Intervistë me z. Neritan Ceka, kandidat për kryetar bashkie në Tiranë “Tirana me metro”

(Botuar më 16 tetor 1996 në KOHA JONË)

Intervistë me z. Neritan Ceka, kandidat për kryetar bashkie në Tiranë

“Tirana me metro”

Neritan Ceka e ka nisur ditën e djeshme të fushatës për kryetar Bashkie, i veshur me kostumin e zi, aq të komentuar. Lideri i PAD-së ka vijuar programin e tij të vizitave në qendrat tregtare të kryeqytetit si dhe baret e restorantet e parkut Rinia. Me kujdes, duke iu shmangur baltës dhe pellgjeve, të cilat është zotuar t’i zhdukë, Ceka ka komunikuar me shitësit e tregut elektro-shtëpiak të shumicës, në rrugën “Ali Demi”. Ai ka biseduar me ta mbi problemet e kryeqytetit dhe mundësinë e zgjidhjes së tyre. Preokupimi më i madh i njerëzve të mbledhur rreth tij, ishte punësimi dhe siguria e vendit të punës. Pas urimeve të përsëritura për kostumin e ri, të komentuar në faqen e parë të gazetës “Koha Jonë”, Ceka është kthyer në ish-Parkun Rinia, i shndërruar që prej dy vjetësh në një qendër të madhe baresh e restorantesh. Pretendenti për qytetarin nr.1 të Tiranës hyri dhe takoi njerëz në pjesën më të madhe të lokaleve të Parkut, duke u lëshuar disave prej tyre, autografe. Ceka ka biseduar ndër të tjera edhe me pronarët e kioskave, një pjesë e të cilëve i kanë argumentuar se kioskat i kanë ngritur e zgjeruar për të mirën e njerëzve dhe jo për interesat e tyre materiale. Debati ka vijuar më pas në një sallë bilardoje. Neritan Ceka ka zgjedhur një nga tre tavolinat e lokalit, duke konkurruar me një bilardist të njohur.

Kam më tepër se 20 vjet pa luajtur bilardo, deklaroi ai, duke goditur, me gjithë këtë, në shenjë bilën e parë. Nuk dihet se si do të qe rezultati i ndeshjes, sikur Ceka të mos qe tërhequr për arsye kohe. Ai u largua për një mbledhje të partisë së tij, i ndjekur nga vështrimet e habitur, por dashamirës të bilardistëve.

Sidoqoftë, kostumi i ri, i blerë pardje në një ndër dyqanet e Tiranës, mbeti argumenti më i këndshëm i bisedës së Cekës me zgjedhësit. Shumë prej tyre e kanë ndaluar në rrugë duke e uruar: “E gëzofsh kostumin” madje disa syresh, akoma më me entuziazëm: “E gëzofsh kostumin bashkë me Bashkinë”. Kjo mund të ketë qenë, sipas gjasave, edhe tema e bisedës së Cekës me dy liderët socialistë, Mejdani e Islami. I takuar me ta rastësisht përpara RTV-së, Ceka pasi ka marrë edhe njëherë urimet për kostumin, ka ndaluar të pijë kafe në bar “Pergola”. Mejdani dhe Islami duhet ta kenë pëlqyer kostumin dhe idenë e Cekës për ta blerë atë, përderisa siç mësohet, kanë këmbëngulur që një të tillë të blejnë edhe kandidati i tyre, Fagu. Pasdite, Ceka vijoi takimet me zgjedhës, ndërsa në mbrëmje i shoqëruar nga e shoqja edhe fëmijët, së bashku me miq, qëndroi për rreth dy orë në një lokal të hapur në Qendër të Tiranës.

Ku ndryshoni ju dhe premtimet tuaja nga ato të kandidatëve të tjerë?

Të gjithë kandidatët nisen nga e njëjta bazë. Nëse do të kemi një pushtet lokal normal, atëherë ky pjesërisht do të financohet nga buxheti i shtetit, të cilin e përbëjnë vetë taksat që paguajnë qytetarët dhe nuk është dhuratë siç kuptohet ndonjëherë. Pjesa tjetër do të jetë një rezultat i iniciativës personale të atij që drejton stafin e Bashkisë. Ndërsa në planin e parë unë jam njësoj si gjithë konkurrentët e mi, në planin e dytë natyrisht unë kam “back ground”-in tim politik, njohje të gjëra në botën politike, kam personalitetin tim dhe jo atë të një personi që është ngjitur me vinç në politikën shqiptare. Si rrjedhim mendoj se mund të investohet besim dhe mundësi financiare më shumë në personin tim sesa tek kandidatët e tjerë.

