Kiço Blushi: Liria e shpërdoruar dhe deformimi i vazhdueshëm i demokracisë shqiptare. Fjala dhe opinioni publik i rrezikuar
(Botuar me 14 Dhjetor 1997 në KOHA JONE)
Nga Kiço Blushi-
Nga mjaft liderë të pozitës së sotme gjuha e urrejtjes është zëvendësuar me ironinë, batutën, sarkazmën, pra me përuljen që bën fuqia e Fjalës së më të fuqishmit ndaj më të dobëtit
“Gjuha kocka s’ka e kocka thyen”. Në kushtet e pluralizmit duket sikur ky mësim nuk ka vlerë, pasi tashmë secili është i lirë të thotë ç’të dojë, që nga qytetari i thjeshtë e deri tek gazetari, apo politikani i lartë. Aq më tepër që së fundi, parlamenti ynë miratoi ligjin më demokratik në botë: Shtypi është i lirë. Liria e shtypit mbrohet me ligj. Domethënë tani e tutje nuk kanë më “imunitet” vetëm deputetët, por edhe gazetarët e qytetarët. Secili pra mund të thotë ç’të dojë, ç’të ketë qejf, mund të akuzojë, fyejë, poshtërojë dhe nëpërkëmbë nëpërmjet fjalës gjithkënd.
Në Shqipëri ende nuk është kuptuar se e keqja që rrënon demokracinë duke e kthyer atë në anarki të plotë e deri në shkatërrim skajor të shtetit, të institucioneve e të vlerave njerëzore (siç e provuam në në këtë fillimviti) u fshehka edhe tek abuzimi (shpërdorimi) që bëhet me lirinë e Fjalës. Ka ardhur koha ta kuptojmë këtë, sa nuk është vonë, dmth sa nuk është rrënuar tërësisht opinioni publik shqiptar prej keqpërdorimit që i bëhet lirisë së fituar për t’u shprehur në publik. Kjo që them, ngjan si herezi, shumëkush mund të më akuzojë për kthim prapa, për censurë, për kufizim të Lirisë së Fjalës, etj., por nuk është aspak kështu. Një liri e shpërdoruar, një liri që rrezikon të tjerët e që cenon vlerat e shoqërisë, një pushtet i pakufizuar, i pakontrolluar e i papërgjegjshëm e sidomos një fuqi (qoftë edhe e Fjalës) që shkel mbi pafuqinë e pamundësinë e të tjerëve, nuk është vetëm një dëm social, por edhe një deformim i rëndë i demokracisë. Kanë ndodhur mjaft ngjarje të hidhura e mund të jepen shumë shembuj të hidhur për të ilustruar këtë ide, – sepse ne, mjerisht, përfundimet vazhdojmë t’i nxjerrim jo para, por pas eksperimenteve që janë bërë mbi trupin e mbi fatin tonë. Por politikë e mençur dhe efektive është vetëm ajo që na i thotë gjërat para e jo pas ngjarjeve.
Deri më sot ne vazhdojmë të ushqehemi me një propagandë që na shpjegon se sa të mjerë kemi qenë, pa na thënë e pa na dhënë garanci se si duhet të jemi sot dhe nesër. Në këtë kuptim loja politike ka mbetur e po mbetet në qerthullin e një cicmici fjalësh, që do të thotë: kush shan (ose tall) më shumë, del më i fituar. Emocionet që burojnë nga tribunat e populizmit, kur fjala përdoret si mjet për të asgjësuar nëpërmjet epiteteve kundërshtarët, nuk kanë vlerë për të gjetur udhët e zgjidhjes, por udhën e karrierës për atë që di të gënjejë e të gjejë epitete e ngjyrime linguistike të spikatura.
Kush e ndjek shtypin shqiptar, të shkruar, apo të folur, nuk e ka të vështirë të kuptojë sa i rrezikuar është opinioni shqiptar e sidomos qytetari shqiptar nga keqpërdorimi i Fjalës. Mund të shahesh, mund të poshtërohesh, mund të akuzohesh, të quhesh hajdut, kriminel, vrasës, i korruptuar etj. dhe askush, asnjë normë morale, le më pastaj ligjore, nuk e mbron qytetarin shqiptar. Askush dhe asgjë nuk e mbron shtetin, qytetarin dhe institucionet nga abuzimet, shpifjet dhe fuqia e pakontrolluar e atij që quhet “pushtet i katërt”. Edhe kur ky pushtet ka të drejtë, pra kur zbulon krimin, korrupsionin, kontrabandën dhe defektet e qeveritarëve e të politikanëve, askush – dmth, asnjë institucion, le më pastaj opinioni publik, – nuk ka fuqi e as mundësi të ndëshkojë e të riparojë gabimet e bëra. Kësisoj llumi mbetet në të njëjtën enë i përzierë me vlerat morale, ndaj edhe ndodh që llumi e plehrat të serviren si vlera njerëzore.
