Topalli: Oligarkët e pushtetit duan kontrollin e opozitës

(Botuar me 25 janar 2004)

Intervistë me nënkryetaren e Kuvendit dhe të PD-së, Jozefina Topalli

Si do ta përshkruanit situatën në të cilën ndodhet aktualisht vendi dhe brenda këtij kuadri, ç’rol po luan opozita shqiptare?

Sot në mëngjes kur hapa televizorin, lajmi i parë që dëgjova, kishte të bënte me djegien e dy fëmijëve në një kasolle. Pastaj lexova disa editoriale për këtë ngjarje dhe lidhjen që i bëhej me ngjarjen e Vlorës. Këto janë vetëm dy momente të një situate që është e vështirë ta përshkruash me fjalë. Në mënyrë të veçantë për kontrastin që vihet re në shoqërinë shqiptare: dy pole shumë larg njëri-tjetrit, njëri simbolik në numër, por shumë i fuqishëm nga ana financiare dhe monetare dhe pjesa tjetër që mund të përbëjë 95-98 për qind të shoqërisë që jetojnë në varfëri dhe mjerim. Mund të them se as në periudhën e diktaturës, njerëzit nuk rrezikonin të vdisnin, ishin të gjithë të varfër por nuk vihej në rrezik jeta e tyre.

Në këtë aspekt, nuk është aspak e lehtë për opozitën, e cila normalisht duhet të denoncojë këto probleme dhe të japë një alternativë të re kundrejt kësaj qeverisjeje të keqe. Kemi dhe një kundërthënie, që për hir të së vërtetës është vënë në dukje nga opinionistë dhe analistë shqiptarë: Me sa duket, amortizatorët socialë mungojnë fare në të gjitha politikat ekonomike dhe financiare të qeverisë socialiste. Ndërkohë që në bazë të filozofisë së të majtës, qëndron pikërisht futja në “lojë” e amortizatorëve të fuqishëm për të mos lënë një pjesë të njerëzve në mjerim dhe nga ana tjetër krijimin e një oligarkie, siç ka ndodhur realisht. Një koleg i imi po më thoshte që ne s’mund të vrapojmë më pas gënjeshtrave dhe unë i jap të drejtë. Duhet të bëhemi më realistë dhe ndoshta këtu ka qëndruar defekti ynë si opozitë, pasi nuk kemi arritur t’ua përcjellim në mënyrë bindëse shqiptarëve problemin e madh që ekziston. Për sa kohë që probleme elementare si mungesa e ujit, dritave, papunësia nuk janë zgjidhur, ky vend është në pikëpyetje të madhe. Kjo nuk do të thotë se unë jam pesimiste, përkundrazi besoj në ringritjen shpirtërore të shqiptarëve, në reagimin e tyre qytetar dhe civil.

Duke pasur parasysh këtë situatë, a ka hequr dorë opozita nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme?

Të thashë që është vendosur një oligarki, dmth është një grup njerëzish të pasur, të pushtetshëm, që kontrollon të gjithë jetën ekonomike të Shqipërisë dhe për fat të keq, kontrollon edhe rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj edhe ne po punojmë për një filozofi bashkimi përtej forcave politike opozitare, duke e shtrirë këtë filozofi në shtresa të ndryshme të shoqërisë shqiptare, që nuk pranojnë këtë qeverisje, (njerëz që mund të mos jenë fare anëtarë të PD, por që kundërshtojnë qeverisjen aktuale). PD po punon shumë për të bashkërenduar veprimtarinë e saj politike dhe për të integruar të gjithë elementët e shoqërisë në një lëvizje të përbashkët, si një mundësi për të rrëzuar qeverinë aktuale.

Ju keni kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për tragjedinë e Karaburunit. Ndërkohë refuzoni në mënyrë kategorike të mermi pjesë në komisionin që do të kryesohet nga mazhoranca socialiste. Si do të zgjidhet kjo çështje?

