Keida Kostreci: Majko dhe Berisha, kokë më kokë

(Botuar me 22 dhjetor 1998 në KOHA JONE)

Nga Keida Kostreci-

Ndodhi ajo që dukej disi e parealizueshme. Pa ndonjë shenjë të dukshme më parë, takimi që për vetë rrethanat mund të quhet historik, shënoi një kthesë në politikën shqiptare. Dje Kryeministri socialist Majko dhe lideri demokrat Berisha u takuan në një nga sallat e hotel Rogner për studentët. Të shoqëruar edhe nga numri dy i qeverisë, Meta dhe numri dy i PD-së Pollo, ata kanë diskutuar për rreth tre orë për zgjidhjen e çështjes së grevistëve të urisë, por edhe për të tjera. Megjithëse për qeverinë ka folur zv/kryeministri Meta, kryeministri është shprehur shkurt për takimin në një prononcim televiziv. “Folëm për problemin e studentëve, por u prek edhe çështja e Kosovës. Pa u shprehur me optimizma të tepruara mund të them se diskutimi ishte pozitiv. Ky është një hap dhe ne kryem detyrën tonë si qeveri”, tha Majko.

Pas takimit të dy grupeve, është bërë një takim kokë më kokë mes Majkos dhe Berishës dhe më pas Meta dhe Pollo, bashkë me studentët kanë përcaktuar më konkretisht masat që do të merren. “U trajtuan me seriozitet të plotë të gjitha kërkesat e studentëve. Nuk mohoj, se gjeta tek përfaqësuesit e PS-së në tavolinë, njëkohësisht një ndjeshmëri dhe interes për zgjidhjen e problemeve. Se cili do të jetë përfundimi, këtë do ta dëshmojnë negociatat që do të zhvillohen”, tha Berisha pas takimit, të cilin e quan një zhvillim pozitiv.

Në takim është rënë dakord në parim edhe për ngritjen e një grupi hetimor të pavarur për zbardhjen e çështjes Hajdari. Për këtë është rënë dakord që të hartohet një ligj.“Qeveria u shpreh e hapur për të zhvilluar një takim me dy drejtuesit kryesorë të opozitës më të madhe në vend, me kërkesën e studentëve të dhjetorit, lidhur me problemet e grevës së urisë dhe kërkesat e studentëve grevistë, të cilët prej një kohe të gjatë janë në një situatë të vështirë dhe ky takim u shërbeu pikërisht përpjekjeve për të hapur një dialog midis qeverisë dhe përfaqësuesve të studentëve, lidhur me kërkesat e tyre”, tha Meta në përfundim edhe të takimit me studentët.

Çfarë u arrit nga negociatat

“Pas takimit që patëm me Kryeministrin dhe dy përfaqësuesit e opozitës, Berisha e Pollo, së bashku me z. Pollo u takuam me një përfaqësi të studentëve grevistë dhe ramë dakord që nesër në orën 9.00 të fillojë dialogu midis një ekipi qeveritar dhe përfaqësuesve të studentëve grevistë, lidhur me negocimin për kërkesat e tyre dhe me nënshkrimin e një marrëveshjeje për realizimin e tyre”, tha Meta. Ai shprehu gatishmërinë e qeverisë që me këtë marrëveshje, të bihet dakord edhe me monitorimin e vazhdueshëm të saj. “Besoj se dialogu që do të fillojë nesër, do të konkretizohet shumë shpejt dhe kjo do të bëjë të mundur edhe mbylljen e grevës së urisë, por njëkohësisht do të intensifikojë të gjitha përpjekjet e qeverisë dhe të gjitha subjekteve që përgjigjen për sa u takon kushteve të studentëve”, tha zv/ Kryeministri.

Ndërkohë edhe Pollo duket i kënaqur. “Përshtypja ime është se ka patur fleksibilitet nga ana e qeverisë, për të konsideruar masat për përmbushjen e këtyre kërkesave, për rritjen e të ardhurave, të bursës nga dhjetë për qind që është premtuar në një shifër më të lartë për të shkuar drejt 50 për qind, për të akorduar statusin e qyteteve universitare me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të zgjedhur të studentëve, për respektimin e ligjit të ri, për autonominë universitare”, tha nënkryetari i PD-së.