Mirëpo, një shoqëri njerëzore që e humb aftësinë të bëjë këtë ndarje, e ka të pamundur t’i shpëtojë rrënimit moral e kuptohet nuk mund të gjejë dot udhën e Ringjalljes, qoftë edhe ekonomike, pasi atë do ta sundojë fatalisht vetëm degradimi politik e social, e rrjedhimisht edhe moral, që buron nga abuzimi me Lirinë e Fjalës. Më shkoqur: e zeza do të quhet e bardhë edhe anasjelltas, e, kështu, në pambarim, qytetari mbetet në pus duke kujtuar se është i lirë.
Në shoqëritë civile është opinioni publik ai që kontrollon e fut në udhë të mbarë ketë “kalë të azdisur”. Ndërsa politikanët, qeveritarët e parlamentarët, opinioni publik i vlerëson (ose i ndëshkon) nëpërmjet votës, shtypin e shkruar ose të folur, opinioni publik e përtyp vetëm pasi është bindur se ushqimi është i pahelmuar. Në një restorant ku ka ndodhur një helmim masiv nuk shkel më kurrkush, sado të lira të jenë paskësaj çmimet e çfarëdo reklamimi të bëhet. Në Shqipëri nuk ndodh kështu. Ndërsa në shoqëritë pasdiktatoriale, ku ushqimi është i kufizuar e kur opinioni publik ka fituar imunitet prej helmimeve, uria i bën qytetarët të jenë të pavetëdijshëm për ushqimin që kanë: shtypi i lirë bëhet sundues fuqiplotë, aq sa qytetari e humbet aftësinë e gjykimit deri në atë shkallë sa nuk di të vlerësojë ç’është e mirë e ç’është e keqe, ç’është e dëmshme e ç’është e dobishme. Kjo është e vërtetë edhe për një shoqëri si ajo franceze, ku, sipas një sondazhi sociologjik të bërë para disa vitesh, 90 për qind e qytetarëve e gëlltisin shtypin gati pa e përtypur, ndërsa 10 për qind janë të aftë të pyesin: Pse? Në këtë 10 për qind të qytetarëve janë shumë të pakët ata që, pas analizës dhe arsyetimit, guxojnë të kundërshtojnë e të kërkojnë udhë të reja… Duke folur për shoqërinë franceze, mund të bëhen vetvetiu krahasime e paralele me shoqërinë shqiptare, për t’i kuptuar se sa përgjegjësi kanë ata që punojnë “në kuzhinë”, dmth ata që bëjnë politike, që përpunojnë opinionin publik e që, në fund të fundit, duhet të ndërgjegjësohen, për misionin që kanë: të fundosin, vrasin, helmojnë opinionin publik shqiptar, apo ta ndihmojnë atë të shërohet, të çlirohet e të pastrohet nga paragjykimet e sëmundjet e vjetra (të kohës së diktaturës) që e mbanin opinionin publik shqiptar të kryqëzuar me gozhdët e injorancës. Mjafton të ndjekësh fjalët që thonë politikanët e lartë e gazetaria e tyre partiake (apo servile) që të kuptosh sa i rrezikuar është opinioni publik shqiptar; për të njëjtën gjë thuhen fjalë ekstremisht të kundërta.
Mungon arsyetimi, ligjin e bëjnë epitetet, batutat, nofkat, etiketimet, e the kështu, s’e the ashtu, ndërkohë që politika dhe paskësaj edhe opinioni publik, duke rendur pas efektit të fjalëve emocionale e humbin veprimin, pasi më parë kanë bjerrë aftësinë për të gjykuar në mënyrë të mëvetësishme. Kushdo që ka ndjekur sadopak propagandën berishiane, të kohës kur berishokracia ishte në pozitë e tani që është në opozitë, s’e ka të vështirë të dallojë gjuhën e urrejtjes, të etiketimit, të papërgjegjësisë së Fjalës, dmth, një mungese totale të ndjenjës se Fjala, për një njeri publik, peshon më shumë se çdo gjë tjetër. Por kjo mungesë përgjegjësie duket se është karakteristike për gjithë klasën politike shqiptare, pa bërë asnjë dallim partiak; shumëkush nuk e ka kuptuar se është kjo lloj papërgjegjësie për Fjalën që ka shkatërruar e po shkatërron moralin dhe opinionin publik shqiptar.
Qytetarët shqiptarë, të ndarë, jo për faj të tyre, në parcela e pozicione të paracaktuara partiake e sociale (për shkak të diferencimeve që bëri lufta e klasave) janë të prirë të gëlltisin propagandën jo vetëm pa e përtypur, po edhe pa e parë e nuhatur më parë, mjaft që atë e servir aksh “kamarier” partiak. Ndaj në këtë fazë të shoqërisë shqiptare mungesa e përgjegjësisë për Fjalën e klasës politike (dhe e gazetarëve) është dyfish mëkat, mëkat sepse ata dëmtojnë një aspiratë, mëkat edhe sepse infektojnë e traumatizojnë opinionin publik, i cili në mënyrë naive u beson.
