Jonila Godole: Rrënimi i piramidave bashkon popullin me policët
(Botuar me 19 Janar 1997 në KOHA JONE)
Nga Jonila Godole-
E hënë, 13 janar – Shërbimi i policëve pranë fajdexheshës Sude përforcohet. Pas dy ditësh pritet që ajo të shpërndajë paratë. Policët qetësojnë njerëzit duke qetësuar edhe veten e tyre se paratë do t’i marrin. Në radhën që pret për më shumë se një muaj, ka humbur qetësia. Qarkullojnë fjalë se Sudja ka dalë herët në mëngjes për t’u takuar me “kompetentin” dhe për të marrë “thesin”.
E martë, 14 janar – Fajdexhesha Sude ka lajmëruar pas policëve besnikë dhe roje se paratë do t’i shpërndajë të nesërmen. Njerëzit mundohen të buzëqeshin dhe fillojnë përsëri nga planet se çfarë do të bëjnë me paratë kur t’i marrin. Forcat e rendit pavarësisht nga fjalët e Sudes, rrethojnë gjithnjë e më tepër shtëpinë dhe rrugicat. Ka plot dyshime.
E mërkurë, 15 janar – Gazeta “Albania” del me titull të madh se Sudja nuk do shpërndajë lekë. Të tjerat japin shpresa. Gjithë natën duke u gdhirë e mërkurë, njerëzit flenë dhe rrinë zgjuar pranë pallatit të Sudes. Sudja del dhe jep prapë shpresa. Mësohet se gjithçka ka marrë fund. Turma egërsohet dhe numri i protestuesve që kërkojnë paratë i kalon mijërat. Policia e përditshme në lagjen e Sudes, ia lë kërbaçin forcave speciale që disa i emërtojnë “reparti 26”. Të rrahurat dhe shkopinjtë e gomës në këtë ditë shihen normale. Trafiku i “21 dhjetorit” dhe “Rrugës së Kavajës” pengohet plotësisht. Njerëzit ndalohen të shkojnë në sheshin “Skënderbej”. Situata i ngjan zgjedhjeve të 26 majit, madje më keq.
E enjte, 16 janar – Stafetën e fajdeve e rrëmbejnë vlonjatët. Në ndryshim nga Tirana e një dite më parë, qyteti i Vlorës tregoi se shqiptarët edhe luftojnë ndonjëherë për djersën e tyre. Qytetarë të keqtrajtuar dhe më shumë policë të plagosur. Kokat e “Gjallicës” kërkohen me policë. Jugorët duan mbështetje. Flitet se edhe shkodranët do të ngrihen në shesh.
Qeveria vendos bllokimin e 25,5 milionë dollarëve, fondi-depozitë i fondacioneve, deri në deklaratën e komisionit të ngritur për kontrollin e tyre.
E premte, 17 janar – Në Tiranë situata duket e qetë. Vuajtja për paratë e humbura dhe mallkimi për Suden është mbyllur në apartamente. Vlora gjithashtu nuk ka pasur incidente të tjera të dukshme. Pengohet puna e fondacionit “Xhaferri”. Por, akoma ecet me shpresë. Sudja tregon se nuk është ndihmuar nga krerët e lartë të shtetit. Gënjen?!
E shtunë, 18 janar – Gjithçka është lënë për t’u vendosur të dielën. Sheshi “Skënderbej” dje ka qenë i rrethuar me policë dhe makina. U zhvillua këshilli kombëtar i PD, nga ku doli se dhimbja do të rregullohet me një komision të veçantë këshillues. Liderët e opozitës mendojnë rrugë të reja për të mbushur sheshin kryesor. Pritet që policia të mos iu bindet urdhrave. Do të jetë një 28 maj i dytë?!
