Keida Kostreci: Vlora kërkon Nanon, ai nuk shkon!
(Botuar me 18 qershor 1998 në KOHA JONE)
Nga Keida Kostreci-
TIRANË-Nesër në Vlorë “Aleanca për Shtetin” do të mbyllë fushatën elektorale me një miting ku e kanë konfirmuar pjesëmarrjen të gjithë liderët, përveç Nanos. Kryeministrit dhe kryetarit të PS i është kërkuar nga të gjithë liderët e partive aleate të shkojë nesër në Vlorë, por deri dje përgjigja e tij ishte më shumë mohuese.
Shkeljen e Nanos në kryeqytetin e protestave e kanë kërkuar edhe vetë vlonjatët, por hezitimi i kryeministrit vazhdon, ashtu si në takimin e hapjes së fushatës. Ndoshta Nano druhet prej harresës së deritanishme për qytetin bregdetar të legjendave të skafeve. Me gjithë kërkesat e shumta përgjigja e dhënë dje nëpërmjet zëdhënësit ka qenë hezituese: “Kryeministri nuk ka planifikuar ndonjë udhëtim të premten”.
Asnjë nga zyrtarët e lartë të PS-së nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen ose jo të Nanos në mbylljen e fushatës, ndërkohë që kryeministri nuk është gjendur përballë popullit të qytetit më të prekur nga kriza e vitit të kaluar, i cili u bë kryeqyteti i protestave kundër shtetit të Berishës, dhe protagonist i përmbysjes së tij, që në ceremoninë e varrimit të viktimave të Otrantos, vitin e kaluar.
Në të gjitha takimet elektorale, në kuadrin e fushatës për zgjedhjet e pjesshme lokale, PS është përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i saj, Pandeli Majko dhe sekretarët e tjerë të kësaj partie, ndërkohë që kryetarët e partive të tjera të Aleancës për Shtetin, kanë marrë pjesë gjerësisht në fushatë. “Unë mendoj se Aleanca për Shtetin dhe PS do të përfaqësohen në nivelin e lartë në mitingun e Vlorës, por ne kemi koncept tjetër në organizimin e fushatave elektorale”, tha të mërkurën një nga Sekretarët e PS-së, Petro Koçi, pa pasur dijeni nëse Nano do të shkojë në Vlorë apo jo. Sipas tij, në përgjithësi Shqipëria ka vuajtur nga angazhimet e përfaqësuesve të shtetit në fushata duke shkaktuar shpesh edhe protesta, duke përmendur si shembull fushatat e Berishës.
Zyrtarë të tjerë të rangut më të lartë të PS-së, nuk pranuan të shprehen për domosdoshmërinë e pranisë së Nanos në mitingun përfundimtar elektoral, pa marrë një konfirmim nga numri 1 i partisë, për pjesëmarrje në miting. Një nga krerët e Aleancës për Shtetin, Kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri shprehu sigurinë që Nano do jetë në Vlorë të premten. “Patjetër që Nano, si Kryetar i PS-së duhet të marrë pjesë në mitingun e Vlorës, aq më shumë që Vlora e kërkon, sepse rrënjët dhe themelet e Aleancës për Shtet janë atje në Vlorë, kështu që ne Vlorën duhet ta nderojmë patjetër. Jam i sigurt që Nano do të marrë pjesë në miting”, tha Beqiri. Duke i konsideruar zgjedhjet për kryetar bashkie në Vlorë, si më të rëndësishmet në gjithë zgjedhjet lokale, edhe si test politik, Beqiri shtoi se “fushatën e filluam ne të tjerët në Vlorë, por duhet që në mbyllje të saj të jetë i pranishëm edhe kryetari i PS-së”.
Në Vlorë nuk ka shkuar për takim elektoral, ish-presidenti Sali Berisha, kryetar i PD-së, i akuzuar nga qytetarët e saj si shkaktar i tragjedisë së vitit të kaluar. Në mitingun e hapjes së fushatës në Vlorë, morën pjesë të gjithë krerët e tjerë të Aleancës për Shtetin, përfshirë Kryetarin e Parlamentit, Skënder Gjinushi. Mospjesëmarrja e Nanos në këtë miting të parë ishte paralajmëruar nga zyrtarët e lartë të Aleancës, me shpjegimin se impenjimet e Nanos si kryeministër (në atë periudhë, kishte filluar fluksi i të ardhurve nga Kosova në Shqipëri), nuk ia bënin të mundur pjesëmarrjen. /KEIDA KOSTRECI/