Në këto shtatë vjet pluralizëm, shumë anonimë e njerëz me vlera të kufizuara intelektuale, u gjendën papritur në tribunë e në qendër të vëmendjes së opinionin publik. Të rrethuar e të ndjekur nga populli e sidomos nga gazetarët e rinj e amatorë, ata u mësuan të jenë në qendër të vëmendjes. Çdo fjalë e tyre, e shoqëruar edhe me fotografi, edhe me bujë, edhe me kamera televizive të vendit e të huaja, nëpërmjet asaj që Konica, njëqind vjet më parë, e quante hipnozë nëpërmjet përsëritjes, merrte vetvetiu fuqi dhe inerci të pakufizuar, derisa këta (udhëheqësia shqiptare) duket se tashmë janë të bindur se janë vërtet liderë të pagabueshëm, të pazëvendësueshëm dhe madje edhe historikë. Duke i trajtuar gazetarët e gazetat si shërbëtorë, por jo vetëm këta, po edhe opinionin publik, i cili i gëlltiste fjalët e tyre pa i përtypur në tru për shkak të urisë së trashëguar nga koha e diktaturës, këta “liderë” e humbën për fatin e tyre të keq ndjesinë se Fjala ka gravitet, d. m. th. peshë, e se pesha e Fjalës vret më shumë atë që e thotë pa e peshuar se atë që e dëgjon dhe e gëlltit pa e menduar.
Tashmë është më se e qartë se kjo “hipnozë” e vrau në mënyrë tragjike jo vetëm berishokracinë, por e dëmtoi rëndë edhe moralin e mendësinë e qytetarit shqiptar, gjë që duket se nuk e ka lënë pa infektuar gjithë klasën e sotme politike, e cila vazhdon të vuajë sëmundjen e lojës së fjalëve, e cila në fund të fundit i ngjan lojës me kungulleshka. Shumëkush në Shqipëri këtë lojë me kungulleshka e quan politikë të mençur, efektive dhe të suksesshme: kush mposht kundërshtarin me një batutë humoristike e ka të fituar davanë.
Në të vërtetë ka një ndryshim, ndonëse të dukshëm, por në thelb pa ndonjë rëndësi të veçantë në mjedisin e Fjalës Shqiptare mes poshtërimit që i bëhet “armikut” dhe talljes që i bëhet “mikut”. Ndonëse akoma nuk është eliminuar gjuha e urrejtjes, e sharjeve dhe e shpifjeve, për ta asgjësuar e fundosur përfundimisht kundërshtarin politik (specifikë kjo e propagandës berishiane), nga mjaft liderë të pozitës së sotme kjo gjuhë është zëvendësuar me ironinë, talljen, batutën, sarkazmën, pra me përuljen që bën fuqia e Fjalës së më të fuqishmit ndaj më të dobëtit. Edhe pse duket sikur ka një ndryshim e një hendek të madh mes Fjalës poshtëruese dhe Fjalës tallëse, në të vërtetë këto dy fjalë janë ende larg nga e Vërteta, e cila zbulohet nëpërmjet analizës dhe sintezës e aspak nëpërmjet efekteve sugjerative që në të vërtetë dëshmojnë pafuqi, dobësi, abuzim dhe arrogancë.
Pesha e Fjalës, sidoqoftë, humbet për të gjetur alternativën më të mirë edhe në rastin kur ajo shpërdorohet kur rivali trajtohet si armik i betuar, edhe kur ai tallet e ironizohet, ngaqë (kundërshtari e vartësi) nuk e ka fuqinë që ka personi në pozitë. I gjithë shtypi shqiptar e pas tij edhe opinioni publik vrapon pas fjalës së një politikani të dehur me pushtet e fuqi të pa kontrolluar, edhe kur fjala e tij nuk ka peshë (sepse deri më sot) më interesante Fjala ngjan kur është e tillë, dmth e papërgjegjshme e pa peshë, sepse pjesa më dërrmuese e fjalimtarëve tanë s’e kanë peshuar kurrë Fjalën (e ndoshta për këtë aftësi u bënë liderë), por edhe ngaqë u mikluan nga gazetarët, siç miklohen zotërinjtë orientalë nga shërbëtorët. Punët në Shqipëri kanë shkuar keq e po shkojnë keq ngaqë Fjala ka qenë malli më pa vlerë e më pa peshë. Ka ardhur koha kur qytetarët e këtij vendi të gjejnë vendin e peshoren e saktë ku Fjala shërben si mjet për të gjykuar, arsyetuar, komunikuar e jo për të vrarë e poshtëruar njëri-tjetrin. Vetëm atëherë duhet besuar se ne kemi gjetur më në fund Mekën apo ilaçin, i cili do të na bëjë qytetarë të vetëdijshëm e të përgjegjshëm. /Kiço Blushi/