Ish-Presidenti Ramiz Alia shkruan për “KOHA JONE” në lidhje me ngjarjet në Kosovë

(Botuar me 10 Maj 1998 në KOHA JONE)

Nga Ramiz Alia, ish-President i Shqipërisë-

Zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë është në qendër të vëmendjes së opinionit ndërkombëtar. Ajo, në radhë të parë, ndiqet me shqetësim të veçantë nga vetë ne shqiptarët. Vëllezërit tanë matanë kufirit u janë nënshtruar terrorit shtetëror serb, dhunës së tyre çnjerëzore, bombardimit të përditshëm të shtëpive e të fshatrave, vrasjes së banorëve, në pjesën më të madhe fëmijë, gra e pleq.

Sulmi serb kundër shqiptarëve, përveç Drenicës e Deçanit, që vazhdojnë të jenë nën goditjet çnjerëzore të forcave policore e paraushtarake serbe, kohët e fundit është shtrirë edhe në fshatrat kufitare me Shqipërinë, duke rrezikuar shtrirjen e konfliktit tej hapësirës kosovare. Përpara këtij krimi të paparë, shqiptarët kudo që gjenden, ngrenë zërin e protestës së rreptë kundër agresorëve serbë të Millosheviçit. Nga ana tjetër, ata e ndiejnë veten të bashkuar më tepër se kurrë, për t’u bërë ballë sulmeve të armiqve që në këtë fundshekulli synojnë shfarosjen e shqiptarëve dhe realizimin e ëndrrës raciste të spastrimit etnik në Kosovë.

Agresioni serb dhe virulenca me të cilin ai po realizohet ka lidhje me gjendjen e re politike që është krijuar në Evropë, pas përmbysjes së rendit socialist në vendet e Lindjes dhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Dihet se Serbia historikisht ka qenë hegjemone në shtetin jugosllav, qoftë në kohën e mbretërisë, qoftë pas Luftës së Dytë Botërore. Shpërbërja e Federatës shënoi edhe fundin e hegjemonisë dhe të ëndrrës nacionaliste për “Serbinë e Madhe”. Millosheviçi dhe shokët e tij s’e ndalën dot shpalljen e pavarësisë së Sllovenisë, Kroacisë e të Maqedonisë. Në Bosnjë ata u përpoqën që bashkëkombësit e tyre të zinin atje një territor sa më të madh. Kjo përpjekje, që u shoqërua me vrasjen e zhdukjen e qindra-mijë boshnjakëve me kombësi kroate ose të fesë myslimane, shënon, pas holokaustit nazist, fushatën më çnjerëzore për arritjen e spastrimit etnik të një popullsie. Në përfundim edhe në këtë pjesë të Jugosllavisë, Millosheviçi dështoi; ai u detyrua të pranojë vendimet e Dejtonit, që krijuan Republikën serbe në kuadrin e shtetit boshnjak. Padyshim këtë zgjidhje nacionalizmi serb e sheh si tranzitore.

Tani “lufta” e Millosheviçit është përqendruar në Kosovë. Shkëputjen e saj, në çdo formë, sipas çdo opsioni që përjashton sundimin absolut serb, ai e sheh si humbje përfundimtare për Serbinë. Kjo shpjegon edhe këmbënguljen dhe agresivitetin e autoriteteve serbe në Kosovë. Serbët mendojnë se duke përdorur armët dhe forcën, duke ndjekur praktikën naziste të “tokës së djegur” mund të arrijnë ta mbajnë Kosovën. Natyrisht këto janë plane të çmendura. Ato mund të çojnë vetëm drejt një lufte si në Bosnjë, nga e cila vetë serbët do të dilnin të humbur. Nuk mund të mendohet që bota e jashtme të qëndrojë indiferente ndaj një aventure të tillë. Nuk mund të mendohet që kosovarët të frikësohen dhe të qëndrojnë duarkryq. Ata nuk tërhiqen e nuk tremben nga asnjë lloj terrori. Kosova është e vendosur të realizojë qëllimin që ka përcaktuar me referendum popullor, Kosovën Republikë, sovrane dhe të pavarur.

