Iskra Thoma: Mesazhi që Nënë Tereza u dërgoi shqiptarëve para se të vdiste

(Botuar me 12 shkurt 1999 në KOHA JONE)

Iskra Thoma:   Mesazhi që Nënë Tereza u dërgoi shqiptarëve para se të vdiste 

“Ju e dini sa e dua unë Shqipërinë”

I do duart e mia?

Zot, a i do duart e mia për ta kaluar këtë ditë duke ndihmuar të varfrit e të sëmurët që kanë nevojë?

Zot, sot po t’i jap duart e mia.

Zot, a i do këmbët e mia për ta kaluar këtë ditë duke vizituar ata që kanë nevojë për një mik?

Zot, sot po t’i jap këmbët e mia.

Zot, a e do zërin tim për ta kaluar këtë ditë duke folur me ata që kanë nevojë për fjalë dashurie?

Zot, sot po ta jap zërin tim.

Zot, a e do zemrën time për ta kaluar këtë ditë duke dashuruar çdo njeri vetëm sepse është njeri?

Zot, sot po ta jap zemrën time.(Nga poezitë e Nënë Tereza, përk. D. Çobani)

 

Iskra Thoma                     

Në mars 1997, pesë muaj para se të vdiste, Nënë Tereza i la një mesazh Imzot Paolo Hnilika  Peshkopi çekosllovak, i cili për 34 vjet qe miku dhe bashkëpunëtori i saj.

Cila ishte karakteristika e veçantë që e dallonte Nënë Terezën nga personalitetet e tjera të Kishës Katolike që kanë vepruar në këtë shekull?

Zgjedhja e “fushës” së aktivitetit të saj. Jo të varfrit, po “më të varfrit e të varfërve”. Domethënë ajo kategori njerëzish që nuk kanë asgjë, që jetojnë jashtë çdo gjëje, që janë braktisur edhe nga Kisha, që as janë të regjistruar, që s’kanë të drejta. Një ushtri të mjerësh, po që janë qenie njerëzore, bij të Zotit, vëllezërit tanë. Jezusi u kryqëzua edhe për ata. Këtë besonte edhe Nënë Tereza dhe me veprën e saj i ka bërë thirrje humanizmit të kristianëve e mbi të gjitha njerëzve të institucioneve të Kishës për këtë realitet të tmerrshëm, krejtësisht të harruar”

Jeta e të gjithë shenjtorëve ka mrekulli, vizione, çudi. Po në atë të Nënë Terezës?

“Mrekullitë”, vizionet, çuditë nuk janë karakteristika të shenjtorëve. Janë “mirësi” që Zoti përdor në favor të shenjtorëve si shenjë e dashurisë, e mbështetjes së tij. Shenjtori jeton i zhytur në dashurinë për Zotin dhe Zoti ia rikthen atë. Sa më shumë dashuri nga njëra anë, aq më shumë mrekulli nga ana tjetër. Padyshim edhe jeta e Nënë Terezës ka qenë e karakterizuar nga ngjarje të ngjashme. Mbi të gjitha ndërhyrja hyjnore, ndërhyrja e Providencës për të mbajtur në këmbë kongregacionin e saj (misionin e saj) absolutisht pa asnjë mbështetje materiale. Po është e njohur që ajo kishte vizione qiellore. Ajo shpesh thoshte: “Jezusi më ka thënë”.

Ç’kuptim kishte kjo fjali?

Për mendimin tim, s’ka kuptim tjetër veç atij që thuhet “ad litteram”.

Ju keni jetuar shumë afër Nënë Terezës, keni udhëtuar me të nëpër botë. Ka ndonjë aspekt të jetës së saj për të cilin nuk flitet kurrë?

Dashuria shumë e madhe që kishte për familjen dhe atdheun e saj. Asnjëherë nuk flitet për familjen e Nënë Terezës, të thuash, sikur të ketë qenë gjithmonë murgeshë. Përkundrazi, Nënë Tereza ishte shumë e lidhur me familjen. Familja e saj ishte e jashtëzakonshme, e bashkuar, kristiane, e cila u martirizua nga ngjarje dramatike. Babai i saj, Nikola (Kola në shqip) vdiq në rrethana misterioze, kur Nënë Tereza ishte 9 vjeç. Ka shumë mundësi ta kenë vrarë për arsye politike. Familja banonte në Shkup, qytezë në kufij me kombe të ndryshme, që gjatë historisë kaloi nën Turqinë, Jugosllavinë, Shqipërinë, Bullgarinë, po që pjesa më e madhe është popullsi shqiptare. Babai i Nënë Terezës ishte përfaqësues i shqiptarëve që donin pavarësinë nga Jugosllavia dhe që u vra për këto ide të tij. E ëma, Drane, ishte një besimtare e madhe dhe me mirësi të jashtëzakonshme kristiane. Çdo ditë, kur fëmijët ishin akoma të vegjël, i çonte në shtëpitë e të varfërve që t’i mësonte të donin dhe të ndihmonin ata që ishin më të pafat. E mbetur e ve në moshë të re, iu dedikua tërësisht edukimit të fëmijëve. Nënë Tereza e la familjen më 1928. Pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri u vendos regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, një nga xhelatët më mizorë të shekullit, e që atëherë Nënë Tereza nuk mundi të hyjë më në atdhe. Vëllai i saj Lazri, inxhinier, kishte mundur të largohej nga atdheu dhe jetonte në Itali, po e ëma dhe e motra Agata (Age në shqip) mbetën të burgosura nën regjimin e egër komunist. Ato nuk i pa më. Bëri gjithçka për t’i ndihmuar që të dilnin jashtë atij ferri. Kur u bë e famshme iu drejtua disa figurave politike dhe disa personaliteteve ndërkombëtare që të mund t’i takonte të ëmën dhe të motrën, po nuk ia doli mbanë. Të dy gratë vdiqën, ndoshta nga vuajtjet, sigurisht në varfëri, në fillim të viteve ’70.

