Kastriot Islami: Më 27 maj do të flasim ndryshe me Berishën

(Botuar me 14 Prill 1996 në KOHA JONE)

Intervistë me deputetin e PS, zotin Kastriot Islami

“Nderi im dhe ndershmëria ime politike nuk varet e nuk mund të gjykohet nga prostitutat politike por vetëm nga elektorati”.

Komisioni i kontrollit të figurave ka dhënë përgjigje negative për 35 kandidatë për deputet të PS, ndër të cilët jeni edhe ju. Si e pritët këtë përgjigje?

Kjo përgjigje dihej, sepse Berisha e kishte gatuar me kohë këtë supë të prishur, shijen e së cilës do ta shijojë po ai vetë më 27 maj 1996 dhe ky nuk është një presion, por një kujtesë për kuzhinierin e keq i cili tentoi të gatuajë gjellë të helmuar. Ne më 27 maj do të flasim ndryshe me Berishën dhe ai do të flasë ndryshe me ne: Ne do të respektojnë institucionin e Presidentit dhe ai do të detyrohet të respektojë fitoren e Partisë Socialiste. Njëkohësisht si veprim të parë pas fitores së 26 majit, ne do të kërkojmë që të ballafaqojmë dosjet e sajuara me realitetin dhe ndërkohë ligjin antigjenocid do ta abrogojmë. Në rast se ai nuk do të arrijë ta kuptojë edhe këtë mesazh tonin, atëherë ne nuk do të mbanim këtë përgjegjësi për papërgjegjësinë e tij. Përgjigja negative ndaj meje është gatuar nga vetë Berisha. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe sepse unë kam qenë kundër veprimeve ekstremiste të Berishës qëkur ai ka qenë sekretar partie në spital, pra unë kam dalë kundër “autoritetit” të tij qysh në kohën e diktaturës dhe kjo është një ndër nga arsyet që më ka lejuar të parashikoj spastrimet në PD. Unë për këtë nuk mburrem se kam qenë disident i regjimit komunist, por mund të them me ndershmëri se nuk kam patur guximin të dal hapur në atë kohë sepse ai si dhe shumë të tjerë ishin shumë të rrezikshëm atëherë. Natyrisht mundësinë për të dalë hapur e fitova vetëm pas 12 dhjetorit 1990 e ndërkohë që ai ndërroi kostumin unë duke respektuar rregullat e lojës demokratike vazhdova të kritikoj të gjitha ato vjetërsi që ai mbulonte poshtë kostumit të tij të “ri” ndërkohë që fotografitë e vjetra të “dosjes” së tij mbeten në duart e publikut. Kjo është arsyeja kryesore që ai të më ketë mua gjithashtu kundërshtar të vjetër. Ndërkohë unë nuk jam shqetësuar nga kundërshtarët e mi politikë dhe e kam konceptuar demokracinë si arenën e ndeshjes së opsioneve. Me këtë rast unë kam një propozim të thjeshtë: le të konkurrojmë së bashku në cilën zonë që të dëshirojë vetë Berisha apo në të gjithë Shqipërinë dhe le të vendosë populli se kush do të jetë fituesi. Unë nuk kam frikë nga konkurrimi në cilëndo zonë dhe nuk më shkon kurrë mendja t’i heq ndonjërit të drejtën për zgjedhje e aq më tepër Berishës të cilin e konsideroj kundërshtar të dobët përballë meje. Përgjigjen e flet-përgjigjes së komisionit do ta marrë i pari Berisha më 27 Maj 1996 kur opozita do të fitojë mbi 2/3 e votave. Kjo ishte për mua e rëndësishme ndërkohë që deri më 26 Maj pasionet perverse do të arrijnë të harxhohen.

“Djegia e figurave qendrore të opozitës dhe PS do të djegë vetëm duart e Berishës sepse “digjet mirë ai që digjet i fundit”.

Sa mendoni se do të ndikojë eliminimi i këtyre figurave të PS në rezultatin e zgjedhjeve?