Kosova, prova e Serbisë në Europë

Ngjarjet e Bosnjës dhe kokëfortësia që tregoi Millosheviçi e kanë dëmtuar së tepërmi imazhin e Jugosllavisë në sytë e botës. Ajo u përjashtua nga Komuniteti Evropian dhe nga organizma të tjerë ndërkombëtarë. Për të rifituar prestigjin e humbur asaj i duhet të provojë se po ecën në rrugën e zhvillimeve demokratike, në përputhje me normat evropiane. Një nga pengesat për t’u riintegruar në Evropë është edhe problemi i Kosovës. A mund të quhet demokratik një vend që shtyp një popull të tërë, që i mohon atij çdo të drejtë, kombëtare dhe njerëzore, që e mban të mbyllur si në një geto? Millosheviçi nuk ka prirje demokratike; ai është diktator, bile i tipit më agresiv. Ai as nuk pranon të bisedohet për Kosovën dhe aq më pak t’i njohë asaj të gjitha të drejtat që i përkasin, ato të drejta që fituan edhe gjithë popujt që bashkëjetonin në Federatën Jugosllave. Shqiptarët e Kosovës nuk kërkojnë asgjë më shumë, por ata nuk pranojnë edhe asgjë më pak!

Shqipëria dhe faktori ndërkombëtar

Copëtimi i territorit dhe i popullit shqiptar më 1913 nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, u bë për të kënaqur interesat e ndryshme të Fuqive të Mëdha dhe të klientëve të tyre. Në atë kohë, për kushtet konkrete ku gjendeshim ne shqiptarët, faktori i brendshëm, ishte krejt i pafuqishëm. Edhe sot, duke patur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike e politike, në të cilën ndodhet Republika e Shqipërisë, në pamje të parë mund të mendohet se çdo gjë varet nga të huajt, se ne shqiptarët nuk mund të bëjmë asgjë. Kjo psikozë çmobilizuese, që favorizon veprimet antishqiptare serbe dhe të atyre që u mbajnë anën, duhet hedhur poshtë me vendosmëri. Shqiptarët në këtë anë e matanë kufirit, në qoftë se mbi çdo gjë vënë interesat e kombit e të atdheut, janë plotësisht në gjendje t’i dalin zot vetes; ata mund të bëjnë çdo gjë që nevojitet për të ruajtur lirinë e pavarësinë e atdheut, për të mbrojtur e fituar të drejtat kombëtare. Nga ana tjetër, konjuktura në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare, si dhe atmosfera politike në përgjithësi bëjnë që faktori i jashtëm, në një masë të kënaqshme, të jetë më i favorshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës.

SHBA – Evropë, ekuilibri ndryshe

Ndryshimet që ndodhën në fillim të viteve ’90-të në Evropën Lindore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, kanë imponuar rishikimin e mjaft koncepteve e normave që rregullonin më parë marrëdhëniet midis shteteve, si dhe të disa raporteve të vendosura që në kohën e Luftës së Ftohtë. Për pasojë aktualisht “rregullat e lojës” po zëvendësohen me rregulla të tjera.

Efekti më i madh nga ndryshimet që kanë ndodhur është se sot nuk ka më dy kampe dhe dy superfuqi, që përbënin strumbullarin, rreth të cilit vërtitej politika botërore. Vetëm ky fakt ka sjellë disa pasoja. Tani superfuqia e vetme janë SHBA. Duket sikur çdo gjë është më e thjeshtë se sa ishte. Por në realitet s’është kështu. Më parë hegjemonia amerikane, edhe mbi aleatët e vet evropianë, sigurohej me pretekstin e rrezikut “komunist”, të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të Lindjes, që mund të sulmonin nga dita në ditë Perëndimin kapitalist. Kontradiktat e mëdha midis të dy blloqeve, mbanin në alarm NATO-n, nga njëra anë, dhe Traktatin e Varshavës, nga ana tjetër, duke u lënë mundësinë dy superfuqive të ushtronin rolin e tyre hegjemon në kampin përkatës.