Fajdetë shkaktojnë vuajtje. Njerëz pa dallim uniforme e shkollimi këtë javë përjetuan ankthin e xhepave të zbrazur. 1992-shi i Hajdin Sejdisë, sigurisht as që krahasohej me fundin e aventurës së Sudes. “Happy End”-i i trishtuar për fajdexheshën e madhe që trazonte paratë e fukarenjve dhe bosëve nuk kurseu asgjë, as shërbimet e pafundme pranë selisë paradhënëse, asgjë. “Nuk kam pasur lidhje me peshq të mëdhenj, vetëm një i vogël më ka ndihmuar”, ishte me pak fjalë pendesa e Sudes nën pranga. Gjithsesi, pati edhe të fituar, pjesë e cila vërtetoi thënien e vjetër “paraja shkon te paraja”. Por të humburit përbëjnë shumicën. Sot pritet që turmat e hallexhinjve që iu mbetën paratë vrimave të Sudes, apo të tjerët që nuk dëshirojnë një fund të tillë, të bllokojnë sheshin kryesor të Tiranës. Skënderbeu majë kalit,- sikur ta dinte që vit për vit do të kishte një datë të tillë, përsëri do të rishohë grumbuj që afrohen e largohen me forcë. Megjithatë, humbja e parave për pjesën dërrmuese të stafit policor, këtë radhë e ndryshon pak ngjyrën e “manifestimit”. I rrethuar dhe në qendër të vëmendjes për ditë me radhë, sheshi “Skënderbej” më shumë se kurrë pritet të tregojë “dezertorët” e ndershëm, pavarësisht nga dërgesat postale me emërtimin “speciale”.
Policët mes Kasandrave
Të jesh polic sot, nuk është më në modë. Favoret e viteve më parë kanë ikur me kohë. Sot, përveç humbjeve të tjera, uniformat pa grada të dukshme janë ndoshta nga më të humburit edhe në radhën e hallexhinjve. Shumica e policëve, të ardhur nga Veriu dhe fshatrat e Shqipërisë, kanë kursyer për muaj e vite me radhë 7000-10000 lekët për t’i mbyllur këto në fajdetë e shumta. Po cilat kanë qenë pikat kryesore që kanë mikpritur policët? Sudja dhe fondacionet, “Populli”, “Xhaferri” e të tjerat të njohura e të panjohura nëpër rrethe. Mbyllja e parave me përqindje dhe diskutimi i depozitave të fondacioneve janë halli i parë dhe i madh i policëve me uniforma blu e gjithfarësh, hall ky që ndoshta nesër do t’ju zëvendësojë profesionin. Por, problemet e tyre nuk mbarojnë me kaq. Urdhrat janë urdhra dhe duhen zbatuar. Në udhëkryq e panë veten policët që detyra i ngarkoi të jenë pranë turmës alarmante që kërkonte paratë tek Sudja. Jo pak keq janë ndjerë edhe policët në kryeqytetin e fajdeve, Vlorë, ku disa prej tyre madje edhe janë plagosur, duke u dëmtuar përveçse materialisht, (nga ikja e Gjallicës) edhe fizikisht. “Nuk na bënë asgjë policët”, bërtiste turma para pallatit të Sudes, që goditej barbarisht nga “policë” të tjerë, kuptohet të emergjencës speciale. Po a mund të bënin vërtetë gjë policët? Mund të godisnin, për të zbatuar urdhrin, po sot edhe po nuk godite një herë nuk quhesh më tradhtar, shumë-shumë mund të transferohesh pak në rrogë dhe kaq. Problemi i parave me fajde, shqetësimi kryesor i shumicës së familjeve shqiptare nuk ka sesi të mos jetë po kaq shqetësues edhe për vetë policët. Rrogat e tyre skandaloze, pa futur ndonjë shpërblim të vogël që e marrin më të shkathëtit, ndoshta në përqindjen më të madhe të policëve të zakonshëm, kanë përfunduar në firma e fondacione. “Kaloni këtej se ju godasin këta”, tregojnë se ka thënë një nga policët kryesorë që ruante hyrjen e Sudes ditën e përleshjes së njerëzve me forcat speciale. Të mësuar me ngjarjet e 26-28 majit, njerëzit kanë fiksuar uniforma, fytyrat gjysmë të mbyllura dhe dialektet… “Këta nuk janë policë shqiptarë. Këta janë bisha dhe të droguar. Na godasin sepse duam paratë tona”, – thoshte një djalë i ri mes turmës ditën e mërkurë. Po policët, të zakonshmit me uniforma blu, çfarë bënin? Bënin sehir duke mos u përzierë dhe gjithashtu “qanin” në heshtje, shërbimin e gjatë pranë romes Sude.