Nënë Tereza e donte shumë atdheun e saj. Kudo gjithmonë me krenari thoshte që ishte shqiptare. Pas rrëzimit të regjimit komunist të Tiranës, menjëherë u kthye në atdhe që të ndihmonte popullin e vet. Dërgoi murgeshat e misionit të saj që hapën shtëpi pritjeje për më të varfrit e të varfërve në Shqipëri. Në mars të vitit 1997, pesë muaj para se të vdiste, dëshironte t’u dërgonte një mesazh shqiptarëve, që po kalonin momente të tjera të vështira. Kishte lexuar në gazeta që shumë shqiptarë ishin të pështjelluar, sepse kishin humbur fitimet e tyre të pakta duke i investuar në firmat piramidale, të cilat kishin falimentuar papritur, menjëherë. Në Shqipëri ishin kthyer ditët e urrejtjes, të frikës, të zemërimit. Nënë Tereza vuante. Shkroi një mesazh dhe ma besoi mua për t’ua dorëzuar autoriteteve kompetente. Nuk besoj të jetë bërë i njohur, aq më shumë në nivelin e masave. Besoj që për popullin shqiptar mesazhi i Nënë Terezës është i panjohur”.

Imzot Hnilika na dorëzon një letër me kokë “Misionarë të Karitasit”, ku Nënë Tereza kishte shkruar me makinë shkrimi mesazhin e saj për popullin shqiptar. Në fund, firma autograf zbulon një shkrim pak të dridhur dhe që të le të kuptosh që misioni i Nënë Terezës në tokë po shkonte drejt fundit.

“Pasi ma dorëzoi këtë mesazh”, thotë Imzot Hnilika, “Nënë Tereza u informua disa herë nëse u ishte dorëzuar autoriteteve shqiptare. Donte që populli i saj ta njihte, siç thashë më lart, nuk besoj të jetë publikuar. Megjithatë është gjithmonë aktual.

Mesazhi drejtuar Shqiptarëve

“Shumë i dashur populli im i Shqipërisë, lajmet për rrëmujat që ndodhën papritur në Atdheun tonë të mrekullueshëm më kanë shkaktuar një dhimbje të madhe. Ju e dini sa e dua unë Shqipërinë.

Kohët e fundit e kam vizituar shpesh dhe ju kam dërguar murgeshat e mia për të përcjellë dhembshuri, dashuri dhe kujdesje për të varfrit. Tani me dhimbje të madhe në zemrën time mësoj që shumë jetë njerëzore kanë humbur e shumë njerëz janë goditur nga dhuna. I kuptoj vuajtjet e atyre që kanë humbur paratë e tyre, po, ju lutem, mos shkaktoni akoma më shumë dhimbje tek njeri-tjetri. Kujtoni që Zoti ka krijuar secilin nga ne për gjëra më të mëdha: që të duash dhe të të duan. Ky është kuptimi i jetës, të cilin asnjë dhimbje nuk mund të na e fshijë. Ai burrë, ajo grua, ai fëmijë është vëllai im, motra ime. Dhe duhet që secilin unë ta dua ashtu si Zoti na ka dashur ne. Për të qenë të aftë që të duam njeri-tjetrin, duhet të lutemi shumë sepse lutja na e bën zemrën të pastër dhe një zemër e pastër mund të shohë Zotin brenda tjetrit.

Nëse ne tani nuk kemi paqe, është se kemi harruar si të shohim Zotin tek të tjerët. Nëse një njeri do të shihte Zotin tek tjetri, mendoni se do të kishim nevojën e armëve dhe bombave? Po lutem, shumë, për gjithë popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dojë, deri sa të vuajë dhe të sjellë kështu paqe në vend dhe në çdo zemër. Le të lutemi.

Zoti ju bekoftë. Nënë Tereza

SHKARKO APP