Po aktualisht? SHBA nuk mund të llogarisin shumë në këtë faktor. Evropa e ndjen se ka shpëtuar nga ankthi i rrezikut “komunist” që vinte nga Lindja. Si rrjedhim ajo nuk e ndjen më nevojën as për “ombrellën atomike” amerikane, as për prezencën e ushtrisë amerikane. Frika se nga Lindja mund të vijë ndonjë sulm ushtarak, tani e për disa vite, është tepër hipotetik. Rusia dhe vendet tjera të Lindjes kanë hallé shumë më të mëdha për të zgjidhur, se sa të mendojnë për luftë kundër Evropës. Kalimi në ekonominë e tregut deri tani nuk ka krijuar ndonjë avantazh të veçantë për forcimin e tyre, si në planin ekonomik, ashtu edhe në atë ushtarak. Përkundrazi vështirësitë ekonomike dhe ato politike janë në rend të ditës dhe përbëjnë shqetësimin kryesor, qoftë në Rusi, qoftë gjetkë në Lindje.

Postkomunizmi, rindërtimi i politikave

Përmbysja në Lindje u reflektua edhe në raportet midis vendeve perëndimore evropiane. Mjafton të përmendim në këtë drejtim efektin që pati bashkimi i Gjermanisë, pas rënies së murit të Berlinit. Gjermania e bashkuar paraqitet tani një fuqi e madhe ekonomike e politike, që do të luajë një rol vendimtar në të ardhmen, jo vetëm në raport me vendet tjera, anëtarë të Bashkimit Evropian. Ajo tashmë është një konkurrent i fortë i SHBA. Në literaturën e sotme politike, Gjermania cilësohet si një nga tri imperatoritë ekonomike, përkrah SHBA e Japonisë.

Zhvillimet e sipërme, pa shkuar më larg e më thellë, kanë detyruar Fuqitë e Mëdha, veç e veç, si dhe Bashkimin Evropian që të rindërtojnë politikat e tyre. Vihen re, p. sh., përpjekjet e Bashkimit Evropian për t’u futur në Lindjen e Mesme, që më parë ishte fushë veprimi e dy superfuqive, e më pas vetëm e SHBA. Pra po kërkohen “brigje të reja”. Para disa kohësh Kryesuesi i radhës së BE, kryeministri anglez Bler, vizitoi Izraelin dhe Palestinën, gjë që shkaktoi një farë pakënaqësie tek autoritetet izraelite, të cilët deklaruan se ata pranojnë vetëm ndërmjetësimin amerikan e të askujt tjetër.

Edhe SHBA kanë rishikuar politikën e tyre. Pasi u janë krijuar disa vështirësi për të ruajtur “pa të çara” hegjemoninë mbi vendet e Evropës Perëndimore, duket se janë të vendosur të ruajnë të paprekshëm rolin e tyre në juglindje të Evropës, në Lindjen e Mesme dhe më tej. Para disa kohësh Presidenti Klinton ndërmori një udhëtim të gjatë në Afrikë. Kushdo e ka të qartë se atje nuk e tërhoqi ekzotika afrikane, por interesa të tjera më materiale, që i përgjigjen strategjisë globale të SHBA. Po kështu është kuptimplotë aktiviteti diplomatik e ushtarak i SHBA në Ballkan, sidomos në rajonet e nxehta të tij, si në Bosnjë e Kosovë.

Fuqitë e Mëdha, prova e forcës

Në këtë lëmsh interesash e kontradiktash, sipas mendimit tim, duhen parë edhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj zhvillimeve në Ballkan, duke patur parasysh edhe rëndësinë që ka pozita gjeografike e këtij gadishulli në lëvizjen drejt “brigjeve të reja”. Nga ana tjetër, shpërbërja e Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja të pavarura ka ndikuar si në vendosjen e raporteve të reja ndërballkanike ashtu edhe në qëndrimet e fuqive të ndryshme ndaj vendeve të kësaj zone vulnerabël.