Familjet e uniformave blu
Pallati i policëve në rrugën e Kavajës, fare pranë shtëpisë së Sudes, fondacionit “Xhaferri” dhe klinikës “Gjallica” nuk rresht nga zhurma. “Nuk dua fare paratë, vetëm burrin e dua në shtëpi nesër”, thotë Rita, një nga familjaret e pallatit të policëve. Shumica e apartamenteve janë mbushur me policë të ardhur nga rrethet veriore të vendit si dhe me të tjera ardhur nga fshatrat. Afërsia me Suden ka bërë që pothuaj gjithë pallati ato dy pare që ka pasur t’i mbyllë aty me përqindje.
Madje, siç tregojnë gratë, shumica e burrave të tyre, për të qenë më të sigurt kanë kërkuar që në ditët e para të javës të bëjnë shërbim pranë pallatit të fajdexheshës së madhe. “Ato lekë që kishim, i futëm tek Sudja. Mirë paratë që ikën po m’u plagos edhe burri atë ditë”, thotë gruaja e njërit prej policëve që për ditë të tëra ka ndenjur te dera e Sudes. Megjithatë ato mundohen të shpresojnë. Një grua tjetër, tregon se gjithë këto ditë, asnjë shtëpi nuk ka qëndruar të paktën pa një dritë hapur. “Na prishën kaq shumë punë këto para, po hajde, do bëjmë si do bëjmë”.
Gjithçka për pallatin ka ngelur në vend. E diela e sotme është padyshim dita e madhe për shumë familje. “Çfarë nuk po dëgjojmë moj bije”, thotë e ëma e një polici, e cila shton me zor se edhe vetë po të ishte në vendin e të tjerëve do t’i shante e do t’i mallkonte policët që godasin njerëzit për paratë e tyre. “Nuk kanë asnjë faj njerëzit. Po as bijtë tanë nuk kanë faj. Kjo është puna e tyre, këtë e kanë detyrë dhe ec e mos kryej…”
Të përndjekurit e mëdhenj
Ngritja e përqindjeve në muajt e fundit të vitit që shkoi mori në qafë shumë pensionistë. 50 e 170 përqindëshat e Sudes më tepër se të tjerët u plotësuan nga paratë pikë-pikë të pensionistëve që përveç vetes kanë marrë më qafë edhe mundin e fëmijëve refugjatë. Tabloja tragjike e ditës së mërkurë, ditë kur zonja Sude do të shpërndante paratë, nuk ka lënë pa kapur fytyrat e pensionistëve, që ndoshta për herë të parë kanë uruar me gjithë mend “t’i marrë vdekja”. Një burrë plak që qante atë ditë, shkulte ato pak fije flokë dhe i kërkonte të falur të birit 19 vjeç që punonte prej tre vjetësh në Greqi. Pleq e plaka të tjera, të shumta mes turmës para Sudes, treguan të fshehtat e jetës. Pensionet qesharake në krahasim me moshën dhe vuajtjen e jetës nuk e kanë bërë për të qarë qeverinë dhe as komisionin që heton fajdetë, për të mos folur fare për mashtrimet e Sudes…
Një pjesë jo e vogël e banorëve të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit gjatë gjithë kësaj kohe kanë shitur shtëpitë dhe i kanë futur paratë me demonstratën para shtëpisë së Sudes, pjesa dërrmuese bërtiste se kishte humbur shtëpitë. Lëkundjet e mëdha të kësaj kategorie këto ditë po vihen re në tregun e sekserëve ku merren e jepen shtëpi me qera. Më të humburit mbeten padyshim të ardhurit nga rrethet e vendit që me paratë mbyllur tek Sudja e gjetkë kanë shpresuar të blejnë apartamente të vërtetë. Atyre iu mbetet të jenë edhe për një kohë të gjatë në banesat me qera. Nuk janë shumë por as pak nuk mund të quhen ata që kanë humbur mijëra deri në qindra mije dollarë.
Në humbësit e mëdhenj por të rëndësishëm nuk përjashtohen as figura publike aktorë, këngëtarë dhe as politikanë e diplomatë. Shuma pak prej tyre i kanë mbyllur paratë te Sudja. Pjesa dërrmuese uron ecjen mbarë të punës te fondacionet “Populli” dhe “Xhaferri”. Këtu futen edhe biznesmenë dhe diplomatë të huaj. Humbësit e firmave të mëdha ende nuk po ndihen. Fenomeni “Sejdia” mban shumë me shpresa.
Jonila Godole