A mendoni se ka gjasa të përsëritet  26  maji?

Unë e përjashtoj mundësinë e një kopjeje të dytë si në 26 maj, sepse kjo do të ishte një katastrofë kombëtare, të cilën as vetë z. Berisha nuk do ta dëshironte.

Kjo do ta damkoste Berishën, Meksin dhe një numër të madh personash që merren sot me zgjedhjet si Kosovrasti, Tereska etj., dhe nuk ka asnjë dyshim që asnjëherë nuk do të shpëtonin nga banka e të akuzuarve. Së dyti, kjo do ta damkoste përfundimisht Shqipërinë si një shtet që nuk sheh realisht nga Evropa, por atë e sheh si një kanal për prostitucionin, drogën dhe pastrimin e parave. Sigurisht zgjedhjet lokale kanë një natyrë tërësisht politike në esencë, por nuk do të përsëritet 26 maji.

Është koha t’i tregojmë botës se edhe Shqipëria di të qeverisë dhe shembulli më mirë për këtë do të ishte pushteti lokal.  Nëse do të realizoheshin zgjedhje vërtetë të lira, ky do të ishte edhe realizimi i ëndrrës sime 6-vjeçare, të tjerat vijnë pas e zgjidhen më lehtë

Cila është pika më e nxehtë e premtimeve tuaja?

Vizioni im shkon përtej asaj që mund të quhet Perdja e Hekurt e jetës normale. Një popull që ëndërron vetëm për dritë, ujë, (pastërti) nuk mund të quhet i qytetëruar, madje kjo nuk do të kthehet natyrisht disa shekuj më parë. Unë kërkoj një qytet modern, i cili qysh tani duhet të ketë pretendimet e një qyteti evropian, të mendojë për një transport publik modern, që është baza e qarkullimit të jetës në një qytet, për metronë, për ta hedhur qytetin përtej Lanës, për të pushtuar kodrat dhe për të shkuar deri në Kamëz, duke krijuar lagje moderne, të cilat jo vetëm do të ishin model i jetës qytetare, por edhe do ta çlironin qendrën e sotme të kryeqytetit nga presioni i madh. Gjithë Tirana po derdhet në Lanë, aty ndërtohen kioska, aty derdhen ujërat e zeza, aty bëhen ndërtime pa leje, aty hidhen mbeturinat… Duhet të çlirohemi nga ky ankth i jetës së përditshme, nga imperativat e normales, sepse një popull që nuk ka ëndrra dhe nuk sheh jashtë normales është i dënuar për një jetë mizerje.

Ndoshta këto ëndrra mund t’i ketë pasur edhe Kelmendi kur mori postin…

Kelmendi është një person, të cilit i mungon aftësia për të ëndërruar për të tjerët. Këta janë njerëz që mendojnë vetëm për vete, për kushërinjtë e miqtë, kurse aftësia e njeriut që ka dalë në dhjetor dhe nuk është përlyer në këto 6 vjet të tentimit masiv drejt pasurisë, dominohet nga ëndrrat për të tjerët. Dhe unë mendoj se jam njeriu që ëndërroj për të tjerët.

Ëndërroj për këtë qytet, duke e parë atë më tepër si qytet i jetës shpirtërore.

Në ndryshimin e jetës shpirtërore futet një kostum a kravatë e re për zgjedhjet?

Nuk kam ëndërruar kurrë kostume në jetën time sepse vij nga një familje që ka pasur mbi 4000 ha tokë dhe kurrë nuk ka rënë në nivelin e varfërisë. Në shtëpinë tonë kanë dominuar përherë librat, kultura etj. Një kostum është vetëm një lule e këndshme në jetën e njeriut, që vjen nga një familje e tillë. Mua më pëlqeu mënyra se si u paraqit ky fakt në gazetë, sepse nëse e gjithë Tirana e merr vesh se sot kam blerë një kostum, kjo do të thotë se nesër Neritan Ceka do ta ketë shumë të vështirë të korruptohet.

