Kastriot Islami: Suksesi dhe rreziku i referendumit
(Botuar me 24 tetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Kastriot Islami-
Shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar presin dhe janë të bindur se në 28 nëntor 1998 Shqipëria më së fundi do të jetë me Kushtetutë. Këtë e ka kuptuar edhe opozita bojkotuese, por në mënyrën e saj pret të nxjerrë nga fushata dhe nga rezultati i referendumit përfitimet politike maksimale. Po kështu Aleanca për Shtetin dhe të gjithë partitë e tjera të pozitës të përfshira në procesin kushtetues, të sigurtë për suksesin e tyre, interesohen gjithashtu të nxjerrin përfitimin politik që rezulton nga miratimi i Kushtetutës duke mos u shqetësuar për pasojat negative që do të sillte rezultati i ndryshëm nga ai i zgjedhjeve të fundit parlamentare i lidhur kryesisht me abandonimin e kutive të votimit.
Ka shumë shanse që fushata elektorale e partive politike për Kushtetutën të jetë e zbehtë dhe pjesëmarrja në votime e ulët. Kjo për disa arsye; kredibiliteti i partive politike dhe i lidershipit të tyre perceptohet i ulur në mënyrë të ndjeshme, Partia Demokratike e cila e ka keqkuptuar ligjin e referendumeve do të stimulojë mospjesëmarrjen e elektoratit të saj dhe konfliktualitet; Aleanca për Shtetin e harxhuar nga pushteti do ta ketë të vështirë të bashkëbisedojë natyrshëm me elektoratin i cili do të preferonte të gjente rastin për të qarë hallet dhe zgjidhur problemet; njerëzit e lodhur do të kërkonin edhe ta miratonin Kushtetutën, por përmes indiferencës t’i jepnin një sinjal “kërcënimi pozitiv” maxhorancës qeverisëse për mosplotësimin e angazhimeve; mungesa e rendit e sigurisë dhe prezenca e një numri të konsiderueshëm armësh e municioni do të jetë gjithashtu një pengesë e konsiderueshme për të zhvilluar bashkëbisedimin e qetë historik për Kushtetutën; së fundi ritensionimi politik i gjeneruar nga opozita bojkotuese duke keqpërdorur vrasjen e liderit Hajdari jep shenjat e rifillimit të veprimeve të dhunshme.
Partitë politike te interesuara për miratimin e Kushtetutës, duke e konceptuar fushatën referendare kryesisht si bashkëbisedime të deputetëve me elektoratin me sa duket ndihen të papërgatitura dhe të pamotivuara për finalizimin me sukses të këtij prioriteti me interes mbarëkombëtar. Çdo spontanitet në përgatitjen dhe organizimin e fushatës do të ishte me pasoja bumerang për vetë partitë por ndoshta do të rrisë gjithashtu nivelin e rrezikut për garantimin e stabilitetit politik afatgjatë pas miratimit të Kushtetutës.
Mbetet që Qeveria dhe Presidenti të konceptojnë një angazhim e kontribut maksimal e aktiv në këtë fushatë referendare, ndoshta komplementar dhe asimetrik me kalendarin e angazhimeve partiake. Kjo do të ishte jo vetëm më e pranueshme edhe nga vetë elektorati, į cili mirëpritet një fushatë referendare të depolitizuar por edhe nga krebiliteti më i lartë që kanë këto dy institucione në këto momente. Media e shkruar por kryesisht ajo elektronike kanë shansin të japin shembullin e pjesëmarrjes moderne në këtë proces me natyrë me interes mbarëkombëtar për të cilin shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar përgatiten prej disa vjetësh.