Intervistë me z. Pandeli Majko, nënshkrues i mocionit
(Botuar me 6 Korrik 1996 në Koha Jone)
Intervistë me z. Pandeli Majko, nënshkrues i mocionit
Ku konsiston mocioni i paraqitur prej jush?
Mocioni “për debat në komitetin e përgjithshëm drejtues” , siç jeni në dijeni, është një iniciativë politike e kryetarit të Partisë Socialiste, Fatos Nano. Ai në thelbin e vet ofron në prag të kongresit të dytë (faza e dytë) një varg propozimesh konkrete për politikën e PS. Disa prej propozimeve të këtij mocioni përmbajnë brenda vetes një sërë ndryshimesh, të cilat të para në tërësi përbëjnë një reformë më vete. Në këtë kuptim ky mocion është haptazi një ftesë publike për ndryshim. Kam besim se brenda kufijve të debatit konstruktiv ai do të pranohet nga PS.
Janë përmendur shkeljet statutore që nga vetë paraqitja e mocionit, por edhe në përmbajtjen e tij…
Nuk ka asnjë shkelje statutore në këtë mocion. Nëse do të kishte vërtet të tilla, atëherë ai nuk do të mbante emrin “mocion” sepse do të ishte një imponim ilegjitim brenda Partisë Socialiste.
Çdo të ndodhë nëse ky mocion nuk miratohet nga komiteti i përgjithshëm drejtues?
Do t’ju shtrëngoj dorën atyre që me votat demokratike do ta rrëzojnë atë. Do të përgatitemi për Kongresin e dytë të PSSH. Debati do të vazhdojë. Kërkesa për ndryshime në PS nuk ka filluar dhe as nuk do të mbarojë tek ky mocion. Por, ky mocion aktualisht vjen si një përmbledhje e përpjekjeve normale për ndryshim dhe ripërtëritje nga Kongresi I i PSSH deri më sot. Rrëzimi i tij do të ishte rraskapitës për të nesërmen e PS.
Ka shumë kundërshtime. A mbetet i hapur mocioni?
Ka qenë dhe mbetet i hapur, ndryshe ky mocion nuk mund të kuptohet si i tillë. Ai nuk është vepër i një grushti njerëzish kundër disa të tjerëve. Koncepte të tilla mund t’i kenë vetëm ata që kulisat e politikës shqiptare u janë bërë aq mbizotëruese sa kanë harruar se ekzistojnë format demokratike ku askush nuk ka pse të zemërohet po nuk fituan shumicën e votave opsionet që mbrojnë. Demokracia është premtim, por edhe sfidë. Duhen pranuar të dyja.
Si e shpjegoni kërkesën për krijimin e komisionit jashtë kryesisë për analizën e situatës?
Mocioni insiston në një logjikë të re të përgjegjësisë individuale në Partinë Socialiste. Por, po aq ai ofron një dimension të ri pune në planin e marrëdhënieve kryesi-KPD, duke fshirë kufij të cilët nganjëherë formohen vetiu, me kalimin e kohës, e nganjëherë si rezultat i një pune të mbyllur apo segmentare. Mocioni nuk shtron kërkesë në këtë pikë dhe as në të tjerat, sepse ai vetëm propozon forma zgjidhjeje. Po u miratua, atëherë ai do të kthehet në kërkesë dhe madje të rreptë…
A do të ndahet PS ditën e hënë?
“Ndarjet” e së hënës në KPD do të jenë sepse nuk ka kuptim e kundërta për një mocion që kërkon debat sinqerisht. Shpresoj se me shokët e mi, me të cilët kemi ndarë bashkë të mira dhe të këqija, do të ofrojmë zgjidhje që do ta bëjnë PS më të fortë për nesër. Kjo e fundit ka më kuptim se çdo debat, hatërmbetje apo qoftë edhe mërzi të cilat politika t’i ofron ritmikisht. Ky mocion edhe të dojë, nuk e fsheh dot dëshirën e mirë për këtë.
Intervistoi: Enton Abilekaj