Të falënderoj për pyetjen, pasi më jep mundësi të plotësoj pikërisht ato që diskutuam deri tani. Duke iu rikthyer idesë së oligarkisë, “ata” nuk kontrollojnë vetëm jetën ekonomike, por duan të kontrollojnë të gjitha institucionet. U kishte mbetur pa kontrolluar opozita dhe përmes lëvizjeve të fundit, “ata” kërkojnë të kontrollojnë edhe opozitën. Në të vërtetë, është opozita ajo që ka në bazë të principit “check and balance”, ka një rol për të kontrolluar qeverisjen me ato instrumente që i njeh kushtetuta dhe ligji, dhe njëri prej tyre, është pikërisht komisioni hetimor, meqenëse ata që janë në qeveri kanë të gjithë instrumentet e tjerë të kontrollit.

Në këtë aspekt, pavarësisht se nuk është shkruar fjalë për fjalë në ligj, nënkuptohet se nismat për komisionet hetimore i ndërmerr opozita. Në rastin konkret ishim ne që kërkuam të parët ngritjen e komisionit hetimor, ishte z. Berisha, unë dhe kolegët e mi. Por në atë periudhë, ne ishim jashtë sesionit parlamentar dhe ngritja e komisionit do të formalizohej ditën që do të fillonte normalisht sesioni. “Ata” thonë që nismëtare ishte mazhoranca, por ndoshta ia vlen të thellohemi pse kundërshtarët tanë politikë kërkojnë me çdo kusht të kenë mazhorancën dhe kryesimin e këtij komisioni.

E para, në filozofinë e tyre refuzojnë njohjen e opozitës, e dyta, ngjarja e rëndë e nëntë janarit lë shumë hije në të gjithë 18-orëshin e zhvillimit të saj. Hije që kanë të bëjnë me numrin e gomoneve, hije që kanë të bëjnë me marrjen e informacionit nga Ministria e Rendit, me mosmarrjen e informacionit nga Ministria e Mbrojtjes siç e mori Ministria e Rendit, me moslajmërimin e Guardia di Finanza-s, me faktin që pse ata që ishin në gomone lajmëronin kanalet televizive dhe s’kishin besim te policia, me faktin që policët e dinin dhe lejuan që gomonia të nisej, me faktin që kishte 10 ditë që klandestinët kalonin në bregun tjetër, me faktin që insistohej të bëhej e besueshme që në gomone kishte drogë dhe jo njerëz, me faktin që kryeministri nuk ishte në detyrë dhe nuk erdhi menjëherë në Shqipëri, madje nuk i ngushëlloi familjet e viktimave dhe nuk kërkoi as falje. Në këtë aspekt, përpjekjet për të mos ia dhënë opozitës kryesimin e komisionit, janë një akuzë akoma më e madhe që ata i bëjnë vetes. Them se duhet të ketë një reflektim për të gjetur përgjegjësit e vërtetë, cilët do të jenë ata dhe të mos kemi të bëjmë me një faj kolektiv.

Cila do të jetë strategjia e opozitës në parlament. Do të vazhdojnë bllokimet e seancave plenare dhe largimet e deputetëve opozitarë nga salla e parlamentit?

Jo. Ne do të jemi të pranishëm në parlament në të gjitha seancat plenare. Në të njëjtën kohë, në rendin e ditës do të jenë komisionet hetimore, marrja e kryesimit apo mazhorancës së komisionit hetimor për ngjarjen e Karaburunit dhe ngritja e komisionit hetimor për ngjarjen e Shkallnurit, ku akuza më e rëndë është fshehja e faktit që kryeministri në timonimin e një makine ka aksidentuar për vdekje një njeri nga kjo zonë. Unë nuk mund të besoj që kolegët e mi do të pranojnë të trajtohen, siç janë trajtuar anëtarët e KPD-së në mbledhjet e PS-së. Ata janë deputetë, janë përfaqësues të popullit dhe nuk besoj se kanë për të pranuar që një mazhorancë, e cila realisht nuk është mazhorancë të tallet me pjesën komplementare të shoqërisë shqiptare.

