Ish-Presidenti Ramiz Alia flet për Alfred Pezën
25 Mars 1998
Ekskluzive/Ish-Presidenti Ramiz Alia analizon krizën jugosllave dhe jep opsionin e tij.
“Të bindim Fuqitë e Mëdha për zgjidhjen e problemit të Kosovës, duke i njohur asaj statusin e shtetit sovran e të pavarur”
Ish-Presidenti Ramiz Alia, politikani më jetëgjatë i Shqipërisë, pas një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, është rikthyer në Tiranë. Në një apartament të thjeshtë, në katin e tretë të një pallati në afërsi të Stadiumit “Selman Stermasi”, ai përcjell nëpërmjet radios dhe televizionit ngjarjet politike të ditës. Veç bibliotekës me libra të rrallë, më së shumti në gjuhë të huaja, orët e tij mbushen nga vizitat e të afërmve, miqve dhe dashamirësve. Prej afro tre vjetësh, që para burgosjes së fundit në shkurtin e vitit 1996, ai nuk ka folur për shtypin. Vetëm zhvillimet e ngjarjeve të fundit në Kosovë kanë thyer heshtjen e Alisë. Por para se t’u përgjigjet pyetjeve rreth kësaj teme, ai ka dashur të flasë shkurt për shëndetin e tij dhe ditët që kaloi në Greqi.
“U bë një muaj, nga dita që i jam nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në zemër, me anë të së cilës më bënë katër kalime (by-passes) në rrugën e furnizimit të saj me gjak. Çdo gjë kaloi me sukses të plotë e pa asnjë komplikacion. Tani e kam marrë veten plotësisht. Operacioni u realizua në Selanik (Greqi) dhe u bë i mundur falë kujdesit të gjithanshëm të prof. Panajotis Spiru, të cilin duke përfituar nga rasti e falënderoj publikisht për profesionalizimin dhe vëmendjen e tij njerëzore. Dëshiroj të falënderoj, gjithashtu, autoritetet shtetërore greke për kujdesin që treguan ndaj meje, si ish-president i Republikës së Shqipërisë, gjatë tërë kohës së qëndrimit tim në Greqi. I jam mirënjohës edhe dr. Leonard Solis, Ministrit tonë të Shëndetësisë për interesimin e përzemërt personal që ka treguar. Më ka lënë mbresa të veçanta vëmendja dhe dashuria që shprehën ndaj meje emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi, qoftë duke ardhur për të më takuar në spital, qoftë duke më telefonuar apo duke më dërguar një tufë me lule, qoftë duke më hapur dyert e shtëpisë, pasi dola nga spitali. Kujdesi dhe prania e tyre më dhanë forcë për të kapërcyer me qetësi vështirësitë e rastit. Duke ditur se shqiptarët që jetojnë në Greqi lexojnë rregullisht gazetën tuaj, nëpërmjet saj u përcjell atyre falënderimet dhe urimet e mia më të sinqerta”.
Si politikan prej gjysmë shekulli dhe ish-President i Shqipërisë, cili është mendimi juaj për preokupacionin kryesor të ditëve të fundit nga diplomacia botërore; ngjarjet në Kosovë?
Për ne shqiptarët çështja kombëtare në përgjithësi, dhe ajo e Kosovës në veçanti, ka qenë kurdoherë problem kryesor. Kjo lidhet me padrejtësitë historike që i janë bërë popullit tonë, si pasojë e të cilave vendi ynë është copëtuar dhe është përdorur si plaçkë tregu për të kënaqur orekset e të tjerëve. Situata e krijuar aktualisht në Kosovë është tepër e rëndë dhe shumë e rrezikshme për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Shkaktar i kësaj gjendjeje ka qenë dhe është shovinizmi serb, me agresivitetin dhe dhunën barbare të ushtruar vazhdimisht ndaj shqiptarëve. Me pretekstin absurd të dënimit të të ashtuquajturve “terroristë” të UÇK apo “separatistëve” shqiptarë, Serbia edhe kohët e fundit ka filluar operacione ndëshkuese të tipit nazist, duke i hapur kështu rrugë një terrori shtetëror të pashembullt kundër popullsisë civile. Si rrjedhim i dhunës dhe i terrorit që po e mbysin Kosovën, rreziku i shpërthimit të një lufte të vërtetë nuk është më thjesht hipotezë, por një mundësi tepër reale.
