Intervistë me poetin dhe drejtuesin e grupeve polifonike të Himarës dhe Pilurit, Lefter Çipa

(Botuar me 27 gusht 2000 në KOHA JONE)

Intervistë me poetin dhe drejtuesin e grupeve polifonike të Himarës dhe Pilurit, Lefter Çipa

Nga Enton Abilekaj

“Shumë vargje i bëj duke ecur, por, si çdo njeri, kur bie për të fjetur më vjen një varg në mendje. I përsëris dhe në mëngjes i shkruaj pa asnjë ndryshim. Mëngjesi është i detyruar t’i përgjigjet natës, sepse nata është vjershërimi”. Në këtë mënyrë janë krijuar mijëra vargjet e këngëve të njohura të polifonisë bregase. Mbrapa tyre ka qenë dhe është një burrë i dobët, ezmer, që asnjëherë nuk e heq cigaren e ndezur nga goja, ashtu si kostumet dhe kravatën në mes të verës, në temperaturat mbi 40 gradë, duke ecur rrugëve të Himarës. Në një mal aty afër është edhe Piluri, me grupin e shumënjohur dhe me këngët e shumënjohura.

Lefter Çipa, ky njeri i dobët fizikisht dhe krenar për dhjetëra vjet tashmë i mban në krah të dy grupet për t’i çuar nga festivali në festival. Kështu do t’i çojë edhe në Festivalin e Gjirokastrës, ku grupet e kulmit të Polifonisë shqiptare do të pretendojnë sërish të fitojnë.

Sa këngë keni bërë për grupet e Bregut?

Lefter Çipa: Me grupin e Pilurit deri në 1988 Festivalin e Pestë, kënga “Koha e guximtarëve” ishte e 1001-ta. Këta 10 vjet mund të jenë bërë mbi 200-250 këngë, por veç 10 këngëve që u kënduan në Festivalin e Beratit dhe 10 në emisione të ndryshme televizive, të tjerat janë kënduar me ansamblet. Këto m’i kanë “rrëmbyer”.

Kam pasur edhe përpunime të këngëve nga kompozitorë të njohur si Çesk Zadeja, Limoz Dizdari, Aleksandër Peçi, Kujtim Laro, etj. Pra, sa kam qime në kokë aq këngë kam bërë për popullin tim. Në krijimtarinë e tanishme eci me shumë kujdes, sepse ngado që ta hedh këmbën mund të shkel këngën time. Them se shkel këngën time, por ajo s’është më kënga ime. Mbi këngën time dhe të popullit shkelin tregtarët e kasetave dhe trafikantët e këngës shqiptare dhe në veçanti të polifonisë, sepse polifonia nuk i takon vetëm Shqipërisë, por gjithë Botës. Ne nuk po e kuptojmë. Polifonia në ndërtimin e saj aq sa është klasike është edhe hyjnore, prandaj quhet këngë e Perëndive, prandaj mbetet e virgjër. Mirëpo paraja po e varros, sepse grupet e përziera ose të turbullta nuk duan ta ruajnë shtratin e këngës polifonike, por i detyrojnë këngëtarët të këndojnë këngët që u pëlqejnë atyre dhe jo këngët e historisë. Bile arritën deri sa paguan këngë që u kushtohen karrierës së tyre dhe familjeve të tyre. Një pjesë e rapsodëve që u thirrën në ansamblet që do t’u ruanin këngën e vërtetë polifonike, u detyruan për motive financiare të këndonin gjithfarëlloj gjërash që nuk kishin lidhje me këngën e vërtetë polifonike. Tani ata e ndiejnë veten të fyer dhe nuk besoj se do ta provojnë më atë që bënë. Kjo është më se e sigurt, sepse po duket qartë tani në prag të Festivalit të Gjirokastrës.

Mendoni se Folklori shqiptar nuk ka pësuar rënie në këto vite dhe do të prezantohet mirë në Festivalin e Gjirokastrës?

Më jep shpresa interesimi i Shtetit për këtë Festival. Megjithëse vonë, nuk do të thotë se festivali nuk do të ketë sukses. Ai do të ketë sukses, sepse shpirti i popullit është tharë, ai do të rigjenerohet vetëm prej artit dhe muzikës së tij. Unë personalisht, brenda dëshirës dhe ndjenjës si qytetar shqiptar, nuk bëj gabim t’i lëshoj një mesazh çdo shqiptari, intelektual, bujk, tregtar, ushtarak apo qeveritar, sadopak të kontribuojë për këtë kulturë kombëtare, sepse në qoftë se dikush dëshiron të shpërbëjë një komb, fillimisht kërkon t’i presë krahët artit dhe kulturës së këtij kombi.