Eliminimi i disa prej figurave nga më kryesoret të PS ka natyrisht ndikimin e vet. Ky ka qenë edhe qëllimi i Berishës i cili në një sistem mazhoritar mendonte të vinte në pozitë të vështirë PS e cila do të paraqitej detyrimisht me figura relativisht të reja. Veprimin e paralajmëruar të Berishës ne e klasifikojmë si një akt politik ndaj të cilit ne do të përgjigjemi vetëm politikisht. Por Berisha ka qenë gjithmonë i paaftë për të kontrolluar reaksionin e veprimeve të tij; gjithashtu këshilltarët e tij të këqij e kanë futur vazhdimisht në qorrsokakë. Të grumbullosh kaq shumë reaksion pas një fitoreje të bujshme si ajo e 22 marsit 1992, duhet të punosh vetëm me stilin e Berishës. Vetëm Berisha është i aftë për të siguruar një bumerang të tillë. Për të qenë të ndershëm duhet të pranojmë në këtë rast se fitorja jonë lidhet në një masë të konsiderueshme me gabimet e ish të përkëdhelurit të Byrosë Politike, Berisha. Nga ana tjetër Berisha duke mos qenë i pasigurt në PD është munduar ta dominojë atë përmes spastrimeve brenda partisë së tij dhe aktivizimit të besnikëve militantë. Natyrisht këto spastrime e kanë zhveshur PD nga figurat intelektuale e karizmatike duke e lënë Berishën të rrethuar nga ish dhe neoservilët. E gjithë opozita pret 27 majin për të realizuar verifikimin e ndershëm të figurave të PD, ndërkohë që Gazidede – Berisha mendojnë se i kanë zhdukur ish gjurmët e  pisllëqeve të kandidatëve të tyre të vjetër e të rinj. Gabohen rëndë.  Fitorja e 26 Majit do thellohet në ditët që do të pasojnë nga procesi i pastrimit me “duar të pastra” i besnikëve të Berishës, të cilët mundët aksidentalisht të rezultonin deputetë.  Ky proces riverifikimi do të vendosë gjithashtu para ligjit komisionin i cili qysh tani ka filluar të thotë se “ne nuk dimë asgjë dhe gjithçka vjen e parapërgatitur nga zyrat e Shehëve, Zhulalëve dhe Gazidedeve”. Më 27 maj ky komision duhet të dalë në RTV për të thënë të vërtetën, për të mos e thënë atë në sallat e gjyqit.

“Të gjitha datat e fitoreve të PS mbarojnë me shifrën 6 dhe po kështu mbaron data e 26 Majit e po përsëri kështu edhe viti 1996”.

Data e zgjedhjeve është 26 maji. A mendoni se kjo datë është caktuar për t’ju zënë në befasi apo ka shkaqe të tjera subjektive?

Ne në Partinë Socialiste kemi kohë që jemi përgatitur për zgjedhje. Bile pushteti na ka akuzuar vazhdimisht që ne kemi kërkuar zgjedhje qysh më 23 mars 1993. Pra nuk ka asnjë dyshim që data 26 Maj nuk përbën asnjë befasi për ne. Madje do të thosha se Berisha ka rënë në grackën që ne kemi përgatitur me kohë dhe fatmirësisht Berisha në mënyrë naive arriti të vendosë atë datë që ne kishim parashikuar.

Ndoshta edhe për arsye sugjestionuese apo edhe supersticioze ne i krijuam Berishës grackën e datës 26 maj sepse në të gjitha datat që mbarojnë me 6 ne kemi fituar gjithmonë: Më 26 korrik dhe 6 nëntor e kështu do të fitojmë edhe më 26 maj. Këtë Berisha nuk e kishte llogaritur kurse ne i ndërtuam lëvizjet tona që ai të zgjidhte pikërisht këtë datë. Pra ne mendojmë se në të gjitha planet, duke përfshirë edhe atë psikologjik jemi prioritar ndaj Berishës për sa i përket datës së zgjedhjes.

“Ligji elektoral i PD mund t’i sigurojë opozitës aktuale më shumë se 70 për qind të vendeve në Parlamentin e ardhshëm, dhe vetë PD “mirëmëngjesin e Presidentit”.