Dëshiroj të theksoj se qarqet shoviniste serbe, për të ushtruar egërsinë e tyre ndaj Kosovës, kanë përfituar edhe nga vonesa, që të mos them indiferentizmi i palejueshëm që kanë treguar këto vitet e fundit Fuqitë e Mëdha ndaj zgjidhjes së problemit kosovar. Dihet se në vitin 1990-1991 Federata Jugosllave filloi të shpërbëhej. Çështja e vetëvendosjes së kombeve që e përbënin atë, pra edhe e Kosovës, ishte në rend të ditës. Evropa u interesua të zgjidhë dhe t’u njohë të drejtat kombëtare të gjitha njësive përbërëse të ish-Federatës Jugosllave, ndërsa nuk u shqetësua fare për Kosovën, megjithëse pikërisht në atë kohë Serbia i hoqi asaj autonominë dhe shpërndau Kuvendin e Kosovës, duke shtuar egërsisht shtypjen ndaj shqiptarëve.
Injorimi i të drejtave të shqiptarëve, ka qenë produkt i heshtjes së Fuqive të Mëdha ndaj problemit kosovar, në periudhën e shpërbërjes së Jugosllavisë?
Ashtu. Fuqitë Perëndimore u treguan të pavendosura për ta trajtuar e zgjidhur qysh atëherë edhe çështjen e shqiptarëve në Kosovë. Padyshim, që këtu kanë ndikuar shumë faktorë. Kryesorët ndër ta janë kompromiset dhe lëshimet ndaj Serbisë, por mbi të gjitha rakordimi i interesave të ndryshme që kanë vetë Fuqitë e Mëdha në Jugosllavi e në Ballkan. Nuk duhet harruar se politika, në fund të fundit, është raport interesash.
Për të njohur mendimet e mia, të asaj kohe, për Kosovën, po i referohem fjalimit që kam mbajtur në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, më 28 shtator 1990. Midis të tjerave atje kam thënë: “Aktualisht një nga problemet më të mprehta e më shqetësuese në Ballkan është ai i shqiptarëve në Jugosllavi, ndaj të cilëve qeveria e Serbisë po ndjek një politikë të hapur gjenocidi, gjë që është verifikuar edhe nga mjaft forume ndërkombëtare. Në Kosovë dhe në viset e tjera të Jugosllavisë ku banojnë shqiptarët, po bëhen krime që edhe për mesjetën e errët do të ishin të shëmtuara.
Çështja kryesore nuk është që shqiptarëve nuk u njihen vetëm të drejtat standarde të njeriut. Tashmë dihet nga të gjithë se këto shkelen në mënyrën më barbare. Themelore është se shqiptarëve u mohohet e drejta e ekzistencës, e drejta e të jetuarit. Shpërndarja e jashtëligjshme e Kuvendit të Kosovës nga Serbia, pushtimi me dhunë nga policia i Radios dhe Televizionit, ndalimi i shtypit në gjuhën shqipe, pushimi nga puna i mijëra shqiptarëve e zëvendësimi i tyre me serbë, shprehin qartë qëllimin e autoriteteve zyrtare serbe për të zgjidhur problemin e shqiptarëve me forcë e terror dhe jo me dialog.
Komuniteti ndërkombëtar nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj kësaj gjendjeje. Aq më tepër nuk mund të qëndrojë Evropa, e cila si hartuese e hartës ballkanike në fillim të këtij shekulli, ka jo vetëm përgjegjësinë morale, por edhe historike për martirizimin e shqiptarëve në Jugosllavi.
