Jonila Godole: Edi Rama ekspozitë në Frankfurt
(Botuar 14 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Jonila Godole-
Pikturat e Edi Ramës, janë vendosur në hyrje të ekspozitës “Artistët e Evropës Qendrore e Lindore” në Frankfurt. Ekspozita është organizuar nga GTZ, një nga organizatat më të rëndësishme gjermane për bashkëpunim dhe zhvillim me qendër pranë Frankfurtit. Ekspozita, në të cilën marrin pjesë 17 piktorë nga Rusia, Polonia, Shqipëria, Bullgaria, Lituania, Republika Çeke, Gjeorgjia, Kazakistani, Estonia do të qëndrojë e hapur deri në 6 shkurt 1998.
Edi Rama, për herë të parë merr pjesë me katër punime në teknikë mikse, të gjitha i përkasin vitit 1996. Dy prej tyre janë piktura pa titull, në stilin “paravent”. Një nga organizatorët e ekspozitës, znj. Henriette Mende, thotë se punimet e Ramës janë vendosur në hyrje të hollit sepse kanë formë dhe kolorit shumëngjyrësh, ato janë zgjedhur nga një juri e stafit organizues. Piktorët pjesëmarrës kanë vendosur vetë çmimet e punëve të tyre. Edi Rama, renditet pas rusit Samsonov me çmimet më të larta. Znj. Mende, thotë se për çdo pikturë të shitur, paratë do t’u shkojnë në mbyllje të ekspozitës, të gjithë piktorëve pjesëmarrës. Që ditën e parë të ekspozitës, punimet e Ramës, ishin nga më të pëlqyerat, sidomos njeri nga kuadrot pa titull, me madhësi mesatare.
Në ekspozitën e Frankfurtit, merr pjesë dhe një shqiptar tjetër, Sokol Beqiri, nga Kosova, punimet e të cilit paraqiten këtu për herë të dytë. Beqiri prezantohet me gjashtë punime, të realizuara në vitet ’89, ’90, ’91. E pyetur nëse mendon se kjo ekspozitë sjell apo jo diçka të re, Mende thekson se ky lloj prezantimi, ndihmon në ndryshimin ose përmirësimin e opinionit që Evropa perëndimore ka për Vendet në Zhvillim. Por në javën e parë të ekspozitës, pothuaj nuk ka ardhur asnjë nga piktorët prezantues. Mende thotë se stafi organizues, nuk mund të marrë përsipër udhëtimin dhe qëndrimin e 17 piktorëve për tri muaj në Gjermani. Gjithsesi për artistët e vendeve në zhvillim, prezantimi pa futur dorën në xhep, është më i rëndësishëm.
JONILA GODOLE, Frankfurt