Kiço Blushi: Legjenda e Rozafës brenda nesh
(Botuar me 18 dhjetor 1998 në KOHA JONE)
Nga Kiço Blushi-
- “Jeto pa u ndjerë”
Mbase në këtë rrokopujë zërash që ulërijnë gjithandej, nëpër konferenca shtypi, sheshe, gazeta, kioska e apartamente pa drita e pa ngrohje, e ku secili beson se ka të drejtë, ndërsa tjetri jo, pozita më komode duket se është: HESHTJA. “Jeto pa u ndjerë”, thotë një i moçëm. Po sa e saktë është kjo thënie dhe a mund të ushqehet me këtë sentencë opinioni publik?
Ata që HESHTIN quhen të urtë, janë të pakërcënuar, shijojnë jetën dhe xhepin e kanë gjithmonë plot. Edhe partitë e partixhinjtë këtë milet e duan, pasi e vlerësojnë si kontingjent të tyre… Por ka të tjerë që shkojnë më tej kur të këshillojnë: E pse lodhesh kot? Në këtë vend s’të dëgjon kush, ky vend s’bëhet, këtu gjithçka e ka marrë lumi!
Në qoftë se ky vend ka marrë fund e ky popull nuk është i aftë të hyjë në bashkëjetesën demokratike, atëherë ç’ke, o njeri, që i pengon ata që besojnë e që përpiqen ta ndërtojnë këtë vend? Ku e gjen të drejtën ti të hedhësh në erë shtylla tensioni duke lënë pa drita krahina të tëra?
Mjaft me Legjendën e Rozafës në politikë: atë që dikush e ndërton ditën, tjetri e prish natën. Ky rrëmet s’po le gur në këmbë e shqiptar pa e dëmtuar, pavarësisht nga krahina, feja e ideja! Dhe askush nuk e kupton se kjo lloj prishje e shpërbërje nuk dëmton vetëm një palë, pra vetëm disa por të gjithë bashkë! Ky moskuptim, që ndryshe quhet Tranzicion, sikur po shkon ca si tepër gjatë…
- “Legjenda e Rozafës” dhe shtysa e saj primitive
Nuk ka shqiptar që, me të drejtë, të mos ankohet për kriminalitetin në rritje, për papunësinë, për çmimet, për rrogat e ulëta, për pisllëkun, baltën, gropat, drogën, prostitucionin dhe shvleftësimin e politikanëve… Sherr-politika pjell vetëm sherr mbi sherr.
Të gjithë ankohen te njëri-tjetri, duke ia shtuar vetes ankthin e duke pritur që mrekullinë ta bëjë Zoti! Jemi në ngërç, dmth ndjehemi kaq të pafuqishëm për të ndikuar te polici që ky të vendosë rendin, te ministri që ky të vendosë drejtësi, te qeveria që të qeverisë mirë etj. Jetojmë kësisoj si individë të vetmuar, pa atë forcën që të jep jeta komunitare, pra bashkëjetesa si popull, si komb e si shtet. Këto fije janë të këputura, të dobëta, ndaj s’mbetet gjë tjetër veç vetëgjyqësisë për të garantuar çatinë e shtëpisë dhe jetën e fëmijëve.
Të gjithë e dinë se kështu s’duhet të jetë, por si duhet kthyer vetëgjyqësia, si akt vetëmbrojtjeje, në gjyqësi publike, këtë s’e kuptojmë e s’e bëjmë dot sepse nuk na le Legjenda e Rozafës e cila instinktivisht sikur na shtrëngon të veprojmë vetëm kështu: atë që ndërton pozita e prish opozita dhe anasjelltas. Ndaj ne vegjetojmë nëpër shekuj me çifteli në dorë (ose me gisht në gojë) se kemi mbetur nëpër llogore e brigje pa ura: aty mbajmë të ngujuar nusen e vëllait të vogël të cilës i rrjedh sisa jo qumësht, po gjak, dhe pa kështjella, dmth pa qytete e fshatra, pra, pa civilizim të vërtetë.