Nëse mazhoranca përfundimisht nuk do të lejojë që opozita të kryesojë komisionin hetimor për tragjedinë e Karaburunit, do të mendoni për ngritjen e një komisioni paralel, për të njëjtën çështje?

Nuk besoj se kjo zgjidhet me dy komisione dhe nuk mendoj se mazhoranca do të vazhdojë të insistojë për të mbajtur kryesimin e komisionit. Nisur jo vetëm nga precedentët e komisioneve hetimore “Olldashi” dhe “Ngjela”, (të cilët po ashtu patën një histori dymujore derisa u ngritën me mundim të madh), por edhe për faktin se komuniteti ndërkombëtar u ka “tërhequr veshin” për sjelljen e tyre refuzuese ndaj opozitës. Edhe për faktin së në Strasburg atyre u është mbyllur dera, për faktin që kryeministri i Shqipërisë e ka parë veten shumë keq në Bruksel, jo për faj të Brukselit por për fajin e tij. Pra, janë shumë rrethana që do t’i detyrojnë t’i lënë opozitës kryesimin e këtij komisioni hetimor.

Duke u nisur nga reagimet e fundit të ardhura nga shoqëria civile dhe veçanërisht nga lëvizja “Mjaft”, a mendoni se këta të rinj po e luajnë më mirë se sa ju rolin e opozitës?

Ndryshimi midis një partie politike në opozitë dhe një lëvizjeje është i madh. Gjithsesi, lëvizja “Mjaft” vepron më së shumti përmes gjesteve simbolike, sepse nuk ka mënyrë tjetër. Besoj se të gjithë pa dallim ngjyre politike, i kanë mbështetur këta të rinj dhe është hera e parë që një organizatë jofitimprurëse bëhet kaq e ndjeshme në opinionin publik. Në këtë aspekt, kjo lëvizje sjell diçka të re, por është e pakrahasueshme me një parti opozitare.

Le të flasim pak për Partinë Demokratike. A ka ardhur koha që kjo forcë politike të prezantohet përpara shqiptarëve me një imazh të ri?

Në fakt, prej kohësh të gjithë ne, duke nisur që nga zoti Berisha, po mendojmë se si t’u tregojmë shqiptarëve që me opozitën janë pjesa më elitare. Ndoshta ata nuk kanë mundësi të shfaqen në ekrane televizive dhe të shprehin idetë e tyre për faktin se mund të punojnë ose në institucione ku në bazë të kontratës nuk lejohen të shprehen politikisht, ose në institucione shtetërore të rëndësishme, ku kontribuojnë me profesionalizmin e tyre dhe në këtë mënyrë, rrezikojnë të hiqen nga puna. Në këtë aspekt, ne duhet të mundohemi të gjejmë mënyrat e duhura se si mund t’i prezantojmë këta njerëz duke mos i dëmtuar, pasi nesër do të jenë në qeveri. Asnjëherë të mos mendohet se kryesia e PD-së do të jetë qeveria e ardhshme. Absolutisht jo. Në qeveri do të marrin pjesë ata njerëz që kanë CV të pasura, eksperiencë dhe kuota të larta vlerësimi në sytë e të gjithëve.

A ka oponencë të brendshme në PD? Apo të gjithë janë të detyruar të flasin me një zë të vetëm?

Them se duhet të ketë qenë një rrymë e orientuar nga dikush, që gjithmonë është përpjekur të thotë se në PD ka vetëm një zë dhe mungojnë zërat e tjerë. Në fakt nuk është kështu. Në partinë tonë, secili shpreh mendimin e vet. Unë mund të jem krejt e pakënaqur nga një vendimmarrje, por në pluralizëm funksionon principi i shumicës. Pavarësisht se shpreh mendimin ndryshe, je i detyruar t’i bindesh vendimit të mazhorancës.

Intervistë me nënkryetaren e Kuvendit dhe të PD-së, Jozefina Topalli: Oligarkët e pushtetit duan kontrollin e opozitës

 

SHKARKO APP