Dihet se Ballkani është “infektuar” më shumë se çdo anë tjetër e Evropës, nga ndjenjat nacionaliste dhe presioni populist; ai është një vatër endemike e mosmarrëveshjeve ndëretnike. Prishja e ekuilibrit të mëparshëm në Evropë dhe krijimi i shteteve të reja në Ballkan, e kanë bërë më të madh rrezikun e destabilizimit të këtij rajoni me rëndësi për gjithë Evropën. Për këto arsye, agresioni serb kundër shqiptarëve në Kosovë paraqet një rrezik me pasoja të paparashikuara, ndoshta më të mëdha se sa ato që u vërtetuan në Bosnjë. Një konflagracion në Kosovë do të implikonte zinxhir thuajse gjithë shtetet ballkanike, interesat e të cilëve janë jetike në këtë zonë. Lufta në Bosnjë Hercegovinë shkaktoi vdekjen e qindra-mijë njerëzve. Për këtë mbajnë përgjegjësi të Mëdhenjtë. As Evropa, as SHBA nuk qenë në gjendje ta ndalojnë këtë katastrofë. Ata u vonuan, sepse nuk arritën të rakordojnë interesat e tyre. Thua të përsëritët historia edhe në rastin e Kosovës? Fuqitë e Mëdha do të merrnin mbi vete jo vetëm përgjegjësinë për vrasjet e krimet që mund të rezultojnë, por edhe turpin e përjetshëm!

Grupi i Kontaktit dhe durimi shqiptar

Gjendja e krijuar në Kosovë dhe rreziku që mbart ajo, ka shqetësuar edhe Komunitetin Ndërkombëtar. Këtë e dëshmon edhe veprimtaria e Grupit të Kontaktit, ku bëjnë pjesë Anglia, Gjermania, Franca, Italia, Rusia dhe SHBA. Nuk është sekret, që qysh në mbledhjen e parë të Grupit, në Londër në fillim të muajit mars 1998, u shfaqën anësitë e ndryshme, herë hapur, herë përgjysmë. Ato u përgjigjen interesave që ka përcaktuar secila Fuqi e Madhe në realitetin e ri ballkanik. Njihet pozicioni i Rusisë në përkrahje të Serbisë, aq sa nuk heziton të fajësojë shqiptarët për gjendjen e krijuar. Millosheviçi llogarit këtë mbështetje për qëndrimet që mban.

Pozicioni më konsekuent për të evituar rrezikun e luftës është mbajtur nga SHBA. Përfaqësuesit amerikanë, në të tria mbledhjet e Grupit të Kontaktit, janë treguar shumë aktivë në mënyrë që t’i pritet rruga agresionit e krimeve serbe kundër shqiptarëve dhe që të krijohen kushte për fillimin e dialogut midis kosovarëve e serbëve. Ky pozicion, padyshim, i shkon për shtat politikës globale që ndjekin SHBA në këtë pjesë të Evropës.

Në fund të muajit prill u mbajt në Romë mbledhja e tretë e Grupit të Kontaktit. Pritej që kjo mbledhje të ishte një hap përpara në krahasim me mbledhjet e mëparshme. Por nuk ndodhi kështu. Ajo nuk vendosi asnjë sanksion për të detyruar serbët që të zbatonin thirrjen, që u ishte bërë qysh nga mbledhja e Londrës, për të tërhequr forcat ndëshkuese policore nga Kosova dhe për të ndërprerë terrorin ndaj shqiptarëve. Të shohim çfarë do të sjellë vendimi i sotëm për të “ngrirë” investimet serbe! Megjithatë, në përgjithësi, vihet re një paradoks: ndërsa gjendja në Kosovë shkon drejt përkeqësimit të vazhdueshëm, Grupi i kontaktit nga mbledhja në mbledhje, zbut qëndrimet e veta ndaj serbëve. Shqiptarët nuk mund të pajtohen me këtë qëndrim. Në fakt edhe vetë z. Rugova në një konferencë shtypi u shpreh se “prisnim më shumë” nga Grupi i Kontaktit. Është e qartë se “faktorët” proserbë në këtë Grup ndikojnë shumë më tepër se gjaku i shqiptarëve. Por kjo është tepër e rrezikshme. Ky qëndrim mban erë lufte. Ai të kujton qëndrimin dhe veprimet e Lordit Kerrington, në fillimin e ngjarjeve të Kroacisë e të Bosnjës, në vitin 1991.

Vonesat e tij, tërheqja ndaj agresivitetit të serbëve çuan në katastrofën e Bosnjës. Përse Evropa duhet të përsërisë të njëjtat gabime? Nga disa deklarata, si ato të ministrit të jashtëm rus Primakov, vihet re se po bëhen përpjekje që terrorin serb në Kosovë ta justifikojnë, duke bërë fajtorë shqiptarët, Kosovarët quhen “terroristë” se ata i provokuakan serbët dhe i detyruakan të ndërmarrin operacionet ndëshkuese.