Mendoni se do të ndiqet masivisht festivali?

Ajo që më gëzon ose më jep shpresa është po të shikosh se të rinjtë e të rejat e Himarës që kthehen për pushime, interesohen për festivalin, por edhe e këndojnë bukur këngën shqiptare dhe në veçanti këngën polifonike. Jo vetëm kaq, por një pjesë e atyre artistëve që janë jashtë, janë kthyer, duke lënë punën për të kontribuar në grupet ku kanë qenë për festivalin.

Pra, ju mendoni se traditat folklorike nuk po shuhen?

Këtu është rreziku dhe meraku i shpërbërjes së kulturës kombëtare. Ne e humbëm forcën për një çast nga nevoja ekonomike që na erdhi papritur. Por nuk u asimiluam, gjë që e kemi treguar në shekuj. Festivali kombëtar është një provë për këtë. Ka një lloj harrese, sepse tek ne u shpërbë çdo institucion kulture, deri te Kostumet kombëtare. Për ta ngritur këtë Kala të lartë nuk do të na duhen më 50 vjet, por 100.

A do të trashëgohet kjo kulturë kombëtare tek të rinjtë?

Janë 15 të rinj e të reja në Pilur që kërkojnë të hyjnë në grup. Në Vlorë u zhvillua konkurrimi për Gjirokastrën. Tek grupet e afirmuara, Dukat, Tërbaç, Smokthinë, Tragjas etj., përbërja e tyre është sa me të vjetër aq edhe me të rinj. Nuk është e njëjta cilësi, është më e avancuar, sepse dikur ishin të gjithë këngëtarë të një brezi dhe s’kishte ndryshime. Ardhja e të rinjve sjell edhe ndryshime pozitive në mënyrën e të kënduarit. Në Himarë dhe në Pilur është e njëjta gjë. Them që kjo traditë do të trashëgohet, ashtu si kënga bregase është trashëguar nga Nase Beni nga Vunoi (autori i këngës “Kush është lule vilajeti”) tek Neço Mukua (autori i këngës “Vajza e Valëve”, “Hyri dimri shkriu bora”). Kjo këngë është sot mbretëresha e polifonisë.

Duket se është i vërtetë përcaktimi. Kënga himarjote ka diçka që e dallon nga të gjitha këngët polifonike të tjera. Ka ndonjë dallim të vërtetë, apo është vetëm një shije?

Polifonia himarjote në ndërtimin e saj dhe evoluimin e saj ka pësuar një rritje prej 3 shkallësh. (Bregdeti ka lindur sa poetë virtuozë edhe këngëtarë virtuozë që kanë pasur kulturë evropiane). Rritja prej 3 shkallësh ndihet sepse nga 4 zëra që ka polifonia në përgjithësi, polifonia himarjote ka 5 zëra, ku arrin të realizojë sa shtrirjen horizontale të variantit melodik, aq edhe ngritjen radikale të harmonisë. Këtyre të dyjave u shtojmë edhe harmonizimin poetik të përsosur. Këto të gjitha i ka sjellë puna e bërë sistematikisht dhe jo me periudha. Kënga këtu ka qenë pjesë e historisë së vetë trevës. Historia është shkruar nga kënga. Varianti i të kënduarit përzien detin, vetëtimat e malit, diellin e nxehtë.

Njeriu ndërtohet në bazë të vendlindjes. Edhe kënga ndërtohet në bazë të vendlindjes. Prandaj kënga himarjote, përveç të tjerash, edhe mençuron. Sepse himarjoti e ka provuar edhe largimin nga vendi i vet dhe këngën e ka kënduar me mall të madh. Ndërsa kënga pilurjote të zgjon se ka forcën të tillë. Kënga pilurjote quhet edhe kënga e re e Bregdetit. Prandaj kënga bregase është më e bukura dhe më e madhja. Mund të kesh pasuri, dije dhe kulturë, mund të kesh karrige qeverie dhe fron Mbreti, por ai që fiton çmimin e këngës është më i madhi.

Megjithatë prapë njihet shumë pak po të kihet parasysh bukuria e kësaj kënge…

Shteti duhet të fusë polifoninë brenda Folklorit shqiptar. Duhet të kultivohet në hapat e para të edukimit sepse nuk ka rrugë tjetër. Çdo shkollë 8-vjeçare duhet të ketë kabinetin e folklorit. Polifonia është shumë e vështirë dhe nuk jeton dot vetëm nga një brez. Bajroni foli për Jugun dhe pikturat i bëri aty. Jul Cezari që zbriti në Palasë tek ura, e quajti bregdetin “Humnera Poetike”.