- Nëna e pesë foshnjave dhe grevat e urisë…
Këto ditë në Shqipëri ndodhën dy ngjarje për të cilat po flitet shumë: greva e urisë e studentëve dhe lindja e pesë foshnjave. Thuajse në një ditë zunë fill këto dy ngjarje që duken si pa ndonjë lidhje me njëra-tjetrën e që ngjan se nuk kanë ndonjë kohezion me hulumtimin e mësipërm për Legjendën e Rozafës.
Në fakt, partitë, qeveria, opinioni publik, policia, mitingashët, oratorët, institucionet, liderët, kryeministri, ministri i informacionit, Berisha, Vili, TV private, gazetarët dhe të persekutuarit e të gjitha regjimeve u morën seriozisht me grevën e urisë të studentëve dhe aspak me pesë foshnjat e mbyllura në inkubator që s’e dinë ende në ç’shtet kanë rënë, cilit popull, ç’familje e ç’partie (i përkasin)… e që, sidoqoftë, ndodhen në një grevë të vështirë urie, të detyruar, të rrezikshme dhe në rrezik të madh jete.
Dikush mund të thotë: foshnjat nuk i përkasin ndonjë partie, ato nuk janë nga brezi i dhjetoristëve, pra s’përfaqësojnë idealet e dhjetorit, madje nuk kanë fare ideale se nuk kërkojnë të mbrojnë ndonjë parti e as të rrëzojnë ndonjë qeveri aktuale, madje ato nuk janë as të vetëdijshme që qenien e tyre në inkubator ta përdorin si presion mbi qeverinë, mbi shoqatat e fondacionet që këto të ndihmojnë prindërit e tyre, pra ato le të vuajnë në “grevën e tyre të urisë!” sepse ndryshe janë studentët dhe krahasimi me ta nuk shkon, pasi këta, dmth, studentët po sakrifikojnë për ideale, pra krahasimi kryekëput nuk qëndron!
Pa guxuar të hyj në argumentet që jep krahasimi me të pakrahasueshmen, siç thotë rëndom një lider i yni i shquar, mes foshnjave e studentëve, pasi të dy palët kanë elementë të fortë sentimenti, (por vetëm se njëra ka më tepër politikë, kurse tjetra ka më tepër humanizëm) duhet thënë se fakti që foshnjat s’kanë ideale, s’dinë në ç’botë e ç’shoqëri kanë ardhur, madje edhe sepse nuk e dinë kush është në krye të koalicionit qeveritar e kush në krye të bashkimit për demokraci, pra vetë fakti që janë foshnja është një argument më i fortë që duhet të bindë në radhë të parë qeverinë, partitë, shtypin e sidomos opinionin publik që të mbrojnë më të pambrojturit: foshnjat! Por kjo, mjerisht, nuk ndodhi e s’po ndodh e kjo dëshmon se ne e kemi ende brenda vetes Legjendën e Rozafës e cila na bën që edhe në fund të mijëvjeçarit të dytë ta lemë në mur të ngujuar, nënën e pesë fëmijëve së cilës i rrjedh gjiri jo qumësht, por gjak! Gjak, lot dhe dhimbje! Harresa, heshtja dhe partixhinjtë s’janë ilaçe që na shpëtojnë nga ky infeksion. As grevat e urisë të ndërgjegjshme, me përjashtim të foshnjave që presin më shumë humanizëm nga kjo shoqëri!
