Ja mocioni i plotë i Fatos Nanos
(Botuar me 6 Korrik 1996 në KOHA JONE)
Ja mocioni i plotë i Fatos Nanos
Mocion për debat në KPD mbi tezat e Kongresit të dytë të PSSH
Situata politike pas farsës elektorale të 26 majit shtron përpara Partisë Socialiste, si partia më e madhe opozitare, nevojën e ndryshimeve të shpejta cilësore shumëplanëshe. Ky pikësynim paraqitet edhe më i mprehtë përballë kërkesave të së ardhmes për një adaptim më efikas të qëndrimeve ndaj kërkesave të elektoratit dhe rekomandimeve të departamentit amerikan të shtetit, Parlamentit Europian, OSBE, Këshillit të Evropës dhe organizmave të tjera ndërkombëtare. Realizimi i këtij qëllimi kërkon në vetvete një analizë ku të shqyrtohet gjendja, evolucioni dhe perspektiva për hapa të mëtejshme vendimtare në konsolidimin e mëtejshëm të fizionomisë socialdemokrate të PSSH.
Ky mocion për debat dhe votim në KPD paraqitet si nismë e kryetarit të burgosur të PSSH Fatos Nano në bashkëpunim me një numër anëtarësh të KPD nënshkrues të këtij mocioni. Përmes debatit synohet ndërmarrja e hapave konkretë që do të përgatisin terrenin për suksesin e PSSH në të ardhmen dhe paralizimin e skenarit diversionist të Berishës.
Teza për debat në KPD
- Vlerësimi i krizës politike dhe institucionale në Shqipëri pas puçit elektoral të 26 majit dhe perspektiva e zhvillimeve të mëtejshme deri në zgjedhjet e ardhshme.
- Adaptimi i qëndrimeve politike të PSSH ndaj rekomandimeve të departamentit amerikan të shtetit, Parlamentit Europian, institucioneve vëzhguese të OSBE, Këshillit të Europës dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
- Analiza sintetike e veprimtarisë politike 4-vjeçare të PSSH duke u ndalur veçanërisht në përmbajtjen e politikës së ndjekur dhe në taktikat e format e përdorura të lidhura këto me faktorët përcaktues e ndikues.
- Analiza e punës së forumeve të zgjedhura nga KPD (kryesia, nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm). Vlerësimi i rasteve të shkeljeve të parimeve statutore të funksionimit të brendshëm të partisë, veçanërisht bllokimi artificial nga ana e “kryesisë ekzekutive” i transmetimit të mesazheve dhe kërkesave politike të kryetarit të partisë për kryesinë dhe KPD e lidhur kjo kryesisht me devijimin, zvarritjen apo edhe shpërdorimin e tyre nga drejtues të veçantë.
- Realizimi i ndryshimeve të nevojshme programore statutore, strukturore dhe zgjedhja e drejtuesve të forumeve të PSSH konform kritereve bashkëkohore për t’i dhënë asaj parametra të qëndrueshëm të socialdemokracisë perëndimore.
Projektvendim i KPD të PSSH
KPD, në mbledhjen e tij të datës 4.07.1996, kushtuar punës përgatitore për fazën e dytë të kongresit të dytë të PSSH vendosi:
- Mbledhjen e fazës së dytë të kongresit të PSSH në periudhën 26-27 korrik 1996 me delegatët e zgjedhur në fazën e parë të mbajtur më 23-24 mars 1996.
- Mbledhjen e konferencave të PSSH të rretheve (faza e dytë e tyre) në periudhën 10-20 korrik (me delegatët e zgjedhur pjesëmarrës në fazën e parë të tyre, mars 1996).
- Ndërprerjen e çdo praktike funksionimi si “kryesi ekzekutive”
- Të ngarkojë një grup të KPD, të përbërë në shumicë nga jo anëtarë të kryesisë, që të hartojë projekt-raportin politik të Kongresit dhe ta paraqesë atë për diskutim e miratim në KPD brenda datës 22 korrik 1996. Grupi i punës duhet të njihet edhe me përmbajtjen e korrespondencës zyrtare 3-vjeçare të kryetarit të PSSH me forumet dhe drejtuesit e saj dhe të evidentojë detyrat politike emergjente dhe masat për realizimin e plotë të tyre.
- T’i propozojë Kongresit për miratim projektrezolutat përkatëse për: a. Disa ndryshime në programin politik të PSSH sikurse janë a-heqja e çdo reference ndaj marksizmit;
- largimi përfundimtar nga ndikimi i koncepteve dhe terminologjisë etatiste; c. reflektimi në tërësi i koncepteve të reja, të cilat zunë vend në programin elektoral dhe i mesazheve politike të kryetarit të PSSH.
- Disa ndryshime në statutin e PSSH, sikurse janë:
- Adoptimi i sistemit organizativ me kryetar komisionesh – zëdhënës politikë sipas fushave të qeverisjes alternative. b. Përcaktimi nga KPD i të drejtave dhe detyrave për kryetarin, kryesinë, komisionet etj.
- Të kooptojë si anëtarë të KPD intelektualët:
Kryetari i PSSH, Fatos Nano, shpreh besimin e tij politik se kjo nismë jetike për të ardhmen e së majtës shqiptare përbën një garanci për krijimin e besimit brenda dhe jashtë vendit për fitoren e forcave opozitare në zgjedhjet e ardhshme të lira e demokratike të rekomanduara nga institucionet e demokracisë perëndimore.
Propozues Fatos Nano