A mendoni se këto vite keni ndryshuar shumë në pamje?

Për të qenë i sinqertë, momentin e parë të ndryshimit ma ka vënë në dukje gruaja ime gjatë mitingjeve të shkurtit dhe marsit ’91, ku unë lëvizja përditë për fushatën e atëhershme elektorale.

Mbaja një xhup me ngjyrë ushtarake dhe pothuajse kisha marrë pamjen e një oficeri. Natyrisht politika të tjetërson, jo për faktin se mund të bëhesh më i egër, por pak nga pak, duke u lidhur me ëndrrat e të tjerëve merr diçka nga personaliteti i tyre. Shumë tipare që i kam fituar tani, janë vulosur me dëshirën e grupeve apo njerëzve të veçantë, që duan të shohin një Neritan jo arkeolog që sheh të kaluarën, por një njeri që sheh të sotmen e të ardhmen.

Megjithatë a mendoni se kreu i Bashkisë duhet të ketë fytyrë diktatori, siç po flitet kohët e fundit për ju?

Kjo nuk ndodh në momentet e jetës sime të përditshme, por vetëm kur flas, kur shpreh mendimin tim politik, i cili duhet të jetë sa më afër vendimit. Në historinë time politike kam bërë akte që kanë dashur rreptësi e vullnet dhe, mendoj se Bashkia e Tiranës kërkon pikërisht një njeri të vendosur, jo të egër natyrisht, por që të jetë i pamëshirshëm kundër korrupsionit dhe të krijojë besim tek 300 mijë njerëz, që duan zgjidhjen e të paktën 1 milion problemeve. Këto nuk mund t’i zgjidhë kurrsesi një njeri që buzëqesh gjithë kohën si djalë mamaje para kamerave. Unë kam kohë që nuk i ngjaj më një djali mamaje dhe nuk pres që babi më japë dhuratë stadiume apo kanalizime

Ceka orator dhe me flokë të bardha… A mendoni se kjo do të ndikojë për marrjen e postit në Bashki dhe në votat e kujt kategorie shpresoni më shumë?

Në krahasim me kandidatët e tjerë, thinjat dhe oratoria natyrisht luajnë rol në politikë dhe janë një garanci e pastërtisë së figurës sime. Mendoj se do të më vlerësojnë më shumë ata që më kanë njohur si arkeolog, ata që më panë në lëvizjen e Dhjetorit, si dhe të tjerët që më njohën gjatë këtyre 6 vjetëve. Problemi im kryesor mbetet mirëkuptimi me të rinjtë e moshës 22-23 vjeçare, që në gazeta lexojnë vetëm faqen e horoskopit.

Duhet t’i bindësh ata se vetëm me një politikë aktive dhe një vullnet politik, që shpreh një maksimum “vullnetesh të ndrydhura”, siç do t’i quante Migjeni, mund të kemi një shoqëri shqiptare të ndryshme nga kjo e sotmja. Më tepër besim mendoj se do të kem edhe nga ata që janë hedhur në rrugë, nga punëtorët që më kanë përkrahur kur përmbysën komunizmin dhe që sot marrin një asistencë mizerable, nga studentët që më kanë qëndruar atëherë pranë dhe sot janë rrugëve, nga gratë që janë elementi më sensibël dhe më racional ndaj politikës dhe shoqërisë, nga masa e madhe e ushtarakëve që janë sot në asistenca e pensione poshtëruese, ashtu siç jam i sigurtë se do të kem përkrahjen në masë të rinisë që sheh nga politika…

Nëse do të fitoni, cilat do të jenë marrëdhëniet tuaja me Qeverinë?

Do të kem lidhje vetëm brenda kuadrit ligjor. As mund të mendohet se unë do të shkoj përditë tek Meksi, jo se nuk e dua, por sepse nuk pres ndonjë gjë nga ai. Madje do të vijë dita që vetë Meksi do të vijë tek unë për të zgjidhur problemet që nuk po i zgjidh dot sot. Bashkia atëherë nuk do të jetë më një godinë, por një institucion, ku seksionet e deritanishme të saj do të kthehen në departamente të drejtuara nga personalitetet e politikës, kulturës, ekonomisë, etj.

Pra ajo do të jetë një sfidë ndaj krizës së tanishme të Qeverisë.

Intervistoi: Jonila Godole

 

SHKARKO APP