Edhe tek juve ky ambient ka ndikuar shumë…

Ka ndikuar fuqishëm ky ambient, aq sa megjithëse jam 60 vjeç, më duket vetja si 18, sepse gjaku im çdo ditë ripërtërihet. Ditë për ditë, 20 orë merrem me dreqin dhe 4 orë merrem me engjëllin (ia shkëpus kohën dreqit).

Pse rrini me kostum dhe me kravatë në mes të vapës?

Rri me kostum në çdo stinë sepse më ka mbetur ndjenja e disiplinës. Artisti aq sa i shkujdesur është brenda vetes, aq i kujdesshëm është në publik.

Të merremi pak me krijimtarinë tuaj. Kënga “Tundu Bejkë e bardhë, tundu!” është kthyer tashmë në një legjendë të këngës popullore. Mund të tregoni kur e keni shkruar dhe si?

“Tundu Bejkë e bardhë, tundu!” është bërë në vitin 1973. Në 10-15 gusht të këtij viti u bë Festivali i Rrethit.

Kisha 8 këngë dhe 2 valle.

Paraqita këngën “Gushëbardha moj meshollë”. Kënga u mirëprit shumë. Mirëpo Televizioni shqiptar e regjistroi dhe e transmetoi gabimisht në një kronikë televizive. Ne menduam se do t’i binte vlera. Kështu vendosa të bëja një këngë tjetër dhe në 20 shtator i shkova rrethit me këngën “Tundu bejkë e bardhë tundu!”. Ishte një ngacmim i pakuptueshëm. Duke parë një ditë korijen e Pilurit plot me zalle dhe ku uji prej pllajave zbret poshtë, bashkë me vajzat që shkojnë të mbushin ujë, nuk mund të mos ngacmohesha.

Dhe nga kjo natyrë kaq e bukur dhe nga një vajzë e bukur mora ngacmimin për të bërë Bejkën e Bardhë. Kështu që kjo këngë ka personazhin e saj real.

Kush është ky personazh?

Ka shumë personazhe vajzash në këngët e mia. Bejka e Bardhë është Vasilika Lapa, këngëtare e grupit. Asaj edhe sot i thërrasin Bejkë e Bardhë.

Po personazhet e tjerë të njohur në këngë të tjera kanë lidhje me këngëtaret e grupit?

Po. Për shembull Manushqja tek kënga “Në të zënça moj manushaqe” është Erimioni Mërkuri, Vito Pëllumbesha është Katina Muço, etj.

Deri tek këngët e sotme. Me çfarë do të paraqiteni në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës dhe si mendoni se do të dalë kënga polifonike në këtë Festival?

Polifonia himarjote përfaqëson zërat e natës, sepse ditës i mungojnë zërat e natës. Polifonia nëse nuk vjershëron në vetvete dobësohet, varfërohet dhe mbetet si sëpatë që qëllon në trung të thatë. Në harmoninë e polifonisë duhet të ndihet tringëllimi i unazës së floririt mbi një gur të bardhë ose mermer. Dhe e them me siguri se në këtë festival do të ndihet tringëllimi i unazës.

Mendoj se ky festival do të ketë vetëm një dobësi; grupet do të këndojnë me dhimbje, me lot. Kjo nuk duhet pranuar tek të gjithë. Në këtë festival duhet të këndojë nota harmonike e shpresës së mirë dhe jo nota e lotit dhe gjakut. Duhet të dalim nga ky det i dhimbjes. Dhe më e rëndësishmja duhet të jetë kontrolli nga nuancat apo huazimet e fqinjësisë. Çdo grup duhet të kontrollojë stolitë e trevës së tij që trashëgon deri në këtë festival.

Nga këngët e reja për këtë festival do të veçoja, “Evgjenia Himarjote”.

Teksti është ky:

Më prit Evgjeni më prit

bukurinë mos e gremis

se ti nga viti në vit

bëhesh yll mbi trëndafil.

 

E veçuar mos më rri

mos rri veç për Perëndi

sa të jem unë mos vdis

Botën mos e rrokullis

 

Dashuria s’vdes po lind,

Ti vret 1 shpëton 100.

 

Evgjeni o zambak vale,

trëndafil i Portës Madhe

Zambak – trëndafil Himare.

Shkas për këtë këngë është Evgjenia e Çajupit. Ndërsa personazh kam bërë Katinën, këngëtaren e Grupit të Himarës, që është Evgjeni dhe në këngë, pra vërtetësisht është Evgjenia e Polifonisë bregase.

 

SHKARKO APP