- Ekuilibri dhe disekuilibri, forca ose “militantët e Mamurrasit”
Nuk do shumë mend për të kuptuar se Shqipëria sot për sot ka nevojë për ekuilibër e për drejtues të ekuilibruar. Por nga trari i ekuilibrit nuk është e vështirë të rrëzosh, me një frymë, çdo qytetar të pambrojtur: mjafton një horr, edhe pa kallash në dorë, që mund të të kërcënojë, teksa ti ecën në punën tënde e, ky madje, edhe të të thotë: Shko, po ta mbajti e kallëzo në polici! Pas kësaj vjen kërcënimi tjetër: mund të rrëzohet një qeveri, një ministër, një parti, një koalicion me ca palo mitingje, konferenca gam-gam shtypi, akuza e ndërsim qenor me çdo mjet të atyre që ushqehen me berihaj. Si rezultat shoqëria shqiptare ka mbetur në majë të trarit të ekuilibrit: (ose, me gjuhë popullore: në majë të hurit) ca e tërheqin nga e majta, ca nga e djathta; ca thërresin: poshtë, të tjerët: rroftë!; ca duan ta rrëzojnë, ca duan ta mbajnë në majë të traut, ca qeshin, ca qajnë; ca ngjeshin paret me këmbë nëpër thasë; ca shesin vajzat për t’u bërë paksa kurva; ca vrasin e ca qajnë; ca të vrasin e pastaj thërresin: kapeni vrasësin; ca mbyten në det e ca fluturojnë me avionë… E, ky kaos lesharapi është mbjellë nga ata që s’kanë asnjë lloj ekuilibri brenda vetes sepse… sepse “u digjet barku për demokracinë e për popullin”… Këta betohen se s’kanë gisht në asnjë vrasje, shkatërrim, hedhje shtylle në erë, apo në vjedhjen e pasurisë kombëtare e le më pastaj të kenë ndonjë lidhje me 14 shtatorin e famshëm! Nuk kanë gisht (nëpër këto prapësira, sepse “s’i kanë në program të partisë” dhe se, po të donin të bënin grusht shteti e të rrëzonin qeverinë, këtë mund ta bënin vetëm me militantët e Mamurrasit”, pra, me një fjalë, nuk duan vetë të çekuilibrojnë shoqërinë, se, me demek, janë të ekuilibruar, pra demokratë të kulluar!
Nuk ka diskutim se kur një udhëheqës, kryetar partie, kryefamiljar apo edhe kryeministër gjeneron disekuilibër, urrejtje, vdekje, hakmarrje, revansh, bojkot, rrëzim, përmbysje, përjashtim, ndarje, luftë, larje hesapesh dhe kur ti, si qytetar; militant partie a qofsh edhe student, nuk je në gjendje të kuptosh se ku të çon një prijës i tillë, kjo do të thotë se ke kapitulluar, pra je kthyer në një lloj vegle që përcjell vetëm atë lloj korrenti: zhbërje, shprishje, disekuilibër, shkatërrim. Dmth brenda teje ky lloj prijësi është ulur këmbëkryq e me çifteli këndon Legjendën e Rozafës”.
- Ekuilibrat e çekuilibruar prishin demokracinë
Asnjë lloj qeverie, çfarëdo lloj sistemi aplikoftë, nuk ka pse të paguajë për të mbajtur mbi krye (me ndere, favore e me pare) një president, një kryeministër, një parlament, një qeveri, polici, administratën e rrogëmarrës të këtij lloji, po qe se ekuilibrat socialë, ekonomikë, politikë e moralë do të ruheshin në mënyrë të vetvetishme. Paguhet polici që të na mbrojë nga kriminelët, hajdutët dhe horrat. Paguhet qeveria që të ekzekutojë ligje, të cilat do të duhet të na e bëjnë jetën shoqërore më të kollajshme e më të pranueshme. Paguhen deputetët që të nxjerrin ligje që rregullojnë sistemimin e bashkëjetesës në harmoni e mirëkuptim social. Paguhet administrata publike që të funksionojë peshorja e drejtësisë… Të gjitha këto dihen,- por si funksionojnë në Shqipëri dhe a ka efikasitet kjo logjikë elementare e kontratës individpushtet dhe shoqëri – shtet e cila, gjatë dy mijë vjetëve ka bërë shoqërinë njerëzore anekënd rruzullit të pranojë faturën (jo të vogël) të shpenzimeve për të mbajtur mbi vetë qeveritarët? Pa hyrë në analiza kaq të holla, në këto ditë dhjetori, kur dhjetoristët e shquar s’lenë ekran pa na shpjeguar idealet e tyre të dhjetorit, e kur, greva e urisë e studentëve është në rend të ditës, askush nuk guxon të pyesë edhe pse populli i dha qeverisësve të sotëm një maxhorancë absolute: si janë ekuilibrat ekonomikë në Shqipëri, sepse për sa u përket ekuilibrave moralë, politikë, këto, sipas jo pak shqiptarëve,“i ka marrë lumi?” Pse qeverisja e sotme nuk po di të administrojë votën absolute, pra mundësinë e madhe të një maxhorance që rrallë mund të jepet nëpër zgjedhje?