“Të kuqtë sipas sondazhit të IRA kanë shumë pak mundësi të fitojnë. Sa për qind mendoni të humbisni në zgjedhje?

Në radhë të parë të “kuqtë” janë jashtë ligjit në Shqipëri dhe për fatin tonë të mirë edhe sondazhi për të cilin ju flisni na paska shpëtuar nga fitorja e “të kuqve”. Partia Socialiste dhe opozita do të fitojnë me saktësinë e komplimentit ndaj rezultateve të shpallura nga PD apo nga ndonjë “levë” e saj. Pra ne do të humbim, aq sa së bashku si opozitë të fitojmë 2/3 e vendeve në Parlament. Nga llogaritë paraprake rezulton se PS ndjehet e sigurt me probabilitet 80-90 për qind në 79-82 zona dhe në rreth 15 zona fitorja është me probabilitet 60-75 për qind. Në llogaritjet tona janë përfshirë edhe humbjet eventuale nga manipulimet, për të cilat janë marrë masat e nevojshme për t’i ulur shumë në krahasim me Referendumin. Këto shifra mund të duken në pamje të parë euforike por duhet të kihet parasysh se sistemi mazhoritar favorizon grupimin politik më të fuqishëm, pavarësisht se është i ndjeshëm ndaj manipulimeve. Një parti në pushtet preferon sistemin mazhoritar kur ka garanci fitoreje rreth 40-50 për qind të elektoratit, e jo siç ndodh me PD, e cila është e vetëdijshme që rezultati i saj nuk e kalon vlerën 25 për qind në shkallë kombëtare. Berisha e njeh mirë këtë rezultat të cilin e ka testuar, ndërkohë që janë hartuar edhe listat e zgjedhësve, po megjithatë blofon. Në realitet po të analizohen me kujdes veprimet e tij taktike rezulton se ai përgatitet për opozitë, duke u përpjekur të mos bjerë në kuotën e 1/3.

“Strategjia e konfrontimit e PD do të zëvendësohet më 27 maj nga paqja sociale  e forcave realisht demokratike”

Duket se ka rënë një heshtje mes PS e PD, ndërkohë që ju prisnit “goditjen” nga Presidenti pas mbylljes së Parlamentit…

Ne kishim të dhëna për skenarin e Berishës dhe për rrjedhojë e provokuam përmes një deklarate ku shpaloseshin pozicionet e PS. Kjo deklaratë e fuqishme çoroditi tërësisht Berishën i cili i rrethuar edhe  nga lejfenë e sanço e vetizoluan skenarin. Ne me qetësi vazhduam përgatitjet për Kongresin e dytë të PS dhe realizimin me sukses të fushatës elektorale. Ndërkohë në grupin parlamentar të PD u shfaqën elementë frakture lidhur me realizimin e skenarit të egër të Berishës, i cili shkonte deri në arrestime të figurave kryesore të PS në prag të zgjedhjeve. Berisha synoi me autobombën të krijonte avantazhin e humbur, por autogoli nga keqllogaritja rriti favorin e PS. Mbështetja e Kongresit të dytë të PS  nga forcat europiane të majta ishte një goditje tjetër që ju dha teorive të Berishës që bota nuk e pranon PS. Strategjia dhe taktikat e fushatës elektorale janë tashmë të përcaktuara qartësisht dhe në ditët që do të pasojnë çdo portë do të marrë drejtpërdrejti mesazhin e fitores së PS dhe të opozitës. PD vazhdon të mbështetet me planet të strategjisë së konfrontimit, por shumë elemente tensionimi me afrimin e 26 Majit do të shkrifërohen në sytë e tyre.  Ne kemi informacione edhe për udhëzimet apo paratë që po u jepen grupeve, personave apo të punësuarve të caktuar për t’u implikuar në manipulime apo deri në veprime kriminale. Por ne jemi të sigurt se askush nuk guxon disa ditë përpara dorëzimit të pushtetit të vihet në rrezik për hir të Berishës, të klanit të tij apo sepse të korruptuarit kanë frikë t’i lirojnë karriget. Ato pak njerëz të korruptuar të administratës nuk do kenë më forcë për të komanduar policinë me uniformë apo punonjësit e SHIK-ut për të vjedhur votat, sepse policët e thjeshtë nuk duan më telashe pas 26 Majit. As paratë e grumbulluara nuk do të arrijnë dot efektin e menduar nga shtabi i manipul-abuzime në PD. Më 27 maj ne do të flasim me gjuhën e ligjit me të gjithë ata që do të implikohen në veprime që komprometojnë zgjedhjet e lira e demokratike. Unë megjithatë jam i sigurt që tensioni nuk do të mund të ngrihet në fushatë sepse fitorja e PS po vendos në gjendje paniku dhe paralize stafin e PD. Me fillimin e fushatës gabimet e vetë Berishës dhe veprimet aktive të kundërshtarëve të tij do të përcaktojnë fitoren e padiskutueshme të PS dhe të opozitës. Ne jemi përgatitur për të mbrojtur me çdo kusht fitoren të cilën na e ka siguruar vota e popullit.