Ministri rus shkoi edhe më tej. Ai akuzoi edhe Republikën e Shqipërisë si nxitëse të “separatistëve” kosovarë, të cilët i stërvitka dhe i furnizuaka me armatime. Në këtë mënyrë fajtorë dalin shqiptarët, prandaj ata duhet të rrinë urtë, të durojnë dhunën e terrorin serb, vrasjen e fëmijëve e të pleqve, shkatërrimin e shtëpive e të fshatrave të tyre. Ndryshe Evropa, sipas z. ministër, do t’i quajë terroristë! Jo, shqiptarët nuk janë as terroristë, as shkaktarë për luftën eventuale, të cilën nuk po di ta parandalojë Evropa.

Shqiptarët mbrojnë nderin e tyre, ata kanë të drejtën e vetëmbrojtjes me të gjitha mjetet e mënyrat që u lejojnë rrethanat. Ata nuk mund të zbatojnë devizën kristiane, t’i kthejnë faqen tjetër vrasësit serb. Edhe durimi ka një fund. Nëse Evropa dëshiron të presë, sa të rakordojë interesat me Serbinë dhe protektorët e saj, vështirë të imagjinohet që shqiptarët e Kosovës do të nënshtrohen, sa të ulin kokën pse kështu këshillon z. Primakov!

NATO të mbrojë Kosovën, jo Shqipërinë

Agjencitë e lajmeve njoftuan se më 5 maj në Strasburg, në mbledhjen e ministrave të jashtëm të Këshillit të Evropës, është diskutuar edhe për vendosjen eventuale të forcave ushtarake të BEP ose të NATO-s gjatë kufirit shqiptar. Ministri gjerman Kinkel ka deklaruar se një forcë e tillë do të ndalonte kontrabandën e armëve midis Shqipërisë e Kosovës! Pra duhet të kontrollohet kufiri shqiptar, sepse këtej vjen e keqja. Këto janë sinjale shqetësuese, sepse në thelb ato i mbajnë iso tezës serbe dhe justifikojnë agresorin. Por këto deklarata komprometojnë edhe idenë e kërkesës që ka bërë pala shqiptare për vendosjen e forcave të NATO-s përgjatë kufirit me Kosovën. Përse u dashkan këto forca?

Shumë-shumë ato mund të shërbejnë për të ndaluar shtrirjen e luftës nga territori i Kosovës në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Por problemi kyç është Kosova, dhuna policore e terrori kundër popullsisë atje, respektimi i të drejtave dhe i lirive të popullit shqiptar të Kosovës. Çështja nuk shtrohet si të mbrohet Shqipëria, por si do të zgjidhet problemi i Kosovës, si do të detyrohen Serbia e Millosheviçi të ndalin terrorin mbi shqiptarët, si do të arrihet që Kosova të fitojë të drejtat e saj kombëtare e qytetare.

Forcat e NATO-s mund të jenë të domosdoshme të vendosen në Kosovë, që të mbrojnë popullin e atjeshëm të pambrojtur e të pafajshëm, që të pengojnë spastrimin etnik dhe përdhunimin e një populli të tërë. Ç’vlerë kanë në Shqipëri forcat e NATO-s, kur matanë kufirit vëllezërit tanë lihen në mëshirën e serbëve, të ekspozuar para çdo rreziku? Sulmi serb mbi Kosovën rrezikon dy milionë shqiptarë! Në qoftë se atje dhuna serbe do të shkallëzohet sa të degjenerojë në luftë, mos vallë Evropa dhe bashkë me të edhe ne shqiptarët e atdheut amë do të “kënaqemi” se katastrofa u kufizua në territorin e Kosovës, pavarësisht se për këtë u bënë kurban fëmijët, gratë e burrat e Kosovës? Mos vallë ne do të “këndojmë” fitore se NATO mbrojti kufijtë e Republikës sonë? Kjo do të ishte tradhtia më e madhe kombëtare, që do të rëndonte mbi supet e të gjithë shqiptarëve, sepse kësaj radhe, në vitin 1998, do të ishim ne shqiptarët që në bashkëpunim me të huajt do t’i bënim varrin Shqipërisë, Kosovës e mbarë Kombit shqiptar.