Më konkretisht: a ka shoqëri në botë që të mundësojë një student të paguhet shumë më tepër se një pensionist që ka punuar 40 vjet? A mund të paguhet më shumë një student se një kirurg, se një polic, a qoftë edhe sa një pastruese bashkie?
A mund të ndodhë në një vend demokratik të botës, si psh në SHBA, që studentët të hyjnë në greva urie sepse kërkojnë nga shteti më demokratik i botës t’u paguajë më shumë se prindërit e tyre, apo të kërkojnë nga qeveria amerikane të gjejë me domosdo vrasësit e Kenedit? Këto pyetje shtrohen jo për të dhënë përgjigje, pasi përgjigjet nuk kërkojnë shumë mund e ndershmëri, por për të thënë se qeveritë ekzistojnë për të ruajtur ekuilibret, pra për të frenuar nepset e pakontrolluara të individëve a të grupeve shoqërore të cilat me, a pa qëllim, kërkojnë të prishin ekuilibrat e shoqërisë. Maxhoranca e sotme demon shtron çekuilibër, në këtë kuptim, njëlloj si opozita. Pra ajo nuk po e respekton fuqinë që dha vota e popullit.
Për t’i shkuar deri në fund këtij arsyetimi, (i cili mund të ngjajë si herezi për jo pak shkarra-shkrues trushkulur) çdo të bëjë qeveria e sotme po qe se, nën shembullin e studentëve, 600 mijë pensionistë do të hyjnë në grevë urie pasi pensionet e tyre nuk janë më shumë se 3 ose 4 mijë lekë të reja? Po ushtarakët e liruar? Po të papunët? Po mësuesit? Po elektricistët e KESH-it? Po policët që vriten përditë për 8 mijë lekë rrogë mujore? Po ushtarët, dmth moshatarët e studentëve, të cilët shkojnë të kryejnë shërbimin ushtarak për hir “të mesatares” e të halleve familjare, pra qëndrojnë në roje të atdheut duke ngrënë groshë të trashëguara e të shpifura nga kazani i famshëm i Shvejkut?
E pra, të gjitha këto kategori shoqërore, të nëpërkëmbura keq e mos më keq nga Tranzicioni ynë famëmadh, kanë po aq të drejtë të shpallin greva urie, po askush nuk guxon të përgjigjet: Ç’mund t’i ndodhë një shoqërie të tillë të mbërthyer në një grevë totale urie? Kaos? Anarki e plotë? Një njeri me mend në kokë në këtë rast mund të thotë se jo vetëm shoqëria shqiptare, por çdo lloj shoqërie, me siguri do të bjerë në luftë civile!
Kjo është arsyeja themelore që shoqëritë bien në luftë civile e jo pse u arrestua filani e fëstëku! Të mençurit e opozitës do të thonë: Të zhvillohen menjëherë zgjedhje të reja e të gjitha këto do të rregullohen!
Të mençurit e pozitës do të thonë: Zgjedhjet e reja do të bëjnë më të vështirë situatën, por populli ynë e veçanërisht pensionistët e sidomos eurosocialistët janë aq të pjekur sa të kuptojnë se grevat e urisë janë kurthe destruktive të Sali Berishës! As njëra, as tjetra nuk janë zgjidhje. As njëra, as tjetra s’do të na çlirojnë dot nga pengu i Legjendës së Rozafës! Veç propagandë asgjë tjetër nuk është kjo lloj sherr politike që nuk ka të sosur! Dhe kush nuk është ngopur me këtë lloj çorbe propagandistike këto pesëdhjetë vjet, le të shkojë në djall! Shqipëria e shqiptarët e sfilitur kanë nevojë për ekuilibër, për qetësi, për punë, për harmoni, për zgjidhje e zgjedhje të arsyeshme dhe ata që pranojnë të bëhen ministra, drejtorë, policë, kryeministra, presidentë, kryetarë partie a deputetë që nuk e kanë kuptuar këtë, ose më troç: që nuk ndjejnë këtë lloj përgjegjësie historike të venë në djall! Ky është morali i politikës dhe thirrja që buron nga çdo shqiptar i ndershëm. /KIÇO BLUSHI/