“Ne do të fitojmë sepse simboli ynë dhe mesazhet tona janë të thjeshta e modeste po aq sa vetë dëshirat dhe aspiratat e elektoratit tonë: qetësi, drejtësi, punë, përballë burgosjeve politike, korrupsionit politik e neopotik dhe papunësisë masive”.

Lideri juaj Fatos Nano, me shpalljen “qytetar nderi” në Tepelenë e Kuçovë, gjykoni se mund ta ndihmojë akoma PS për “korrjen” e mbi 50 përqindëshit?

Këto veprime të natyrshme e të merituara për Nanon sigurisht që vijnë në fushatë në mënyrë të studiuar, duke qenë pjesë e strategjisë së fitores. Vetë Nano është shndërruar në simbol të fitores së forcave realisht demokratike në zgjedhjet e 26 Majit. Ky është një avantazh tjetër që ne zotërojmë në këtë fushatë, ndërkohë që fushatën e PD e drejton një antisimbol, ideator i burgosjes politike të liderit socialist.  Pra, në aspektin e simbolit të kësaj fushate elektorale dallimet midis PS dhe PD nuk janë thjeshtë nuancore, por thelbësore e deri diametralisht të kundërta.

“Partia Socialiste i drejtohet  fitores me një ekuilibër dinamik stabilitetesh tipike të një partie eurosocialdemokrate”.

A ka fraksione brenda PS  dhe sa ndikon lideri juaj Nano në bashkimin e këtyre fraksioneve?

Unë vërej tani nga më pranë se në PS nuk ekzistojnë fraksione politike, klane apo grupime; ato ekzistojnë vetëm në kokën e Berishës dhe në faqet e “Albania” e të “RD”. Por natyrisht PS duke pësuar një ndryshim të përditshëm me synimin e saj  për t’u bërë një parti e tipit eurosocialist demokrat e vlerëson debatin si elementin kryesor të ballafaqimit të opsioneve. Në këtë këndvështrim të PS bashkëjetojnë sensibilitete të ndryshme dhe ekzistenca e këtyre sensibiliteteve është element i emancipimit të saj.  Nano në krye të PS gëzon respektin e gjithë këtyre sensibiliteteve ndërkohë që Nano vetë është preferencial i një parti me një ekuilibër dinamik të realizuar nga prezenca e multisensibiliteteve. Nano duke qenë një ekonomist me prirje liberale dhe një politikan me kulture të përgjithshme të thellë nuk e njeh drejtimin autoritar dhe ndoshta mund të thosha pa asnjë frikë se e urren atë.

“E ftoj Berishën në “duel” elektoral : në rast se guxon le të abrogojë ligjin antigjenocid e pastaj të dalë në fushatë me mua përballë në të gjithë Shqipërinë”.

Ku jeni mbështetur kur në formularin dërguar komisionit të verifikimit keni kandiduar për President?