Jo lëshime, por këmbëngulje

Duke e parë drejt në sy zhvillimin e ngjarjeve, duke paralajmëruar rreziqet që paraqet agresioni serb në Kosovë, që kërcënon në mënyrë serioze shfarosjen e shqiptarëve atje dhe paqen në rajon, është e domosdoshme që të ndërmerren veprime më të vendosura. Kjo i përket Evropës dhe SHBA, në qoftë se me të vërtetë janë të shqetësuar për ruajtjen e paqes dhe të lirive e të drejtave të popujve, në rastin konkret të lirisë e pavarësisë së shqiptarëve të Kosovës. Por qëndrime e sidomos veprime më të vendosura na imponon gjendja e krijuar, në radhë të parë, neve shqiptarëve, forcave politike dhe Qeverisë së Republikës sonë, si dhe forcave politike e autoriteteve të zgjedhura në Kosovë. Duhen flakur tej si veprimet individuale, jashtë institucioneve zyrtare, ashtu edhe prirjet për të fituar kapital politik partiak, secili për vete.

Çështja kombëtare është një dhe për të janë të interesuar të gjithë shqiptarët. Deklaratat “patriotike”, qëndrimet gjoja opozitare, duke spekuluar me anën e mjeteve të informacionit, thirrjet e pamatura “dështake” nëpër “tavolina” të veçanta, ku secila parti kërkon të marrë flamurin e patriotizmit, krijojnë konfuzion dhe hutim në popull, sjellin dëme të pallogaritshme brenda vendit dhe në opinionin e huaj. Ato inkurajojnë agresorët serbë, që shohin se vetë shqiptarët nuk janë të bashkuar, pra as të vendosur që të kundërshtojnë veprimet e tyre antishqiptare; ato u japin argumente edhe miqve të Serbisë, që “grindjet pseudopatriotike” t’i marrin si dobësi tona dhe mbi këtë bazë të forcojnë mbështetjen për agresorin dhe të penalizojnë viktimën. Qeveria shqiptare kohët e fundit ka ndërmarrë disa iniciativa.

Por në pasqyrën e zhvillimeve më të fundit, është e qartë se ato janë të pamjaftueshme. Nevojiten edhe hapa të tjerë më energjikë, që bota të kuptojë se, në rrugën e lëshimeve ndaj agresorit nuk mund të arrihet as mbrojtja e paqes, as respektimi i të drejtave të Kosovës. Këmbëngulja shqiptare në të drejtën e vet do të ndihmojë edhe ato fuqi të huaja, siç është rasti i SHBA, në përpjekjet e tyre për t’i prerë rrugën dhunës serbe në Kosovë dhe rrezikut të luftës.

Politikë mbarëkombëtare për Kosovën

Shqiptarët janë të interesuar për një zgjidhje paqësore të çështjes së Kosovës. Këtë, ata e kanë treguar dhe po e tregojnë dita ditës. Durimi më se shembullor, qetësia me të cilën kosovarët po përballojnë fyerjet, vrasjet e fëmijëve të tyre dhe shkatërrimet e çdo gjëje të shtrenjtë, është më se provë e vendosmërisë së tyre paqësore. Veprimet vetëmbrojtëse, që janë të detyruar të marrin, nuk dalin nga ky kuadër.

Një qëndrim më i prerë dhe një aktivizim më i madh politik e diplomatik, një bashkim i të gjitha forcave patriotike të vendit, në Shqipëri e në Kosovë, do t’i tregonte gjithë botës, miqve dhe kundërshtarëve tanë, se ne shqiptarët jemi këtu, në Shqipëri e në Kosovë, të gatshëm për të mos lejuar askënd që të përsëriten padrejtësitë e së kaluarës. Kjo do të ndihmonte, krahas presioneve të Komunitetit Ndërkombëtar, që të arrihet ndërprerja e dhunës serbe në Kosovë dhe të krijohen kushtet për fillimin e dialogut midis serbëve e shqiptarëve me pjesëmarrjen e një ndërmjetësi ndërkombëtar, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës./Ramiz Alia/

 

SHKARKO APP