Shqiptarët në Jugosllavi që përfaqësojnë popullsinë autoktone më të vjetër nga të gjithë popujt e këtij shteti, që zënë vendin e tretë për nga numri i popullsisë midis kombeve që formojnë Jugosllavinë, që rrojnë prej shekujsh në trojet e veta e në një territor kompakt, nuk kërkojnë asnjë të drejtë më shumë nga ç’kanë serbët, sllovenët, kroatët ose maqedonasit. Por ata nuk kanë pranuar e nuk do të pranojnë të kenë edhe më pak. Ata duan të jenë subjekt i barabartë si dhe kombet e tjera që përbëjnë Jugosllavinë. Shqiptarët duan t’u njihet e drejta të vendosin vetë për fatin e tyre. Ata dëshirojnë të rrojnë në një federatë ose konfederatë jugosllave, në qoftë se edhe kombet e tjera janë për këto forma qeverisjeje”.
Sot, mbas tetë viteve, do t’u shtonit diçka tjetër këtyre mendimeve?
Po, sigurisht. Siç e kam deklaruar edhe më parë, qeveritë shqiptare deri më 22 mars 1992, për zgjidhjen e problemit të Kosovës kanë pasur si parim bazë mbështetjen pa rezerva të vullnetit të shprehur nga popullata shqiptare e Kosovës. Kjo gjë pasqyrohet edhe në fjalimin e cituar më sipër, që kam mbajtur në OKB. Që nga viti 1990 e këndej kanë ndodhur shumë ndryshime. Popujt që përbënin Federatën Jugosllave nuk deshën as Federatë të re, e as Konfederatë. Ata vendosën të dalin më vete, duke krijuar shtetet e tyre sovrane e të pavarur. Kështu lindën Sllovenia, Kroacia, Maqedonia dhe pas një lufte të gjatë që mori jetën e qindra mijëra njerëzve dhe solli shumë vuajtje, iu njoh pavarësia edhe Bosnjës. Shtete të pavarura u shpallën edhe Serbia e Mali i Zi, që sot përbëjnë atë që vazhdon të quhet Jugosllavi. Ndërkohë, edhe populli i Kosovës me referendum vendosi që Kosova të jetë Republikë dhe shtet sovran dhe i pavarur. Përpara këtij realiteti, në fjalimin e vitit 1990 do të kisha shtuar: “Duhet mbështetur plotësisht njohja e Republikës së Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur”!
Përpjekjet e qeverisë sonë dhe politikës shqiptare në përgjithësi, a po i përgjigjen situatës së krijuar në Kosovë dhe momentit politik? A ndihmon kjo që çështja kombëtare, edhe ajo e Kosovës të zgjidhet drejtë?
Sot më tepër se kurrë nevojitet një program i qartë politik, i cili t’u tregojë gjithë shqiptarëve, këtej e andej kufirit, se si duhet të veprojnë në fushën politike e diplomatike për të arritur zgjidhjen sa më të drejtë të çështjes së madhe që diskutohet. Problemi i Kosovës e në përgjithësi çështja kombëtare, në asnjë rast nuk duhet përdorur si mjet për të fituar kredi politike partiake, siç vihet re në ndonjë pjesë të opozitës aktuale. Fati dhe e ardhmja e Kosovës i kapërcen interesat e ngushta partiake.
Nuk marr përsipër të gjykoj qëndrimet që po mbahen këtu në Shqipëri apo edhe në Kosovë. Dëgjohen herë pas here opsione të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Të huajt, në përputhje me interesat e tyre, mund të paraqesin opsionet përkatëse dhe kjo, për ata, është e justifikuar. Por, sipas mendimit tim, ne shqiptarët duhet të kemi një opsion të vetëm, atë opsion që i përgjigjet kërkesës së miratuar nga vetë kosovarët. Detyra jonë është që të përpiqemi të bindim edhe të huajt, edhe Fuqitë e Mëdha, se zgjidhja e problemit të Kosovës, duke i njohur asaj statusin e shtetit sovran dhe të pavarur, përbën zgjidhjen më të drejtë dhe më të sigurt për qetësinë e paqen në Ballkan. Dhe në të kundërtën, nëse Kosova, në një formë apo tjetër lihet nën autoritetin serb, me siguri që me këtë vendim do të ushqehej fara e së keqes, ajo e rrezikut të luftës dhe e përgjakjes së popujve në këtë zonë.