Kosova, gjuha e përbashkët

Mund të thuhet se Berisha ishte entuziast për sa u takon pikëpamjeve të qeveritarëve për Kosovën. Megjithëse takimi nuk ishte për këtë çështje, ajo ka zënë një hapësirë jo të vogël në takim.“Unë e kisha theksuar edhe më përpara që kjo qeveri, ka patur një ndryshim, ose ka adaptuar një qëndrim të ndryshëm nga qeveria e mëparshme për këtë problem të madh shqiptar dhe ballkanik, siç është problemi i Kosovës”, tha Berisha pas takimit. Ai e ka quajtur qëndrimin e Kosovës, deri të njëjtë dhe tha se kjo çështje duhet elaboruar më tej, për arsye se shqiptarët duhet të njësojnë qëndrimet e tyre në Shqipëri dhe Kosovë dhe nuk duhet që me qëndrimet e tyre të krijojnë kaos me një çështje kaq jetike për kombin shqiptar dhe jetike për Ballkanin.

“Kjo qeveri unë shoh se nuk ka qëndrimet e mëparshme dhe mund të shkojmë drejt një qëndrimi të njëjtë për çështjen kombëtare, gjë të cilën unë do ta dëshiroja shumë dhe për të cilat ngelem i angazhuar për të gjitha forcat politike në Shqipëri dhe të Kosovës”, tha kryetari i PD-së.

Dorëheqje nga kërkesa për dorëheqje

Krerët e PD-së duken më të zbutur për sa i takon kërkesës për dorëheqje të Majkos dhe qeverisë së tij dhe sqarojnë se ajo u bë pas dhunës së ushtruar nga policia ndaj studentëve. Gjë që Meta nuk e pranon, por gjithsesi thotë se qeveria do ta verifikojë. Gjithsesi, fakti që Berisha ka takuar Majkon, tregon se e njeh si Kryeministër dhe duket se është hequr dorë nga kjo kërkesë, edhe pas premtimit të qeverisë, për verifikimin e rasteve të dhunës.“Dorëheqja e Majkos ka qenë një kërkesë pas ndërhyrjes brutale dhe dënueshme të policisë, e cila meriton një hetim të plotë, për qartësimin e të gjitha këtyre aspekteve dhe për nxjerrjen e përgjegjësive. Kështu që ajo është një çështje e negociueshme mes studentëve dhe qeverisë”, tha Berisha pas që erdhi takimit. Meta tha se kërkesa për dorëheqje u përmend por nuk u diskutua. “Unë mund t’ju them se është e drejtë e çdo qytetari i cili nuk ka votuar apo nuk i pëlqen kjo qeveri që të kërkojë dorëheqjen e saj.

Çfarë do të bëhet më pas

Të dyja palët kanë shprehur një gatishmëri për dialog të mëtejshëm, por gjithsesi PD-ja nuk e sheh këtë bashkëpunim ende në parlament. Berisha tha pas takimit se PD ka qenë një forcë shumë serioze dhe insistuese për dialog. “Natyrisht ne kemi kushtet tona. Sot ishte takimi me një palë të tretë dhe kishte disa specifika të veçanta, por ne kemi rezolutën e Këshillit të Evropës dhe pikat e saj të cilat janë të domosdoshme”, tha Berisha. Përsa i takon parlamentit, Berisha e konsideron përfundimtar vendimin për të marrë pjesë në parlament.“Dialogu me opozitën është një prioritet i qeverisë ekzistuese dhe përveç problemit të studentëve që ishte e vetmja e parashikuar për t’u diskutuar, arritëm në një mendim të përbashkët për Kosovën, kjo tregon se ka çështje për të cilat maxhoranca dhe opozita mund dhe duhet të mirëkuptohen”, thotë nga ana e tij Meta.

Pollo u shpreh i kënaqur që qeveria mori hapat e duhura për dialogun deri tani të parealizuar, ose të pamundësuar midis saj dhe qeverisë dhe studentëve. “Lidhur me dialogun e mundshëm qeveria dhe opozita kanë qenë të gatshëm, dihen edhe pengesat të cilat nuk kanë ndryshuar”, tha ai. Madje thekson se është ngritur edhe një pengesë më tepër, ngritja e akuzës ndaj z. Berisha. “Shpresoj që qëndrimi i qeverisë ndaj opozitës të ketë qëndrime të tjera, në këtë sens edhe në spektrin politik shqiptar”, tha Pollo.

KEIDA KOSTRECI

 

SHKARKO APP