Në radhë të parë duhet të sqaroj opinionin publik se iniciativa ime për t’u vendosur përballë Berishës nuk ishte një shaka, ndërkohë që edhe vetë shakaja do të përmbante së paku gjysmën e së vërtetës. Nuk është hera e parë që unë ndodhem përballë me Berishën dhe ndërkohë që unë me shumë humor e në mënyrë tepër njerëzore gjithmonë e kam “zbritur atë nga kali” tani që “ai i ka hipur kalit mbrapsht” kërkon në mënyrë kanibaleske me ligjin antigjenoci të më largojë nga politika. Argumenti i vetëm që ai ka kundër meje është se kur unë kam qenë Ministër i Arsimit në mënyrë tepër cinike i kam firmosur titullin profesor. Dërgimi i kërkesës për verifikimin e figurës sime mbështetet në radhë të parë në paaftësinë dhe frikën e Berishës për të konkurruar në mënyrë demokratike ndaj cdo figure qendrore të PS apo opozitës. Ndërkohë që Berisha përgatitet për të lënë pushtetin më 26 Maj, unë ndonëse në pamje të parë jam i konsideruar “gjenocidist” vazhdoj të përgatis të ardhmen time duke filluar nga 27 Maji 1996. Nga ana tjetër unë dëshiroja të vija në provë edhe komisionin “eunuko-impotent” për të ndyrë edhe çdo anëtar i tij duart së bashku me Berishën dhe Gjatën në veprimin më antidemokratik, atë të heqjes të të drejtës të zgjedhjes. Tani me dëshirën e mirë për të bërë edhe ndonjë shaka do të thosha: përderisa “filani apo fisteku”, qoftë në periudhën komuniste qoftë në demokraturë, u bënë deputetë e ministra atëherë çfarë duhet më tepër për t’u bërë President, aq më tepër që presidentë ka tani kudo në Shqipëri. Megjithatë për të qenë i saktë unë duhet të sqaroj se kam kërkuar të verifikohem për t’u bërë president por kjo nuk do të thotë aspak që unë detyrimisht do të vendos kandidaturën për president. Kjo ka qenë një grackë për Berishën i cili me sa rezulton nga burime të mirinformuara dhe të paidentifikuara është përgjigjur në telefon se “Islami nuk duhet lejuar për President kështu që digjet edhe për deputet, pra fajin e ka vetë që nuk kandidoi vetëm për deputet; bile me këtë rast dogji edhe shokët e tjerë”. Një arsye tjetër lidhet me faktin që unë kisha shumë dëshirë të testoja Berishën kur kundërshtari i tij i hedh dorezën në fytyrë. Testimi rezultoi ashtu siç e kisha parashikuar, por rezultati nuk do të jetë ashtu sic e ka llogaritur Berisha. Unë i bëj llogaritë i qetë dhe me kompjuter, kurse ai këshillohet me njerëz të pluhurosur të cilët unë i njoh shumë mirë dhe biografitë e tyre populli mund t’i lexojë në veprat e Enver Hoxhës. Edhe një herë tjetër e ftoj Berishën për të dalë në mejdan nëse ka guximin të përballohet demokratikisht. Jam i gatshëm të konkurroj në të gjithë Shqipërinë përballë Berishës dhe pa frikë e siguroj se do të quaj fitore vetëm rezultatin mbi 60 për qind në favorin tim dhe poshtë kësaj vlere jam i gatshëm të pranoj humbjen. Në rast se ka ndërmend Berisha të zërë mend para 26 majit, gjë që  ka pak të ngjarë, le të pranojë kandidimin e mirë të cilitdo.  Unë deklaroj tani përfundimisht pa asnjë hezitim se jam i vendosur për t’ju ngulur aktivitetin politik dhe vetëm atij politik. Të mos i shkojë mendja ndonjërit se mund të eliminojë nga ky lloj aktiviteti sepse do të jetë i dështuar. Unë vetë duke qenë partizan i bashkëpunimit jam kundër përjashtimit kushdo qoftë ai, duke përfshirë këtu edhe vetë Berishën. Unë jam kundër përjashtimit politik të Berishës sepse jam konsekuent në kërkesën time për respektimin e të drejtës universale të zgjedhjes.

Intervistoi: Jonila Godole

 

SHKARKO APP