Grupi i Kontaktit në një takim të dytë po diskuton në Bon për Kosovën. Si i konsideroni veprimet e tij, por edhe qëndrimin e faktorit ndërkombëtar në përgjithësi, për çështjen e Kosovës?
Aktualisht Fuqitë e Mëdha janë shqetësuar për zhvillimin ngjarjeve në Kosovë. Këtë e tregon edhe mbledhja e Grupit të Kontaktit dhe rezoluta që miratoi ajo në datën 9 mars 1998. Megjithatë, me përjashtim të SHBA, që duket se janë më të ndërgjegjshëm për rreziqet që mund të vijnë nga një acarim i mëtejshëm i situatës, Evropa vazhdon të jetë e ngadaltë, e “vonuar” si gjithmonë. Por është një gjë e njohur se, janë popujt ata që i paguajnë “vonesat” e tilla. Rasti i Bosnjës e tregoi, se ato i pagoi populli, me qindra mijë të vrarët dhe shkatërrimin e ekonomisë dhe pasurisë së vet. Duke pasur parasysh edhe këtë përvojë të hidhur, kushdo duhet të bindet tani, lidhur me Kosovën, se është koha e veprimit dhe jo e fjalëve. Kosova kërkon zgjidhje e jo deklarata e premtime. Dhuna dhe terrori serb i kohëve të fundit bëri të pavlefshme rezolutat moralizuese dhe predikimet që kërkonin qetësi e durim vetëm nga shqiptarët. Dihet se edhe durimi e ka një fund! Nëse Perëndimi, Fuqitë e Mëdha, do të tërhiqen përpara shantazheve të Serbisë dhe do të zmbrapsen përpara kërcënimeve të saj, nëse Fuqitë e Mëdha do të niseshin nga parimi që t’i njihen më shumë të drejta atij që përdor më shumë forcë, kjo do të ishte tepër e rrezikshme.
Pardje Millosheviçi bëri një “lëshim”. Ai nënshkroi një plan për zbatimin e marrëveshjes mbi arsimin. Këto janë manovra të njohura që Millosheviçi i ka përdorur pa kursim edhe në rastin e Bosnjës. Ai kërkon të evitojë në këtë mënyrë shtimin e sanksioneve, të verë në gjumë si Perëndimin, ashtu edhe shqiptarët. Padyshim edhe çështja e arsimit ka rendësi, por themelore është çështja e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, fillimi i dialogut në mes të Beogradit e Prishtinës, në prezencën e një pale të tretë. Kësaj po përpiqet t’i largohet Millosheviçi.
Ne shqiptarët duam që çështja e Kosovës të zgjidhet pa luftë e në rrugë paqësore. Të drejtat e barabarta për popujt, sot zënë në botë një vend të veçantë. Dhe janë pikërisht këto të drejta që po kërkojnë shqiptarët, asgjë më shumë e asgjë më pak. Ata nuk duan zgjidhje me luftë, por as do të rrinë e të presin në pasivitet që liria e të drejtat t’u vijnë nga qielli, t’u serviren nga të tjerët. Për këtë arsye nga të gjithë, nga qeveritarët dhe forcat politike në Shqipëri e në Kosovë, lipset më shumë punë, më shumë mendim kombëtar dhe të pavarur, më shumë besim, vendosmëri e përkushtim. Në këtë mënyrë bëhen edhe më të mëdha mundësitë që pikëpamjet dhe opsionet e shtruara prej nesh në tavolinën e bisedimeve të dëgjohen me vëmendje e të respektohen edhe nga ana e Evropës dhe e Amerikës.
Intervistoi: ALFRED PEZA