Pikërisht që nga fillimi ne kemi vënë në dispozicion përpjekjet tona më të mira për të ndaluar dhunën. Diplomacia turke ka përdorur të gjitha mënyrat si në nivele dypalëshe ashtu edhe në nivele shumëpalëshe. Qëllimet tona kanë qenë të eliminojmë riaktualizimin e krimeve kundër njerëzit dhe gjithashtu të mbështesim statusin e autonomisë së zgjeruar të Kosovës, i cili do të mbrojë të drejtat njerëzore dhe qytetare të të gjithë banorëve të Kosovën, të çfarëdo origjine.

A e mbështet Turqia qëndrimin e SHBA për një aksion të njëanshëm në Kosovë nëse është e nevojshme?

Kjo situatë në Kosovë zotëron një trajtim të paqes dhe sigurimit ndërkombëtar. Si një fuqi rajonale, Turqia përpiqet të mobilizojë Komunitetin Ndërkombëtar për të ndarë efektivisht me të këtë problem. Ne jemi gati të jemi pjesë e ndonjë misioni që do të ketë mandatin e Komunitetit Ndërkombëtar.

Më falni zoti President, por duket se e evitoni përgjigjen e pyetjes. Unë ju pyes nëse SHBA ndërhyn në mënyrë të njëanshme dhe pa mandatin e komunitetit ndërkombëtar, a do ta mbështesni?

Ne jemi pjese e komunitetit ndërkombëtar. Dhe Turqia ka shumë probleme në pjesë të ndryshme të Botës, në Kaukaz, në Ballkan, në Irak dhe ne duhet të veprojmë në përputhje me komunitetin ndërkombëtar. Unë mendoj se ne duhet të mbrojmë drejtësinë.

Nëse Kosova fiton Pavarësinë, a mendoni se do të forcohet vetëm Shqipëria apo edhe Turqia?

Demokracia dhe rregulli i ligjit janë sine qua non e paqes dhe përmbajnë prosperitet. Megjithatë, ajo që ne dëshirojmë është, të krijojmë një atmosferë në rajonin tonë ku të paraprijë demokracia dhe rregulli i ligjit; ku njerëzit të jetojnë dhe punojnë së bashku të lirë nga frika.Kjo do të forcojë më shumë se kurrë jo vetëm Shqipërinë dhe Turqinë, por të gjitha vendet e rajonit.

Zoti President! A shihni ndonjë diferencë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë para se Nano të ishte Kryeministër dhe tani?

Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë plot me respekt dhe afinitet të dukshëm. Njerëzit tanë e konsiderojnë veten si vëllezër dhe motra. Nyjet që lidhin njerëzit tanë janë historia dhe kultura jonë e njëjtë dhe gjithashtu nga gjeografia. Kështu, ka miliona shtetas turq me origjinë shqiptare duke stabilizuar një tjetër urë midis dy vendeve tona. Megjithatë, marrëdhëniet tona janë, në radhë të parë dhe m ësë shumti, nga njerëzit te njerëzit, nga shtetit te shteti që tejkalojnë çdo gjë tjetër. Kjo është arsyeja pse ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Qeverinë Shqipërisë të drejtuar nga Kryeministri Nano. Unë e kam takuar atë personalisht në raste të ndryshme dhe kam patur shkëmbime shumë të frytshme. Për më tepër, Presidenti Meidani është një miku im shumë i mirë. Ne kemi patur në shumë raste tanimë produktive dhe të rëndësishme. Unë do të vazhdoj të punoj ngushtë me Presidentin Meidani të çojmë marrëdhëniet tona tashmë të shkëlqyera në nivele më të larta të solidaritetit dhe bashkëpunimit.

Zoti President çfarë mendoni për politikën europiane në rajonin e Ballkanit dhe veçanërisht në Kosovë? A mendoni se Ballkani është i ndarë në të preferuar nga SHBA dhe në të preferuar nga Europa?

Në qoftë se kuptoni me këtë pyetje politikën e Bashkimit Europian kundrejt rajonit, atëherë unë nuk mund të jem shumë vlerësues në vështrimin aktual. Për fat të keq, Bashkimi Europian është duke formuluar politikën e jashtme të përbashkët bazuar në emëruesin më të ulët të përbashkët. Kjo është një rrjedhim i mekanizmit të tij të bërjes e vendimeve. Një politikë e tillë e mekanizmit të bërjes e kufizon BE brenda limiteve të hallkës më të dobët të zinxhirit. Ata nuk mund të adoptojnë një vizion të vlefshëm për terrenin dhe kjo zhvlerëson rolin që BE mund të luajë në bërjen e një rendi të ri ndërkombëtar. Por, unë besoj që Europa do të tejkalojë këtë qark të shkurtër dhe do të adoptojë një vizion që e përmbush imazhin e saj. Kjo sfidë para nesh është e gjitha krijimi i një Europe, të pandarë, demokratike, të paqtë dhe përparuese. Ky është një qëllim që lidh me patjetër dy nyjet e Komunitetit Transatlantik së bashku në një vizion politik të konservuar. Kur ky vizion vjen në vlera të përbashkëta atëherë nuk ka ndarje por një linjë lidhjeje midis vendeve të Ballkanit mbi të njëjtën dorë; Europë dhe SHBA mbi tjetrën.

Zoti President, sipas jush, a ka ndonjë rol religjioni në luftërat e ish-Jugosllavisë?

Për fat të keq, është fakt që fushata e agresionit genocidist në Bosnje u lançua mbi një terren religjioz. Sidoqoftë, ne besojmë se nuk do të ketë më vend për ndonjë diskriminim në botën moderne. Ne duhet të vazhdojmë luftën tonë të pandalshme për krijimin e një arkitekture të re Europiane, të bazuar në solidaritetin demokracisë kushtetuese.

Zoti President! Ju jeni për një zgjidhje në Kosovë pa ndryshuar kufijtë?

Në kushtet e sotme ju nuk mund të gjeni ndokënd që mbron ndryshimin e kufijve të ndonjë vendi. Dhe në rastin e Kosovës nuk ka asnjë mbështetës të Pavarësisë së saj. Por nëse Jugosllavia dhe Kosova, pra Beogradi dhe Prishtina bien dakord për Pavarësinë e Kosovës ne e duartrokasim këtë; por nëse Kosova dëshiron të bëhet e Pavarur në kushtet e sotme nuk ka mbështetje në Komunitetin Ndërkombëtar. Mbrojtja e Kosovës është e nevojshme, por Komuniteti Ndërkombëtar nuk vjen për të mbështetur Pavarësinë e Kosovës. Në qoftë se ju kaloni në vende të tjera, nuk dua të jap shembuj, por në vende të tjera, komuniteti ndërkombëtar nëse do të mbështeste Pavarësinë e grupeve të ndryshme, kjo do të krijonte shumë probleme.

-Ndoshta mosndryshimi i kufijve ka të bëjë me idenë e rrëzimit të tyre për krijimin e një bote të hapur dhe të lirë. Por a mund të arrijë në këtë pikë Jugosllavia që është një vend akoma i mbyllur dhe a mund të bashkëjetojnë shqiptarët me këtë shtet serb?

Askush nuk po mbron Milosheviçin. Turqia, si një pjesë e Komunitetit Ndërkombëtar mbron njerëzit e pafajshëm, qytetarët e Kosovës dhe dëshiron që Komuniteti Ndërkombëtar të eliminojë torturën dhe gjenocidin që u bë në Bosnje-Hercegovinë.

ENTON ABILEKAJ,  Ankara

SHKARKO APP